100 Vite të kongresit të alfabetit shqip

braziljania

Anëtar i Nderuar
Më 14 nëntor 2008 mbushen 100 vjet nga Kongresi i Manastirit, ose siç thuhet, Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe Gjuha shqipe, një ndër gjuhët më të lashta në familjen e gjuhëve indoevropiane, është dëshmi e fuqishme e identitetit kombëtar dhe faktor kryesor në mbijetesën e vetë kombit.
Lashtësia e gjuhës shqipe, e pranuar nga autoritetet shkencore dhe akademike botërore, dëshmon njëkohësisht lashtësinë e kombit, popullit shqiptar, që e ka krijuar, e ka folur, e ka zhvilluar dhe e ka ruajtur deri në ditët tona. Gjuha shqipe zotëron cilësi të larta linguistike dhe është e aftë të japë shqip kryeveprat e letërsisë botërore; shqipja është gjuhë e një kulture qytetëruese. ABC-ja shqipe e rrjedhimisht edhe shkrimi i gjuhës sonë kanë historinë e tyre.

Ato kanë ecur në një udhë të gjatë dhe të vështirë, kanë përshkruar shtigje të rrezikshme, kanë kapërcyer kurthe e pengesa të panumërta. Lëvizja për ABCnë dhe shkrimin shqip ka qenë pjesë përbërëse e përpjekjeve mbarëshekullore të kombit tonë, ka hasur në kundërshtime dhe qëndrime negative të armiqve tanë kombëtarë dhe ka çarë përpara duke pasur pishtarët e vet. Lufta për ABC-në dhe shkrimin shqip u ashpërsua sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare dhe pas saj. Pas daljes në dritë të "Abetares" së Naum Bredhit, lëvizja për ABC-në dhe shkrimin shqip u sulmuan përherë e më rreptë nga oborri osman dhe athino-fanaritët jo më si një dukuri gjuhësore, por si një dukuri politike. Konstandin Kristoforidhi, gjuhëtari ynë i njohur, do të lëshonte alarmin: "Ndë mos u shkroftë gjuha shqipe nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë Shqipëri ndë faqe të dheut, as nuk do të shënohet më emri shqiptar ndë kartë të botës" ("Nëpër udhën e penës shqiptare", f.7).

Përpjekjet e Rilindësve për gjuhën shqipe, për shkollën shqipe, kishin si hallkë zgjidhjeje krijimin e një ABC-je shqip. Kërkesa kryesore ishte që kjo ABC t‘u përgjigjej karakteristikave të vetë gjuhës shqipe, veçorive të saj fonetike dhe atyre të shqiptimit. Njihen 4 lloj shkrimesh të moçme, që kohë pas kohe kanë zëvendësuar njëritjetrin: vizatimori, kunjiformi, hieroglifiku dhe tingullori. Ishin fenikasit, 2 mijë vjet para erës sonë, që bënë hapin e madh të parë, të cilët ndërtuan shkronjat dhe shkrimin alfabetik, ku çdo tingull paraqitej me një shenjë të posaçme. Sipas dëshmive prehistorike, këto shkronja u sollën nga detarët fenikas në Ballkan. Jani Vretoja, i cili mbështetet te Herodoti dhe Diodori, thotë se të parët që morën shkronjat nga kolonët fenikas ishin "pellazgët jonikë", që mund të ketë ndodhur aty nga fillimi i qindvjeçarit XVI para erës së re.

Shkenca gjuhësore shqiptare ka pranuar faktin historik se gjuha shqipe është shkruar qysh herët dhe se janë përdorur disa lloje ABC-sh. Marin Barleti, në librin "Rrethimi i Shkodrës" (1504), thotë se kishte përdorur burime historike që flisnin për krijimin e Shkodrës të shkruara "në gjuhën e popullit", pa përmendur se me ç‘lloj ABC-je ishin shkruar. Po të merret me mend se në ato burime ka qenë përdorur alfabeti latin, atëherë pohimi i dëshmitarit më të hershëm që njihet gjer sot për këtë çështje, francezit Gulielm Adae, i njohur me emrin Brokard Monaku, është një provë e fortë e shkrimit të shqipes me shkronja latine qysh në lashtësi. Gulielm Adae, në një kumtim latinisht të vitit 1332, shkruante se shqiptarët, sado që kishin "një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo e latinëve…, në librat e tyre përdorin shkronjat latine". Por nuk thotë në cilën mënyrë përdoreshin dhe prej sa kohe ishin në përdorim ato shkronja. Gjurma e parë që haset mbi përdorimin e alfabetit latin në Shqipëri është e vitit 1462. Në këtë alfabet ka qenë shkruar e ashtuquajtura "Formulë e Pagëzimit".
 
