Politika kombetare dhe forumi.

orakulli

Anëtar i Respektuar
Disa vende ne bote jane te varfera sepse kane nevoje per investime te medha ne drejtim te shkolles,rjetit elektrik,transportit,bujqesise,blegtorise....Nese ne shikojme harten e prodhimeve qe eksportojne keto vend te varfera dhe ta krahasojme me ate te vendeve te pasura,vendet e pasura kane nje shumellojshemri produktesh,ndersa ekonomia e te varferve eshte perqendruar ne prodhimin e pak gjerave ose te nje sektori te vetem.
Studimet e ekonomisteve tregojne se sa me e nderlikuar te jete ekonomoia dhe ndryshueshmeria e prodhimit sjell mireqenien.
Ne vendet e varfera,miliona njerez jane nen nivelin e varferise.Ne keto vende verehet njekohesisht nje 'pabarazi” strukturore-si sistemi i 'kastave' dhe korrupsioni politik-qe pengojne zhvillimin.
Komunikimi dhe teknologjia jane ne themel te zhvillimit ekonomik te çfaredo lloj shoqerie.POR NEVOJITTET TE NISEMI NGA QELLIMI KRYESOR QE KETO INSTRUMENTA DUHET TE BASHKOJNE DHE JO TE NDAJNE E PERCAJNE POPULLIN.Kur vjen puna tek atdheu mendoj se nuk ka opcion demokratik,ta nderosh ose perbaltesh ate.
Shume intelektuale shqiptare harxhojne energji te kota si ky i mesipermi,i cili niset nga e njejta llogore e 'kombitarizmit',por me emer te ndryshem 'antikombitarizemi'.
Energjite duhet te harxhohen ne tema te tilla;'sesa qeveria shqiptare impenjohet ne investimet,sesa qeveria shqiptare imponjohet per te dhena bursa studimi' per te formuar ekspertet e rinj te drejtimeve qe i kerkon zhvillimi.Kjo eshte bile politika “kombetare” e gjiganteve te komunikacionit te sotem si Alcatel,Cisco me vendet e varfera.Cisco u jep vendeve afrikane 30 bursa studimi,prej 30 mije dollare sejcila,per te teknike dhe inxhiniere,te cilet do te kene per detyre qe pas studimeve te kthehen ne vendet e tyre per te zhvilluar dhe zbatuar struktura dixhitale te avancuara.Kete e bente Zogu,kete e bente Enver Hoxha.Kjo nuk eshte kombitarizem.Kjo eshte domosdoshemri objektive e zhvillimit.Nuk eshte normale qe keta “antikombetaristet” sulmojne cdo drejtim te tille,Kujtoni vetem fabrikat e çimentose te Fatos Lubonjes ose Vloren e Adrian Klosit.Nuk eshte normale qe keta 'antikombetaristet' nuk harxhojne energjite e tyre me korrupsionin i cili ka emra konkrete,me monopolizimin ekonomike,i cili ka emra konkrete,me deformimin e medias,e cila ka emra konkrete,me deformimin e sistemit arsimor,i cili ka emra konkrete,me deformimin e tere sistemit korporativ shqiptar...etj.Keto jane kombitarizmi i vertete dhe jo ngritja e topit kunder te pademshmve “atdhedashes” te cilet me shume jane jashte Shqiperise dhe nuk kane interesa te lidhura as me pushtetin,as me popullin dhe as me 'antikombitaristet'.Atyre thjesht u vjen inat me bashkombesat e vete,shkaterrues ne vertikalitet e horizontalitete. U vjen inat kur sulmohet çdo iniciative investuese e brendshme dhe e jashtme.
I vjen plasja me ata (qe quajne veten elite e ketij kombi) qe nuk merren me folete e verteta qe jane fillim-fundi i maskarenjve.Pse ndoshta ndodh keshtu?Mos valle jane korruptuar dhe te fundit mbrojtes gjithmonesisht te pamvarur te lirise,shkruesit?
 
Titulli: Poltika kombetare dhe forumi.

