Spiunët, Gjergj Fishta: Të hapen dosjet

ymer

Antar Aktiv
“Amaneti” / Kërkesat e Fishtës për dëbimin nga administrata të gjithë ish-bashkëpunëtorëve të regjimit

Ndonëse nuk ka jetuar në kohën kur dosjet e Sigurimit të Shtetit u kthyen në debatin më të ashpër në vend, Gjergj Fishta ka përcjellë mendimin e tij. Historia përsëritet, kanë thënë që prej fillimit të historisë së shkruar, e nuk kishte si të ndodhte ndryshe në vendin tonë. Sot, e gjithë politika dhe bota intelektuale ka hyrë në një debat mbi hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të largimit nga administrata dhe nga politika të të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar me komunizmin. E 80 vjet më parë, të njëjtin debat, në kontekst tjetër, kryente edhe Gjergj Fishta, i cili akuzonte se në krye të shtetit ishin të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me regjimin otoman, të jo më shumë se 10 viteve përpara shkrimeve të tij

Të hapen dosjet! Sa shpesh e kemi dëgjuar këtë fjali, nga të gjithë aktorët politikë në të gjitha vitet e tranzicionit. Por, nuk janë vetëm fjalët e tyre, nuk është thjesht një kërkesë politike, qytetare e intelektuale, nuk është vetëm një dëshirë, a nevojë, a ultimatum, për të varrosur përfundimisht periudhat jo fort të këndshme të vendit, e për t’ia nisur nga e para, për të dënuar të gjithë bashkëpunëtorët e regjimit e për të nisur me figura të pastra rindërtimin e vendit. Të njëjtën kërkesë, që sot vjen në formën e amanetit, ka përcjellë tani e 80 vjet më parë edhe një nga figurat më të rëndësishme të kombit tonë, dijetar At Gjergj Fishta. Mos u keqkuptoni, nuk ishte antikomunist, e as prokomunist, më saktë në kohën e amaneteve të tij, komunizmi sapo kishte lindur, e prej tij ishte “infektuar” vetëm Rusia. Megjithatë, Fishta kërkonte dënimin e të gjithë ish-bashkëpunëtorëve, të spiunëve, e zyrtarëve, financierëve, e arsimtarëve, që në një mënyrë a në tjetrën, i shërbyen regjimit të mëparshëm, jo atij komunist, por atij turk.

Sot, 80 vjet më vonë, amaneti i tij fillestar nuk u plotësua. Asnjë nuk u zbua nga administrata e politika, të gjithë ata që në kohën e osmanëve kishin pushtetin, e që më pas e trashëguan atë. Nuk u dëbuan, deri me ardhjen e komunizmit, as feudalët, as ushtarakët e ushtrisë perandorake, as taksambledhësit e sulltanit, e më vonë të arkës së shtetit, e as “bejlerët” që një ditë mbronin flamurin e sulltanit, e të nesërmen servireshin si atdhedashësit e pakrahasueshëm. Po sot, a po ndodh e njëjta gjë, a po krijojmë të njëjtin sistem, veç duke zëvendësuar fjalën otoman me komunizëm?

Turqit... e shqiptarizuar

Deputetët dhe ministrat ishin në qendër të kritikave të Fishtës, sipas të cilit nuk duhet të ishin feudalët në krye të shtetit. Ai i cilësonte feudalët si analfabetë e gjysmë idiotë, persona që kanë vrarë e prerë shqiptarët në periudhën kur në krye ishte sulltani, e që tanimë bëjnë sërish të njëjtën gjë, por nën mantelin e Shqipërisë së pavarur. Ashtu si sot, kur të gjithë thonë se në krye të administratës e politikës ndodhen edhe persona që ishin bashkëpunëtorë të komunizmit, ashtu edhe Fishta i demaskonte ata, por më fort, më egër, duke i damkosur me identitetin që kishin e që donin të ndryshonin.

“Ky asht një analfabet, gjysë idiot, dembel, shumë herë sarahosh, gati gjithmonë kumarxhi, njeri pa fytyrë; pse, sadoqë poligam, prej tij s’ka guxue vajzë me dalë te dera, djalë me u endë sokakut, nuse me shkue te burri. Mendjemadh, dorështrenjtë, qelepirxhi, ky, për një çiflik, për një rybe, ka pështy në Fé e në Atdhe, i ka ra mohit kombësisë së vet, kè, shqiptar tue kenë, e quejti veten "turk"... Ma tepër ka vra njerëz me u pushtue tokën; ka vra bujqit e vet për me u grabitë gjinden e shpisë, për me u marrë bagëtinë, për shêj pushke. Myzeqari prej tij s`ka guxue me mbajtë armë, me shkue në kal të shalës, me ngreh oxhak mbi pullaz të shpisë”, – shkruante At Gjergj Fishta për elitarët e kohës, feudalët, që kishin arritur të rrinin në majat e shtetit, si në kohën e turqve dhe në periudhën e pavarësisë, ashtu sikur akuzohen sot ish-komunistët, që kanë arritur të qëndrojnë në krye të administratës e politikës, në të dyja sistemet, pa gjetur asnjë pengesë ligjore, e mbi të gjitha pa vullnetin për ta ndryshuar një gjë të tillë.

