Nipi i Ismail Qemalit: Inatet e rektorit
Reagime të ashpra pas propozimit për heqjen e emërtimit të Universitetit të Vlorës: Turp kombëtar. Shpjegohet Shaska: Ja pse nuk e dua këtë emër
Nipi i Ismail Qemalit, profesor Nedim R. Vlora, ka reaguar përmes një letre të hapur, mbi propozimin për heqjen e emrit të shtetformuesit shqiptar, nga Universiteti i Vlorës, "Ismail Qemali". Ai është përpjekur të hedhë dritë mbi qëllimet e vërteta të propozimit të Tanush Shaskës, rektorit të universitetit "Ismail Qemali" në Vlorë.
Pasardhësi i Kryeministrit të parë të shtetit shqiptar i ka kujtuar rektorit Shaska se "në qoftë se ai prezantohet me nder jashtë vendit si një qytetar shqiptar, ia detyron pikërisht Ismail Qemalit dhe veprës së tij". Ndërsa e ka konsideruar si një njeri që nuk është në gjendje të vendosë për çështje historike.
Pasi ka mësuar për vendimin e senatit akademik të Universitetit të Vlorës, i propozuar nga rektori, nipi i Ismail Qemalit, profesor Vlora, në letrën e tij të hapur shkruan: "Duke lënë mënjanë çdo konsideratë të natyrës akademike, që lidhet me titujt e personazhit të çështjes në fjalë, marr të drejtën të them se dr. Shaska, të cilit i uroj një karrierë brilante akademike në të ardhmen, nuk është në gjendje të vendosë për çështje të natyrës historike".
Profesor Vlora bën me dije më tej edhe një tjetër situatë që ka ndodhur përpara marrjes së këtij vendimi nga ana e rektorit Shaska. Sipas profesor Vlorës, ka qenë pikërisht indiferenca e rektorit Shaska, ajo që çoi në djegien e fondeve që Universiteti i Barit kishte akorduar për atë të Vlorës, përmes një marrëveshjeje të përbashkët bashkëpunimi. Vlora pohon se ka qenë një iniciativë e tij personale dhe punë këmbëngulëse që çoi deri në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Por menjëherë më pas ka ardhur edhe propozimi i bërë në senat për heqjen e emrit të Kryeministrit të parë të vendit nga ky universitet.
Në fillim të letrës së tij, nipi i Ismail Qemalit shkruan se
"nga rektori Shaska duket se qenka e mundur të presësh gjithçka".
Ai tregon se që në prill 2008, pas një marrëveshjeje bashkëpunimi (mbi një iniciativë timen dhe pas një interesimi këmbëngulës) mes Universitetit të Barit dhe Universitetit të Vlorës, fiksova një takim me rektorin e ri. Shkova posaçërisht në Vlorë për të dërguar përshëndetjet e Universitetit të Barit dhe për të festuar Ditën e Drejtësisë, 10 majin, sipas kërkesës së profesorëve të Departamentit të Drejtësisë, në Universitetin e Vlorës". Por ditën e takimit, sekretarja e rektorit, i ka bërë të ditur se Shaska, për shkak të dëborës, nuk mundi të nisej nga Shtetet e Bashkuara. "Të shtunën pasuese, rektori ishte në zyrën e tij në Vlorë, e dinte për praninë time, por nuk më priti duke më thënë përmes sekretares së tij se të shtunën ai nuk punonte", sqaron më tej profesor Nedim Vlora. Pas kësaj indiference ai ka vendosur që të niset për në Itali dhe në takimin e parë me rektorin e Universitetit të Barit i ka paraqitur atij dorëheqjen nga kjo detyrë, "duke hequr dorë nga financimet që ky universitet kishte vendosur të jepte në kuadër të marrëveshjes me universitetin ‘Ismail Qemali‘ të Vlorës". Edhe pse ka njoftuar për aktin e dorëheqjes edhe rektorin Shaska, sërish nuk ka pasur asnjë përgjigje prej tij.
