Silvestri i II-të, Papa i vitit 1000: Shkencëtari i akuzuar për magji

braziljania

Anëtar i Nderuar
Sipas Gregoriusit, qe "një gjeni që ndriçoi me dritë shumë të gjallë epokën e tij". Por erudicioni i tij në fushën e shkencave do të keqkuptohej

I dituri Gerberto di Orilak, edukator dhe mik i Otonit të III-të, u bë Papë me emrin e Silvestrit të II-të (999-1003) dhe është me siguri një prej figurave më magjepsëse në historinë e kulturës mesjetare. I lindur nga një familje shumë e varfër të Alvernias (tokë magjistarësh) në Francë (data nuk është e sigurt: burime të ndryshme e çojnë vitlindjen e tij midis viteve 938 dhe 950), mbeti shpejt jetim dhe fillimisht u edukua në manastirin e Sen Zherosë. Aty mësoi rudimentet e para të retorikës, gjeometrisë dhe astronomisë. Pastaj shkoi në Manastrin benedikt të Orilakut (i reformuar në drejtim kluniakens nga Odoni i Klunisë personalisht), ku veshi rrobën murgërore dhe u dallua shumë shpejt për inteligjencën e tij pjellore.

Me karakter paksa të gjallë, pati gjithmonë probleme me murgjërit e zotë. Më pas vihet re nga Boreli, Kont i Barcelonës, i cili e mori me vete dhe i premtoi që të vazhdonte studimet pranë shkollës së drejtuar nga Peshkopi i Vishit, Atoni, në Katalonjë. E kompletoi formimin e tij fillimisht në Vigo e më pas në Kordobë, pranë shkollës arabe. Tipi i edukimit që mori në këtë shkollë ishte ai tipik i epokës. Lëndët mësimore qenë grupuar në dy grupe të ndarë: triviumi (gramatika, dialektika e retorika) dhe kuadriviumi (arithmetikë, muzikë, gjeometri e astronomi). Kjo përvojë e pasuroi background-in e tij kulturor me shartime origjinale të kulturës myslimane, duke i shtuar kështu dije të gjëra kulturës së tij tashmë imponuese filozofike dhe teologjike.

Në kuptimin e mësimeve të para islamike që kristianizmi linte të filtronin, ai u vu në kontakt me qarqet e të urtëve myslimanë, me qëllim që të arrinte njohjen e përsosur të artit magjik. Por këta të urtë u kërkonin dishepujve të tyre që të hiqnin dorë nga feja e tyre dhe t'i nënshtroheshin një lloj inicimi. Gerberto pranoi dhe kështu u bë apostat. Kjo i shtyu denigruesit e tij që t'i atribuonin qysh të nesërmen e vdekjes së tij një famë prej magjistari dhe alkimisti pas vdekjes. I hyrë në kontakt me botën arabe i rafinoi dijet e tij shkencore... dhe lidhur me të lindën paragjykime: për pjesën që nuk e donte, ai nuk ishte gjë tjetër përveçse një magjistar. Sipas Gregoriusit, ai qe "një gjeni që ndriçoi me dritë shumë të gjallë epokën e tij". I tillë ishte efektivisht erudicioni i tij në fushën e shkencave, sa që do t'i keqkuptohej.

Shumë nuk i besonin atij, sepse ishte shumë i ndryshëm nga papët e tjerë. Merrej me astronomi dhe me kushedi se çfarë "artesh të zeza". Dikush mendonte se ishte Antikrishti. E gjithë dija e tij nuk ka sesi të mos kishte një origjinë të mbinatyrshme. Papa magjistar mbeti gjithmonë i rrethuar nga një aureolë legjende për shkak të frekuentimeve me kulturën e "ndaluar" (atë të arabëve). Kronisti Raul dë Longshamp përhapi zërin, sipas të cilit, ai ndërtoi një Golem, domethënë një djall të mbyllur në një kokë të artë ose ndoshta të bronztë, të cilit i bënte pyetje jashtëzakonisht të vështira ose të pazgjidhshme, dhe koka përgjigjej me një të tundur kokë. Midis gjërave të tjera bile do t'i tregonte Papës ditën e saktë të vdekjes së tij. Në realitet, koka magjike që thoshte po ose jo i korrespondonte llogaritjes me dy shifra, kodit binar të sotëm (0 e 1), mbi të cilin bazohen kalkulatorët e sotëm modernë.

