Top Channel-ky dinozaur i percarjes!

fcbesia

Anëtar i Respektuar
Nga:Qani Mehmedi

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së opinionit kombëtar shqiptar, por edhe në interesim të masmediave të huaja. Në të vërtetë pyetja elementare që shtrohet me këtë rast është: e kaloi elektorati shqiptar dhe klasa politike e Shqipërisë testin e demokracisë, që thuhej se jo vetëm ia kishte përcaktuar vetvetes, por që edhe ka qenë dhe mbetet një nga kërkesat elementare të komunitetit evropian që ky popull dhe ky vend të fitojë shansin për t'u pranuar në familjen evropiane? I pyetur në një emision të Televizionit të Kosovës nja dhjetë ditë më parë, se cili është parashikimi im për rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri, pra i pyetur se a do të fitojë e djathta apo e majta, përgjigjja ime ishte kjo: do të fitojë e djathta, por me një diferencë prej dy tre deputetësh, diferencë kjo që do të imponojë ristrukturime të reja edhe të së djathtës, por edhe të

së majtës në politikën shqiptare. Tani kur rezultati dihet, mund të lavdërohem se kam qenë më i saktë se të gjithë ata që prognozuan duke përfshirë këtu edhe exit - pollet. Mirëpo, këtë nuk e përmenda për të shquar veten, por për të treguar se lëvizjet politike në Shqipëri mund t'i parashikojë më me saktësi vetëm ai që ka kaluar nëpër dramat më të mëdha të këtij vendi në njëzet vitet e kaluara.



Shiriti traumave


Kur moderatori i Top Channel-it, Sokol Balla, duke përfunduar debatin e tij në orët e para të ditës së 2 korrikut dhe kur shikuesve të tij ua përkujtoi se ajo çfarë ndodhte në Fier në ato çaste ia kujton 2 korrikun e vitit 1990, kur Kosova shpalli Deklaratën e Pavarësisë, kurse Shqipëria i tregonte botës tërë zymtësinë e vet me mësymjen e masave drejt ambasadave të huaja për të ikur nga ajo, për një çast sikur u rikthye shiriti historik i traumave. Kur kësaj t'i shtohet roli dirigjues i turmave, i moderatores Rudina Xhunga në emër të asaj se kinse vota e dhunuar duhet mbrojtur deri në vdekje si dhe disa porosi të opinionistëve të televizionit Top Channel si ato të Mustafa Nanos, doli qartë se kush i fryn zjarrit të përçarjes dhe të dhunës.

Nuk ka dyshim se rezultati aq i ngushtë në mes të djathtës dhe të majtës në Shqipëri është krejt i natyrshëm që të shkaktojë edhe përplasje të llojeve të ndryshme, mirëpo kur segmente të caktuara të elitave politike nxjerrin në pah skenarë tashmë të para e të dëgjuara, atëherë nuk ka se si të mos rikthehen dramat e vjetra. Mbase kjo ishte arsyeja që një nga moderatorët më të njohur shqiptar Blendi Fevziu, harroi në ato çaste profesionin dhe normat e tij dhe doli në pozitën e misionarit që rrallë herë shihet jo vetëm në televizionet tona kombëtare duke bërtitur i ekzaltuar: Shqipëria dhe shqiptarët janë më të rëndësishëm sesa Edi Rama dhe Partia Socialiste, prandaj shefi i socialistëve si detyrë të parë do të duhej të kishte jo preokupimin për fitoren apo humbjen, por shmangien e konfliktit dhe kthimin e turmave në shtëpitë e tyre.

Në të vërtetë ekzistonte rreziku për t'u përsëritur viti 1997 në Shqipëri, apo ky apel aq i drejtpërdrejtë u bë nga frika e një të traumatizuari, i cili kishte përjetuar ato ngjarje nën lëkurë të vet? Pavarësisht se krahasimeve mund t'u mungojë shumë herë shumëçka (siç shprehen gjermanët), përsëri pyetja elementare mbetet kjo: pati apo nuk pati fryerje të zjarrit gjatë procesit të zgjedhjeve në Shqipëri dhe a i frynë këtij zjarri më shumë politikanët apo mediet, apo politikanët dhe mediet njëkohësisht të diktuara nga grupe të interesit dhe strukturat partiake? E kam thënë edhe në një tekst tjetër për zgjedhjet në Shqipëri, se një nga gjigandët televizivë për kushtet e Ballkanit, siç është Top Channel i Tiranës, posa filloi votimi gjithkund shihte probleme, çdo ekses kishte dëshirë të stërmadhohej, kurse pa kaluar as disa orë votimi propagandonte se këto zgjedhje assesi nuk mund të marrin notë kaluese sa i përket standardeve evropiane, duke aluduar kështu në përfundimin e ëndrrës për liberalizimin e shpejtë të vizave për shqiptarët apo për heqjen eventuale të tyre.



