Cyber_Spartacus
Homo Homini Lupus
TIRANE- Nuk ka pasur guxim dhe forcën për të “demaskuar” në autobus hajdutin që po i vidhte 5 mijë lekët e reja në xhep, por ka pasur zgjuarsinë dhe shkathtësinë që t’i vjedhë hajdutit portofolin. Historia komike e hajdutit që e vodhën teksa “ushtronte detyrën” në urbanin e Unazës, ka ndodhur të hënën. Një person rreth të 45-ve është paraqitur në mesditë në Komisariatin numër 2 të Policisë së Tiranës me një portofol në dorë, të cilin pretendonte se ia kishte vjedhur një hajduti që i kishte vjedhur 5 mijë lekë në autobus. “E pashë që më vodhi lekët, por kishte edhe shokë të tjerë rrotull, ndaj nuk i bëra fjalë. Në momentin që më ktheu shpinën, i mora portofolin nga xhepi”, - kështu është shprehur përpara oficerëve të policisë Selami Dervishi. Sipas burimeve, në portofol veç disa dokumenteve personale të personit që presupozohet të jetë hajdut, janë gjetur edhe një tufë me karta krediti dhe debiti. Kartat e bankomateve dyshohet të jenë vjedhur nga hajduti dhe grumbulluar prej tij. Policia ka nisur verifikimin e të gjitha kartave pranë bankave përkatëse, pasi mendohet se nëpërmjet tyre mund të zbulohen edhe vjedhjet e tjera të kryera prej xhepistit të urbanëve.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)