Mendohet se ky dorëshkrim shqip, me shkronja latine, është lënë prej dorës së Pal ثngjëllit, kryepeshkopit të Ilirisë. Kryepeshkop Pal ثngjëlli udhëzonte besnikët që t‘i pagëzonin vetë fëmijët e tyre, kur nuk kishin mundësi që t‘i shpinin nëpër kisha, duke përdorur shqip formulën që autori e shkruan kështu: "Unte‘ paghesont premenit Atit et birit et spertit senit" ("Unë të pagëzoj në emër të Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë".) ثshtë dokumenti më i vjetër i gjuhës sonë, që dëshmon për përdorimin e alfabetit latin për shkrimin e shqipes. Këtë dokument e zbuloi historiani rumun, Nicolae Jorga. Burimi i dytë ku përdoret alfabeti latin në shkrimin e gjuhës shqipe është i vitit 1496 apo 1497. Ai ka qenë një fjalorth, në të cilin udhëtari Arnold von Harff, gjatë kalimit nëpër disa qytete bregdetare shqiptare, shënon numërorët themelorë nga njëshi deri në njëmijë; tetë fraza të ndryshme (përshëndetje, pyetje e zotime), si dhe njëzetegjashtë fjalë. Me "Mesharin" (1555) e Gjon Dedë Buzukut shpaloset një fazë e re dhe më e gjerë e ABC-së shqipe. Buzuku, edhe pse kryesisht përdori shkronjat e alfabetit latin, krijoi, përshtati apo huazoi edhe disa shenja a shkronja të një lloji tjetër, sepse shqipja ka më shumë tinguj e zëra se latinishtja.

Ndërtimi dhe cilësitë e veçanta të ABC-së të përdorura nga Buzuku janë trajtuar shkencërisht nga profesor Eqrem اabej në transliterimin dhe transkriptimin e "Mesharit". Shkrimtari i dytë që përdori gjerësisht shkronjat e alfabetit latin në një vepër të plotë në gjuhën shqipe ka qenë Lekë Matrënga, që besohet se jetoi midis viteve 1560-1619. Ishte nga fshati Hora e Arbëreshëve, siç e quajnë banorët e vet, apo Piana dei Greçi, siç e thërresin italianët. Ndryshe nga Gjon Buzuku, Lekë Matrënga përdori vetëm shkronjat e alfabetit latino-italian. Shkrimtarë të tjerë klerikë katolikë, si Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, e ndonjë tjetër, u përpoqën dhe e shkruan shqipen kryesisht me alfabetin latin, prandaj edhe ABC-të e tyre shëmbëllejnë ku më shumë e ku më pak më njëra-tjetrën. Atdhetarët tanë të dijes dhe të kulturës i panë të papërshtatshme ABC-të e gjertanishme të ndërthurura me huazime të pjesshme nga alfabetet e gjuhëve të huaja, prandaj iu përveshën punës për ndërtimin e një ABC-je të veçantë të shqipes.

ABC-të e ndryshme për shkrimin e shqipes kanë qenë të shumta dhe të shumëllojshme. Ato u shtuan, sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me programin politik e kulturor, u bë frymëzuesja e fuqishme për atdhetarët e ditur që të krijonin një ABC shqip, të përshtatshme dhe të lehtë për shqiptarët. Një vit e gjysmë pas themelimit të kësaj Lidhjeje, u ngrit në Stamboll "Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip". Sipas një burimi të kohës përmenden si anëtarë të kësaj shoqërie Sami Frashëri, Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Jani Vreto, Koto Nase Hoxhi; ndërsa një burim tjetër përmend edhe Zija dhe Ali Danishin nga Prishtina. Anastas Kulluriti shkruante: "Vetëm me anën e shkronjave shqipe dhe të gjuhës amtare kanë për t‘u përhapur dritat e shkencës, kanë për të ndritur ditë të lumturisë dhe idetë e qytetërimit e të përparimit dhe në atdheun e shqiptarëve" (Vep. cit. f.138). "Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip", që njihet edhe si Komisioni i ABCsë, pranoi njëzëri ABC-në e Sami Frashërit. Rreth përkatësisë së shkronjave të kësaj ABC-je, burimet e ndryshme nuk janë të njëzëshme. Njëri prej tyre thotë se ajo ABC kishte 36 shkronja, ndër të cilat 26 ishin latine, 10 ishin të përbëra, të sendërzuara a të huajtura nga alfabeti grek, kurse një burim tjetër thotë se 25 prej shkronjave ishin latine, 6 sllave dhe 5 greke.
 
Kjo ABC përbëhej pra nga 36 shkronja; nga këto 7 zanore dhe 29 bashkëtingëllore. Në gjysmën e dytë të vitit 1879, ajo ABC u përmblodh brenda një abetareje prej 136 faqesh, e cila u quajt "ALFABETARE E GJUHثS SHQIP". Kjo ABC u botua në 20000 kopje dhe u shpërnda në gjithë Shqipërinë dhe në kolonitë shqiptare brenda dhe jashtë sulltanatit osman. Me të u botuan fletoret "Drita" e "Dituria", librat e vëllezërve Frashëri dhe plot vepra e fletore të tjera. Kundër ABC-së së "Shoqërisë të të shtypurit të shkronjave shqip" u sulën në një front të përbashkët armiqësor që nga oborri osman, Patrikana e Fanarit dhe Papati i Romës, oborri carist rus, e deri te qeveritë frënge, greke, serbe, malazeze etj.

