Si u shpall Mbretëria Shqiptare

fcbesia

Anëtar i Respektuar
Cilido që ka lexuar mjaftueshëm për politikën shqiptare në vitet 1920- 24, e ka të qartë diferencën midis staturës së Ahmet Zogut dhe personazheve të tjerë të politikës. Si rezultat i aftësive që ai tregoi dhe gabimeve të kundërshtarëve të tij, në dhjetorin e vitit 1924, Zogu arriti të bëhej i gjithëpushtetshë m. Që në janarin e vitit 1925, ai mund të ishte shpallur Mbret, por nuk u ngut. Ngutja, nga e cila vuajnë jo pak politikanë, - nuk ishte karakteristikë e tij. Nga ana tjetër, Princi Wied nuk kishte abdikuar; largimi i tij ligjor vinte natyrshëm me ndryshimin e formës së regjimit. Kjo ishte një arsye më shumë për të shpallur së pari Republikën, (21 janar 1925), për të konsoliduar pushtetin, dhe pastaj për të pritur momentin e përshtatshëm, për të hipur në Fron. Republika do ta kishte jetën të shkurtër, sepse ishte koha e Mbretërive. Kujtojmë se, i gjithë Ballkani, Italia dhe shumë shtete në Europë ishin Monarki. Gjithashtu, mendësia e shqiptarëve në këtë kohë anonte nga forma monarkike e regjimit. Shpallja e Mbretërisë do të ishte dhe qe një hap tjetër i rëndësishëm, në stabilitetin e shtetit shqiptar. Në vitin 1928, Ahmet Zogu e kuptoi se koha e përshtatshme për të shpallur Mbretërinë kishte ardhur, por për këtë u ndërmorën të gjitha hapat e nevojshme kushtetuese. Më 1 qershor 1928, kryetari i Republikës iu drejtua me një mesazh të dy dhomave legjislative. Më 7 qershor 1928, Dhoma e Deputetëve dhe Dhoma e Senatit, në një mbledhje të përbashkët vendosën një shtojcë në nenin 141 të Statutit, si vijon: “Rishikimi i përgjithshëm i Statutit i përket Asamblesë Kostituente. Kur vendoset nevoja e rishikimit të përgjithshëm të Statutit simbas procedurës të caktuar në këtë artikull, të dy Dhomat quhen vetvetiu të shpërndara dhe dekretohen zgjedhje për Asamble Kostituente simbas Art.47 të Statutit.” Në mbështetje të këtij neni, më 16 qershor 1928 u dekretuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, të cilat u zhvilluan më 17 gusht 1928, me votim indirekt, një asembleist për 15.000 banorë dhe për çdo fraksion që i kalonte 7.500 banorë. Ndërkohë, shpallja e afërt e Mbretërisë ishte bërë publike. Ahmet Zogu kishte njoftuar dhe marrë aprovimin e fuqive të mëdha, (së pari të Italisë), për hapin që po hidhte. Në gjysmën e dytë të gushtit, në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit u zhvilluan manifestime në përkrahje të shpalljes së Monarkisë. Një rast për manifestim qe edhe kthimi i Zogut nga Durrësi më 23 gusht 1928, (Gazeta Shqiptare, 24 gusht 1928), paçka se një studiues i huaj shkruan që atë verë ai s’kishte lëvizur nga Pallati, në Tiranë, (Bernd J. Fischer, Mbreti Zog.., Tiranë, 1996, f.135). Përbërja e Asamblesë Kushtetuese që do të shpallte Mbretërinë ka qenë si vijon: Për prefekturën e Beratit: Ferit Vokopola, Hamit Myftiu, Hysni Toska, Milto Tutulani, Sami Vrioni, Spiro Papa, Veis Sevrani; Për prefekturën e Dibrës: Abdurrahman Dibra, Abdurrahman Salih, Fiqri Rusi, Hafëz Xhemali, Kolë Mjeda, Xhelal Zogu; Për prefekturën e Durrësit dhe Tiranës: Isuf Gjinali, Rexhep Matja, Said Toptani, Shahsivar Alltuni, Vasil Rusi, Zija Toptani; Për prefekturën e Elbasanit: Ahmet Hastopalli, Anton Beça, Hajdar Blloshmi, Hasan Biçaku, Riza Kishta, Shefqet Vërlaci; Për prefekturën e Gjirokastrës: Fejzi Alizoti, Harallamb Papadhopulli, Hiqmet Delvina, Javer Rushiti, Kasëm Radovicka, Mihal Kaso, Petro Harito, Petro Poga, Thoma Papajano; Për prefekturën e Korçës: Bexhet Frashëri, Haki Mborja, Kostaq Kotta, Kristaq Kosturi, Llambi Bibmbli, Pandeli Evangjeli, Sulejman Starova, Syrja Pojani, Xhaferr Ypi; Për prefekturën e Kosovës: Bahri Begolli, Hasan Kryeziu, Salih Vuçiterni; Për prefekturën e Shkodrës: Ejëll Serreqi, Halit Rroji, Jak Koçi, Lec Deda, Maliq Bushati, Mark Kapedani, Musa Juka, Ndrek Kiçi; Për prefekturën e Vlorës: Ibrahim Xhindi, Sadik Shaska, Simon Simonidhi, (Shqipënija më 1937, Vëll.I, Tiranë 1937, f.62-63).

