007-at në veprim: Disa prej operacioneve më të mirë të spiunazhit ndërkombëtar

Bletchley Park
Pula me vezë të arta
Kështu e quante Uinston Churchilli Stacionin X, Shkolla qeveritare për shifrat dhe kodet e ngritur në një ndërtesë të vjetër pranë qytetit të Bletchleyt, pothuajse 70 kilometra në veri perëndim të Londrës. Eshtë fillimi i Luftës së Dytë Botërore dhe Churchilli ka nuhatur qartë se “lufta e fshehtë” është po aq e rëndësishme sa edhe ajo e hapur, ose të paktën e para duhet të shoqërojë të dytën. Të gjithë përpjekjet, si pasojë, duhet të përqëndrohen për të pikasur mekanizmat që do të lejonin “leximin” e mesazheve të fshehtë të transmetuar nga armiku, mbi të gjitha sistemet e kodifikimit gjerman dhe italian. Suksesi i kësaj nisme do të shkojë përtej çdo pritshmërie, por rezultatet e Shkollës së Bletchley do të bëheshin të ditur në vitet shtatëdhjetë të shekullit që kaloi, për të mos ekspozuar agjentë dhe deshifrues që ishin ende në aktivitet në periudhën e pasluftës. Kështu, gjermanët e zbuluan vetëm gjatë atyre viteve që makinat e tyre elektro-mekanike, Enigma dhe Lorenz, të dyja të konsideruara të përsosura dhe të papenetrueshme, në të vërtetë ishin “dhunuar” që prej vitit 1941 nga kriptoanalistët e Bletchey Park, të cilët i lexonin pasi ishin familjarizuar me dërgesat e fshehta naziste. Si mund të shpjegohet praktikisht dështimi i luftës nënujore gjermane në oqeanin Atlantik? E thjeshtë, kriptoanalistët britanikë ishin në dijeni për rrugët e transmetuara komandantëve gjermanë përmes mesazheve të shifruar nga Enigma.

Duhet thënë se në Bletchley Park punonin matematicienët më të mirë dhe ekspertët e sektorit në vend, njerëz të kalibrit të Alan Turing, Hugh Alexander, Dilly Knox, Harry Hinsley dhe shumë të tjerë. Por ishin të pranishëm edhe lojtarë shahu, “zgjidhësh fjalëkryqesh”, linguistë, eruditë të fushave të ndryshme. Të gjithë persona me një nivel shumë të lartë profesional që mundësuan një progres të dukshëm në shkencën e matematikës dhe që kanë luajtur një rol vendimtar në zhvillimin e informatikës. Në Bletchley Park, në fakt, lindi kompjuteri i parë i historisë, i mbiquajtur “Colossus” për shkak të dimensioneve të tij, që do të rezultonte shumë më i shpejtë se sa makinat shifruese elektro mekanike. E gjithë kjo masë informacionesh, të klasifikuar me etiketën “Burimi Ultra” do të ishte i disponueshëm për një numër shumë të kufizuar drejtuesish civilë dhe ushtarakë. Eshtë e domosdoshme në fakt që aktivitetet e Ultra të mbeten top secret (shumë pjesëtarë të vetë qeverisë angleze nuk do të kishin dijeni) për të mos lejuar që gjermanët të fusnin në veprim, nëse do të informoheshin për ekzistencën e Stacionit X, sisteme të rinj dhe makina të reja shifruese.

Projekti “Magic”

Purple nuk ka më sekrete


Nëse anglezët zbulojnë në Bletchley Park sekretet e Enigmas, nuk janë më të paktë amerikanët kundrejt kodeve japonezë, duke penetruar makinën shifurese japoneze Purple. Lindja zyrtare e projektit përgjithësisht bihet dakord se ka qenë data 25 shtator 1940, kur për herë të parë u zbuluan disa mesazhe të shifruar me prejardhje nga Tokio. Megjithatë, origjina e saj mund të jetë që në periudhën pas Luftës së parë Botërore dhe merita fillestare i shkon pa dyshim kripto-analistit amerikan Herbert Yardley. Pasi shoqëroi presidentin Uilson në krye të një ekipi të vogël shifruesish, Presidentin Uilson në konferencën e Versajës 1919, Yardley mori detyrën e penetrimit të kodeve japonezë. Formoi kështu një grup ekspertësh dhe analistësh të motivuar, matematicienë, teknikë, linguistë, përkthyes, njohës të gjuhës japoneze. Lind kështu skuadra e famshme e mbiquajtur “Black Chamber” që, brenda pak kohësh do të arrijë qëllimet e parashikuar. Veprimtaria e saj ka aq shumë sukses saqë në konferencën detare të Uashingtonit në vitin 1921 amerikanët janë në gjendje të negociojnë nga një pozicion i avantazhuar, duke qenë se ishin në gjendje të lexonin udhëzimet që vinin nga Tokio në po të njëjtin moment si delegatët japonezë!