Nuk mbetën pas tyre as krerët e "Shoqërisë biblike britanike dhe për vendet e huaja". Mirëpo përpjekjet e tyre dhe të gjithë armiqve të tjerë, dështuan. Shoqëria e shkronjave ishte shoqëria e parë kombëtare shqiptare në lëmin e penës shqiptare, "e para farë për një punë të tillë", siç i shkruante Sotir Kolesë, Jani Vretoja. اështja e ABC-së, edhe pas shkatërrimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mbeti e gjallë. Përpjekjet vazhduan tek arbëreshët e Italisë dhe arianitasit në Greqi. Në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX u dallua një shtim i vrullshëm i veprimeve për hartimin e një ABC-je me një bazë të gjerë kombëtare.

Kështu, më 1899, një grup atdhetarësh shkodranë, me Preng Doçin në krye, ngritën shoqërinë "Bashkimi" dhe krijuan një ABC të posaçme, të quajtur "ABC-ja e Bashkimit". ABC-ja u botua në librin "ABETARI". Një grup tjetër shkodranësh të penës, me Ndre Mjedën në krye, në vitin 1901 krijoi shoqërinë "Agimi"; po në këtë vit Mjeda ndërtoi dhe përhapi një ABC të ndryshme nga ajo e "Bashkimit". ABC-ja në fjalë, sipas Justin Rrotës, u vu menjëherë në përdorim dhe zuri vend të parë. "Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe" u mbajt në Manastir më nëntor 1908. Ai kurorëzoi përpjekjet e shumë brezave atdhetarësh dhe njerëzve të penës. Thirrja e kongresit u prit me gëzim nga të gjithë, siç dëshmon Mihal Gramenua në një reportazh të gjatë për këtë ngjarje historike: "Ah! Me sa gëzim dhe me sa padurim prisnim ditën e Kongresit të parë kombëtar, gëzimi dhe padurimi ishte në delegatët". "Tubimi historik i Manastirit nuk ishte thjesht një mbledhje gjuhëtarësh, por një kongres kombëtar për çështjet më të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare", shkruan Uran Butka. Në kongres morën pjesë 32 delegatë, që përfaqësonin 22 klube dhe shoqëri të ndryshme atdhetare e kulturore, brenda dhe jashtë vendit.

Mihal Gramenua përmend edhe Parashqevi Qirjazin, si e dërguara e shkollës së çupave të Korçës. Por Gramenua shton se ishte e pranishme edhe Filomena A. Bonati, mbesa e Pashko Vasës, e cila kishte shkuar me dëshirën e vet për të shoqëruar Parashqevi Qirjazin. Kryetar i Kongresit të Manastirit u zgjodh me vota të fshehta atdhetari i madh dhe erudit, Mit‘hat Frashëri, dhe si nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjerasim Qirjazi. Mit‘hati atëherë ishte 28 vjeç dhe nuk kishte ardhur ende nga Selaniku kur u zgjodh në mungesë kryetar; u zgjodhën edhe tre shkrues: Hilë Mosi, Nyzet Vrioni e Thoma Avrami. Ditën e tretë të punimeve të kongresit i cili vazhdoi deri më 22 nëntor, u zgjodh komisioni i ABC-së. Kryetar i Komisionit të Alfabetit u zgjodh poeti i shquar Gjergj Fishta; ndërsa anëtarë Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Bajo Topulli etj. "Pikërisht se Mit‘hat Frashëri ishte kryetar i Kongresit të Manastirit dhe Gjergj Fishta kryetar i Komisionit të Unifikimit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe -shkruan studiuesi i njohur Uran Butkahistoriografia komuniste e anashkaloi dhe e censuroi këtë kongres, vendimet dhe pjesëmarrësit". Komisioni i Alfabetit u nda në 4 grupe dhe gjatë 3 ditëve rresht punuan veçmas, në mënyrë të pavarur. Grupet patën diskutime të ashpra për zgjedhjen e alfabetit të përbashkët. Debatet zgjatën aq sa u rrezikua edhe kompromisi. Por, me këmbënguljen e Mjedës, u arrit kompromisi historik.
 
Në procesverbalin e mbledhjes lexohet: "Te nesërmen nadje, para se të fillonim mbledhjen e komisionit, Dom Ndre Mjeda vajti te Mit‘hat Frashëri dhe i paraqiti këto dy alfabete. Zotnia, pas një diskutimi të shkurtër, mbeti i kënaqur dhe i tha t‘ia paraqiti vetë komisionit". Mjeda ia paraqiti alternativat komisionit, ndërkohë që Luigj Gurakuqi zbuloi dërrasën e zezë ku ishte shkruar ABC-ja. Fishta shkoqiti se ABC-ja e Stambollit është e mirë e mbi baza latine, por për të shtypurit e librave shqip ka vështirësi, ndaj duhet një ABC thjesht latine.

Më në fund u vendos të përdoreshin të dyja ABC-të paralelisht dhe pas dy vjetësh të mbahej një kongres tjetër në Janinë, i cili do të vendoste përfundimisht për ABC-në dhe ortografinë e gjuhës shqipe. Në fund, pas diskutimesh dhe polemikash të shumta, shkruan studiuesi Ibrahim D. Hoxha, grupet u mblodhën së bashku dhe vendosën të mbahej ABC-ja e Shoqërisë së shkronjave "me nja dy ndryshime të vogla" dhe krahas saj një ABC "krejt me germa latine, duke bashkuar dy shkronja për ata tinguj që kemi nevojë për gjuhën shqipe".