Nga ana tjetër, profesor Nedim Vlora ka shtuar se "edhe mënyra e drejtimit të Universitetit të Vlorës nga ana e rektorit Shaska nuk është fort e pranuar, që nga momenti që janë të shumta kundërshtimet e profesorëve, të cilëve i janë shtuar edhe kundërshtimet e forta dhe të motivuara të studentëve".
Vetë rektori Shaska, i cili flet për marketing, tashmë ka mundësinë që të shpjegojë se kush është ndonjë figurë tjetër simbol për Vlorën, më e rëndësishme se sa Ismail Qemali, që të përmirësojë marketingun që ai pretendon.
Akademiku Gudar Beqiraj
"Jam kundër. ثshtë e palogjikshme"
Nënkryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, është shprehur dje se "personalisht është kundër heqjes së emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës". Ai ka pohuar se arsyeja që ndryshimi i emrit të këtij universiteti kërkohet të bëhet nën pretendimin se Ismail Qemali nuk është marrë me punë akademike, nuk mund të qëndrojë. "Po çfarë mund të themi për emrat e shkollave të tjera", pyet me të drejtë akademiku Beqiraj. Ai përmend emërtimin e shkollës "Partizani" në kryeqytet dhe thotë se emri i saj nuk mund të ndryshojë me këtë logjikë.
Po kështu reagime kundër këtij propozimi të bërë nga rektori i universitetit "Ismail Qemali" në Vlorë ka pasur edhe nga njerëz të tjerë të arsimit, por edhe të politikës, të pasuara këto nga një indinjatë e përgjithshme qytetare.
Herostrati i Vlorës: Pse nuk e dua Ismail Qemalin
Rektori Shaska mundohet të shpërndajë tymin e shashkës së tij
Pasi la me gojë hapur të gjithë shqiptarët, rektori i universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës, Tanush Shaska, u mundua dje që të shpërndante tymin e "shashkës" që hodhi vetë të shtunën në mbrëmje. Shaska doli dje në një konferencë shtypi, ku mori mbi vete të gjitha përgjegjësitë për propozimin skandaloz për heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës. "ثshtë e rëndësishme të kihet parasysh se përgjegjësia morale mbi këtë veprim bie plotësisht mbi mua si kryetar i senatit dhe rektor i universitetit ‘Ismail Qemali‘ të Vlorës", tha dje Shaska, duke marrë pozicionin e Herostratit (shek IV p.e.s.), i cili dogji një tempull të mrekullueshëm vetëm e vetëm për t‘u bërë i famshëm.
Dje, Shaska mundi të mblidhte në ambientet e universitetit aq shumë gazetarë sa nuk kishte mundur t‘i mblidhte në të gjitha deklaratat e tij publike të marra së bashku. Pa pikën e pendesës për irritimin që shkaktoi, rektori tha se ishte ai vetë që propozoi mbrëmjen e datës 26 gusht 2008 ndryshimin e emrit të universitetit nga "Universiteti Ismail Qemali i Vlorës" në "Universiteti i Vlorës".
"Isha i përgatitur për një reagim të ashpër nga opinioni në Vlorë dhe tejembanë trojeve shqiptare. Kjo për vetë faktin se figura e Ismail Qemalit dhe vepra e tij patriotike është madhore dhe e padiskutueshme në historinë e kombit shqiptar", tha Shaska. Ai shtoi se "është e rëndësishme të kihet parasysh se përgjegjësia morale mbi këtë veprim bie plotësisht mbi mua si kryetar i senatit dhe rektor i universitetit ‘Ismail Qemali‘ të Vlorës".
Më tej, rektori renditi disa nga ato që ai i quan arsye dhe që e justifikojnë propozimin e paprecedent për të fshirë nga Universiteti i Vlorës emrin e njeriut të cilit i atribuohet formimi i shtetit shqiptar.
