Shqipërisë po i ikën “truri” !!

Bilderberg

Anëtar i ri
Shqipërisë po i ikën “truri” !!


11 August 2009 Shkoni tek komentet Lini një koment

Nga Përparim Halili - Realitetet shqiptare, përveç traumave të tjera, që kanë lidhje me problemet e shumta që shoqërojnë zhvillimet brenda vendit, vazhdojnë të na ofrojnë edhe këtë realitet: Prej 18 vitesh, po përjetojmë largimin e inteligjencës. Këtë largim e kemi përcaktuar si ikje të “trurit të kombit”, duke mos mundur të frenohet. Në këto vite, pas hapjes së madhe, Shqipëria ka pasur dhe po vazhdon të ketë një firo të dukshme e të ndjeshme të specialistëve, të shkencëtarëve, të studiuesve, të artistëve, të mjeshtërve të prodhimit, madje edhe të atyre njerëzve që kanë pasur dhe kanë mundësi të ofrojnë diçka për këtë vend e për këtë komb, por që ua kanë bllokuar mundësitë politika dhe institucionet “bunkerë”, pra që nuk u hapin as rrugë veprimi, as u krijojnë mundësi për të dhënë kontributet. Prej18 vitesh, Shqipërisë i ka ikur e po vazhdon t’i ik “truri” jashtë vendit Kjo shifër ka arritur në 35 për qind të masës së përgjithshme të inteligjencës të larguar nga ky vend. Sipas testimeve, ata kanë ikur për të mos u kthyer më, sepse nuk mund të bashkëjetojnë me një realitet poshtërues e shkatërrues për ta dhe punën e tyre, duke gjetur të mundshme jashtë kufijve interesat e tyre profesionale, të perspektivës integruese të fëmijëve e të mbijetesës për familjet e tyre. Largimin ata e kanë bërë si një mundësi të detyruar, të vetëdijshëm se duhet ta hidhnin këtë hap. Ata kanë pranuar të kryejnë edhe punë jashtë profesionit, madje të rëndomta, në shërbimet publike e firmat private në të gjithë shtetet e botës, por kurrsesi të jenë intelektualë dhe shkencëtarë të shpërfillur, madje të denigruar e të papunë, deri shitës bananesh e çakmakësh në Shqipëri. Sepse vendi i tyre, ku ata janë diplomuar dhe janë kualifikuar, ku kanë punuar në mënyrë aktive dhe të përkushtuar për shumë vite, nuk u afroi dhe nuk po u ofron asgjë, madje as vende pune të rëndomta. Sepse këto të drejta vazhdojnë të mbeten monopol i zyrave të “kuadrit” të partive, të cilat nuk të pranojnë në punë, nëse nuk mban parullat e mitingjeve, nëse nuk bëhesh shërbëtor i fushatave elektorale, nëse nuk bëhesh servil dhe bashkautor i heshtur i interesave të kapove të pushtetit. Kjo “hemorragji” potencialesh intelektuale, që nuk ka asgjë të përbashkët me synimet e partive politike, por vetëm me interesat kombëtare, po vazhdon të thellohet. Përditë ikin, ose ka përpjekje të intelektualëve e specialistëve të njohur, për ta braktisur përfundimisht këtë vend. Këtë largim e diktojnë pagat e ulëta, dhuna administrative, dhuna për shkak të bindjeve politike, mospërfillja, mungesa e punës, mungesa e hapësirave për të shprehur idetë dhe aftësitë e tyre në zgjidhjen e problemeve të ndryshme, për të mbarëvajtur procesin e integrimit evropian të vendit. Politika e di mirë këtë realitet, por nuk përpiqet ta parandalojë ose të krijojë kushte, të paktën minimale bindëse e konkrete, për ta kthyer në Shqipëri “trurin” e ikur të kombit. Përkundrazi, po vazhdon të jetë e ashpër dhe mospërfillëse ndaj saj, duke luajtur me personalitetin e njerëzve të ditur e të nevojshëm të këtij vendi. Në përgjigje të këtij qëndrimi të politikës e të administratës së lartë shtetërore dhe qeveritare, të institucioneve vendimmarrëse e ligjvënëse, inteligjenca potenciale po reagon me braktisje masive të vendit. Ajo po vazhdon të largohet nga Shqipëria, sepse po kupton përfundimisht që nuk mund të jetë pjesë e lirë dhe e pranueshme, e respektuar, e aktivizuar dhe e shpërblyer në veprimtarinë e saj përballë politikës dhe institucioneve të shtetit, për aq kohë sa politika e bllokon dhe e denigron, duke të spostuar me banalitetin që disponon e përdor në këtë shoqëri, të cilën, një grup pushtetarësh primitivë e analfabetë po e komandojnë me “sulltanizëm” të dukshëm, por të maskuar pas demokracisë së shtirur dhe abuzimeve të pakufishme të posteve, që i rrëmbejnë me mashtrime dhe i mbajnë me mekanizma të shumta korruptive, deri të dhunshme.