Në vitet që pasuan Yardley u dha pas interesave të tjerë, duke preferuar që të punonte për sipërmarrje private, shumë më fitimprurëse se sa shërbimi publik. Pa praninë e tij të vazhdueshme si dhe ekspertizën e veçantë, grupi nis të humbasë goditje dhe Sekretari i Shtetit, Henry Stimson vendos shpërbërjen e tij, duke e konsideruar tashmë shumë të kushtueshëm dhe pak produktiv.

Yardley, i cili është kundër, shkruan atëherë një libër me kujtime që shkakton sensacion dhe bëhet një bestseller botëror, “The American Black Chamber”, ku rrëfen pa dorashka të gjithë sipërmarrjet e tij të fshehta, mbi të gjitha ato që lidhen me konferencën detare amerikano-japoneze.

Skandal në Uashington, furtunë politiko-diplomatike në Tokio! Japonezët braktisin menjëherë kodet manualë për të kaluar tek ata elektro-mekanikë. Konceptohen dhe ndërtohen kështu në kohë rekord shifrueset e quajtura “alfabetike modeli 97” (që amerikanët do i quanin Purple), jo shumë të ndryshme në konceptimin bazë nga Enigma gjermane.

Marrja e këtij pozicioni të vendosur nga qeveria japoneze detyron amerikanët që të riorganizojnë të gjithë strukturën e tyre si dhe të rinisin kërkimet në sektorin e kriptoanalizës – i braktisur pas mbylljes së Black Chamber – me njerëz të rinj dhe mjete të shumta financiare (këtu lind Signal Intelligence Service). Në krye të strukturës së re vihet një nxënës i Yardley, Uilliam Friedman, që në njëzetë muaj punë të palodhur, i ndihmuar nga ekspertë të nivelit më të lartë, arrin më në fund në shtator 1940 të thyejë “kodin e kuq” japonez. Mesazhet japonezë të shifruar kështu nga makinat Purple, do të merrnin emrin e koduar Magic.

Magic do të mundësojë, gjatë luftës, që të kursehen me mijëra jetë njerëzore, por nuk do të shmangë fatkeqësinë e Pearl Harbor, që ndodhi në 7 dhjetor 1941, kur amerikanët “lexojnë” prej më se një viti mesazhet japonezë. Përse?

Keqfunksionim i shërbimit të fshehtë, çrregullim në zinxhirin e komandës, vonesë me qëllim – nga ana e presidentit Roosevelt – për të mos penguar ngjarjen e si pasojë mposhtjen e izolacionizmit të popullit amerikan duke nxitur indinjatën?

Debati historik është krejt i hapur. Mbeten shumë dyshime dhe pasiguri. Një gjë, megjithatë është e sigurtë. Magic, në planin teknik, ka bërë detyrën e vet. Deri edhe mesazhi i shpalljes luftë të Tokios ndaj SHBA “lexohet” nga kriptoanalistët amerikanë në po të njëjtën kohë kur e sheh dhe ambasadori japonez. Katër orë para sulmit të Pearl Harbor!

