Vlera që i flasin kohës

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Elbasani​

Vazhdimësia e jetës qytetare nga antikiteti deri në ditët tona e kanë bërë Elbasanin mbartës të një qytetërimi me tradita të pasura ekonomiko-kulturore.

Rruga Egnatia, kjo përmendore lashtësie, ka qenë e fortlidhur me qytetin 1800-vjeçar të Elbasanit. Një rrugë me rëndësi të posaçme ekonomike dhe strategjike, që kalonte nëpër luginën e Shkumbinit, mbi truallin e një rruge të vjetër natyrore të një fisi ilir.

Në shekullin II p.e.s., Elbasani njihej me emrin Skampius. Më vonë, me emrin Skampi. I shtrirë në arterien interballkanike të Vias Egnatia, që lidhte Lindjen me Perëndimin, ky qytet njohu lulëzimin e tij. Vazhdimësia e jetës qytetare prej antikitetit deri në ditët tona e kanë bërë Elbasanin bartës të një qytetërimi të pasur me tradita të shënuara ekonomike dhe kulturore. Duke parë fragmentet e Vias Egnatia, përfytyrojmë karvanë të tërë kuajsh të ngarkuar me trokun e tyre jehonë drejt Perëndimit. Harta e vjetër e këtij qyteti të mesit të Shqipërisë jep e merr me atë të kohëve moderne. Memoria e qytetit mban hapur portat si nevojë për njohje e ripërtëritje të traditave nga breznitë e reja të qytetit…

Muzetë strehojnë historitë e organizimit dhe zhvillimit zejtaro-tregtar të Elbasanit të fillimit të shek të 16 deri në fundshekullin e 19, si dhe një inventar të pasur të relikeve të ndryshme të trashëguara prej mjeshtërve shijehollë elbasanas.

Pazari i vjetër i Elbasanit ka qenë me nam në ato vite. “Pazar Elbasani”, ky togfjalësh, ndërtregtar brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë shprehte jo vetëm begatinë e tregtisë, por dhe ndershmërinë e tregtarëve elbasanas në dhënie-marrje. Nga studiuesit e njohur të arkeologjisë Pazari i vjetër është cilësuar si një lagje romake bizantine. Kanunnameja e vitit 1569 është dokumenti më i hershëm që dëshmon për traditat e tregtisë në këtë qytet. Dy njoftime të shekullit 16 tregojnë për eksportin e drithit dhe ekzistencën e dy karvan-sarajeve për strehimin e tregtarëve të huaj me karvanët e tyre.
Bezistani mbetet Pazari dhe pika më e rëndësishme e qytetit, ku tregtarët zhvillonin aktivitetin e tyre. Mbi 900 dyqane... Në mesin e tij ndodhej shatërvani prej guri me dy çurgje, që derdheshin në basenin e rrumbullakët e të thellë, ku mund të pinin ujë njëherazi 12 kuaj.

Në këtë pjesë të Pazarit, që kishte një lëvizje të madhe tregtare çdo mëngjes, pa aguar mirë dita, që kur shfaqej në horizont ylli i karvanit… dilnin nga hanet karvanët e kuajve të Elbasanit, Tiranës, Durrësit etj., të ngarkuar me ullinj, vaj ulliri, lëkura e mallra të tjerë për të marrë rrugën për në Dibër, Korçë, Manastir etj. Lëvizja plot gjallëri e qiraxhinjve, hingëllimat e kuajve që shaloheshin e ngarkoheshin nën tingujt e trokeve dhe zileve… zëri çjerrës i kafexhinjve, si dhe seta e furrxhinjve që përgatitnin simitet me bugaçe… formonin spektaklin e gjallërisë të pazakontë të këtij Pazari, që lidhej ngushtë me jetën e qytetit. Pas vitit 1920, tregtarët u vunë në kontakt me kapitalistët e rinj europianë. Mori hov jo vetëm importi, por dhe eksporti i lëndëve të para, jo vetëm drejt tregjeve tradicionale të Manastirit dhe Selanikut, por dhe në lidhje me firma tregtare si nga Italia, Gjermania, Franca, SHBA, Malta etj. Rreth vitit 1670, udhëtari dhe studiuesi i njohur turk, Elvia اelebiu, do ta përshkruante kështu Pazarin e Elbasanit “…Tregu i Elbasanit ka 900 dyqane, të rregullt e të bukur dhe krejt nën hije… Saraçët, kazazët dhe argjendarët janë më tërheqës… Ka 7 kafene të bukura, ku mblidhen e bisedojnë dijetarët e vjershëtorët…