Projekt i dështuar për kthimin e inteligjencës në Shqipëri. Katër vite më parë, pasi futi në zyrat e saj me poste të larta një ekip klientelist me logon KOP, qeveria shqiptare shpalli iniciativën-projekt për rikthimin nga emigracioni të inteligjencës aktive e të mirëfilltë shqiptare, me synim kontributin për interesat e vendit. Thirrja e bërë nga qeveria, sipas deklarimeve, garantonte çdo intelektual të larguar, që do të kthehej në Shqipëri, se do të punësohej menjëherë në administratën e lartë shtetërore, qeveritare dhe në bërthamat shkencore të institucioneve me fuqi përcaktuese për zhvillimet e ekonomisë e të kulturës kombëtare. Sipas projektit, çdo intelektual i rikthyer do të punësohej në administratë dhe në institucionet shkencore dhe do të paguhej me 100 mijë lekë të reja në muaj. Mirëpo, si të gjitha projektet që ofrohen në vendin tonë, edhe ky nuk u realizua. Një fakt: 24 intelektualët e vetëm, që u kthyen në Shqipëri, nuk u përfillën dhe u detyruan të largohen përsëri në emigracion. Ky fakt ka qenë dhe mbetet mesazh i qartë për gjithë inteligjencën shqiptare me këtë kujtesë. Në Shqipëri është vështirë të bëhesh pjesë e institucioneve që kanë nevojë për “tru”, nëse nuk je pjesë e militantizimit dhe rrjetës nepotike të shefave të politikës e të qeverisjeve.
Konkurset e punësimit në administratë, farsë bllokuese e pushtetit. Në shtypin e ditës, Sektori i Shërbimit Civil boton njoftime për vende të lira e të reja pune. Sipas ligjit në fuqi, secili shtetas, që nuk ka dalë ende në pension dhe që ka specialitetin profesional, në përputhje me kërkesën për vendin e punës që shpallet, ka të drejtë të kërkojë të punësohet. Mirëpo, sapo lexon këto njoftime, ndesh me një bllokazh krejt absurd. Titullarët e ministrive, që shpallin vende të lira pune, nuk krijojnë liri punësimi për të gjithë. Ata vendosin disa kushte. P.sh., thuhet se kandidati duhet të jetë deri në moshën 40 vjeç. Duhet të dijë mirë, në të folur e në të shkruar, 1, 2 e 3 gjuhë të huaja. Duhet të dijë shumë mirë programet kompjuterike. Duhet të ketë përvojë në administratën e lartë shtetërore, jo me pak se 5 vjet. Duhet ta ketë mbi 8 notën mesatare të shkollës së lartë. Duhet të ketë përfunduar studimet jashtë vendit. Mjaftojnë këto kërkesa, për të kuptuar se këto kushte punësimi shpiken e përdoren qëllimisht nga drejtuesit e ministrive, megjithëse janë në kundërshtim të plotë me Kodin e Punës, madje në shkelje të Statusit të Nëpunësit Civil. Konkurset për punësime nëpër ministri po përdoren hapur si bllokazh administrativ ndaj të aftëve, si shërbim militantesk për ata që rekrutohen si “qark i mbyllur” nepotik, dhe si hapësirë e lirë për korrupsion. Pa përmendur kushtet e vendosura, mjafton të jesh, p.sh. në moshën 40 vjeç e 1 muaj, dhe nuk pranohesh në konkurrim për vendin e punës që shpallet! Të pëlqen apo jo, mjafton të mos plotësosh kushtet e shpallura, megjithëse mund të jesh tepër i aftë. Pra, i ke të mbyllura dyert e punësimit në administratën e lartë, të mesme, madje dhe të ulët publike. Ky absurd, me veshje të qartë politike në sektorin e punësimit në administratën publike, ndodh kur dihet që në vendin tonë 75 për qind e specialistëve janë mbi 40 vjeç. Kur dihet që, jo të gjithë kanë mbaruar studimet jashtë vendit. Madje, vihet si kusht për të konkurruar edhe që studimet duhet të jenë përfunduar në Universitetin e Tiranës, ndërkohë që përpara vitit 1993, afro 80 për qind e inteligjencës e specialistëve, kanë përfunduar studimet në ish-institutet në Shkodër, Gjirokastër, Korçë, Elbasan e Kamëz. Dhe, absurdi bllokues politik i punësimit, vazhdon me faktin tjetër: Sipas ligjit, mosha e daljes në pension është 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë. Mirëpo, sipas “ligjit” të drejtuesve të institucioneve, po e kalove 1 ditë moshën mbi 40 vjeç, del në “pension”, duke mbetur i papunë.
 
Kjo eshte e vertet.Po si do i vije truri Shqiperise ketu kur jasht studentet shikojne nje sistem funksionues ndersa kur vijne ne shqiperi, bejne aplikim per pune,nuk gjejn mbeshtetje, plus edhe ato vende qe jan kan rroge te vogel dhe e marrin ato qe nuk duhet.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top