E ciftja ham, zagari bam, jamane mor shoke mor jaman or jaman :dong::dong::dong:
Edison Ypi
Të gjithë fshatrat e Shqipërisë janë vende të shenjta ! Por ky është hata’ fare. ثshtë, në të njëjtën kohë, edhe Xhami edhe Kishë, edhe minare edhe kumbanare, edhe altar edhe tyrbe, edhe kasolle edhe tempull, edhe i urtë edhe buçimtar. Ai fshat është një vend aq i mirë sa kush kërkon që gjynahet t’i falen, pa e zgjatur fare, duket patjetër të shkojë ta shohë.
Si gjith’ udhëtimet drejt vendeve të shenjta, edhe udhëtimi drejt atij fshati, ishte plot me dromca të shijshme. Dhe dromca më e madhe, kryedromca, ajo gjithëpërfshirësja apo mbarëkombëtarja, është një dhe e sigurt; Shqiptarët kurrsesi nuk preferojnë të qeverisen keq ! Ata duan, ose të qeverisen mirë, ose të mos qeverisen fare !
Tiranë - Korçë është një spektakël lëvizës vibrues aq mahnitës sa ta grin trurin.
Kafenetë anës rrugës janë plot me “Profesora”. Me ata mendimtarët lokalë që secili prej tyre ndryn brenda vetes një mijë herë më tepër idera se të tre bashkë; Rodeni, mendimtari i Rodenit, shkëmbi ku rri mendimtari i Rodenit. Janë ata shqiptarët që mbajnë mbi supe krejt hallet e globit. Mesoburra të ngrysur bukur, me sy të skuqur dyshues, pakëz pa rruar, veshja dosido, gota e rakisë përpara, ca copa të vogla mishi mbi një pjatë, ndonjë bisht qepe a hudhre të njomë, një kupac me gjizë a salcë kosi. Ata që flasin me zell të pa përmbajtur për gjithçka; Politikën, gjeopolitikën, diplomacinë, intrigat ndërkombëtare, ekonominë, krizat e monedhave, rrjedhat, tendencat, gjithçka - gjithçka. Njëri prej tyre, një përfaqësues i përsosur i këtij “profesorati”, fshatar denbabaden, duke theksuar se nuk e ka shpikur vet’ por e ka nga përvoja, thotë se, para të gjithash dhe mbi të gjitha, urren fshatarët ! S’ka më të poshtër ! thotë. Po të dhanë një litër vaj ulliri, ta dish mirë se mbi kurriz do t’i kesh gjith’ jetën. Dhe nis e numëron shembuj ! Tjetrin “Profesor” fort të squt, nja tridhjetë kilometra më tutje, kur e pyet se ç’punë bën, ta pret atypëraty; Merrem me trafiqe, kontrabanda, droga, prostituta.
Diku dikush me bishtin e fshesës rrotullon një hell mbi prush. Në hell shkuar një dash.
Mes Librazhdit dhe Quksit, rresht njëri pas tjetrit, disa auditorë në natyrë. Në njërin prej këtyre auditorëve universitarë ruralë shqiptarë, brenda një kioske të mbështjellë me celofana për të mos hyrë era, disa “Profesora” kokë më kokë. Thotë pronari; Të kam parë në Media ! Lëre median se më ka ardh në fyt - i them. Më skuq ca mëlçi, pak salc kosi, thekmë pak bukë, dhe sillmë një birrë. I Vë shpejt e shpejt mëlçitë mbi tigan, tiganin mbi gazaqe. Mirpo ndërkohë që mëlçitë skuqen dhe përgatit bukën dhe salcën, duke u rrotulluar me pahir nëpër ngushticën e kioskës, një t’i rënë me këmbë nga pas gazaqes. Përpjetë mëlçitë ! Pastaj të gjitha mbi trullin e zhveshur të kioskës. Obobo ç’bëra ! thotë ! Hiç gjë s’bëre - i them. Mblidhi mëlçitë se do t’i ha me gjith’ dhe’ se dhe Shqipërie është. Se dhe’ kam ngrënë në Diktaturë, dhe baltë po ha tani në Demokraci ! Qesh njëri nga profesorat. Qeshu “Profesor” qeshu se mishi ësht’ i yti dheu është i imi. Dhe i hëngra mëlçitë të tëra me gjith’ dhera. Për t’i kapërcyer më ndihmoi birra. Dhe ika.
Në rrëzë të Qafës së Thanës, pa pompa, vetëm me tuba, me ujin që del nga mali, dhjetëra fëmijë lajnë makina. Duke pritur makinat, për t’i joshur shoferat, tubat i fiksojnë poshtë në tokë në mënyrë të tillë që uji të dali me vrull lart, poetikisht; “Porsi malli i trimit që buçet përpjetë”. I pa parë në fytyrë të Dheut ky Panair Shurrash që rreh të lagi Qiellin. Po tjetri panair, ai; “Porsi malli i vashës që djeg më të fshehtë” ku është, ku bëhet, ku fshihet ?! Në Itali ?!
Anës Liqerit peshkatarët kanë nisur një modë të re; Dalin në mes të rrugës krahëhapur duke mbajtur ndër duar çengela dhe grepa nën të cilët varur përpëliten ngjala të gjalla ! Me në gojë grepa, ngjalat e gjalla përdridhen si femra të pabesa.
Nga Lini në Korçë ka shumë biçikleta. Biçikletave u vënë mbi timon pasqyrëza që shohin nga pas ! Pse ?! Si pse ?! Sepse nuk duan tu iki pa parë asnjë nga mrekullirat.