Nga katundet në ditët e pazarit vijnë në treg vasha aq të bukura sa njeriu pandeh se ndodhet në mes të perive të dheut …Me ke[të stoli virgjëreshash tregu i Elbasanit numërohet: Nusja e Shqipërisë dhe Rumelisë…”:

Natyrisht që dita e Pazarit të shtunave shënonte kulmin e gjallërisë dhe të lëvizjes ekonomike. Pazari i qytetit në këtë ditë furnizohej me mallra të ndryshëm nga të gjitha zonat rreth tij. Nga zona e اermenikës fshatarët sillnin mollët, dardhat, ftonjtë, arrat… Nga Gryka e Zaranikës vinin kryesisht bulmetrat, drutë, qymyri… Malësia e Kërrabës sillte duhan, fiq, rrush dhe perime… Dumreja, që përmendej si Hambari i Elbasanit, sillte drithin, orizin, duhanin, bulmetrat, shpendët, vezët… Krahina e Shpatit dhe Sulova sillnin bulmetrat, kurse Verca, përveç artikujve blegtoralë, sillte mjaltin dhe pekmezin e ushqyeshëm e të shijshëm.

Pasurimi i disa shtresave shoqërore i dha hov shumë mjeshtërive artistike, si punimi i metaleve të çmuara (arturinat), zbukurimi artistik i armëve me filigramë, gdhendja e drurit, prodhimi i të mëndafshtave, qëndisja e kostumeve dekorative etj. Kostumet popullore të grave e burrave elbasanas për nga teknologjia origjinale e prodhimit dhe nivelit mjeshtëror artistik, kanë hyrë në fondin e artë të kulturës materiale e shpirtërore të popullit shqiptar.

Në këtë kohë në Elbasan kishte afro 30000 banorë dhe afro 100 familje elbasanase mbaheshin me mjeshtërinë e argjendarisë (kujunxhinjve), çka tregon dhe cilësinë e jetës së qytetarisë elbasanase. Në ekspozitën ndërkombëtare të vitit 1867, organizuar në Paris, argjendarët dhe armëtarët elbasanas u përfaqësuan me dinjitet me prodhimet e tyre origjinale.

Qytetarët elbasanas kujtojnë me respekt tregtarë të mëdhenj elbasanas, apo mjeshtër të shquar zejtarë. Emrat e tyre, si fjalor i vjetër i kujtesës së qytetit, përmenden shpesh ndër biseda. Ata e kishin tregtinë pasion, talent. Natyrisht që puna e tyre kërkonte guxim, mendje të hapur, aventurë, që nuk u mungonin. Nuk u lodhën në rrugëtime të gjata, me ditë e net. Përkushtimin që u merrte aq shumë energji. Tregtarë fisnikë përgjithësisht, që fitonin, por dhe dinin të dhuronin, të bënin bamirësi, duke u bërë pajat vajzave të varfra që do të martoheshin, duke mbështetur financiarisht shkollimin e të rinjve, duke dhuruar truall, apo godina të tyre private për zhvillimin e arsimit e të kulturës në qytet etj. Mes tyre nuk kishte shemëri, përkundrazi ndihmonin e mbështetnin njëri-tjetrin. Dhe sa të mundnin të bënin mirë në këtë jetë.

Armëtarët e Elbasanit kanë qenë jo pak të dëgjuar ndër kohëra. Duke filluar nga viti 1875 deri më 1910, ata prodhuan me mjete artizanale, por me aftësi teknike të përsosura, një nga pushkët më të reja të atyre kohërave, Hutën e Elbasanit.

Mjeshtëria, stili, motivet dhe teknikat e përdorura i bënin ato të ishin të njohura e të tregtoheshin jo vetëm në tregjet e Ballkanit, por deri në Anadoll, Liban, Siri, Persi, Egjipt, Tunizi, Sudan dhe Indi… Me tregtimin e armëve është marrë në veçanti familja Velenca. Një nga trashëgimtarët e kësaj familjeje të madhe tregtare, Hysen Velenca tregon:

Një gamë e pasur zejesh gjalluan në shekullin 18. Punimi i mëndafshit, avlëmendit, qeleshepunuesve, përpunimi i lëkurëve (tabakët), opingarët, samarxhinjtë, përpunimi vajit me mjete artizanale… Do të shtonim kazazët, qëndisma me bykme ari dhe fije ibërshimi mbi cohë mëndafshi mbi kostumin tradicional të gruas elbasanase. Do të vazhdonim me mjeshtërinë e terzinjve (punimi i jelekëve, xhamadanëve, zbukuruar me ornamente, thurur me gajtanë, me tel argjendi ose ari…

Në banesat qytetare elbasanase karakteristike kanë qenë dhe sergjenet e mbushur me enë bakri e tunxhi, që llamburitnin. Ato përdoreshin dhe njëkohësisht të ekspozuara dukshëm zbukuronin mjediset familjare. Bakërxhinjtë elbasanas shquheshin për punimin e tepsive, ibrikëve, tangarëve artistikë, gjymave… Kjo traditë vazhdon të ruhet edhe sot e kësaj dite.