Misioni Inflacion

Stërlinat false të Hitlerit


Komandanti i SS, Alfred Naujocks quhet në përgjithësi “njeriu që ndezi Luftën e Dytë Botërore”. Ai ishte në fakt autori i gjoja sulmit polak ndaj radios gjermane të Glaivic në 31 gusht 1939, sulm që i dhuroi Hitlerit alibinë e shumëpritur për të pushtuar Poloninë. Por shumë pak vet kujtojnë që në fakt Naujocks ka qenë edhe në origjinë të njërit prej operacioneve më të jashtëzakonshëm të falsifikimit në periudhën e luftës: prodhimi në masë të madhe i kartëmonedhave false për të destabilizuar ekonominë e një vendi armik. Qëllimi parësor i operacionit: mbushja e Britanisë së Madhe dhe perandorisë së saj me stërlina false për të provokuar një inflacion të pakontrollueshëm dhe me pasoja të paparashikueshme. Objektivi dytësor: financimi falas i rrjetit të spoiunazhit në favor të nazizmit. Ciceroni, kamerieri që spiunonte për llogari të gjermanëve ambasadorin britanik në Turqi, do të ishte një viktimë par excellence. Kushti thelbësor: stërlinat duhet të jenë kaq mirë të imituara, saqë edhe vetë Banka e Anglisë nuk do të jetë në gjendje të vërejë falsifikimin. Janë këto linjat kryesore të Operacionit Bernhard, i planifikuar me kokëfortësi nga shërbimet e fshehtë nazistë në fillimet e 1941, miratuar nga vetë Hitleri dhe realizuar nga i palodhuri Naujocks.

Problemi i parë për t’u zgjidhur lidhet me cilësinë e letrës dhe “vjetërimin” e saj. Vihen kështu në punë të gjithë ekspertët që pikasin në Turqi të njëjtin lin që përdoret në Angli nga Banka e Anglisë dhe gjejnë edhe formulën e duhur kimike për trajtimin e tij. Megjithatë, letra e siguruar mbetet ende shumë e bardhë. Do të jetë zëvendësi i Naujocks – Bernhard Krueger, prej të cilit merr emrin edhe oepracioni – që do të arrijë, pas shumë tentativave, të gjejë përbërjen e duhur kimike për t’u dhënë kartëmonedhave një pamje të besueshme për përdorim. Imitimi është i përsosur. Edhe zhurma që bën letra kur zhubroset është e ngjashme me atë që ndien kur palos stërlinat e vërteta. Premisat janë inkurajuese!

Pasi zgjidhet problemi i letrës, mbetet ai i përgatitjes se cliche-ve dhe të shtypit. Kërkimi për falsifikuesit, vulosësit, hartuesit, kimistët më të mirë orientohet për nga burgjet dhe kampet e përqëndrimit ku gërmohen elementët më të kualifikuar, mbi të gjitha hebrenj (të dobishëm kur bëhet fjalë për të punuar për madhështinë e Rajhut!) Formohet kështu një grup fillestar prej afro dyzetë ekspertësh, të koordinuar nga Oskar Skala, një falsifikues shumë i aftë çekosllovak i dënuar që përpara luftës. Të gjithë transferohen pranë Berlinit, në kampin e përqëndrimit të Sachsenhausen për të punuar ditën dhe natën në operacionin super të fshehtë. Detaji i fundit: vendosja e shifrave te kartëmonedhat. Numrat duhet të jenë autentikë. Agjentë të spiunazhit që veprojnë jashtë vendit ofrojnë numrat e serive të stërlinave ende në qarkullim. Për secilën seri kopjohen një mijë numra.

Sasia e parë e kartëmonedhave të prodhuara nga grupi i pabesueshëm i punës, që në momentin e prodhimit maksimal do të numërojë 137 elementë, i lë pa gojë hierarkët më të lartë nazistë: e pamundur të dallohen stërlinat false nga ato origjinale! Megjithatë, para kalimit në prodhimin industrial, duhet të vazhdohet me verifikimin përfundimtar. Pra nevojitet një verifikim i vërtetësisë nga vetë Banka e Anglisë. Kështu, një bankë zvicerane që nuk ka dijeni, me kërkesë të dy industrialistëve nga Dyseldorfi, i drejtohet Londrës për të ditur nëse 10 mijë stërlinat e ardhura nga Gjermania për një operacion të rëndësishëm financiar janë autentike. Një javë më vonë vjen përgjigja, që bën të hidhet nga gëzimi Naujocks dhe të tijtë: Banka e Anglisë i konsideron origjinale kartëmonedhat e dërguara dhe numrat e serisë janë në qarkullim.

