Të jetosh në saraf

eGo0sTyle

System Engineer
agron-tufa-150x150.jpg

AGRON TUFA
Nisur nga parimi vetjak elementar për mbrojtjen e lirisë, të drejtës dhe privatësisë time, të cilat i konsideroj të pacenueshme, jam i shtrënguar t’i përgjigjem kujtdo, që për një arsye a një tjetër përpiqet të më njollosë, të hedhë hije e të më përflasë pa argumente, qoftë edhe duke më përfshirë si ilustrim për skema diskursive. Një cenim të tillë e bëri publicisti Fatos Lubonja në shkrimin e tij të pardjeshëm tek “Panorama” me titull – “Partitë dhe intelektualët pranë tyre”. Z. Lubonja ka “peshkuar” një temë të rëndësishme për shkrimin e tij (dhe njëmend e tillë është), nisur nga debati me shkas “rastin Kongoli” dhe polemikat rreth pastrimit të ndërgjegjes. Për t’i funksionuar skema me “intelektualë pranë partive të tyre”, z. Lubonja më ka përfshirë, ndër të tjerë, dhe mua, si rast ilustrues në shkrimin e tij. E quaj thellësisht të padrejtë dhe të pandershme alibinë që ndërton z.Lubonja me mua, ndaj po provoj (pardon) me këtë shkrim, se unë s’kam vend e s’më jetohet në skemën e burgut mendor ku ai më ka caktuar të ngrys ditët. Sepse, përveç diktaturave klasike që njohim, ekziston një tjetër diktaturë, tashmë nihiliste, që synon rrafshimin, totalizimin dhe përfshirjen në vlerë negative të individit, nëpërmjet atentatit që i bëhet imazhit të tij publik, pa fakte, pa argumente. Dhe kjo është diktatura e opinioneve arbitrare, të përftuara përmes shpifjeve, gojëdhënave e keqleximeve me dashje. Këtë shoh se bën Lubonja me mua në shkrimin e tij. Mbi ç’fakte vallë më ka përfshirë z. Lubonja për të ilustruar skemën e tij? Le t’i shohim sipas radhës.
Lubonja merr si të mirëqena në polemikën time me A. Klosin “gjuajtjet nën bark” dhe “akuzat e ndërsjella për tarafe intelektuale”, për t’i dhënë mandej të drejtë vetes të vendosë automatikisht shenjën e plotë të barazimit midis nesh si “intelektualë pranë partive të tyre”. Ndërsa mungesën e kritikës “ndaj qoftë edhe një aspekti të politikave të Berishës”, Lubonja ma faturon, ndër ta, edhe mua “…si frikë se mos humbasin dashurinë e besimin e liderit apo të grupit me të cilin identifikohen e, bashkë me të, edhe privilegjet e përfitimet”. ثshtë paradoksale, se një mënyrë kaq banale e vulgare, tejet e politizuar e gjykimit, për çudi “ngjit” në popullin që nuk na njeh, përveçse nga shkrimet e gazetave. ثshtë një arsyetim vulgar, i politizuar skajshëm, për të shpjeguar shumëkënd në kontekstin e gjatë socio-politik shqiptar dhe për ta varrosur këdo brenda kornizave të një imazhi të krijuar artificialisht. Atëherë çfarë mbetet? Duke ia bashkuar Lubonjën shpifjeve të Ardian Klosit ndaj meje, se gjoja “privilegjet” e mia rrokin nja 6-7 poste, atëherë duhen kërkuar njëmend këto privilegje, që m’i paska dhuruar “pushteti apo lideri i partisë” pranë së cilës më vendos mua z. Lubonja. Dhe, nga gjithë ky kërkim, ballëdjersitur, ndalemi përpara vetëm njërit: mandati im në KD të RTSH, me vlerë prej dyzetë mijë lekësh të reja. Po, po, sall ky mandat! Në mos, bëjini apel kurajës suaj intelektuale dhe numërojini publikisht ku janë privilegjet! Përndryshe, ju mbetet gjithçka shpifje dhe shpifja nuk ia rrit askujt as reputacionin, as famën e luftëtarit për drejtësi. E, meqenëse në gjithë kambanat për privilegjet e mia, që janë përfolur (ndonëse kemi një Institut të Deklarimit të Pasurisë ku mund të merrte gjithkush mundimin të informohej), nuk del gjë tjetër veç mandatit në RTSH, atëherë është e udhës të sqarohet se ky “privilegj” më është bërë me zgjedhje nga Parlamenti, në mënyrë të ngjashme me të njëjtin mandat (të braktisur më vonë) të Lubonjës, i cili gjithashtu është votuar edhe nga deputetë të djathtë. Si shumëkush tjetër, edhe Lubonja e di se puna ime qendrore, prej së cilës nxjerr me djersë të ndershme “bukën e përditshme” për familjen time, ka qenë vazhdimisht puna e pedagogut në fakultet. Siç dihet gjerësisht, edhe në rastin tim, ndonëse me një shkollim që përfshin 3 universitete brenda e jashtë Shqipërisë, aty, që nga viti 2002 nuk më ka emëruar “partia”, aq më pak “Partia