Topi i propagandës së dhunës


Nga e diela deri më sot (enjte, 2 korrik) ky magnat medial i shtoi përpjekjet për t'u dëshmuar shqiptarëve dhe vetes se janë të papjekur për të kaluar testin e zgjedhjeve dhe më të papjekur për të pranuar rezultatin e tyre. Prej atij "lajmi" për shembjen e tunelit të Kalimashit, i cili i parapriu fillimit të procesit të votimit në Shqipëri e deri te "lajmi" i mëngjesit të 2 korrikut, aq shumë i përsëritur për mbrojtjen me çdo kusht të votës nga turmat e Fierit, jo vetëm disa nga politikanët e majtë, por edhe gazetarët e Top Channel-it harruan edhe interesin kombëtar edhe interesin profesional, duke shndërruar kështu vetveten në dirigjues të militantëve, që objektivisht çonte në përplasje me dimensione të luftës civile. Pra, mbetet për t'u analizuar se sa i frynë zjarrit pjesa e orientuar majtas e masmedieve shqiptare të dirigjuara po nga liderë politikë të së majtës dhe në këtë pyetje ndihmon edhe një fakt i thënë publikisht nga njëri prej analistëve më të njohur të Shqipërisë, i cili konstatoi duke pyetur: Pse nuk thuhet haptas se Edi Rama kontrollon pjesën më të madhe dhe më të fuqishme të medieve shqiptare, duke përfshirë këtu edhe televizionet me licencë kombëtare.



Urdhëresa e zmbrapsjes


Naivët mund të mendojnë se Ermelinda Meksi dhe Gramoz Ruçi e disa misionarë të tjerë partiakë, bashkë me turmën në Fier u tërhoqën në mesnatë për shkak të apeleve televizive, apo për ndonjë shkak tjetër që lidhet me vetëdijen brenda të majtëve, mirëpo autori i këtyre rreshtave nga burimet e informatave që ka, e di se ka pasur një urdhër të prerë nga një mekanizëm i fuqishëm i jashtëm, që liderët socialistë bashkë me militantët e tyre, ose duhet të tërhiqen menjëherë nga qendra e votimit dhe të heqin dorë nga skenarët e planifikuar, ose do të fshihen njëherë e përgjithmonë nga skena politike shqiptare. Se ky kërcënim është kuptuar seriozisht dëshmon edhe fakti se në orët e para të mëngjesit të datës 2 korrik, Fieri u gdhi si të mos kishte ndodhur asgjë. Prandaj, shtrohet pyetja: pse duhet të tërhiqemi nga e keqja për vetveten të detyruar nga të tjerët, duke shkaktuar kështu pasoja të pariparueshme edhe për interesin kombëtar kur ka qenë e qartë se nuk do të lejohet të përsëritet më kurrë historia e vitit 1997.

Tanimë, mund të shtrohet lirisht pyetja: pse fitoi e djathta dhe humbi e majta në Shqipëri? Ata që i shohin gjërat sipërfaqësisht konsiderojnë se e majta humbi shkaku i ndarjes së saj dhe fajtor konsiderojnë Ilir Metën me integristët e tij, mirëpo unë jam me mendimin e Fatos Lubonjës se ata që e kanë votuar Metën nuk do ta votonin Edi Ramën, por do ta votonin Sali Berishën dhe në këtë mënyrë fitorja e së djathtës do të ishte më e thellë. Pra, e majta nuk humbi për shkak të integristëve socialistë, por humbi për shkak të vetvetes dhe orientimit të saj në dimensionin elementar pansllavist dhe kjo lë për të nënkuptuar se më në fund po krijohet hapësira që si e majta ashtu edhe e djathta t'i vënë themelet e një politike mbi bazën e së cilës mund të zhvillohet një shtet dhe një komb. Ajo është politika kombëtare e një vendi dhe një populli bashkëpunues me të tjerët, por mbi baza reciprociteti dhe jo mbi bazë vasaliteti. Ky mendoj ka qenë shkaku kryesor që e majta humbi dhe e djathta fitoi shansin për të margjinalizuar plotësisht elementët pansllavistë brenda strukturave të saj. Do të ishte fatalitet historik sikur fitorja t'i takonte njeriut që ia dha çelësin e Tiranës njërit prej propaganduesve të politikës shfarosëse serbe ndaj shqiptarëve. Orët e natës së 1 korrikut paralajmëruan njëkohësisht edhe një mëngjes në politikën shqiptare dhe prej atyre orëve u nxor një mësim i madh: as skena politike shqiptare e as faktori ndërkombëtar, i cili aq shumë e ndihmoi Shqipërinë dhe shqiptarët në çastet më dramatike të tranzicionit të tyre nuk tolerojnë më "revolucione të vonuara demokratike" dhe ky është mësimi më i rëndësishëm i mëngjesi të 2 korrikut për politikën shqiptare.
.
 
Redaktimi i fundit:
Top-Channel ka patur nje note shume pozitive gjate gjithe ketyre viteve, por qe fatkeqesisht ka lene shume per te deshiruar ne fushaten dhe zgjedhjet e fundit. Sidomos ajo e tunelit ka qene skandal i shemtuar.

Gramoz Ruci c'eshte e verteta ka dalur ne deklarate dhe i ka kerkuar popullit qe te dale ne protesta, ndersa Rama jo me large sesa dje ka kercenuar se nuk do e pranoje rezultatin nese nuk i jepet nje mandat tjeter ne Fier, qe per mendimin tim eshte nje kerkese depostike ne nje menyre arbitrare.

Vendi ka qene shume afer nje krize te mundeshme, fatkeqesisht me e keqja e mundeshme nuk ndodhi, por akoma ka kohe per te ndodhur sepse rezultati perfundimtare nuk eshte dhene akoma.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top