Shqiperia mesjetare ne zhvillimet e vrullshme kulturore dhe fetare, sfiduese e qendra

braziljania

Anëtar i Nderuar
Fakti që urdhri monastik i cistersienëve ka qenë një ndër urdhrat monastikë më progresivë të mesjetës, mund të jetë i njohur prej shumë studiuesve, por që një manastir i këtij urdhri ka ekzistuar edhe në Shqipëri, kjo nuk është bërë e njohur deri tani. Në fakt, jeta religjioze në përgjithësi është shumë pak e studiuar në Shqipëri, kështu që nuk do të ishte krejt e paimagjinueshme nëse nuk dihet shumë për cistersienët nga shqiptarët, megjithëse ky urdhër është mjaft i njohur dhe thellësisht i studiuar në botë. Në Shqipëri njohuria për të ka qenë tabu, ashtu siç ka qenë edhe për jetën religjioze në përgjithësi. Sistemi komunist i detyroi studiuesit tanë, që pa frikë mund t‘i quajmë heronj (heronj, sepse megjithëse të privuar në nevojat elementare që ka një intelektual për hapësirë veprimi si në fushën e ideve, ashtu dhe në atë të lëvizjes fizike nëpër vende ku formohet mendja intelektuale, kanë vënë themele të forta për ne studiuesit e rinj që jemi shumë të privilegjuar me lirinë dhe hapësirën që kemi) të mohojnë ose injorojnë thelbin e shpirtit njerëzor: dëshirën, për njohjen e Përëndisë. Si rrjedhojë, mungesa e njohurive të mirëfillta për jetën religjioze, si dhe mosvlerësimi sa duhet i kësaj jetë, ka bërë të vështirë të kuptuarit e të gjitha dimensioneve të historisë së popullit tonë.

Edhe pse cistersienët janë studiuar në mënyrë të themeltë në botë, për praninë e cistersienëve në Shqipëri nuk është bërë ndonjëherë studim i mirëfilltë deri tani, as nga studiuesit shqiptarë dhe as nga ata të huaj. Ekzistenca e një manastiri cistersien në Shqipëri përmendet si nga Daniele Farlati, ashtu edhe nga Milan Shuflaj. Ky manastir njihej me emrin Manastiri i Shën Trifonit dhe gjendej në Kunavi, sufragani kjo, që me sa duket për një farë kohe u bë mollë sherri midis kryepeshkopatës së Tivarit dhe asaj të Durrësit. Shkaku ishte se, megjithëse juridikisht ajo gjendej nën metropolitanen e Durrësit, kryepeshkopi i Tivarit kërkoi që të merrte kontroll mbi të duke emëruar vetë abatin e kësaj sufraganie, gjë që në fakt i kushtoi shumë, pasi papati e zhveshi atë nga të gjitha të drejtat dhe detyrat kishtare që gëzonte. Në këtë pasazh kemi edhe përmendjen e parë të urdhrit të cistersienëve në Kunavi.

Po të kemi parasysh organizimin e Urdhrit të cistersienëve, interesat dhe strategjinë e tij, që sipas shumë studiuesve duket qartë, nga vendet ku ky urdhër mbjell manastiret e tij, investon idealet, disiplinën dhe progresin teknologjik të tij, do të kuptojmë që Shqipëria dhe veçanërisht Kunavia kishte një rëndësi të veçantë për ta.