Artikulli permendur tek fraza 'i mesipermi' eshte artikulli i Xha Xhait si me poshte(per te respektuar mendimin e kundert):
Na ishte njëherë një forum shqiptar diskutimesh online, i quajtur Alb-Club, i cili që prej themelimit në 1999 e ndoshta deri në fund të 2005 ishte më i ndriçuari, më i gjalli dhe më liberali i forumeve të shqiptarëve në Internet, ku u kultivuan fryma e lirisë së fjalës dhe dialogut dhe ku pjesëmarrësit u bënë të ndihen krejtësisht të lirë për të shprehur vetveten.

Alb-Club tani nuk funksionon më prej muajsh dhe, nga pikëpamja praktike, mund të quhet si i kallur në dhé. Varrosja e një institucioni dikur protagonist të Internetit shqiptar fton gjithnjë për reflektim, sidomos për t’iu përgjigjur pyetjes se çfarë e shkatërroi atë forum pikërisht, çfarë i shtyu njerëzit të largohen e të heshtin dhe nëse kolapsi i këtyre vatrave virtuale të komunikimit duhet konsideruar apo jo si dukuri e zakonshme në Internet.

Për mendimin tim, Alb-Clubin e shkatërroi kalcifikimi i mendimit, identifikimi i pjesëmarrësve me personazhet që kishin krijuar, dhe sidomos konformizmi sipas emëruesit më të vogël të përbashkët. Duket e natyrshme që një forum shqiptarësh, kryesisht të mërgatës, të anojë nga notat kombëtariste dhe atdhetariste; por në rastin e Alb-Clubit kombëtarizmi me kohë u kthye në ideologji asfiksuese, dhe çdo kundërvënie ndaj katekizmit kombëtarist folkloristik që qarkullon në diasporën shqiptare, do të damkosej vetvetiu si antikombëtare dhe do të dënohej, ndonjëherë njëzëri.

Kombëtarizmin e kanë quajtur streha e fundit e maskarenjve – dhe me shumë të drejtë. Si pjesëmarrës nga më aktivët në Alb-Club, kam përshtypjen se e keqja fatale që e pllakosi këtë forum nuk ka të bënte me dashurinë dhe përkushtimin për Shqipërinë, shqiptarët, gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare; por vjen nga konformizmi i shumë zërave të Internetit shqiptar, të cilët thjesht e kanë shfrytëzuar dhe e shfrytëzojnë kombëtarizmin për të goditur të gjitha ato mendime, refleksione dhe autorë që ua vënë në krizë bindjet, siguritë e tyre të vogla, sistemimin in extremis që i kanë bërë botës së tyre, komplekset që kanë zhvilluar për të përligjur dështimin e tyre dhe sidomos të filozofisë së tyre në luftën për ekzistencë dhe për afirmim.

Askujt nuk mund t’i kërkohet të provojë se e do atdheun, popullin dhe kulturën e vet. Po ashtu, të thuash se je kombëtarist dhe nuk të ze gjumi natën për fatet e shqiptarëve, nuk do të thotë se je vërtet kombëtarist dhe nuk të ze gjumi natën për fatet e shqiptarëve. Fare mirë mund të jesh gënjeshtar, hipokrit ose i marrë.

Alb-Clubi shkëlqeu si forum diskutimesh, dialogu dhe shkëmbimi informacionesh mes shqiptarëve; jo si parti politike, as si shoqatë atdhetarësh në mërgim, as si shkollë luftëtarësh të lirisë. Megjithatë, një grup i madh njerëzish që mblidhen bashkë, qoftë edhe virtualisht, për të shkëmbyer mendime dhe për të ndarë shqetësimet e tyre për Shqipërinë, shqiptarët dhe kulturën shqiptare herët a vonë fitojnë edhe një ndjesi të bashkësisë dhe fillojnë të besojnë se i lidh mes tyre diçka më tepër sesa dëshira për të komunikuar. Integrimi i grupit bazohet në këtë farë iluzioni dhe mishërohet sipas parimit të emëruesit më të vogël të përbashkët; me kalimin e kohës, grupi ashtu i përftuar fillon të identifikohet duke përjashtuar antikonformistët, ose të gjithë ata që ia vënë në krizë integritetin. Në rastin e Alb-Clubit, çka nisi si një tryezë dialogu dhe shkëmbimesh të pasura intelektuale, përfundoi në një kult të meskinitetit mendor, ku origjinaliteti dhe shpirti hulumtues gjithnjë do të gjykoheshin dhe, sipas rastit dënoheshin, në përqasje me dekalogun atdhetarist të kultit.