Vila të reja pafund ! Disa nga vilat të lënë pa mënt. ا’ne ky kulm nordik mbi këtë verandë ekuatoriale ?! ا’jan’ kto dritare kullash epesh legjendare mbi kto mure moderne ?! Po kjo avlli’ me mur aq të lartë sa fsheh gjysmën e vilës ?!
Pak kilometra në dalje të Korçës drejt Bilishtit, atje ku në të djathtë rrëzë malit ke fshatin Plasë, në të majtë drejt fushës kthen një rrugë e asfaltuar. S’ka absolutisht asnjë rëndësi nëse të duket e pabesueshme; Sapo e shkel atë rrugë kur sapo ke hyrë në atë kthesë, thith një ajër tjetër, merr frymë ndryshe ! ثsht’ thjesht’ fakt dhe pik’ ! As dy kilometra pas kthesës, ndodhet ajo, ajo Tyrbja, ai Altari, fshati Kreshpanj.
Një këtu një aty, banorët, se nëpunësat, shefat, funksionarët, ata s’i pyes kurrë, se ata gënjejnë, ja ç’më thanë për…faltoren;
Shtëpi 68. Banorë 320. Traktora bujqësorë 1 në 2 shtëpi. Rreth 50 autovetura. Motoçikleta dhe biçikleta pa numërim.
- Sa tokë ka ky fshat ?
- 840 hektarë. Por fshati merr edhe 600 hektarë të tjerë me qira nga fshatrat përreth. Ua marrim kryesisht “brunëve” prej të cilëve ne në fshat nuk kemi asnjë. Por jo vetëm atyre. Edhe “brunëve të bardhë”, dembelave dua të them, prej të cilëve në fshat gjithashtu nuk kemi asnjë.
- Si ia dilni t’i kultivoni gjith’ këto sipërfaqe ?!
- Ka përparuar kapitalizmi këtej nga ne. Për të punuar tokat marrim krahë pune me qira. Në fshat kemi gjithsej 120 krahë pune. 180 të tjerë i marrim me qira.
- Po mir’ mo, a s’më thua, çfarë mbillni në tërë këto toka ?!
- Fasule !
- !!!!!!!
- Fasule të thashë ! Fasule kokërrmadhe. Prodhojmë 250 ton fasule kokërrmadhe në vit. Se, që thua ti, fshati ynë është vendi më i mirë në tërë botën ku fasulja kokërrmadhe bëhet më e shijshme, më e madhe, më e bukur, më e pastër, më e shëndetshme se kudo tjetër. Nuk di si ta spjegoj. Besoj klima në përgjithësi, erërat, temperaturat, ujërat, kripërat, janë që e favorizojnë. Një fshat më tutje, edhe atje bëhet fasulja, por jo si këtu. Nejse, këto i spjegojnë profesorat…
- Cilët mo ?! ?! Ah po, mu kujtua diçka, më fal që të ndala, vazhdo-vazhdo.
- …Në nuk merremi me spjegime. Me spjegime merren profesorat. Ne punojmë. Fasulen kokërrmadhe e shesim të gjithën jashtë. Vjen vet’ greku e merr. اmimin e vendos shoqata.
- Cila shoqatë ?!
- Shoqata e Fasules Kokërrmadhe.
- ا’thua more ?!
- Po pra. Ore di Shqip ti ?! Shoqatën e kemi themeluar ne. Gjith’ fshati janë anëtarë të shoqatës.
- Ka zyrë shoqata ?
- Jo, nuk kemi zyrë. Kemi bord drejtues me 7 anëtarë. Nuk na duhet zyra. Bordi mblidhet dhe vendos më këmbë në arë. E kemi regjistruar shoqatën dhe aq. Madje nuk kemi as vulë. E pse na duhet vula ?! Që të na humbi dhe të na qeshin vulëhumbur pastaj ?! Ne vetëm punojmë o babam. Nga 12 në 80 vjeç këtu punojnë të gjithë. Ja, siç e sheh, në fshat nuk kemi fare gjëra qefi, kafenera, bilardora e të tjera. Qefi ynë më i madh është puna. Dhe fitojmë. E di sa ?! Nga 10 deri në 25 në vit për familje. E di çfarë ?! Mijë dollarë. Po punojmë shumë ama. Dhe, që ta lash llafnë në mes, greku e përpunon fasulen tonë kokërrmadhe. E zjen dhe e mbyll në kanaçe llamarine. Pastaj e shet në gjithë botën. Në Gjermani kryesisht. Ato fasulet me kanaçe që i kullufisin një në tre vakte ata emigrantët tanë të babëzitur lart e posht nëpër botë, megjithse ata nuk e dinë, fasulet e Kreshpanjit janë. Edhe diçka. E di sa mall eksporton në një vit ky fshati ynë ?! 1 milionë dollarë mall në vit ! Domethënë më tepër se Librazhdi po e po, por më duket më tepër edhe se Elbasani ! Fshati ynë është i vogël, por fasulen e bën të madhe. Ju andej nga Tirana keni të mëdha pordhët e fasuleve tona. Ne këtej të mëdha kemi fasulet e pordhëve tuaja. Hajt ta ndërtojmë kapitalizmin së bashku; Ne me fasule, ju me pordhë.
Kthehem.
Plasa s’pipëtin. Ka hequr dorë, është penduar, nuk loz më “Yç me Tre”. E ka bërë me turp Kreshpanji i fasuleve Plasën e Yç-it.
Natë. Kioskat mbyllur. Profesorat flenë. Në ëndrra shohin Shqipëri me në krye trima. Kur të zgjohen do shohin se nuk janë, as krye, as trima, as burra, por Rrugaçë.
Panorama