Mesjeta në dritën e hulumtimeve të reja, me një vështrim të veçantë
mbi urdhrin e cistersienëve
Urdhri i cistersienëve lindi si pasojë e një reforme të benediktëve në Cأ®teaux të Francës më 1098. Themeluesi i këtij urdhri, që synonte zbatimin fije e për pe të Rregullës së Shën Benedikut, ishte Shën Roberti, fillimisht kryemurg i Molesmës në dioqezën e Langres. Urdhri i cistersienëve e mori emrin nga vendthemelimi i tij që ishte Cأ®teaux (latinisht Cistercium), një lokalitet në Burgundi të Francës, 23 km në jug të Dijonit, tani në territorin e komunës së S.-Nicolas-lez-Citeaux. Shën Roberti ishte kryemurg i Molesme, manastir ky i varur nga Kluni i famshëm benediktin. Ai ishte kundër luksit në të cilin jetonin murgjit e urdhrit të Klunit dhe kishte filluar që këtë pakënaqësi të tijën t‘ua transmetonte edhe murgjve të tjerë si për shembull atyre të manastireve të Saint-Pierre-de-la-Celle, Saint-Michel of Tonnerre dhe sidomos atyre të Molesmës, duke shkaktuar kështu reforma në këto manastire. Megjithatë, reforma e vërtetë filloi atëherë kur ai bashkë me gjashtë kryemurgj të tjerë u kthye në Molesme për të marrë, me lejen e kryepeshkopit Hugh, murgjit më të zellshëm për të krijuar një manastir të ri në Cأ®teaux-në e humbur, që ishte në dioqezën e Chalons. Manastiri i Ri filloi jetën në vitin 1098, ditën e Shën Benedikut (21 mars) dhe kjo ditë njihet edhe si ditëlindja e urdhrit. Me urdhër të legatit apostolik, Roberti mori simbolet pastorale nga peshkopi i dioqezës, Gauthier, dhe u ngarkua me përgjegjësinë për të udhëhequr vëllezërit, të cilët ishin menjëherë të gatshëm për të bërë betimin e qëndrueshmërisë. Kështu, Manastiri i Ri, siç u quajt në fillim, u kanonizua menjëherë si abaci (kompleks monastik).
 
Cistersienët vërtet po e ndiqnin Rregullën e Shën Benedikut, por de jure ndjekja strikte e Rregullës filloi vetëm më 18 prill 1100, kur Shën Alberiku, zëvendësuesi i Shën Robertit në Cأ®teaux, dërgoi dy murgj si delegatë te papa Paskali II (pasardhës i Urbanit II) për t‘i kërkuar që të merrte Cأ®teaux-në nën mbrojtjen e Selisë së Shenjtë. Megjithëse cistersienët e refuzonin në fillim ndihmën materiale nga kishat, marrja në mbrojtje nga Selia e Shenjtë e rriti statusin e manastirit të Cأ®teaux-së, duke siguruar kështu bazat ligjore për të ardhmen e këtij urdhri të ri. Në fakt, themeluesit e urdhrit kurrë nuk synuan që të krijonin një urdhër të ri, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por forca tërheqëse e reformave të tyre ishte shumë më e madhe sesa ishte parashikuar, kështu që nga Cأ®teaux, cistersienët do të përhapeshin në të gjithë Evropën për të themeluar shumë manastire të reja, që do të ndikonin në zhvillimin e jetës kulturore të Evropës.

Abatët e Cأ®teaux-së ishin njerëz me ideale dhe vizione të qarta. Pasuesi i Shën Alberikut (ky i fundit vdiq më 1109) ishte Stefan Harding, një anglez i ditur në shkencat laike dhe teologjike. Edhe ai kishte qenë ndër iniciatorët për t‘u larguar nga Molesme, dhe ashtu si Shën Roberti dhe pasuesit e tij, kishte si qëllim kryesor që të luftonte shthurjen e jetës monastike të Klunit dhe të manastireve të tjera. Hyrja e Shën Bernardit në Urdhrin e cistersienëve në vitin 1112 do të ishte sinjal për një zhvillim të jashtëzakonshëm të të gjithë urdhrit.

Periudha e artë e cistersienëve ishte kryesisht shekulli i dymbëdhjetë. Në këtë periudhë shumë abaci filluan që të thyenin disa nga statutet më të rëndësishme të urdhrit, duke akumuluar pasuri nga kishat, vreshtat, të dhjetat si dhe nga transaksionet komerciale me leshin dhe drithin. Edhe disiplina në urdhër filloi që të shthurej pak nga pak, ngaqë përhapja e shpejtë e urdhrit e bëri të pamundur kontrollin rigoroz të statuteve nëpër manastiret e largëta. Pas reformacionit protestant, cistersienët u zhdukën pothuajse fare nga Evropa Veriore.