Kultura shqiptare e komunikimit është kulturë e re, e një populli të vogël, të mbetur për shumë kohë jashtë shkëmbimeve të mëdha emancipuese të informacionit dhe të dijes në Europë. Si shoqëri, shqiptarët janë formuar kryesisht nëpërmjet integrimit të komuniteteve fshatare, të mbizotëruara nga konformizmi, konservatorizmi, frika ndaj së huajës (ksenofobia), nënshtrimi ndaj të fortit, besnikëria brenda komunitetit dhe, mbi të gjitha, autoritarizmi, në rrafshin social dhe psikologjik. Të gjitha këto tipare vijojnë të karakterizojnë komunikimin edhe brenda komuniteteve të sotme shqiptare, reale ose virtuale qofshin – jetën politike, parlamentin, marrëdhëniet midis institucioneve, jetën e partive, jetën kulturore, debatet madhore. Kombëtarizmi, në format me të cilat ekziston dhe riprodhohet sot e kësaj dite brenda shoqërisë shqiptare, është edhe ai produkt i kësaj kulture konservatore dhe autoritariste, e cila në thelb i druhet lirisë – së mendimit, të fjalës, të individit; dhe si i tillë luan të njëjtin rol ruajtës si feja në shoqërinë europiane në Mesjetë.

Dashuria për atdheun, popullin, gjuhën, kombin dhe kulturën tënde është virtyt; prandaj problemi me kombëtarizmin e sotëm, në trajtat që ia sheh të ketë marrë kudo, ka të bëjë më tepër me rolin që po kërkon të luajë, si qen roje i statu quo-së intelektuale, pikërisht në një kohë kur shqiptarëve u duhet një përpjekje vërtet e jashtëzakonshme për t’u emancipuar si shoqëri, nëse duan të mbijetojnë kulturalisht në një botë që po shkon duke u globalizuar.

Mendimi ynë kombëtar është ende i papërpunuar; çka ofron Rilindja janë vetëm embrione projektesh romantike e të vjershëruara, dëshira të sistemuara në trajta programesh, ngrehina të cilat shpesh mbahen në këmbë vetëm e vetëm nga bindja e idealizuar e virtytit të vetvetishëm të shqiptarit. Faza e mendimit kritik, që filloi të kultivohej gjatë viteve të mbretërisë së Zogut, zgjati shumë pak, për të lënë gjurmë të trashëgueshme në kulturën kombëtare; në një kohë që gjysmë shekulli totalitarizëm e gjymtuan kulturën shqiptare aq rëndë, sa ende nuk është e sigurt nëse do të rimëkëmbet dot. Për këtë arsye, çdo model autoritarist dhe konformist që kërkon t’i imponohet kësaj kulture është vetvetiu asfiksues, sepse i kërkon të ruajë vlera të paqena, fiktive, produkte dëshirash fëminore ose skizofrenike; në një kohë që çka lypet urgjentisht është krijimi i vlerave të reja, në të gjitha fushat dhe aspektet, dhe nëpërmjet dialogut, debatit dhe konfrontimit gjithëpërfshirës.