ثshtë kështu që historia do t'i bashkëngjitet legjendës popullore, sipas së cilës, ai kish lidhur një pakt me djallin: nga Rejmsi, në Ravenë, në Romë, tri "R"-të të cilave u atribuohet një domethënie magjike. Lidhur me të u përhapën një seri legjendash, disa prej të cilave shumë interesante. Njëra në veçanti vë në dukje elementin "supersticion" që karakterizoi të gjithë Mesjetën. Tregohet se Gerbertoja ishte një i ri që arrinte të dallohej për aftësitë, për karakterin dhe për vullnetin e tij që të tejkalonte në inteligjencë, dhe për t'u folur të gjithë studentëve të shkollës së Rejmsit. Pavarësisht superioritetit të tij, ai mbeti i turbulluar nga bukuria e një njomëzakeje, e cila arriti t'i marrë mendjen. Tashmë, dëshira e vetme e tij ishte ajo që ta fuste në dorë. Për këtë qëllim, ai i harxhoi të gjithë pasuritë e tij dhe u mbulua me borxhe dhe me përqeshje. Por një ditë, ndërsa ndodhej duke shëtitur nëpër pyll, i dëshpëruar prej gjendjes në të cilën ndodhej dhe prej urisë që po i gërryente stomakun, i shfaqet magjistrica Meridiana.
 
Në shkëmbim të besnikërisë së tij, ajo i premtoi pasuri, dinjitet, nder dhe lavdi. Fillimisht i frikësuar, më pas i siguruar, Gerberto pranoi. U çlirua nga kushtet e tmerrshme në të cilat ndodhej dhe siguroi të gjithë atë që kish dëshiruar gjithmonë. Meridiana e ndihmoi që të arrinte edhe ndriçimin e mendjes me studime nate dhe shumë sekrete. Në këtë legjendë shfaqen mjaft elementë tipikë të kulturës mesjetare: dashuria pasionante dhe shkatërrimtare ndaj një gruaje, "shtrigë", që zbulohet jo e denjë për këtë ndjenjë; shkatërrimi fizik dhe moral i personazhit qendror; ndërhyrja e jashtme, hyjnore apo diabolike, që bën të ndryshojë kursin e historisë së protagonistit. Figura e Meridianës mund të konsiderohet si metaforë: studimi dhe etja për dije do ta bëjnë Gerberto të gjejë rrugën e tij. Ai nuk preokupohet të heqë dorë nga feja e tij: do të arrijë njohjen e përkryer në liri të plotë morale dhe fetare. Raporti me magjistricën do të vazhdojë deri kur ajo nuk do t'i parashikojë ditën e vdekjes së tij: "Jo më përpara sesa të mbash meshë në Jeruzalem".

Nayrisht që ai e fshehu të gjithë këtë, përndryshe do të konsiderohej heretik. Interesante të përcillet edhe një episod tjetër i jetës së tij gjithnjë frenetike, i cili na referohet nga historiani anglez Uilliam i Malmesburnit. Tregohej se në Kampo Marcio ishte një statujë metalike me gishtin tregues të dorës së djathtë të shtrirë, që tregonte mbi ball të shkruarën "Godit këtu!". Shumica, duke besuar se aty do të gjenin ndonjë thesar, ia kishin hequr kokën statujës, por më kot. Kurse Gerberto vërejti fshehurazi se deri ku arrinte hija e gishtit fiks në mesditë, u kthye në Kampo Marcio natën bashkë me një kamerier dhe e hapi tokën me një magji. Menjëherë iu shfaq atyre një sallë e madhe dhe kalorës që luanin zarash dhe statuja krejtësisht e artë e një mbreti, i shtrirë me mbretëreshën përpara mensës së rrethuar me vazo të çmuara. Në pjesën më të brendshme ndodhej një qymyr që digjej dhe përballë tij ndodhej statuja e një foshnjeje me harkun e tendosur.