Lëvizjet reformatore brenda urdhrit filluan në Francë gjatë shekullit të gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë. Reforma më e famshme është ajo që u kurorëzua me ndarjen e urdhrit. Murgjit e manastirit La Trappe kërkuan zbatimin e reformave shumë strikte, duke shkaktuar kështu ndarjen e urdhrit në dy degë. Dega reformatore mori emrin trapistë, për shkak të manastirit ku lindi kjo reformë, kurse dega tjetër e urdhrit njihet si më moderatore.

Franca, burim i reformave kulturore dhe traditës historike fetare
Një karakteristikë e veçantë e Urdhrit të cistersienëve është organizimi hierarkik, duke lënë hapësirë për pavarësi brenda për brenda çdo manastiri. Ishin manastiret ekzistuese ato që duhet të themelonin manastire të reja, të quajtura manastire bija, si dhe të kontrollonin mbarëvajtjen e tyre gjatë jetës së tyre. Të gjitha parregullsitë pastaj duhet të raportoheshin në kapitullin gjeneral, që ishte një mbledhje e përvitshme e abatëve të të gjitha manastireve. Qeverisja e urdhrit të cistersienëve ishte e bazuar në tri karakteristika:
 
Uniformizmi: të gjitha manastiret ishin të detyruara që të vëzhgonin ekzaktësisht të njëjtat rregulla dhe zakone. Këto të fundit ishin të përshkruara jo vetëm në dokumentet bazë si La Charte de Chariti, por edhe përforcoheshin ose zgjeroheshin çdo vit në kapitujt gjeneralë. Murgu i përkiste vetëm manastirit ku kishte bërë betimin dhe nuk lejohej që të ndërronte manastirin.

Mbledhjet e kapitujve gjeneralë: të gjithë abatët e të gjitha abacive duhet të takoheshin në mbledhje të përvitshme, që njiheshin ndryshe si kapitull gjeneral. Kapitujt gjeneralë mbaheshin në Cأ®teaux dhe vazhduan rregullisht deri në vitin 1411. Më vonë nuk mbaheshin më rregullisht. Vendimet e kapitujve gjeneralë kodifikoheshin dhe shpërndaheshin në të gjitha manastiret, ku shërbenin për të organizuar jetën e përditshme të çdo manastiri, sipas një standardi uniform. Kodifikimet më të rëndësishme janë të parët: i pari ishte ai me titull Instituta Capituli Generalis; i dyti mban titullin Institutiones Capituli Generalis; i cili u hartua në vitin 1203 dhe u hodh në qarkullim në vitin 1240. Kodifikimi i tretë u bë në vitin 1289 dhe në vitin 1316 nën titullin "Libelli Antiquarum Definitionum Capituli Generalis Ordinis Cisterciencis".

Vizitat: çdo manastir duhej të vizitohej çdo vit. Sistemi i vizitave dhe kapitujt gjeneralë siguronin mjete të jashtme për të ruajtur standardet, për të përforcuar legjislacionin dhe sanksionet e vendosura.

"Ora et labora", moto për jetë dhe punë të suksesshme jo vetëm në mesjetë
"Ora et labora" (lutje dhe punë), është motoja e cistersienëve dhe e gjithë dita e cistersienëve ishte organizuar në mënyrë strikte sipas këtyre dy parimeve. Jeta cistersiene ishte menduar që të ishte një jetë ku të mbizotëronte lutja e kombinuar me punë artizanale, me studim të biblës dhe me stil jetese që të përshkohej nga një varfëri e theksuar. Ideale për cistersienët ishte që manastiret të ndërtoheshin nëpër vende të humbura, larg nga njerëzit dhe nga qendrat e populluara, dhe kishat ashtu si dhe manastiret duhet të reflektonin varfërinë si ideal të cistersienëve: Ishte i ndaluar përdorimi i arit, argjendit, apo metaleve të tjera të çmuara, madje edhe në objektet liturgjike dhe nuk lejoheshin zbukurimet e kishave apo të banesave.