Pas perëndimit të Alb-Clubit, u duk sikur Peshku pa Ujë – i cili funksionon sipas një formati tjetër, më të përshtatshëm për komunikim – do t’ia ruante frymën dhe do t’ia çonte përpara traditën e dialogut të hapur intelektual, jashtë skemave politike dhe, sidomos, larg fortifikimeve konformiste kombëtariste ose tjetërlloj. Për fat të keq, kam përshtypjen se edhe Peshku pa Ujë ka hyrë tashmë në një fazë të re, ku pozicionimi kombëtarist ekstrem dhe refuzimi brutal i mendimit antikonformist po vijnë duke u konsoliduar, në dëm të krijimtarisë intelektuale dhe dialogut të lirshëm.

Rezultat i menjëhershëm i këtij kalcifikimi është zbehja e debatit, sipas të njëjtit mekanizëm pervers që çoi në shpërbërjen e Alb-Clubit – sa kohë që vendin e kuriozitetit intelektual dhe guximit të shprehjes së lirë e ka zënë fryma verifikuese, gjykuese, përçmuese dhe poshtëruese, e mbështetur në kriterin absolut të kombëtarizmit. Pozicionimet populiste shpesh primitive bëhen edhe më absurde, po të kihet parasysh se e shumta e kontributorëve të rregullt të atij forumi janë njerëz me formim intelektual bashkëkohor, të diplomuar në universitetet më të mira të Perëndimit e që jetojnë të zhytur në kulturën më të ndriçuar që ka parë ndonjëherë historia – atë Perëndimoren.

E megjithatë, një vështrim i shpejtë i temave të trajtuara dhe sidomos i frymës ose patosit të diskutimeve mjafton për të parë njëpolarizimin e mendimit dhe sidomos shndërrimin e forumit nga tryezë e rrumbullakët në juri vleftësuese, me atribute kualifikuese morale të shkallës më të lartë. Praktikisht, Peshku pa Ujë tani është marrë peng nga një klikë llafazanësh të pasionuar, të cilët nuk kanë asnjë interes ndaj dialogut dhe shkëmbimit të mendimeve, por kërkojnë vetëm të konfirmojnë vlerat e identitetit të tyre vetjak, nëpërmjet përjashtimit të mendimit ndryshe. Me fjalë të tjera, edhe Alb-Clubi dje, edhe Peshku pa Ujë sot u asfiksuan nga e njëjta formë intolerante, populiste dhe arrogante e kombëtarizmit, e cila e identifikon dhe e disiplinon grupin duke ia përjashtuar elementin antikonformist, kryesisht nëpërmjet dhunës verbale. Kjo ka bërë edhe që, në përsëritje të çka ndodhi dy-tre vjet më parë me Alb-Clubin, një pjesë e madhe e kontribuesve më të vyer të Peshkut pa Ujë largohen që andej, të neveritur ose ngaqë ndihen … si peshku pa ujë.

Paradoksalisht, rezultati kryesor i histerisë konformiste të kombëtaristëve në forumet është kolapsi i forumeve vetë, ose shndërrimi i diskutimeve në teatër komik përbetimesh se kush e do më shumë atdheun, kush thërret më fort për bashkim kombëtar, kush çirret më shumë kundër grekëve, kush e don më fort Kosovën, kush e tund më bujshëm flamurin kuqezi, kush e këndon më bukur himnin kombëtar – ose në një liturgji mjerane të kombëtarizmit si fé surrogato. اka del e dëmtuar në këtë mes është vetë kultura shqiptare, e cila nuk ka nevojë për këto angullima, por për krijimtari, mendim intelektual, dialog dhe debat në të gjithë spektrin.

A ka mundësi që të ndalet kjo prirje dhe të mos lejohet, bie fjala, që Peshku pa Ujë të pësojë të njëjtin kolaps si Alb-Clubi para tij? Për mendimin tim, e vetmja rrugë për të parandaluar kolapsin është që të gjithë përdoruesit (lexuesit) e rregullt të forumeve të ngrenë zërin dhe t’i kundërshtojnë haptazi e me forcë orvatjet për t’i shndërruar diskutimet në gjyqe popullore dhe populiste ose për të vënë me shpatulla pas muri antikonformistët, ose siç njihen ndryshe, “antishqiptarët”. Në kontekstin e komuniteteve shqiptare virtuale sot, nuk ka antishqiptarë më të mëdhenj sesa këta të vetëshpallur vigilantes kombëtaristë, sepse janë këta që, me hipokrizinë e tyre dhe me komplekset e tyre psikologjike, çojnë detyrimisht në kolapsin e komuniteteve që duan të ruajnë, riprodhojnë dhe disiplinojnë me hir a me pahir.