Poshtë nënshkrimeve të anëtarëve të komisionit të posaçëm shënohet: "Vendimin e Komisionit e pëlqyen të gjithë zotërinjtë delegatë, të cilët po e nënshkruajnë duke dhënë besën se kanë për ta mbajtur" ("Nëpër udhën e penës shqiptare", 1984, f.2007). "Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe" është ngjarja më e shënuar kombëtare në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. "Njësimi i ABC-ve, shkruante Mit‘hat Frashëri, është pema e parë e Kongresit. Por ka edhe një pemë tjatër, akoma më të madhe dhe më të bukur dhe kjo është bashkimi i shqiptarëve. Ish, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje, ku pamë shqiptarët të ardhur nga veriu dhe jugu, nga lindja dhe nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë dhe toskë, të krishterë dhe muslimanë, hoxhë dhe priftër. Qoftë ky themeli i një bashkimi të përjetshëm të shqiptarëve", përfundon Mit‘hat Frashëri.


Gazeta: Shqip
 
Armiqtë e gjuhës shqipe dhe triumfi i saj

Më 14 deri 22 nëntor të vitit 1908 në qytetin e Manastirit u mbajt Kongresi i gjuhës shqipe. Ky Kongres ka zënë një
vend të veçantë në historinë e kombit shqiptar dhe në veçanti në historinë e shqiptarëve të Maqedoni. Rruga e gjuhës shqipe për të ardhur deri në alfabetit e saj të njësuar ka qenë e vështirë. Lufta kundër gjuhës shqipe ka qenë e ashpër. Ky sulm ishte frontal dhe në të gjitha nivelet dhe drejtimet. Fanatikë fetarë ortodoksë dhe myslimanë injoronin gjuhën shqipe, filluan të ndryshonin emrat e fshatrave ku banonin shqiptarët. Osmanët i quanin shqiptarët të “pa fe” dhe të “paudhë”, priftërinjtë grekë e quanin gjuhën shqipe “gjuhë barbare”.
Ligj kundër gjuhës shqipe
Një ligj kundër gjuhës dhe kulturës shqipe ka lëshuar sulltani i Perandorisë osmane më 31.maj.1779, Abdul Hamiti II, ku përcaktohej saktë marrja në mbrojtje nga ana e turqve e kulturës dhe gjuhës greke, dhe se duhej luftuar gjuha shqipe. Ky dokument është nxjerrë nga arkivat greke dhe është botuar në gazetën “Thessaloniki” (14.korrik.1999). Për shekuj me radhë turqit qëllimisht dhe sistematikisht kishin përçarë popullsinë shqiptare në grupe rivalësh, armiqësive fetare dhe zëvendësimin e gjuhës amtare shqipe me gjuhë të huaja. Ndonëse trashëgimia e panumërt e poemave, baladave, përrallave dhe fjalëve të urta ishin përcjellë gojarisht brez pas brezi, qeveria turke i kishte ndaluar rreptësisht botimet në gjuhën shqipe. Kështu që shqiptarët shkolloheshin në shkollat fetare që ishin në gjuhën turke, greke, sllave, italiane, gjermane. Dhe ata që shkolloheshin nuk e dinin mirë gjuhën shqipen. Fëmijët myslimanë duhet të shkonin në shkollën e xhamisë, ku mësonin turqisht, fëmijët e krishterë duhet të mësonin greqisht. Kështu, në ato pak shkolla fillore në Shqipëri, asnjëra nuk përdorte gjuhën shqipe. Propagandistë të djallëzuar përpiqeshin të shkombëtarizonin brezat e ardhshme të rinisë shqiptare.Gjuha shqipe përdorej zakonisht në jetën e përditshme, prandaj arriti të përcillej nga brezi në brez.
Në shekullin XIX interesimi i njerëzve për gjuhën shqipe u rrit shumë dhe brenda pak vitesh u botuan katër gramatika të mira shqipe. Njëra u botua në Firence nga Jeronin De Rada. Tjetra ishte gramatika e gjuhës shqipe në greqisht, e botuar më 1882 nga Kostandin Kristoforidhi. E treta ishte gramatika e Sami Frashërit, e botuar në Bukuresht më 1886, në shqip. Kurse më 1887, Pashko Vasa nga Shkodra botoi në Londër një gramatikë shqipe në gjuhën frënge. Vërshimi i letërsisë kombëtare shqipe në vend sigurisht që inatosi qeverinë turke dhe Kishën Ortodokse greke. Patriarku ortodoks grek lëshoi një mallkim mbi letërsinë shqipe dhe kërcënoi me shkishërim të gjithë ata besimtarë që do të guxonin të mësonin dhe lexonin në gjuhën shqipe. Sulltani urdhëroi të gjitha postat doganore që të mos lejohej asnjë libër në gjuhën shqipe të futej në Shqipëri. Dy armiqtë historikë kundër njëri-tjetrit, tani po bashkëpunonin me zell për përndjekjen dhe burgosjen e gjithkujt që kapej me libra të gjuhës shqipe. Qeveritarët turq me dhunë dhe prifti e hoxha me propagandë demagogjike u përpoqën të përçanin popullin shqiptar dhe ta linin në errësirë. Kështu kleri mysliman proturk në rrugë fetare, ndalonte besimtarët myslimanë të ndiqnin shkollat shqipe bashkë me të krishterët, me pretekstin absurd se “prishin besën”. Nga ana tjetër, priftërinj e dhespotë grekë thonin se vetëm greqishtja është gjuha e perëndisë, kurse shqipja është gjuhë “shejtani” dhe, në këtë mënyrë, përpiqeshin të ndalonin përhapjen e gjuhës shqipe në shkolla, xhami, kisha e kudo.
Atdhetarët dhe persekutimet
Por kundër këtyre forcave armike të gjuhës shqipe dhe interesave kombëtare, të turqve dhe grekëve, u ngritën atdhetarët shqiptarë. Ata u vunë në krye të masave popullore dhe i dhanë hov lëvizjes për gjuhën dhe shkollën shqipe. Prijësit e Rilindjes Kombëtare e kishin kuptuar mirë se rruga drejt pavarësisë shkonte drejt arsimit dhe shkollës shqipe. Hartimi i librave dhe çelja e shkollës shqipe u bë problemi më i ngushëm. Qëllimi ishte zgjimi i ndërgjegjies kombëtare dhe për të rritur vullnetin për të luftuar për pavarësinë pastaj. Vala antishqiptare ishte shtuar edhe më shumë rreth fqinjëve tanë mbas formimit dhe programit të “Lidhjes së Prizrenit”. Lidhja kishte si qëllim kryesor çeljen e shkollës shqipe, por me shkatërrimin e Lidhjes, puna e pionierëve të parë të arsimit shqiptar u bë dhe më i vështirë. Në Shkodër qytetarët mund të mësonin në shkollat e klerit katolik, të cilat në sy të qeveritarëve turq, paraqiteshin si shkolla fetare. Mësuesit shqiptarë u bënë pararoja e nacionalizmit shqiptar, atëherë qeveria turke mori frikë dhe, pa u mbështetur në asnjë ligj, mori masa të rrepta duke persekutuar arsimtarët shqiptarë.