Manastiret cistersienë janë konsideruar si fabrikat më të organizuara që kanë ekzistuar ndonjëherë në botë, të përdorshme për shumë lloj qëllimesh dhe të specializuara njëkohësisht për të gjitha aktivitetet që mbulonin. Historianët modernë tregojnë përditë e më tepër realitetin e botës mesjetare që deri tani është konsideruar si periudhë e errët. Shkaku për këtë atribut të fundit ka qenë se dokumentet shkruheshin në përgjithësi nga shkruesit e mbretërve, të cilët ishin më tepër të interesuar për të shkruar për luftërat dhe ushtritë e mbretërve, dhe nuk merrnin vesh shumë nga inxhinieria e teknologjia, që "nën rogoz" po ndryshonte botën. Vetëm kohët e fundit, historianët duke u bazuar në metoda ndërdisiplinore dhe sidomos në gjetjet arkeologjike, kanë filluar që të ndryshojnë imazhin që kanë njerëzit për botën e mesjetës. Inxhinierët cistersienë zhvilluan teknologji të reja dhe i shpërndanë njohuritë e tyre në të gjithë Evropën, për shkak se edhe vetë shkonin atje ku nuk kishte vajtur njeri më parë, dhe në të njëjtën kohë mbanin lidhje të ngushta me qendrën e urdhrit nga ku shpërndaheshin edhe të rejat e fundit. Cistersienët bënë shumë novacione edhe në botën e dorëshkrimeve, të arkitekturës, jetës sociale etj. Përderisa puna artizanale çliroi duart dhe mendjet e gjenive të mesjetës, natyrisht që u bë më e mprehtë nevoja që njohuritë e fituara të transmetoheshin disi më lehtë. Kështu cistersienët u bënë të parët që organizuan teknologjinë e prodhimit të librave të shkruar me dorë. Ata ishin të parët që zhvilluan skriptorium monastik (dhomë e veçantë ku vetëm shkruhej) dhe shpikën indekset alfabetike dhe faqosjen. Ata ishin të parët që arritën të prodhonin libra në masë, para se të zbulohej makina e shkrimit nga Gutenbergu. Kudo që shkonin, mjeshtërit cistersienë e bënë praninë e Urdhrit të dukshme edhe nga paraqitja e jashtme. Stili që ata zhvilluan në arkitekturë përbën një ndër stilet më të bukur që ka njohur kjo fushë.

Rëndësi të veçantë cistersienët kishin edhe në jetën politike dhe sociale të vendit. Atyre shpesh u ngarkoheshin detyra reformatore nga papët, apo përgjegjësi mediatore nga shoqëria. Në manastirin e Kasamarisë në Itali për shembull kemi një ilustrim shumë interesant nga aktiviteti i cistersienëve. Ky manastir ishte i banuar më parë nga benediktë, të cilët në fakt nuk po bënin një jetë shembullore si të krishterë, kështu që papa u bëri thirrje cistersienëve që të merrnin përsipër këtë manastir dhe të vendosnin rregull në të. Cistersienët fituan një famë kaq të mirë aty, saqë më vonë iu kërkua që të ndërhynin për zgjidhjen e konflikteve midis feudalëve vendas në Sicili. Si shpërblim ata morën shumë dhurata nga këta princër sicilianë.
 