Demokratike”. Ku pra qenka “privilegji”? Po frika se “mos e humbas këtë privilegj”? Unë mendoj, se nëse ka ndonjë “goditje nën bark”, është pikërisht kjo histori banale me fantazma privilegjesh. Prandaj, duke i konsideruar fyerje të rënda shpifjet e papranueshme, se gjoja privilegjet e mia rrokin 6-7 poste, mbeten dy mundësi: ose gjejini dhe të vërtetohen tezat tuaja me skema e unë mbyll gojën, ose nëse ato janë sajesa, të paqena, bie vetvetiu edhe frika, edhe varësia nga këto farë privilegjesh dhe, në këtë histori, kam luksin dhe kurajën të vështroj gjithkënd në sy, sikundërse e kam mbarë gojën për ta shqiptuar të padeformuar mendimin tim, jashtë varësisë nga rrethana, persona apo parti, pavarësisht se nuk kam privilegje lehtësuese në sfond në trajtë shtëpish jashtë Tirane, makinash, pushimesh të zgjatura në rivierat e huaja, shtëpish botuese, fondacionesh private a shtetërore etj, etj. ثshtë maksimalisht e thjeshtë: unë firmos në një bordero të caktuar, në një punë të caktuar, që është Universiteti Publik Shtetëror, i pavarur, me autonomi (jo i kohës së Ramiz Alisë). Kaq. Po ju? Madje ta marrësh hollë-hollë, edhe këto shkrime nuk i shkruaj për honorarë dhe nuk e kam këtë frikë apo varësi nga shtypi i lirë, siç mund ta ketë vetë z. Lubonja varësinë ekzistenciale prej po këtij shtypi, të cilin e quan “regjim mediatik”, pa ngurruar të jetë vetë ndër protagonistët e tij qendrorë. Mbase në këtë truall të begatë mediatik do t’ia vlente t’i kërkonte “privilegjet” z. Lubonja, madje “privilegje partiake” që rrokin shuma astronomike. Mua nuk më kanë ardhur ndonjëherë zotërinj me çanta plot dhe oferta të kushtëzuara për kontrata të majme mediatike, ndërsa Lubonjës po. Atëherë, për çfarë privilegjesh partiake më akuzon mua z. Lubonja? Ndaj, kam kënaqësinë të shpall, përkundër çdo shpifjeje e përkundër çdo skeme, më saktë, përtej z. Lubonja, se ekzistenca ime nuk ka gjalluar kurrë prej parash të dyshimta apo të fituara me servilizëm, andaj nuk ia kam për borxh askujt të hedhë baltë, të më përflasë pa fakte, të më përfshijë në skema për diskutim gjithëpopullor, të jem viktimë e perversionit mendor që më përlyen me çdo kusht në shkrime, të cilat, përveçse denigrojnë, kanë të garantuar me kontratë honorarin. Ky qenka mendimi i lirë? Pozicioni asnjanës?
Atëherë, jashtë alibive banale të “përfitimeve, privilegjeve dhe frikërave nga lideri e pro-pushteti”, mbetet veçse mendimi, shqetësimi real i shprehur në pajtim të plotë me pikëpamjet e mia dhe lirinë time individuale. Të paktën unë kurrë nuk kam qenë kontradiktor me veten dhe idetë e mia përgjatë këtyre 20 vjetëve. Kam pasur të ngulitur po atë botëkuptim të djathtë, po atë ndjeshmëri, se në këtë vend, pas përvojës gjysmëshekullore të stalinizmit shqiptar, njëlloj si pas Aushvicit, nuk kam parë as moral, as arsye për të qenë i majtë. Nëse dikush ka arsye, përpiqem ta kuptoj e mirëkuptoj arsyen e tij. Atëherë, pse kihet frikë të diskutohet pikërisht me idetë dhe vizionin dhe pse gjithë ky zell për ta shmangur e çaktivizuar problemin e madh të ndërgjegjes sonë të gërbulur në krime? Jam munduar t’u qasem problemeve të ndërgjegjes dhe trashëgimisë komuniste në shkrimet e mia edhe nëpërmjet kritikave, edhe nëpërmjet përvojës europiane, brenda vizionit botëkuptimor të së djathtës, shpesh duke kritikuar edhe pushtetet e djathta. Pse bën sikur nuk e di z. Lubonja? Sigurisht, unë nuk e kam luksin dhe mundësitë e tij për ta shtruar problemin nga shumë plane nëpër studiot e shumta ku ai merr pjesë çdo natë. Nuk e kam as përvojën e tij martire dhe unikale, para së cilës përulem me respekt dhe jam munduar ta dëshmoj konkretisht, me aq sa kam mundur. Por ajo që e bën inkoherent me veten Lubonjën ndër vite, brenda vizionit të tij, nuk ka ngjarë asnjëherë me mua.