Higjienizimi i komuniteteve, ose pastrimi i tyre nga parazitët, do të kryhet edhe ai, detyrimisht, nëpërmjet dialogut.
 
Titulli: Poltika kombetare dhe forumi.

dhe hyllin me nje pergjigje tek mitet e lodhura;
Ky shkrim tregon se i je futur populizmit shkombetarizues me nje epsh qe eshte per tu lavderuar persa i perket intensitetit .

Kombi eshte nje ‘familje e madhe’ thote kanuni, keshtu qe perqasjet e shqiptareve ne lidhje me kombin detyrimisht duhet te kene elemente jo racionale( nuk do te thote detyrimisht irracionale) ashtu sikunder cdo anetar i familjes ka ne lidhje me familjen.

Paprekshmeria e familjes eshte detyre e cdo anetari te saj,detyrimisht edhe paprekshmeria e Kombit duhet te jete detyre e cdo shqiptari.

Kombi eshte nje zhvillim i nocionit te bashkesise e duke qene se perfshin shume individe lidhjet qe cojne tek kombi jane logjikisht me te dobeta se lidhjet qe cojne tek flamuri ,fisi apo familja.

Problemi qe ngrihet natyrshem eshte pikerisht zhvillimi i lidhjeve ndermjet anetareve te kombit.
Nese kombi do shihej vetem ne kendveshtrimin e racionalitetit ekonomik apo politik atehere nuk do kishte arsye te ekzistonte per shkak se si racionalizmi ekonomik ashtu edhe ai politik shprehjen me te mire e gjejne brenda shtetit.

Kombi eshte shprehje e lidhjeve shpirterore mes individeve, ku vlerat e perbashketa kane rolin kryesor ne ushqimin e ketyre lidhjeve e sigurisht qe ne kete prizem kemi nje antagonizem te tij me kristianizmin apo islamin. Vetem nacionalortodoksia per shkak te nacionalizmit qe permban nuk mund te jete ne kundershti me kombin por serisht me kombin qe ngjiz.

Pra nevoja e mitizimit te kombit eshte jetike per ekzistencen e kombit tone. Transformimi i kombesise shqiptare ne nje perkatesi fetaro-kombetare nuk eshte shpikje e shek 21 por nje nga zbulimet me te medha te Rilindasve. Besoj se diferenca mes ’shpikje’ dhe ‘zbulim’ e jep qartesisht idene time.

Ne ende nuk e kemi zgjidhur ceshtjen kombetare, keshtu qe lidhja mes shtetit e kombit duhet te jete me e forte se kurre.
Koha e Rilindasve nuk ka perfunduar pasi arsyeja e ekzistences se tyre lidhet me formimin e shtetit komb e jo me europianizimin apo pasurimin e shqiptareve te RSH-se apo Kosoves.

Keta qe sot po shfrytezojne bibliotekat e gjithe botes per te gjetur historine e vertete te shqiptareve jane Rilindasit e Rinj e jo matrapaze sic i quan ti. Keta po shpenzojne leket e tyre dhe kohe vetem per te gjetur te verteten e nuk po parazitojne apo shohin interesat e ngushta vetjake sic bejne shumica e lexuesve te tu apo te mediave shqiptare.

Nuk duhet harruar se keta po krijojne elemente te rinj shpirterore e duhen pranuar krahehapur , si kunderpeshe ndaj konceptimit materialist te kombit qe perfaqesohet nga ata qe pyesin:
Cfare po ben kombi per mua? - A thua se kombi eshte Zyra e Punes dhe Asistences Sociale!!!!!!
 