Duke filluar nga ai moment, prodhimi i kartëmonedhave (prerje 5, 10, 20 dhe 50 stërlina) do të intensifikohet deri sa arrihet në 400 mijë ekzemplarë në muaj! Pas luftës, vetëm rrëfimi i Oskar Skalas (që do të frymëzojnë gjysmë shekulli më vonë filmin austriak Operacioni Bernhard) do të zbulojnë detajet e falsifikimit të jashtëzakonshëm (me vlerë afro 150 milionë stërlina, një shumë kolosale për atë periudhë), një instrument i frikshëm spiunazhi agresiv, koncepti i të cilit do të përdoret edhe në ditët që do të vijnë.

Operacioni Manastir

Gjoja kundërshtarët e Moskës


Operacioni Manastir i ideuar nga Moska në gusht 1941 – disa muaj pas sulmit befasues të Hitlerit – u krye në bashkëpunim me NKVD, policia politike dhe kundërspiunazhi, si dhe GRU, spiunazhi ushtarak me qëllim penetrimin e rrjetit të agjentëve progjermanë që vepronin në Bashkimin Sovjetik. Truri përgjegjës për nismën është Pavel Sudoplatov, një super spiun i famshëm, që në kujtimet e tij të botuar në fundin e viteve nëntëdhjetë do të tregonte edhe faktet e operacionit.

Objektivi i Operacionit Manastiri është që të krijojë një strukturë me gjoja kundërshtarë të regjimit sovjetik, kryesisht mes të mbijetuarve të fisnikërisë së dikurshme ruse e shtypur prej Revolucionit të Tetorit. Pavarësisht spastrimeve të tmerrshëm të njëzetë viteve të mëparshëm, shumë familje të aristokracisë cariste, në fakt kanë arritur që në një farë mënyre të integrohen në shoqërinë e re socialiste. Dhe është pikërisht në ambiente të tillë që Sudoplatov e drejton vëmendjen e tij. Kërkimi nuk do të jetë i gjatë. Pikaset një farë Glebov, banor në ish manastir (prej ku vjen ndoshta emri i operacionit) në qytetin e Novodevichy. Glebov deklarohet i disponueshëm, duke bërë gjithësesi të ditur që, duke marrë parasysh moshën e tij të thyer, mund të luajë vetëm një rol ndikimi duke ndezur një farë atmosfere të kundërshtimit ndaj regjimit. Më shumë se kaq nuk mund të bëjë. Atëherë, roli operativ i misionit i ngarkohet një tjetër pasardhësi të një familjeje të vjetër fisnike, i ri në moshë dhe anëtar i NKVD: Alexander Demyanov, me emrin e koduar “Max”. Glebov, politikani dhe Max, operativi, do të punojnë shumë mirë së bashku.

Detyra parësore e Demyanov është që të infiltrohet në radhët gjermane dhe t’i propozojë armikut bashkëpunimin e një gjoja organizata filo gjermane, Prestol, në pritje të një qeverie provizore për të krijuar sapo territoret e pushtuar nga Vermahti të jenë të shtrirë mjaftueshëm.

Kështu, në dhjetor të atij viti, Demyanov/Max hidhen në veprim. Pas një marshimi shumë të gjatë me ski, gjendet në anën tjetër të kufirit i maskuar si një dezertor i ushtrisë së kuqe, përfaqësues i një grupi që mbështet nazistët.

Natyrisht që Max i bëhen të gjithë kontrollet e rastit. Pasi u nënshtrohet seancave të gjata të marrjes në pyetje, i infiltruari ia del shumë mirë, duke u përgjigjur gjithmonë me ton, me argumenta solidë dhe siguri bindëse. Megjithatë, kupton menjëherë se nazistëve nuk u interesojnë shumë motivacinet e tij ideologjikë dhe as planet e tij për një bashkëpunim të ardhshëm politik. Si prioritet, spiunazhit nazist i intereson të gjejë elementë të përshtatshëm për të “përgatitur” terrenin në Moskë, në pritje të ardhjes së trupave gjermane. Max vetëofrohet. NKVD nuk mund të priste më mirë. Një njeriu i saj ngarkohet që të organizojë një rrjet spiunësh në favor të pushtimit nazistë! Ç’rast më të mirë mund të ketë për t’i eleminuar të gjithë, teksa pikasen dhe rekrutohen. Kështu Demyanov, sipas planeve të shërbimit të fshehtë gjerman, hidhet në fshehtësi me parashutë pranë Moskës në vitin 1942. Rivendos kontaktet me qendrën operative dhe të gjithë agjentët progjermanë që ai zbulon më pas burgosen, vriten ose kooptohen. Në të njëjtën kohë angazhohet për disinformimin aktiv, duke u ofruar nazistëve lajme falsë. Gjermanët janë absolutisht të bindur se e kanë në anën ë tyre: aq të bindur sa në vitin 1971 (pra shumë kohë para zbulimeve të Sudoplatov) Reinhard Gehlen, një tjetër përgjegjës i shërbimeve të fshehtë nazistë, në librin e tij “Shërbimi. Kujtime” i thur lavde kontributit të vyer të dhënë nga Max!