Arsyeja e parë, sipas rektorit, është fakti që emri i Ismail Qemalit pengon "marketingun" e universitetit. Në këtë prizëm, Shaska sqaroi: "Universiteti ‘Ismail Qemali‘ i Vlorës po merr një karakter gjithmonë e më shumë ndërkombëtar. Vetëm këtë vit, ne kemi me qindra kërkesa për studime nga vende si Kina, India, Bangladeshi, Pakistani, vendet e Lindjes së Mesme etj. Në këto kushte, përmirësimi i imazhit të universitetit është synimi ynë kryesor. Duke pasur parasysh këtë, unë ende mendoj se ‘Universiteti i Vlorës‘ është shumë herë më i marketueshëm se sa ‘Universiteti Ismail Qemali‘. Emrat e shkurtër janë shumë më efektivë se sa emrat e gjatë".
Për të ilustruar idenë e tij gjeniale për ta bërë universitetin më të "marketueshëm" (kjo fjalë nuk ekziston në Fjalorin e Gjuhës Shqipe), rektori solli edhe shembuj nga Perëndimi: ...universitete si ‘Oxford University‘, ‘Cambridge University‘, ‘University of Michigan‘, ‘University of Florida‘, ‘University of California at Berkeley‘, ‘University of California at Los Angeles‘, etj., sot njihen vetëm me emrat Oxford, Cambridge, UM, UF, Berkeley, UCLA, etj.". Por rektori Shaska harron se asnjë nga këto universitete nuk e ka ndryshuar zyrtarisht emrin.
Ndërkohë, rektori mendon se figura e Ismail Qemalit nuk dëmtohet nga heqja e emrit të tij nga Universiteti i Vlorës. Në këtë pikë, Tanush Shaska hidhet në kundërsulm, duke thënë se "ndoshta ne do të bënim më shumë për figurën e Ismail Qemalit sikur të siguronim disa fonde që disa prej studiuesve tanë që po studiojnë figurën e tij të financohen nga shteti dhe universitetet... Ismail Qemali është themeluesi i shtetit shqiptar, por nuk ka ende asnjë bust të tij në kryeqytetin e Shqipërisë....". Rektori mendon se vetë Ismail Qemali do të ishte tepër i lumtur që Vlora të dilte në plan të parë dhe jo Ismail Qemali. "Të mos harrojmë se Vlora, Shqipëria, janë ato me të cilat asnjë individ nuk mund të baraspeshohet, ato për të cilat ne duhet të bëjmë përpjekjet maksimale për të dalë në plan të parë".
Vetëm në fund të deklaratës së tij të gjatë, kreu i universitetit "Ismail Qemali" doli te çështja që i dhemb më shumë: Mungesa e fondeve për universitetin. Pasi kishte deklaruar se universiteti po merrte përmasa mbarëkombëtare e madje ndërkombëtare, rektori Shaska tha se: "Ne jemi universiteti me kushtet më të këqija të infrastrukturës në të gjithë Shqipërinë. Në kuadrin e akreditimit të universiteteve nga agjenci të huaja akreditimesh, universiteti ynë do të ketë probleme të thella. Ne kemi nevojë për ndihmë të menjëhershme nga pushteti lokal në Vlorë, biznesi vlonjat dhe qeveria për godina të reja dhe tokë për një kampus të ri". Sipas Shaskës, këto janë nevoja urgjente që rrezikojnë ekzistencën e Universitetit në Vlorë. Dhe kjo mund të jetë në fakt arsyeja e vërtetë e kësaj përpjekjeje prej Herostrati, për të përqendruar vëmendjen tek Universiteti modest i Vlorës.