Të gjitha këto bukuri nuk mund të prekeshin, përndryshe statujat kërcenin kundër të ardhurve. Kamerieri tentoi që të marrë një thikë me vlerë të madhe dhe gjërat filluan të vibrojnë. Harku i foshnjes e lëshoi shigjetën e tij, e cila goditi qymyrin, gjithçka midis avancimit të errësirës. Në vitin 970 qe në Romë me Atonin, ku Otoni i I-rë i besoi edukimin e të birit, Otonit të II-të. U thirr për të drejtuar Abacinë e Bobios pranë Piaçencës në vitin 983. I pajisur me mbështetjen e pakushtëzuar të autoritetit perandorak, Gerbertoja kërkoi që t'ia nënshtronte autoritetit abatnor fisnikët e shumtë të zonës, të cilët i mbanin pronat me tituj feudesh personale. Tentativa dështoi dhe abati u detyrua që të arratisej për gjithë natën nga manastiri, për shkak të një revolte energjike të fisnikëve. Qe ndoshta abati i fundit që pati nën administrimin e vet Curtis Turris. Gjeti strehim në Pavia, tek Nëna Perandoreshë Adelaide.

Në këtë rrethanë, vejusha e re e Perandorit e ngarkoi me edukimin e djalit, Otonit të III-të. Por edhe këtu, duke mos qenë i kënaqur, shkoi në Rejms, ku mund t'u kushtohej studimeve të tij, përveçse mësimdhënies. Në vitin 991 u bë Arqipeshkv i Rejmsit, duke zëvendësuar të përmbysurin Arnolfo, falë Ugo Kapetos, Mbret i Francës me emrin e Luigjit të VI-të. Detyra e tij nuk zgjati shumë. Në vitin 995, u pezullua dhe u shkishërua, ndërsa Arnolfi u ripranua. Atëherë Gerberto u kthye nga nxënësi i tij i fundit, Otoni i III-të. Në vitin 998 u bë Arqipeshkv i Ravenës dhe iu hap rruga drejt Papatit. Në fakt, saktësisht më 2 prill 999, u bë Papë me emrin Silvestri i II-të. Heqja dorë, apostazia dhe shkishërimi u zhdukën në asgjë, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.

Ai e drejtoi Kishën me vendosmëri dhe ndershmëri të madhe, por edhe mbi të gjitha me humanizëm të madh, duke e mbështetur dhe duke e ngushëlluar komunitetin kristian në një moment terrorizues, domethënë gjatë kalimit nga një mijëvjeçar tek tjetri, nga viti 999 në vitin 1000, vit që sipas besimit do të sillte fundin e botës. Më 31 dhjetor 999, në Romë, bazilika e vjetër e Shën Pjetrit u mbush me besimtarë të përlotur. Ishin penduar për muaj të tërë dhe e kishin kokën të spërkatur me hi. Silvestri i II-të mbajti meshë përpara të pranishmëve të gjunjëzuar, të cilët prisnin me frikë ardhjen e orës fatale, mesnatën. Një heshtje varri e mbushte bazilikën e lashtë dhe vetëm kur Papa shqiptoi fjalët përmbyllëse "Ite, missa est", pasuar nga rëniet e këmbanës së madhe, ankthi u fashit. Bota nuk kish mbaruar, Toka nuk ishte hapur nën këmbët e tyre dhe as nuk kish rënë zjarri që do të duhej t'i bënte hi.

Papati i Silvestrit të II-të përfaqëson një pikë kthese në historinë e papatit roman, për sa ai i mëparshmi ishte karakterizuar nga luftëra të dhunshme dhe të përgjakshme. Në fakt, Otoni i III-të, mbret gjermanik, në vitin 996 kish vënë në fronin pontifik kushëririn e tij, Brunon, i cili mori emrin Gregori i V-të. Ky i fundit, pikërisht prej origjinës së tij gjermane, nuk u pranua nga romanët, që në epokën e Stefanit të I-rë qenë mësuar të shikonin në atë fron gjithmonë papë të lindur roman. Haptazi i akuzuar nga ana e romanëve, të drejtuar nga Xhovani Kreshencio, për korruptim funksionarësh të lartë civilë, me qëllim vendosjen e një regjimi despotik në favor të Perandorit, Brunoni u arratis dhe u strehua në Pavia, ku shpejt u arrit nga Otoni i III-të.
 