Demyanov do të jetë tejet produktiv përgjatë të gjithë kohëzgjatjes së konfliktit dhe do u shkaktojë dëme të dukshëm forcave të armatosura gjermane. Në vitin 1944, për shembull, nis një tjetër operacion intoksikimi informativ. Lë të kuptohet që një brigadë gjermane po sulmohet në rajonin e Beresinas, në Bjellorusi. Në fakt, brigada gjermane është kapur tashmë dhe oficerët e saj janë detyruar me forcë që të bashkëpunojnë për vënien në skenë të mashtrimit. Përforcimet ajrore dhe tokësore nisen menjëherë në ndihmë të ushtarëve të rrethuar dhe bien pa rrugëdalje në kurthin e ngritur nga Armata e Kuqe. Demyanov është kaq produktiv saqë vetë shërbimi i fshehtë anglez (në atë kohë Londra dhe Moska ishin aleate) ndjen detyrën që të lajmërojë kolegët sovjetikë për ekzistencën e një “urithi” që furnizon me informacione të çmuar nazistët në lidhje me operacionet ushtarakë të Bashkimit Sovjetik.

Sigurisht, nuk dyshojnë që bëhet fjalë për një urith të fabrikuar nga vetë Sudoplatov, një realizues i përsosur i lojës së dyfishtë, një prej spiunëve më të zotë sovjetikë, protagonist absolut i Operacionit Manastiri.

Fortitude

Mashtrimi i Madh


Një ditë të bukur maji të vitit 1944, në një zonë rurale në jug të Anglisë një zotëri i qetë, Sydney George Cripps, një besnik i Madhërisë së Saj, trembet jo pak kur sheh nga dhoma e tij e ndenjes se shumë tanke janë duke përshkuar tokat e tij. Nuk ka as kohë të irritohet kur vëren i habitur se tanket nuk kanë lënë asnjë gjurmë. Shumë kurioz, Cripps del nga shtëpia, i afrohet vendit ku kanë kaluar dhe vëren që toka nuk është prekur shumë. Çfarë po ndodh? Cripps vëren nga larg një skenë të dytë që e lë edhe më të habitur. Një dem, i shqetësuar prej kolonës së çuditshme, i vërsulet njërit prej tankeve dhe e godet me brirë. Tanku… shfryhet! Më në fund arrin të kuptojë. Tanket janë të sajuar. Janë mjete të mëdhenj prej kauçuku që të parë prej së largu të krijojnë përshtypjen se janë mjete të vërtetë të blinduar. Cripps është duke parë fillimin e operacionit më të famshëm të “intoksikimit informativ” të realizuar ndonjëherë nga anglo-amerikanët.

Shqetësimi parësor është që të ngatërrohen nazistët për vendin e zbarkimit të madh për hapjen e të ashtuquajturit “fronti i dytë”. Kështu që është e nevojshme të bëhet Berlini të besojë, për të përcarë forcat e tij, që aleatët do të kryejnë jo një, por disa zbarkime në veri dhe në jug të Europës. Operacione për të cilët do të angazhohen tetëdhjetë divizione (në fakt janë vetëm 40 në dispozicion). Si pasojë, duhet të bëhet i besueshëm projekti, duhen “krijuar” nga hiçi dyzetë divizione virtualë, me armatime, tanke, avionë, njerëz, gjithçka e sajuar me rigorozitet. Angazhimi duhet të jetë total. Nga suksesi i zbarkimit varet në fakt rezultati përfundimtar i luftës. Hitleri ka ende pozicione domethënës mbrojtës në Francë (“Muri i Atlantikut”) dhe shkencëtarët e tij po punojnë me shpejtësi për armën absolute. Nëse Fyhreri reziston dhe ka kohën për të ndërtuar bombën atomike… lufta është e humbur!