Në Shqipërinë e jugut përhapja e arsimit shqiptar kombëtar u pengua edhe nga influenca shkatërruese e propagandës greke. Pothuajse të gjithë ata që çelën shkolla shqipe në jug ishin të fesë ortodokse. Qeveria greke me anë të Patriakanës së Stambollit, “Fanarit” kishin siguruar të drejtën të hapte shkolla për kristianët. Për t’iu mësuar ortodoksëve të Shqipërisë vetëm gjuhën greke. Qeveria greke, me anën të shoqatave arsimore të ndryshme, çeli me qindra shkolla greke në Shqipërinë Jugore, për të futur ndjenjën greke në brezat e padjallëzuar shqiptarë. Shqiptarët e krishterë që nuk iu përulën politikës së Greqisë, u mallkuan dhe u luftuan me çdo mjet. Mbas shumë botimesh, fjalorësh, të cilët, shkollat myslimane kur bënin mësim në shqip i shkruanin me shkronja arabe, shkollat ortodokse greke përdornin në shqip shkronja greke. Dhe atdhetarët klerikë katolikë dëshironin që gjuha shqipe të shkruhej me shkronja latine.
Drejt alfabetit
Gjatë zhvillimit të letërsisë shqipe u hartuan disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll. Megjithatë, mendimi i përgjithshëm ishte se shkronjat jolatine nuk ishin aspak të pranueshme për prodhimin e letërsisë shqipe
dhe gjuhës kombëtare shqipe. Për këtë arsye, shoqëria aktive dhe idealiste “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarëshqiptare. Më 14 nëntor të 1908-s, në Manastir u mblodh “Kongresi i Manastirit” ose “Kongresi i Alfabetit”. Në këtë Kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave, që botoheshin në Selanik, “Liria” dhe “Dituria”. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça, si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në atë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të fesë myslimane, katolikë, ortodoksë, protestantë, të bashkuar si vëllezër, për një qëllim të madh kombëtar. Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit. Kërkesa e nacionalistëve shqiptarë ishte që gjuha jonë shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nënkupton mosnënshtrimin qoftë ndaj turqve, qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja. Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe. Duke qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre, vendosmëria e delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse greke dhe aleati i tyre sllav.
Në Manastir u hap dhe shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregtarësh atdhetarë myslimanë shqiptarë. Shtypshkronja e Manastirit shpejt u bë e njohur në të gjithë Shqipërisë si shpërndarëse e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Në këtë punishte ishin të punësuar 17 veta, të cilët punonin me një makinë të re elektrike, që vihej në lëvizje me dorë, për të shtypur gazetën e përjavshme “Bashkimi i Kombit” si dhe abetaret shqipe dhe tekstet shkollore. اështja e gjuhës shqipe shpesh bëhej shkas shpërthimin e dhunës së fanatikëve që sulmonin pa mëshirë përparimin e gjuhës shqipe.
Qeveria turke dhe kisha greke
Më 1909-n, qeveria turke, në bashkëpunim me kishën greke dhe sllavët, mbylli të gjitha shkollat shqipe, dhe dha urdhër të prerë të shuhen në zjarr të gjuha librat, dokumentet dhe letërsia shqipe. Gjendja politike në vend në atë kohë ishte kritike për të marrë flakë nga çasti në çast. Për atdhetarët shqiptarë u bë më se nuk do t’i realizonin dot kurrë qëllimet e tyre të larta pa hapur më parë shkollat shqipe për formimin e rinisë. Deri në atë kohë rinia shqiptare kishte qenë objekt i propagandës së huaj në shkollat e hapura nga qeveria turke dhe nga kisha greke, që të dyja kundërshtarë fanatikë të, gjuhës shqipe dhe të çdo ndjenjë atdhetare. Megjithatë, gjatë punës për krijimin e sistemit të tyre shkollor, atdhetarët shqiptar u ndeshën me tri probleme të mëdha, pengesa nga autoritetet turke dhe greke, mungesa e të hollave dhe mungesa e mësuesve të kualifikuar. Shuma të vogla, por të dobishme të hollash ishin mbledhur aty-këtu brenda vendit, kurse ato më të mëdha kishin ardhur nga shoqëritë dhe klubet shqiptare në vendet e tjera. Mirëpo kishte fare pak mësues të kualifikuar të gjuhës shqipe.
Kongresi i 1909-ës