Përhapja, zhvillimi, roli dhe rëndësia e urdhrit të cistersienëve në
Evropë dhe në Shqipëri
Urdhri i cistersienëve, ose urdhri i murgjve të bardhë siç quhej ndryshe, për shkak të rrobës së bardhë që mbanin, ndryshe nga benediktët që mbanin rrobë të zezë, u rrit shumë sidomos nën ndikimin e Shën Bernardit. Në vitin 1113, Cأ®teaux ishte në gjendje të dërgonte koloninë e tij të parë për të themeluar filiacionin e parë, La Ferti, në dioqezën Chalons. Në vitin 1114 u formua një koloni tjetër në Pontigny, në dioqezën Auxerre, dhe më 1115 Bernardi themeloi Clairvaux-në në dioqezën e Langres dhe në të njëjtin vit u themelua Morimond-i në të njëjtën dioqezë të Langres. Këto ishin katër manastiret mëmë, nga të cilat do të merrnin jetë gjashtëdhjetë e tetë manastire të tjera vetëm gjatë jetës së Shën Bernardit. Rreth vitit 1152 ekzistonin mbi 300 manastire dhe mbi 11000 murgj dhe murgesha cistersienë, dhe në fund të shekullit të trembëdhjetë Urdhri kishte arritur numrin e 740 manastireve. Asnjë formacion tjetër fetar nuk është rritur me këto ritme. Urdhri u përhap në të gjithë Evropën: nga Suedia në Portugali dhe nga Skocia deri në vendet e Mesdheut lindor, duke çuar kudo progresin teknologjik dhe organizativ që rrallë njihej në vendet ku ata shkelnin për herë të parë. Në përgjithësi, cistersienët vërtet vrapojnë pas vendeve të humbura e të pabanuara, por njihen si strategë në zbulimin e "shkretëtirave" shumë pjellore. Si rastësisht ata gjenin vendet më premtuese për realizimin e qëllimeve të tyre, kështu që me punën e tyre ata arrinin rezultate shumë të kënaqshme, gjë që i bëri të njiheshin si urdhri më i pasur i mesjetës. Urdhri i cistersienëve u përhap edhe në lindje të Adriatikut, dhe ndër të tjera vende edhe në territoret e Shqipërisë. Kunavia, që sipas Senekës quhej "shkretëtirë", ishte një vend me male të shumtë, të pyllëzuar dendur si dhe të pasur me kullota (shih Farlatin, VII, f. 408), pra edhe me kaq mjaft e dëshiruar për cistersienët.

Megjithatë duhet të shtojmë që nuk ishte vetëm parajsa e egër dhe e virgjër ajo që tërhoqi cistersienët të vinin këtu, por edhe misioni i tyre për të pushtuar sa më shumë toka jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore, dhe mundësisht sa më shumë prej Bizantit. Në shekullin e njëmbëdhjetë, Kunavinë e gjejmë në dokumentet greke, dhe i përkiste ritit bizantin, por në shekullin e trembëdhjetë, në një letër të Papës Inocent IV, më 8 gusht 1250 i bëhet thirrje Urdhrit të Predikatorëve në Hungari që ndër të tjera të kujdeset edhe për Kunavinë, "në të cilën disa peshkopë dhe shumë klerikë jetojnë nën dominimin e grekëve, por që duan sinqerisht ritin e kishës së shenjtë Romane" (Shuflaj, AA, I, f. 199). Në shekullin e katërmbëdhjetë, Kunavia jo vetëm që ishte tashmë katolike, por i përkiste një ndër urdhrave më reformatore monastike të mesjetës: cistersienëve.


Kunavia me manastirin e parë të njohur deri tani si një mollë sherri në mes kryepeshkopatës së Tivarit dhe mitropolisë së Durrësit

Ishte emërimi i Joannes de Hoyo si abat në manastirin e Kunavisë, ai që e mprehu këtë konflikt, i cili do të zgjidhej më vonë nga Papa Gjon XXII. Joannes de Hoyo kishte qenë dikur murg në manastirin cistersien të Leoncello-s, që bënte pjesë në dioqezën e Valentinit në Dalmaci. Ai u emërua dhe u shenjtërua nga Andreasi si kryepeshkopi i Tivarit, në një kohë kur Kunavia ishte sufragan i mitropolisë së Durrësit. Kështu Andrea, i cili dikur i përkiste Urdhrit të Françeskanëve, në këtë kohë kryepeshkop i Tivarit, rrezikoi dhe humbi gjithçka nga pretendimi të merrte nën autoritetin e kryepeshkopatës së Tivarit sufraganinë e Kunavisë. Se sa i ndërgjegjshëm kishte qenë Andrea në një ndërmarrje të tillë, kjo nuk dihet me siguri. Sidoqoftë rezultati ishte fatal për karrierën e tij. Edhe Johannes de Hoyo u largua në Spanjë, ku në vitin 1346 Joannes de Hoyo e gjejmë si peshkop të kishës Delmitensi. Për fat të keq, dokumentet që kemi në dorë tani për tani nuk na lejojnë që të hedhim më shumë dritë mbi cistersienët në Shqipëri. Megjithatë jemi të sigurt që kjo situatë është e përkohshme.

G.Shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top