Operacioni Fortitude zhvillohet në tre drejtime të ndryshëm: në Veri (operacione në Norvegji në përpjekje për të mbajtur të gozhduar në terren 380 mijë ushtarët gjermanë që kanë pushtuar vendin); në jug (të bëjnë të besojnë që zbarkimi do të ndodhë në Calais dhe jo në Normandi ku ishte programuar); Jug II (aktivitete të mëtejshëm pas zbarkimit).

Për të koordinuar iniciativat e mistifikimit ngarkohet një veteran i Luftës së Madhe, një ekspert i fushës, koloneli Rory McLeod, i cili vendos “zyrat qendrore” në një kështjellë pranë Edinburgut. Angazhon një skuadër të shkëlqyer operatorësh dhe shifruesish, që nisin një shkëmbim shumë intensiv mesazhesh telefonikë dhe përmes radios, disa të qartë disa të koduar. Gjermanët vihen në lëvizje dhe pyesin çfarë ka prapa gjithë këtij aktivizmi. Shumë shpejt pikasin shënjestrat e aleatëve por kanë nevojë për verifikime të mëtejshëm në terren.

Kështu, aktivizojnë agjentin e tyre më të mirë në Britaninë e Madhe: Joan Pujol Garcia, i quajtur Garbo. Por nuk e dinë që Garbo prej kohësh punon në të vërtetë për aleatët. Prej tij do të marrin vetëm lajme të rremë.

Eshtë projekti Fortitude Sud që parashikon skenarin më të sofistikuar: përqëndrimin në jug të Anglisë të tre trupave të armatës, dy të parët të vërtetë, i treti i sajuar. Ky i fundit është korpusi i tretë i armatës amerikane, i quajtur FUSAG, i dalë prej fantazisë së strategëve të shërbimit të fshehtë. Do të simulojë nisjen e tij nga jugu i Anglisë drejt veriut të Francës, në drejtim të rajonit të Pas de Calais, ku Berlini është gjithmonë e më i bindur se do të ndodhë zbarkimi: mes Calais dhe Dover, pika më e ngushtë e kanalit.

Kështu avionët gjermanë që mbikëqyrin brigjet angleze nga ana e Dover, mund të vërejnë armatën e fuqishme e përbërë në fakt nga avionë prej druri, mjete zbarkimi dhe tanke prej kaucuku, disa kinse depozita karburanti, që pret të pushtojë pikërisht veriun e Francës. Pilotët nazistë nuk e vënë re që kursehen prej kundërajrorëve britanikë, të cilët i lejojnë atyre të fotografojnë skenografinë e përgatitur, edhe me ndihmën e specialistëve të kinemasë që simulojnë shkatërrimin e depozitave të karburantit.

Fortitude Sud në fund do të funksionojë aq mirë sa që, menjëherë pas zbarkimit të trupave të para aleate në brigjet e Normandisë, komanda e lartë gjermane do të hezitojë plot 48 orë përpara se të vendosë të dërgojë përforcime në frontin e ri, pasi ende nuk e ka kuptuar strategjinë e aleatëve. Dy ditë të gjata pasigurie fatale për nazistët, dy ditë gjatë të cilave aleatët konsolidojnë kullat e tyre të rojës, lejojnë mbërritjen nga Anglia të armatës së gjeneralit Bradley duke nisur kështu çlirimin e Europës.

Asnjëherë si në rastin e Fortitude, shërbimet e fshehtë nuk i kanë shërbyer kaq mirë nismës ushtarake, në një kontekst bashkëpunimi të shkëlqyer politiko-strategjiko-operativ.

Dobësimi i armikut

Një luftë e fshehtë


Gjatë Luftës së Ftohtë, shërbimet e fshehtë sovjetikë luajnë një rol thelbësor në sektorin e subversionit, për të dobësuar kundërshtarin dhe ndihmuar ngjitjen në pushtet të grupeve të lidhur me ideologjinë marksiste. Në pjesën më të madhe të vendeve të Botës së Tretë, shërbimi i fshehtë sovjetik shfrytëzon situatat me guerilas që ngrenë krye, mbi të gjitha në ish kolonitë europiane. Agjencitë perëndimore, nga ana e tyre, kryejnë aksione të shumtë klandestinë në zonat ku ka influencë Moska.