Analogjia
Kush ishte Herostrati
Herostrati (Herostratus) ishte një burrë i cili më 21 korrik të vitit 356 p.e.s. i vuri zjarrin Tempullit të Artemisës, për shkak të dëshirës së tij për famë. Tempulli ishte një ndërtesë e mrekullueshme dhe konsiderohej si më e bukura ndër faltoret e ndërtuara nga grekët për të nderuar zotat e tyre. Tempulli ishte gjithashtu një nga Shtatë Mrekullitë e Botës së Lashtë. Pasi shkatërroi mrekullinë e grekëve, Herostrati nuk e shmangu veten nga përgjegjësia, përkundrazi e pranoi me mburrje atë që kishte bërë dhe tha se kjo vepër do ta fuste në histori. Për këtë arsye, autoritetet, pasi e dënuan me vdekje, nxorën një dekret që ndalonte përmendjen e emrit të tij. Por, Herostrati ia arriti qëllimit, emri i tij u fut në histori.
Kryebashkiaku Gjika dhe kreu i PS-së lokale dënojnë aktin e rektorit
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, dhe kryetari i degës së Partisë Socialiste në këtë qytet, Eltar Deda, kanë qenë të ashpër dje në deklaratat e tyre kundër propozimit të senatit të universitetit "Ismail Qemali". Kryebashkiaku Gjika ka dalë dje me një deklaratë për shtyp, në të cilën thuhet mes të tjerash se "është vërtet për t‘u shqetësuar, që ndërkohë që universiteti ‘Ismail Qemali‘ i Vlorës ka ‘background‘ të konsoliduar, i cili nuk mund të vlerësohet pa emrin historik që ka, rektori po senati vijnë në një vendim të tillë, që në një farë mënyre i heq pjesën më të bukur këtij universiteti".
Kryebashkiaku Gjika thotë se jo më kot i është vendosur emri i Ismail Qemalit Universitetit të Vlorës. "Unë dua të bëj publik faktin që ky universitet për mua dhe për të gjithë qytetarët e Vlorës është institucioni më prestigjioz në qytetin tonë, pra nuk është as Bashkia, as Prefektura, as Qarku apo institucione të tjera. Në këtë kuptim, një institucioni prestigjioz lipset që t‘i vihet një emër shumë prestigjioz, siç është emri i figurës më kryesore të historisë së shtetit shqiptar, emri i Ismail Qemalit, i cili është nder, pasi është edhe qytetar i Vlorës", shprehet Gjika. Ai kërkon nga rektori dhe nga senati në mënyrë të veçantë, që sa më shpejt ta anulojnë vendimin absurd dhe më shumë se sa heqje dhe vendosje emrash të shikojnë për të vlerësuar edhe të kaluarën e universitetit "Ismail Qemali", por në mënyrë të veçantë për t‘i dhënë atij atë dimension që realisht kërkohet nga rinia vlonjate.
Ndërkohë, kreu i PS-së së Vlorës, Eltar Deda, tha dje se vendimi për ndryshimin e emrit të Universitetit të Vlorës sjell një dëm të paimagjinueshëm në jetën e qytetit dhe përbën një precedent të rrezikshëm për çdo vlerë kulturore, historike, patriotike, akademike dhe shoqërore të qytetit dhe të mbarë vendit. Sipas Dedës, "vënia e emrit të Ismail Qemalit universitetit është një veprim që jo vetëm ka kuptim, por edhe krijon atmosferën e ngrohtë dhe të nevojshme për një edukim në shembullin e jetës së tij brilante".
Sipas kreut të PS-së së Vlorës është e pakuptueshme dhe dashakeqe heqja e emrit, për çfarëdo arsyeje, mendimi apo hamendësimi, sepse emri i tij është guri i themelit të shtetit shqiptar dhe çdo tjetërsim i emrit të këtij universiteti do të prekte këtë vlerë. Në emër edhe të forcës politike që përfaqëson, kreu i socialistëve vlonjatë kërkoi që "bashkë me rektorin të përgjigjen përpara komunitetit për këtë veprim edhe të gjithë ata që kanë votuar për heqjen e emrit dhe të mbajnë përgjegjësi deri në largimin e tyre nga puna, sepse vetëm edukues nuk mund të jenë këta pedagogë".