Prandaj, nëse z. Lubonja do të duhej të merrej seriozisht në polemikën time me A. Klosin, së paku të ishte përqendruar tek shtrimi i çështjes dhe përvojës së huaj, nëpërmjet rastit të Peter Esterhazit, i cili pati kurajën intelektuale të pastronte ndërgjegjen e tij brenda në familje dhe jo të merrej me shmangien e këtij problemi madhor për ndërgjegjen intelektuale, duke e reduktuar banalisht në shenjë barazimi midis meje e Klosit. Edhe vetë Lubonja e di se nuk ka ç’të krahasojë midis nesh. Unë nuk e kam akuzuar Klosin (siç bën ai) për taraf, por për pinjoll të një klike kriminale, i cili, para se të dënojë e paragjykojë vullnetin e ndërgjegjshëm të dikujt tjetër mbi ndjenjën e fajësisë dhe pranimin publik të fajit, duhet të shpëlajë ndërgjegjen e tij për krimet e të atit, ashtu siç bëri Peter Esterhazi. Përndryshe, morali është i papranueshëm. Këtë e vetëm këtë, e jo “luftë klasash”, siç u pëlqen disave ta keqkuptojnë dhe siç lë të nënkuptohet Lubonja. Fati im e i brezit tim ishte se nuk na ra për pjesë të jetonim formimin dhe pjekurinë tonë në diktaturën komuniste, ku intrigat dhe përlyerja kanë qenë të programuara, por kjo nuk do të thotë që të bashkëjetojmë me kriminelët e djeshëm, të relativizojmë fajet e tyre e, siç po na propozojnë me skena prekëse shkrimesh, të jemi të gjindshëm, delikatë, dhimbsurakë që të mos i lëndojmë, duke i përmendur pa dashur, se gjoja ata kanë qenë të mirë, ndonëse të detyruar; kanë bërë faje, por puna e tyre në edukimin estetik (estetik!) të brezave mbetet e pashlyeshme. S’ka lidhje me anësi partie, partiake, liderësh etj., etj., domosdoshmëria për të ditur se çfarë është bërë në këtë vend, se çfarë u bë me njeriun, si e shfytyruan dhe katandisën atë në një masë amorfe pa dinjitet. Pse nuk paskemi të drejtë ta dimë dhe pse mendon z. Lubonja se kjo nevojë ardhka nga aksh apo akëcila parti? A e koncepton vallë z. Lubonja se njeriu e mendon çlirimin e ndërgjegjes nga e djeshmja pa ndihmën e partisë, pa nevojën e konteksteve politike, ashtu siç mendon për një peizazh, për shiun apo për futbollin?
Nga artikulli i Lubonjës përftohet i vetmi moral: të tre pjesëmarrësit në polemikë nuk kanë asnjë moral. Ndaj, duke i cilësuar polemistët si përfaqësues të “tarafeve” të djathta e të majta, ai vetë, gjatë gjithë shkrimit, kujdeset të bëjë një kornizë ideale për veten e vet, se sa kritik ka qenë ai me çdo lloj pushteti, se sa i pakompromis ka qenë me të dyja palët, se sa i kthjellët etj., etj., pavarësisht se kjo askezë e kjo kthjelltësi e z. Lubonja ka qenë jo aq syçelë, sa të mos komprometohej me Forumin për Demokraci dhe Komitetet e Shpëtimit të vitit 1997. Kështu, pashmangshëm, duke na cilësuar përgjithësisht pranë partive si “taraf”, z. Lubonja vetëpagëzohet “saraf”. Sipas fjalorëve të shqipes, sarafi është ai që merret me ndërrimin e monedhave të ndryshme për të nxjerrë përfitimet e tij. E në qoftë se z. Lubonja gjithë shqetësimin tim (të vazhdueshëm e të hershëm) e sheh nga pikëpamja e tarafit, atëherë edhe për mua nuk ka më pikë dyshimi, se këtë ai e bën me përllogaritjen e rëndomtë të sarafit.
Nuk e kam parë ribotimin e përmbledhjes së publicistikës së Lubonjës për vitin revolucionar 1997 dhe nuk e di çfarë ndryshimesh mund të ketë bërë, por prej deklaratave të tij të asaj kohe më ka mbetur në mendje një si maksimë apo devizë e tij, e cila çuditërisht ka lidhje me polemikën mbi dënimin e së shkuarës komuniste dhe pastrimin e ndërgjegjes: “Nuk duhet të shohim atë që kanë bërë njerëzit dje, por atë që po bëjnë sot”. Këtu vërtet ndahemi, sepse unë mendoj se ka një vizë që e lidh në unitet të pandarë të shkuarën nga e sotmja, si në vargun e A. Shkrelit: “Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, se njëra gjysmë komploton kundër saj”. Dhe e vërteta ime si gjendje mendore e shpirtërore nuk është aq e varfër, sa të ndihet e varur nga “situatat partiake dhe pushtetet”; ajo thuajse nuk është e determinuar nga magnetizmi i të menduarit politik apo politkorrektesa, por pavarësisht kësaj, të vërtetën për xhelatët dhe viktimat e komunizmit, për shkak edhe të trashëgimisë që ka lënë ai, duam ta dimë, pikërisht sepse janë përpjekur e përpiqen të na e fshehin. Pak rëndësi ka nëse kjo dëshirë nxitet nga motive politike, antropologjike, morale apo metafizike./Panorama
 
Last edited by a moderator:

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top