Në Romë Kreshencio kish marrë titullin Patricius dhe kish shpallur një Papë tjetër, Xhovani Filagaton, i cili mori emrin e Gjonit të XVI-të dhe që, për pasojë, u konsiderua antipapë. Konflikti përfundoi në mënyrë shumë mizore dhe çnjerëzore: antipapa u arratis, u kap dhe me urdhër të Perandorit ju prenë hunda, gjuha, veshët dhe ju nxorrën sytë. U mbyll në burg në një konvent dhe më pas u dënua me varje. Kreshencios nuk i takoi fat më i mirë: ju pre koka dhe kufoma e tij u var në një trikëmbësh në këmbët e Monte Marios, që për romanët mori emrin Mons Malus. Papa dhe Perandori kishin përdorur çdo mjet për të imponuar pushtetin e vet dhe nëqoftëse më pas Otoni i III-të pati vrasje ndërgjegjeje dhe kërkoi paqen duke bërë pelegrinazhe në konvente të ndryshme, Gregori i V-të ruajti një dinjitet të fuqishëm deri në vdekje, që e arriti vetëm në moshën 27-vjeçare, më 18 shkurt 999.

Pasuesi i zgjedhur i tij qe pikërisht Gerberto, pavarësisht se ai e konsideronte një të infiltruar të mbrojtur nga Perandori. Ideali i Otonit të III-të rishfaqej në atë të Renovatio Imperii Romanorum të Sharlëmanjit. Besimi i tij ishte i zjarrtë, e trazuar dhe mistik. Misioni i tij konsistonte që të bënte të mbretëronte njëkohësisht mbi të gjithë Përëndimin dhe më pas edhe mbi Lindjen të pax romana dhe të pax Christi. Qysh nga fundi i shekullit të X-të u asistua në një ekspansion të konsiderueshëm të predikimit misionar. Ky moment misionar u drejtua në mënyrë të veçantë nga konvertimi i popujve sllavë. Gjurmë të këtyre aktiviteteve ungjillëzuese gjehen qysh në kohën e Papës Benedikti i VII (974-983). Synimi i Otonit të III-të imagjinonte një kler më së fundi të nënshtruar ndaj pushtetit perandorak; nga ana e tij, Papa Silvestri i II-të aktualizonte kështu idealet kluniakense të absorbuara gjatë viteve të Orilakut. Në të njëjtën sintoni, të dy vendosën edhe ngritjen në mitropolitë dioqezës së Gnjecnos, vendlindja e Adalbertos, ish-Peshkop i Pragës dhe martir i ardhshëm nga dora e prusëve.

Ka fuqimisht të ngjarë, se synimi i Otonit të III-të të mos ishte kryesisht ai i nënshtrimit të dioqezave të reja drejtpërsëdrejti ndaj Romës, sesa ai i nënvizimit të një lloj "proteksionizmi perandorak" përsa u përket proceseve të formimit të autonomive të kishave kristiano - orientale në lindje e sipër. Ka mundësi, që Papa të kish synuar të vepronte në koherencë me ato hipoteza reforme që vetëm vdekja i pengoi, por që tashmë u paraprijnë linjave të veprimit gregorian. Pietro dhe اezari qenë dakord. Donin dhe ëndërronin një Renovatio Imperii Romanorum: Perandor dhe Papë sëbashku dhe me marrëveshje të përbashkët do të qeverisnin dhe drejtonin popujt gjatë rrugës së Zotit. Perandori do ta mbronte Papën, duke ushtruar në këtë mënyrë një kontroll të fortë mbi Kishën. Roma është kryeqyteti i perandorisë qysh nga Sharlëmanji dhe është seli e papatit. Perandori u transferua në Romë, duke e ndërtuar pallatin e tij mbi Aventino.