Në trashëgiminë e pasur materiale e shpirtërore të Elbasanit vend të veçantë zë dhe zhvillimi i ndjeshëm që mori arti post-bizantin i përfaqësuar nga piktori i madh Onufri, i Neokastrës (Elbasani). Ai krijoi një art kulminant, ku spikat me forcë të veçantë gërshetimi i shkëlqyer i gjenisë me traditën vendase. Vepra të tij,të trashëguara deri në ditët tona, janë afresket dhe ikonat e kishave të Shelcanit dhe Valmit të mesit të shekullit XVI. Vazhdues i veprës së tyre përmendet Kostandin Shpataraku. Arti i tyre padyshim ka pasur ndikimin e vet dhe në tolerancën e shkëlqyer fetare, si vlerë e madhe e shpirtit shqiptar. Peshkopi i Durrësit, Krisanthi Karamanlis nga Madheti i Greqisë, në mbishkrimin e vitit 1833, u drejtohej kështu besimtarëve ortodoksë të Elbasanit: “…Bijtë e mi! Ju flas me kompetencë nga një katedër peshkopale, se në të gjithë këtë rruzull që quhet Tokë, këtu në Elbasan psallet më bukur se në të gjithë vendet e tjera.

Elbasani i ditëve tona ndryshon vazhdimisht. Vepra të reja arkitekturore e monumentale i shtohen shesheve dhe rrugëve të tij. Modernia e gërshetuar harmonishëm me traditën, historinë. Arti dhe arkitektura janë pasqyrë e kulturës. Ato ndikojnë jo pak në jetën sociale. Janë histori në vetvete. Dy vepra monumentale të reja i janë shtuar peizazhit arkitekturor dhe planimetrisë së qytetit. Shtatorja që përjetëson Normalen e Elbasanit, tanimë me mbi 100 vjet histori... Një vepër e realizuar artistikisht, me në gjetje interesante dhe emocionale që “flet” aq dukshëm për traditat e lashta arsimdashëse e kulturëdashëse të qytetit të Elbasanit. Udhëtarja dhe shkrimtarja e njohur angleze, Edith Durham, kur kalonte në Elbasan rreth vitit 1905, shkruante: “Në Elbasan prekesh nga përpjekjet që bëhen për dije e kulturë. Gjen njerëz që pa kurrfarë ndihme japin e marrin me gramatikën frënge e atë gjermane…”. Tradita e arsimit në këtë qytet, vitaliteti që të jep dija dhe kultura, të përjetuara në figurën e një mësueseje femër, krenare, sensuale… me librin në dorë e flatra engjëllore. Së fundmi këshilli bashkiak i qytetit ka miratuar propozimin për të vendosur pranë Kalasë skulptura të akademikëve elbasanas, që aq shumë i kanë dhënë kulturës dhe shkencës shqiptare.

Një tjetër vepër e re arkitekturore, “Tri urat”, do të thirret, si ndër kohëra. Vendi ku mërgimtarët puthnin tokën para se të largoheshin me dhimbje nga qyteti i tyre. Sot një shatërvan i bukur, i bardhë, si zymbyl në mes lakuar me tri ura…

Edhe “Pusi që lahet vetë” nuk është harruar nga të e rejat. Së fundmi edhe ky “nishan” i qytetit është restauruar.

Kohët e fundit, Bashkia e qytetit të Elbasanit mori pjesë për herë të parë në një konkurs ndërkombëtar për turizmin, që organizohet prej vitesh në Lugano të Zvicrës. Për vlerat e veçanta të një turizmi kulturor që ofron ky qytet, u nderua me çmimin e parë për kategorinë “Një vend për t’u eksploruar”. Ky vlerësim nga specialistë të njohur të turizmit në botë sjell angazhime të reja edhe për ruajtjen e ripërtëritjen e traditës së pasur të zhvillimeve ekonomike dhe të zejtarisë. Mendohet që brenda mureve të Kalasë t’u jepet mundësia mjeshtërve të rinj të artizanatit dhe zejtarisë të promovojnë prodhimet e tyre, aq atraktivë për turistët vendas e të huaj.

•shqip•
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top