Bashkëpunëtorët dhe arsimimi

Arma e parë e përdorur kundër komunizmit në fillim të viteve ‘90 ishte arma e parë e përdorur nga komunizmi për të indoktrinuar qytetarët: arsimimi. Asokohe, politikanët me zell u turrën për të ndryshuar çdo gjë që mund të indoktrinonte më shumë njerëz, duke ndryshuar rrënjësisht librat shkollorë, duke ndaluar librat komunistë e duke lëvruar për lexuesin të gjitha librat e ndaluara nga regjimi i mëparshëm. Në dritë, dolën edhe veprat e të madhit Gjergj Fishta, ndër radhët e të cilave mund të shihje një amanet të lënë pas, dënimin e të gjithë atyre që kanë dëmtuar vendin. Edhe Fishta, për arsimin luftonte, për atë shkruante poema e poezi dhe akuzonte se në kohën e tij, nuk kishin bërë shumë për të ndaluar të metat e regjimit të kaluar, atij osman. Këtë qëndrim ai e mbante edhe në poemat e tij, qofshin këto satirike apo jo, ku një nga figurat më të mëdha të kombit linte të kuptonte mbi të keqen që i sillte vendit tonë, ekzistenca e këtyre “bashkëpunëtorëve të regjimit” në historinë e atëhershme të vendit. Ai tregon se “spiunët” ishin ata që e linin vendin pas, duke mbështetur ato që kishte sistemi i vjetër, që në periudhën e Fishtës ishin shkollat e huaja. Në një prej këtyre poemave ai shkruante:

"Po, edhe përpara luftës Ballkanike,

Në Shqyptari ka pasë shumë shkolla t'hueja.

Shkolla italjane, turke e helenike,

Shkolla serbjane e..."dijiji" e "kikuje",

Për t'rrejtë Shqyptarët me dokrra politike.

...

Por, shka asht me zi, vete kombit t'ngrate kto shkolla

Po i duhet sod me e imbajtun m'kambe me t'holla"



Regjim i huaj mbi pavarësi

Për Fishtën, “bashkëpunëtorët e regjimit” ishin të rrezikshëm. Në duar të atyre ishin lënë punët kryesore të shtetit, ata vendosnin mbi gjithçka, madje edhe mbi jetën e njerëzve. “Spiunët” fishtianë ishin të pamposhtur, e për më keq në krye të të gjitha atyre institucioneve që duhet të ishin të pavarura e të paprekura nga regjimi i mëparshëm. Ai akuzonte se ushtria, që duhet të mbronte kombin, ishte e mbushur nga mbështetës të turqve, që veç një dhjetëvjeçarë më parë, vrisnin e prisnin po ata që duhet të mbronin sot.

“...se ushtrija e jonë – mprojtja e jetës kombtare – mund të lshohet nder duer oficieresh, puth, para ktyne dhetë vjetve kan vra e pre, e vjerrë, e djegë, e pjekë shqyptarët, për arsye puth kta lypshin lirin e jetën kombtare”, – rrëfente Fishta.

E për më tepër, ishin po këta, bashkëpunëtorët, ata që e falimentuan ekonomikisht shtetin, ata që vodhën çdo gjë për t’ia dhënë sulltanit, e për të marrë futur ca në xhep, që drejtonin sërish financat e shtetit. E ndonëse liria kishte ardhur në kohën e Fishtës, ashtu sikurse ka ardhur liria edhe sot në kohën tonë, njerëzit sipas mendimtarit tonë të madh vazhdonin të hanin bukë të thatë, me një të tashme të varfër, e një të ardhme të pasigurt.

“...se nder zyre të Financavet t’ona mund t’u epet punë edhe atyne mehmurve, puth kohen e kalueme kan mujt të jenë teja, a ma mirë me thanë, rrenimi i Financavet të nji Shteti të hyej: kshtu edhe kuer të merret para sysh, se edhe sod Shqyptari, me gjith liri e pamvarsi të veten, han buk thatë e bishta purrijsh, si përpara”, – shprehej shkrimtari ynë kombëtar.

Ndoshta me më pak dialekt, Fishta sot do të kishte deklaruar të njëjtën gjë dhe të gjitha pikat përkojnë. Nuk e dimë nëse në ushtri ndodhen “bashkëpunëtorë të regjimit”, apo nëse financat e vendit drejtohen nga “ish–hajdutët”, e këtë gjë nuk kemi për ta marrë vesh, për aq sa dosjet, që Fishta kërkonte të hapeshin këtu e 80 vjet më parë, nuk hapen
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top