Silvestri dhe Otoni donin t"i jepnin botës formën e Renovatios: një familje popujsh të ndryshëm dhe të vetëdijshëm për diferencat e tyre, të bashkuar në një fe të vetme dhe të drejtuar nga vikari i Krishtit. Konstituimi i dioqezës së re kish ndodhur me rastin e pelegrinazhit të Otonit të III-të në varrin e Shën Adalbertos. Në këtë rast, Duka Boleslav i kish kërkuar Perandorit dërgimin e misionarëve që ta rrënjosnin akoma më fuqishëm konvertimin akoma të paqëndrueshëm të kombit të tij. Kuptimi i kërkesës së tij ishte ka mundësi për më tepër politike: të gjendej mënyra për të nënshtruar tribùtë pagane e zonave limitrofe. Por predikimi misionar në Lindje ishte një prej pikave të "forta" në konceptimin që Silvestri i II-të kishte për Papatin.

Futet në këtë tregimi i detajuar i Bruno di Querfurt, që tek "Vita quinque fratrum" na përshkruan mrekullisht klimën e entuziazmit ungjillor të krijuar në atë kohë. U nisën kështu murgjërit Benedikt dhe Xhovani. Në Poloni me ta u bashkuan Isaku, Mateo dhe besniku Kristin për të përcjellë Fjalën e shprehjes dhe paqes në popullsi akoma të kushtëzuara rëndshëm nga xhepa të mëdhenj paganizmi. Duke ecur dhe duke predikuar e pritën më kot licencën ungjillore që sigurisht Silvestri i II-të kish ndërmend ta jepte. Korrieri i kësaj licence do të duhej të ishte pikërisht Bruno di Querfurt, kronist i martirit. Në këtë pikë, tregimi i tij bëhet difektoz dhe i vagullt: dukshëm që kërkesa nuk e arriti kurrë Silvestrin e II-të. Pesë murgjërit u masakruan nga paganët dhe Bruno do ta pësojë të njëjtin fat pak vite më vonë.

Megjithatë, predikimi i tij do të arrijë në kufijtë e Rusisë së Kievit, duke treguar një aftësi penetrimi, të cilën vetëm barbaria pagane do ta pengojë të përfundojë me sukses. Por le të kthehemi e të vërejmë nga afër Silvestrin e II-të, atë që do të hynte në histori si "Papa i vitit 1000". Figura e tij u bë legjendare. Gerberto jo vetëm ishte i ditur në çdo fushë të dijës mesjetare, nga teologjia tek matematika tek filozofia, por kishte edhe një aftësi teknike që i lejonte të projektonte dhe ndërtonte mekanizma aq kompleksë, sa në atë kohë të rezultonin të mahnitshëm. Dhe për një automat android të supozuar u fol edhe në procesin e famshëm kundër Templarëve. Qe autor shumë zbulimesh paraprirëse, midis të cilëve ora mekanike. Në thelb ora moderne, pararendëse e hershme e të gjithë matësve të kohës, bazuar mbi një pajisje mekanike, jo hidraulike, u shpik nga një At i Shenjtë i Kishës së Shenjtë Romane. Qe i pari që ideoi një orë me sistem "me pesha". Parimi, më i besueshëm se piklat e ujit (që në muajt e ftohtë mund të ngrinte, duke e bllokuar kështu mekanizmin), duket relativisht i thjeshtë: një peshë e lidhur nëpërmjet një litari me një kundrapeshë më të vogël, identike me peshën e litarit. Kjo mbështillet mbi një cilindër, rrotullimi i rregullt i të cilit komandohet nga një rrotë me dhëmbë; rrotullimi i kësaj të fundit, nga ana e saj, rregullohet nga një aks me dy dhëmbë të kundërt, të cilët futen në mënyrë alternative duke xhiruar mbi zembrek.