Për t’i bërë ballë kësaj sfide arsimore, Klubi i Selanikut thirri një tjetër Kongres në Elbasan, në zemër të Shqipërisë, nga data 20 deri 27 gusht të 1909-s. Në këtë Kongres tetëditor, që kishte synim zhvillimin e lëvizjes arsimore anembanë vendit, erdhën delegatë nga 28 shoqëri e klube shqiptare. Në Kongres u vendos që të themelohet “Shkolla Normale në Elbasan”, një shkollë gjashtëvjeçare për përgatitjen e mësuesve të rinj. Njerëz të mësuar në universitetet e huaja europiane u gjetën dhe u caktuan për të formuar stafin pedagogjik. Klubi i Manastirit u caktua si qendra për krijimin e një Federate të Klubeve Shqiptare në Shqipëri dhe në kurbet. Qëllimi i Klubeve ishte përhapja e gjuhës dhe arsimit shqip, pa u përzier me politikë. Klubi korçar “Përparimi” u caktua si qendra financiare, që do të adimistronte ndihmat dhe shtimin e shkollave të ditës dhe të natës. Përgjegjësia kryesore dhe prokupimi i madh ishte mbajtja e Shkollës Normale të Elbasanit. Kongresi i Elbasanit nxiti të gjithë shqiptarët të futnin gjuhën shqipe në shkollat e huaja, të përhapura anembanë Shqipërisë. Më 18 nëntor 1909 u bë thirrja haptazi, “Për mbajtjen e Shkollës Normale të Elbasanit duhen, para, para e më shumë para”. Nuk është e vështirë të përfytyrohet niveli i ulët i jetesës së njerëzve, që u bëhej një propozim i tillë! Mirëpo, me ose pa mjetet e përshtatshme, Shkolla Normale Elbasanit vazhdoi të përgatiste pionierët e arsimit për Shqipërinë që po rilindte. Drejtori i parë i Normales ishte Luigj Gurakuqi, që vite më vonë kjo shkollë u pagëzua me këtë emër. Shkolla Normale u hap më dhjetor të 1909-s, me 143 nxënës. Shpërthimi i shqiptarizmit i kaloi të gjitha parashikimet e armiqve të gjuhës shqipe.
Gazeta, revista dhe arrestime
Në atë kohë dolën në dritë rreth 90 gazeta dhe revista shqipe, që botoheshin në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit. Xhonturqit të frikësuar nga ky shpërthim i shpejtë i arsimit shqip, reaguan ashpër, duke ndaluar shoqëritë, shkollat dhe botimet në shqip. Në Vlorë atdhetarët arrestoheshin dhe internoheshin, shkolla e Vlorës u mbyll, kurse drejtori i saj Loni Naçi u largua nga Shqipëria, nga frika e vrasjes. Në Gjirokastër pionieri i arsimit shqip kombëtar, Koto Hoxhi, u internua në kështjellën e Bosforit. Pandeli Sotiri, themelues i së parës shkollë shqipe në Korçë, u internua në Selanik. Xhonturqit i kishin vënë detyrë vetes për të rrjepur të gjallë të gjithë shqiptarët që punonin për përhapjen e gjuhës shqipe. Dalja në pah e gjuhës shqipe, me shkronja latine, provokoi myslimanët injorantë e konservatorë. Ata protestuan se shqipja, ashtu si turqishtja, duhen shkruar vetëm me shkronja arabe dhe se preferenca e atdhetarëve shqiptarë për shkronja latine perëndimore ishte një përçmim për fenë myslimane. Njërës të paditur dhe injorantë formuan me mbështetjen edhe të qeverisë së xhonturqëve në Stamboll shoqërinë “Mahfeli” me synimin për përçarjen e shqiptarëve dhe frenimin e arsimit në shqip. Në fund të vitit 1909, qeveria turke ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe me shkronja kombëtare, në të gjitha shkollat anembanë vendit. Gjithashtu, nxori një dekret, sipas të cilit gjuha shqipe do të shkruhet vetëm me shkronja arabe. Shoqëria reaksionare “Mahfeti”, me mbështetjen e qeverisë turke, shtypi dhe shpërndau abetaret e para me shkronja arabe. Për këtë arsye, në shkurt të 1910-s, u mbajt në Elbasan një miting proteste, ku 7.000 njërës protestuan kundër përdorimit të shkronjave arabe për gjuhën shqipe. Kështu po atë muaj protestat vazhduan në Korçë, Berat, ku mbi 15.000 veta dogjën në qendër të qytetit abetaret shqiptare me shkronja arabe, të dërguara nga Stambolli. Telegrame të shumta nga shoqëritë shqiptare të Selanikut, Shkupit e Manastirit u shprehën në mbrojtje të alfabetit shqip.
Kongresi i dytë i Manastirit
Në mars të 1910-s u thirr Kongresi i dytë i Manastirit. Aty u vendos që të vazhdojë përdorimi i alfabetit kombëtar me shkronja latine dhe protestat kundër vendimit të padrejtë të qeverisë turke. Gazeta atdhetare “Shkreptina” e Kajros botoi një memorandum të hartuar nga kryengritësit që luftonin në malet e Shqipërisë. Në të theksohej se qëllimi i tyre nuk ishte për plaçkitur apo për të vrarë, por për të luftuar për lirinë e edukimit në gjuhën shqipe dhe me alfabetin kombëtar, lirinë për të hapur të gjitha shkollat shqipe të mbyllura nga qeveria turke dhe vënien në punë të shtypshkronjave, si dhe botimin e gazetave të ndaluara, lirimin e të burgosurve politikë. Dhe përfundonte me mesazhin. “E gjithë bota e qytetëruar dhe veçanërisht qeveria e Perandorisë otomane le ta dijë mirë se të gjithë shqiptarët, gegë e toskë, kristianë dhe myslimanë, nuk do ta pushojnë luftën për këto tri kërkesa, derisa qeveria të na i garantojë ato me siguri”. Edhe në këtë luftë turke, greke dhe sllave, shkolla shqipe doli fitimtare. Me pak mjete dhe mësues, por me dëshirën në shpirt për dituri shkollore shqiptare, midis pengimeve, sllave, greke dhe turke, shkolla shqipe fitoi nga veriu e deri në jug të Shqipërisë dhe përgatiti breza të rinj atdhedashës.
Një zjarr i rrezikshëm
Megjithëse ky revolucion kulturor ishte përfytyruar si një konfirmim jo i dhunshëm, shpejt ai ishte kthyer në një zjarr të rrezikshëm. Që shqiptarët trima si Isa Boletini dhe burri i zoti Ismail Bej Qemal Vlora, do të nxitonin hapat për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor të 1912 në Vlorë. Mbas pak muajsh filloi Lufta Ballkanike dhe Manastiri e Shkupi, dy qytetet historikisht të banuara nga shumica popullsi shqiptare, u pushtuan nga serbët dhe kroatët. Të gjitha dyqanet dhe librat shqip u dogjën dhe shumica e atdhetarëve shqiptarë u therën nga serbët, disa u burgosën. Popullata myslimane shqiptare u detyrua të braktiste qytetin e Shkupit dhe të Manastirit, ata familje ortodokse shqiptare që mbetën aty, me kalimin e viteve dhe me dhunë u asimiluan duke humbur dinjitetin e tyre shqiptar.