Titulli: Politika kombetare dhe forumi.

Dhe e fundit nga Eni;
Une alb-clubin vetem me te degjuar e kam sepse nuk kam marre pjese ndonjehere ne diskutime atje dhe nuk e njoh kulturen e diskutimit te krijuar atje. Prandaj edhe mendimet qe do te hedh ne kete koment mund te mos jene shume afer realitetit.

Sidoqofte per mua renia e alb-clubit eshte i ngjashem me ate te tjere forumeve interneti dhe nuk lidhet dhe aq me kombetarizimin e forumit por eshte fenomen me i pergjithshem. Per mendimin tim cikli i jetes se nje forumi ekskluzivisht online nuk i kalon 5-6 vjetet. Kjo nga njera ane sepse ne momentin qe nje forum behet masiv atehere ai nuk mund te ruaje me kulturen fillestare te krijuar nga baza besnike e perdoruesve. Nga ana tjeter lidhjet sociale online nuk jane te qendrueshme nese ato nuk mbeshteten nga lidhjet ne jeten reale. Pra lidhjet qe krijohen e mbahen vetem online jane te thjeshta per tu braktisur e ndryshuar. Forumet online per te mbijetuar me shume se nje gjysem dekade duhet te mbeshtesin perdoruesit ne mbajtjen apo krijimin e lidhjeve reale dhe jo te jene ekskluzivisht virtuale.

Gjithashtu, nese nje faqe ka me te vertete per qellim te masivizohet, pra mos ti sherbeje vetem nje grupi shume te caktuar atehere ajo duhet te funksionoje ne formen e nje platforme qe lejon njekohesisht ngritjen dhe renien e grupeve apo kulturave te ndryshme e te vecanta pergjate kohes. Ketu eshte dhe gabimi i peshkut pa uje tek i cili une kam diskutuar me pare sporadikisht dhe e njoh disi. Atje nuk ka mundesi ndarje e vecimi social. Per cdo artikull duhet te argumentosh te njejtat gjera me kombetaristet, titistet, kucet e macet. Megjithese perplasja e mendimeve me grupe qe mendojne (shuuuuume :)) ndryshe eshte ne pergjithesi i dobishem ai eshte i demshem nese nuk te lejon ndarjen e qetesine brenda nje grupi me te cilin mund te identifikohesh. Perplasjet me ata qe mendojne shume ndryshe duhet te jene sporadike apo ciklike por jo te perditeshme. Cdo forum qe nuk e kupton dhe mundeson terheqjen e perdoruesve brenda zonave te tyre kultures eshte i destinuar te bjere pikerisht sepse konformizohet, sepse aty nuk lejon me hapesira me te cilat perdoruesit mund te identifikohen. Pra keto lloje forumesh behen padashur pre e suksesit te tyre.

Keto probleme forcohen ne rastin shqiptar nese kemi parasysh qe aktualisht perdoruesit shqiptare te internetit jetojne pergjithesisht ne diaspore te ndare nga njeri tjetri prej mijera kilometrave e me pak shanse per te krijuar lidhje sociale reale te cilat do ta ruanin komunitetin virtual nga shperberja.

Platformat e diskutimeve duhet te jene me afer jetes reale Kjo pasi ne jeten reale ne jemi te ndare e pergjithesisht te izoluar ne bashkeveprimin e perditshem social. Ne kemi te bejme ne pjesen derrmuese te rasteve me njerez me te cilet ne merremi vesh e ndajme disa vlera e mendime te perbashketa. Sporadikisht, le te themi ne 10% te rasteve ndeshim ne njerez me kulture e vlera te tjera me te cilet perplasemi apo shkembejme ide e vlera. Pikerisht kete duhet te lejojne edhe platformat virtuale te diskutimit.

Pra sado paradoksale te duket si mendim per mua eshte mundesia e segregimit, e terheqjes brenda qetesise se grupit tend zgjidhja ndaj problemeve aktuale te forumeve shqiptare.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top