Shpikja e Papës Silvestri i II-të, që kontribuoi edhe në përhapjen e numërimit arab në vend të atij romak, ka një rëndësi teknike të jashtëzakonshme: i garantohej orës një autononomi e vet funksionimit. Nga kronistët e epokës kuptojmë se ai shpiku edhe një "glob qiellor, në të cilin të gjitha yjet kishin orbitat e lëvizjet e tyre dhe i kryenin në kohë të proporcionuara rrotullimet e tyre". Dukshëm që bëhej fjalë për një planetar, por nuk mungoi edhe krijimi i një organoje me avull, të gjitha shpikje të shkatërruara me vdekjen e tij.

Silvestri i II-të qe Papa i parë në histori që bëri një apel për çlirimin e Varrit të Shenjtë nga muslimanët që shpesh nuk i linin pelegrinët të kalonin në vizitë në Tokën e Shenjtë. Apel që nuk u kap atëherë, pasi që nuk ishte akoma gati për një luftë të shenjtë. Ashtu si paraardhësi i tij, edhe ai qe objekt kërcënimesh dhe rebelimesh. Edhe u shtrëngua që të arratiset nga Roma në vitin 1001. Otoni i III-të vdiq më 23 janar 1002 dhe Papa nuk e mbijetoi për shumë kohë Perandorin e "tij", por edhe me vdekjen e tij legjendat u shumëfishuan. E kemi parë më parë, Meridiana i kish zbuluar se do të vdiste "jo përpara se të mbante meshë në Jeruzalem". Silvestri e interpretoi këtë shprehje në kuptimin e saj letrar dhe e individualizoi Jeruzalemin pikërisht në qytetin e shenjtë. Do të varej vetëm nga ai, nëse do të shkonte apo jo atje për pelegrinazh, por fati vendosi ndryshe.

Një ditë i ndodhi që të mbajë meshë në një kishë që e merrte emrin e Kryqit të Shenjtë në Jeruzalem nga trau që mbështetej mbi atë që mbante mbishkrimin e bërë nga Pilati mbi kryqin e Krishtit. Teksa mbante meshë, ju shfaq përpara vetes magjistrica Meridiana. E njohu dhe, pasi ka dëgjuar emrin e kishës, e kuptoi se kish ardhur momenti. Thirri të gjithë priftërinjtë, prelatët, kardinalët e njerëzit dhe, pasi ka bërë publik rrëfimin dhe urdhëruar që nga ai çast e prapa, buka dhe vera të konsakroheshin me fytyrën drejtuar besimtarëve, kërkoi që trupi i tij të vihej në një qerre të tërhequr nga buaj dhe që pastaj të varrosej në vendin ku buajt do të ndalonin. Ashtu ndodhi. Qerrja u ndal në hyrjen e Kishës së Shën Gjonit në Laterano, ku Silvestri pushon deri më sot. Edhe pas vdekjes së tij legjendat nuk e kanë braktisur: thuhej se në afërsinë e vdekjes së një pape, nga varri i tij zbriste një rrëke uji, kurse nëqoftëse afrohej vdekja e një kardinali, varri lagej lehtësisht. E gjitha kjo do të ndodhte deri në vitin 1648, kur varri u hap për një rikonjicion dhe ndodhi magjia e fundit: skeleti i Atit të Shenjtë u gjet përsosshmërisht i paprekur, me krahët e kryqëzuara dhe tiarën në kokë, por, sapo u vu në kontakt me ajrin, ai u shpërbë në çast. Nga ai na mbesin letra të ndryshme, një jetë e Shën Albertit dhe vepra shkencore. Ky qe Silvestri i II-të, të cilin në qershor të vitit 1003 e pasoi romani Siko (Papa Gjoni i XVII-të, i cili do të vdesë po atë vit): një protagonist i kohës së tij, i drejtuar nga e ardhmja. Një personazh enigmatik, por në të njëjtën kohë imponues, me të gjitha pasuritë intelektuale dhe kontradiktat e tij. Midis misticizmit dhe magjisë. Qe apostat dhe kristian, i shkishëruar dhe Papë, por ka përfaqësuar kulturën e kohës së tij në Mijëvjeçarin e II-të.

Përgatiti: ARMIN TIRANA
RD
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 2 16.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 16.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 8.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 25.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 16.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 16.7%
Back
Top