G.Shqiptare
 
Sami Frashëri dhe Kongresi i Manastirit

Kongresi i Manastirit, në historinë tonë, është përjetuar si tubimi që solli alfabetimin e gjuhës shqipe, por njëkohësisht edhe si ngjarja e madhe që tregoi se shqiptarët mund të bashkohen dhe mund të vendosnin për çështje madhore të fatit të tyre kombëtar, e cila i parapriu edhe shpalljes së pavarësisë, që do të ndodhte 4 vjet më vonë, më 1912-n.

Duke patur një rëndësi të tillë, e cila lidhet drejtpërsëdrejti me faktin që kodifikimi i alafabetit të një gjuhe është shprehje e përbashkësisë dhe vetëdijes së një kombi, është e natyrshme që kjo ngjarje të bëhet objekt diskutimi dhe të vihet në qendër të studimeve të shumta. Natyrshëm, për këtë janë botuar studime të plota, madje edhe libra me dokumente arkivore, të cilat ndihmojnë në ndriçimin e saj.

Por, ajo që nuk është sqaruar dhe që ka mbetur ende e pathënë, është inkuadrimi i drejtë historik i kësaj ngjarjeje në kuadrin e zhvillimeve politike, sociale e kulturore që po ndodhnin në Perandorinë Osmane, pjesë e së cilës, në atë kohë, ishin dhe trojet shqiptare. Mungesa e këtij kuadratimi historik, e cila është një mangësi që karakterizon në përgjithësi historiografinë tonë, sjell një trajtim të izoluar dhe moskonceptimin e fenomenit në të gjithë tërësinë e tij.