Meta: Ky është turp kombëtar
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dje me anë të një deklarate të Ilir Metës, në lidhje me vendimin e senatit të Universitetit të Vlorës për të hequr emrin e Ismail Qemalit. "LSI-ja shpreh indinjatën e thellë të saj në lidhje me heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës. Ky akt në vetvete përbën një turp kombëtar dhe një veprim shumë të rëndë ndaj njërit prej simboleve më të denja të kombit shqiptar, Ismail Qemalit", tha dje Ilir Meta. Ai shtoi se "askush sot, as rektori i ri i këtij universiteti dhe as tetë pjesëtarët e një senati të përkohshëm dhe për më shumë edhe në një proces votimi të paligjshëm s‘mund të lejohen të njollosin kujtesën tonë kombëtare". Sipas Metës, arsyetimi se emri i Ismail Qemalit hiqet nga ky universitet, pasi ai nuk ka dhënë ndihmesë në fushën e arsimit dhe nuk ka qenë një akademik, provokon thellësisht ndërgjegjen tonë kombëtare. "Ismail Qemali nuk i përket Vlorës dhe as vetëm Shqipërisë, por ai është babai dhe simboli i kombit shqiptar", tha Meta. Ai shtoi se "heqja e emrit nuk është tregues thjesht i mendjelehtësisë, por është tregues i krizës së thellë të vlerave deri dhe kombëtare që po kalon mazhoranca e sotme berishiane, e cila kërkon të ndryshojë gjithçka". LSI-ja i kërkon vëmendjen ministrit të sapoemëruar, zotit Beja, si dhe Presidentit Topi, që të ndërhyjnë për të shmangur këtë skandal me përmasa kombëtare.
Qëndrimi
Paraardhësi i Shaskës: Ishte një gjest i turpshëm
Ish-rektori i universitetit "Ismail Qemali", aktualisht dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe Drejtësisë, Kreshnik Bello, e konsideron gjest të turpshëm atë që ka kryer senati dhe rektori i universitetit. Bello ka deklaruar se propozime të tilla për heqjen e emrit të Ismail Qemalit janë të turpshme. Ai theksoi se ky universitet duhet ta meritojë këtë emër. Sipas Bellos, nuk është ky problemi i universitetit, pasi ato janë të shumta jo vetëm nga ana akademike, por edhe nga ajo shkencore. "Ne duhet të merremi me gjërat që janë vërtet shqetësuese për këtë universitet. Unë gjykoj se është një ngjarje jo korrekte nga ana e senatit dhe rektorit madje senati, rektori dhe i gjithë stafi i këtij universiteti, si dhe studentët, duhet të përpiqen për të merituar këtë emër kaq të madh të burrit të shtetit Ismail Qemali dhe jo të merremi me veprime të tilla, pa u konsultuar me historianë, njerëz të artit, të kulturës, pedagogë etj. Prandaj them se është një veprim tejet i nxituar i tetë senatorëve si dhe i rektorit dhe përshëndes ata senatorë që janë treguar të kujdesshëm dhe të matur, duke kanë votuar kundër", thotë dekani Bello. Ai shton se "unë më i shqetësuar jam për mënyrën se si po drejtohet ky universitet nga rektori. Kohët e fundit kemi edhe ndërprerje të marrëdhënieve me një kolegj në Amerikë, me të cilin kemi pasur shkëmbime të shkëlqyera eksperience. Këto duhen parë e shumë të gjëra të tjera që nuk shkojnë në këtë universitet, ndërsa nuk gjej asnjë shkak logjik që të ndërrohet emri i universitetit se gjoja nuk na pranoka bota".
Gazeta shqip