Mbledhja e parë

Më 25 gusht 1928, në orën 09.30, Asambleja Kushtetuese zhvilloi mbledhjen e parë. Pasi u lexuan emrat e asambleistëve, Pandeli Evangjeli u zgjodh kryetar i përkohshëm si deputeti më i vjetër, ndërsa Ejëll Serreqi u zgjodh sekretar si deputeti më i ri. Pasi u ngrit komisioni i verifikimit të kredencialeve( mandateve) , seanca u mbyll.
Më 27 gusht, në orën 16.00 u zhvillua mbledhja e dytë, e cila filloi me leximin dhe pranimin e raportit të komisionit të kredencialeve (mandateve). Deputetët bënë betimin, si vijon: “Betohem botënisht se si asambleist kam për të kryem detyrën e ngarkueme prej popullit me ndërgjegje të plotë dhe vetëm për të mirën e përgjithshme t’Atdheut”, (Bisedimet e Asamblesë Kostituente, Nr.1, Tiranë, 1928, f.7). Pas kësaj u zgjodh kryesia e Asamblesë Kushtetuese: Pandeli Evangjeli, -kryetar; Ferit Vokopola, -nënkryetar; Fiqri Rusi -kujdestar; Ejëll Serreqi -sekretar. Në përfundim të mbledhjes së dytë, Pandeli Evangjeli njoftoi se në rend të ditës ishte rishikimi i përgjithshëm i Statutit, ndërkohë gazetat hamendësonin rreth titullit të Mbretit. Më 29 gusht, në orën 17.00. u zhvillua mbledhja e tretë. U lexuan telegramet nga të gjitha krahinat e Shqipërisë që kërkonin shpalljen e Mbretërisë, dhe u vijua me diskutimet e 24 deputetëve, të cilët kërkonin shpalljen e Mbretërisë dhe proklamimin e Zogut Mbret të Shqiptarëve. Në fakt ka qenë një lëvizje e menduar prej kohe, por e përmendur më 29 gusht, shpallja e Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve dhe jo i Shqipërisë, gjë që kishte një kuptim të qartë kombëtar dhe politik. Në përfundim të mbledhjes u formua një komision i posaçëm për hartimin e neneve kryesorë të Statutit të ri. Komisioni mbajti mbledhjen e tij, më 30 gusht 1928.
Ditën e shtunë, më 1 shtator 1928, në orën 09.00. u zhvillua mbledhja e katërt e Asamblesë Kushtetuese. U lexua raporti i komisionit, i cili kishte përgatitur nenet kryesore të Statutit të ri. Me propozim të Mihal Kasos pas leximit të çdo neni votimi u krye në këmbë. Kështu, në orën 9.12, Asambleja Kushtetuese votoi unanimisht duke e shpallur Shqipërinë, Mbretëri demokratike, parlamentare, të trashëgueshme dhe Zogun I, Mbret të Shqipëtarëve. Gjithashtu, u aprovua edhe formula e betimit të Mbretit. Duartrokitjet dhe njëqind e një të shtëna topi përshëndetën vendimin. Në kundërshtim me zakonin e mbretërve në Europë, për të evidentuar emrin, Ahmet Zogu zgjodhi mbiemrin (Zog I) për emërtim zyrtar. Emri Ahmet iu duk i papërshtatshëm për drejtimin që kishte vendosur t’i jepte vendit.

Ceremonitë

Një komision me deputetë nga të nëntë prefekturat e vendit, i kryesuar nga Pandeli Evangjeli, u nis drejt Pallatit, që pas kësaj date u quajt Mbretëror, (sot Akademia e Shkencave), për t’i komunikuar formalisht Mbretit vendimin e Asamblesë Kushtetuese. I përcjellë nga brohoritjet popullore të rastit, komisioni kaloi mes një kompanie të gardës, veshur me uniforma të kuqe, dhe hyri në Pallat. Në orën 10.00, të datës 1 shtator 1928, Ahmet Zogu pranoi kurorën. Një gazetë e kohës ka botuar një foto të tij, për të cilën thotë se është bërë 5 minuta më pas, (Telegraf, 9 shtator 1928).
Betimi i Mbretit në Parlament do të bëhej më 1 shtator 1928, në ora 17.00, por në fakt bë 20 minuta më përpara, siç duket për arsye sigurie. Festimet e pasdites së 1 shtatorit 1928 filluan që në orën 14.00, dhe zgjatën tre ditë. Repartet e ushtrisë ishin rreshtuar, populli kishte dalë në rrugë, ndërsa disa aeroplanë hidhnin fletushka nga ajri. Në orën 16.00. u dëgjua buçitja e trumpetave dhe më pas hymni kombëtar, (Gazeta shqiptare, 2 shtator 1928).


Balkanweb
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 12.5%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 1 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 12.5%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 37.5%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 1 12.5%
Back
Top