Për ta konkretizuar më tej këtë mendim dhe për të vënë në dukje rëndësinë që ka një qasje e tillë, dua të ndalem në personalitetin e Sami Frashërit, i cili ka qenë një protagonist shumë aktiv dhe qendror, si në lëvizjen nacionaliste shqiptare, ashtu edhe në përpjekjet për reformimin e turqishtes osmane.

Pa dashur të ndalem në veprimtarinë dhe krijimtarinë që Sami Frashëri ka kryer gjatë Rilindjes Kombëtare, e cila është dhënë qartë në librat e historisë të çdo lloj niveli, dua të kujtoj që Sami Frashëri është autor i manifestit politik të Rilindjes Kombëtare. Ai është kryetar i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip në Stamboll dhe promotori i ravijëzimit të alfabetit të Stambollit, kryesisht me bazë latine, i cili pati një përhapje shumë të gjerë në transmetimin e shkrimit shqip, deri në Kongresin e Manastirit.

ثshtë autor i shumë teksteve shkollore, përfshi këtu edhe një gramatikë të shqipes, të gjitha të shkruara me alfabetin e Stambollit. Falë kontributit të tij dhe përhapjes që pati ky alfabet mes shqiptarëve, ai u pranua si një ndër dy alfabetet zyrtare të aprovuara nga Kongresi i Manstirit.

Kjo veprimtari ka bërë që Sami Frashëri, ndonëse nuk ishte fizikisht prezent në Kongres, pasi vdiq më 1904-n, të ishte i pranishëm me ato çka kishte bërë për nacionalizmin shqiptar dhe gjuhën shqipe. Për më tepër që mund të themi që, fizikisht, ai u përfaqësua atje nga një pinjoll i frashërllinjve i rritur nga ai vete, Mit’hat Frashëri.

Por, Sami Frashëri, me vizionin e tij prej shkencëtari, reformatori, ka kontribuar jo pak dhe për kulturën e gjuhën turke. Kjo veprimtari në historiografinë shqiptare, ose është anashkaluar, ose është vënë në dukje me gjysmë zëri, duke e paraqitur jo të plotë dhe në mënyrë josistematike.

Janë të paktë ata që e dinë që, në historinë e gjuhës dhe kulturës turke, emri i Sami Frashërit lidhet me shumë risi. Ai është i pari që ka hartuar librin për ortografinë e turqishtes; është i pari që ka paraqitur në mënyrë sistematike teoritë mbi shkencën e gjuhësisë dhe, në këtë kuadër, është i pari që përdor në turqisht termin gjuhësi e përgjithshme; është i pari që harton një fjalor të plotë të gjuhës turke, sipas parimeve të leksikografisë perëndimore dhe që e emërton fjalor i turqishtes, duke shmangur përdorimin gjuha osmane. Pasi, termi osman, sipas Samiut, ka lidhje me emrin e një dinastie dhe nuk ka të bëjë me gjuhën e folur dhe të përdorur nga vetë populli turk.

Madje, edhe pikëpamjet e shprehura prej tij janë gjithashtu risi në vetë historinë e mendimit dhe të kulturës turke, pasi është i pari që perspektivën e zhvillimit të turqishtes e sheh dhe e vendos në kuadrin e gjuhëve turke që fliten në Azinë Qendrore, madje edhe purifikimin e pasurimin e saj e lidh ngushtë me perspektivën brenda këtij grupi gjuhësh. Kjo pikëpamje, e cila në kohën kur jetoi Samiu nuk gjeti shumë jehonë, u mbështet dhe u zhvillua me politikat gjuhësore që u ndërmorrën nën drejtimin e Ataturkut në Turqinë republikane.

Duke pasur dhe një dimension të tillë të mirëdukshëm, personaliteti i Sami Frashërit është një ndër rastet më tipike që dëshmojnë për vetë kontekstin historik dhe social, në të cilin ndodheshin trojet shqiptare në këtë periudhë, e cila në mënyrë të pashmangshme sillte dhe ndërthurjet e realiteteve. Dhe, në këtë truall mendimi dhe shkence, lindën dhe vepruan figurat madhore të nacionalizmit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Jani Vreto, që, me mendimet dhe bëmat e tyre, i paraprinë përgatitjes së Kongresit të Manastirit.

Së fundi, dua të kujtoj se shqiptarët kodifikuan alfabetin e tyre më 1908-n, disa vjet para se të ngrenë shtetin e tyre të pavarur. Kurse turqit, megjithë ndikimin e fuqishëm që pati mendimi shkencor i Sami Frashërit, alfabetin latin arritën ta vënë në përdorim më 1928-n, vetëm disa vjet pasi krijuan shtetin e tyre republikan.

*Dr. Genciana Abazi (Egro), është studiuese në Qendrën e Studimeve Albanologjike.
 

Attachments

  • SAMI_FRASHERI.jpg
    SAMI_FRASHERI.jpg
    90.9 KB · Shikime: 15

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 22.2%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 11.1%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.6%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 22.2%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 11.1%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 1 5.6%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 22.2%
Back
Top