Për BRSS, objektivi është ai i destabilizimit të kundërshtarit (duke shkaktuar greva, manifestime proteste, sabotazhe) për ta paralizuar dhe lehtësuar marrjen e pushtetit nga ana e elementëve komunistë. Metodat revolucionare, të ngjashme me ato të konceptuara prej vetë Leninit, përdoren gjerësisht në vendet që janë drejt rrugës së dekolonizimit. KGB specializohet në subversioninin dhe ekspertiza e saj mbulon përgjithësisht katër veprimtari parësore: furnizimin me armë, formimin ideologjik, lidhjen me grupe të tjerë klandestinë, kontakte me shërbime specialë prosovjetikë. Edhe GRU (shërbimi i fshehtë i ushtrisë) merr pjesë në këta operacione me një forcë speciale të quajtur Spetsnaz. Kjo shfaqet për herë të parë në skenën ndërkombëtare në rastin e pushtimit të Çekosllovakisë në vitin 1968. Një grup i saj merr menjëherë kontrollin e aeroportit të Pragës, ndërkohë që një tjetër skuadër, e infiltruar në qytet, vijon me arrestimin e udhëheqësve të vendit, duke penguar çdo lloj rezistence të organizuar. Në krah të njerëzve të KGB, Spetsnaz përgatit terrenin edhe për pushtimin sovjetik të Afganistanit. Pasi ka thyer rezistencën e gardës presidenciale, njerëzit e forcës speciale, të maskuar si ushtarë afganë, vrasin presidentin Hafizullah dhe i paraprijnë mbërritjes së forcave të rregullta ushtarake.

Në Uashington, Pentagoni që ka trashëguar pas luftës sektorin operativ të OSS (Office of Strategic Services) nuk është shumë entuziast për përfshirjen në aksione paramilitarë gjysmë klandestinë. Pra kufizohet në vënien në dispozicion të strukturave të tij për stërvitjen e agjentëve. Kur më në fund, në vitin 1947 lind CIA, ushtaratkët janë shumë të kënaqur që t’ia besojnë asaj operacionet e spiunazhit që shpesh kanë pasoja politike.

Duke filluar që nga viti 1948, si pasojë, Shtëpia e Bardhë ngarkon CIA-n që të realizojë aksione të fshehtë kundër interesave sovjetikë në botë, për të nxitur revoltën në BRSS dhe vendet satelitë. Për CIA-n është një lloj rikthimi në misionet e OSS gjatë Luftës së Dytë. Shumëfishohen kështu operacionet klandestinë paramilitarë: në Korenë e Veriut, në Filipine, në Tibet, në Indonezi, në Kubë, në Vietnam, Peru, Bolivi, Kili dhe në Afganistan. Megjithatë, gjithë kjo e largon agjencinë nga ai që është vokacioni fillestar: kërkimi i informacionit parandalues, informacioni në të gjithë gamën e aktiviteteve.

Operacioni më i rëndësishëm klandestin paramilitar ka qenë zbarkimi i kundërshtarëve të Kastros në Kubë, në Gjirin e Derrave në 1962. Agjencia është e bindur se mund të ndezë tek popullsia zjarrin e revoltës kundër regjimit. Siç dihet, operacioni do të jetë një dështim i madh, edhe për arsye politike, që nga ndryshimi i presidentit (nga republikani Eisenhouer tek republikani Kenedi). Dështimi në Gjirin e Derrave nxjerr në pah se si CIA nuk ka as personelin dhe as strukturat për të realizuar projekte kaq të mëdhenj. Operacionet paramilitarë kalojnë gradualisht sërish tek Pentagoni. Por CIA nuk do të pushojë së marri me operacione klandestinë.

Paralelisht, agjencia në bashkëpunim me shërbimin e fshehtë anglez dhe në kuadër të strukturave të NATO, krijon në Europë rrjete të rezistentëve të fjetur. Misioni i tyre është që në rast se sovjetikët pushtojnë vende perëndimore, ata të angazhohen në akte guerilas, sabotazhi në prapavijën e forcave të Paktit të Varshavës. Prej këtu edhe emri i koduar i projektit: Stay Behind. /Focus/
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top