Sa fetarë jemi ne shqiptarët dhe ç’fe besojmë?

Gazolina

Moskokecarese
Ka kohë që në Shqipëri debatohet mbi përfshirjen ose jo në instrumentin e përgatitur për regjistrimin e popullsisë të pyetjeve që kërkojnë informacion mbi përkatësinë etnike dhe atë fetare të shtetasve shqiptarë. E para është një çështje politikisht shumë delikate dhe, prandaj, edhe shumë sensitive, pasi pasqyrimi eventualisht shpërpjestimor dhe i pasaktë i përkatësisë etnike të popullsisë që jeton brenda kufijve territorialë të Republikës së Shqipërisë, të cilit i tremben shumica e njerëzve që janë shprehur publikisht kundër përfshirjes së një pyetjeje të tillë, mund të ketë konsekuenca politike, sociale dhe ekonomike jashtëzakonisht negative, madje tragjike, për kombin shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve të vendit. Disa prej këtyre pasojave, historianët dhe ekspertët tanë më të mirë të së drejtës ndërkombëtare i parashikojnë me alarm dhe i argumentojnë mjaft mirë.



Në 20 vjetët e fundit: më shumë kinezë sesa grekë

Edhe pse nuk jam ekspert në asnjërën prej këtyre dy fushave, unë i kuptoj dhe i mbështes plotësisht shqetësimet dhe argumentet e tyre për të mos përfshirë në pyetsorin e regjistrimit të popullsisë një pyetje që ka të bëjë me përkatësinë etnike të shtetasve shqiptarë. Si sociolog që jam, mund të them se, ndryshe nga përkatësia fetare (apo nga identiteti fetar i një individi), e cila përbën një fakt social subjektiv, përkatësia etnike e tij përbën një fakt objektiv, i cili nuk mund të ndryshohet me dëshirën, ose me vullnetin e vetë individit, edhe nëse ky preferon të deklarohet, ose deklarohet i një kombësie tjetër. Në këtë kuptim, në kushtet kur niveli i lindjeve në radhët e të gjitha grupeve etnike, të cilave u përkasin shtetasit shqiptarë, nuk ka pësuar përpjestimisht ndonjë ndryshim dhe, po kështu, migracioni nga jashtë i elementëve me kombësi joshqiptare nga ato grupe etnike (dhe qarqe politike―kryesisht greke) që insistojnë në rivlerësimin e përkatësisë etnike të shtetasve shqiptarë thuajse nuk ekziston, sot, në vitin 2011, në Shqipëri, në raport me (ose si përqindje ndaj) krejt popullsisë së vendit, objektivisht nuk nuk mund të ketë një komunitet etnik grek më të madh sesa dhjetë, njëzetë, apo tridhjetë vjet më parë. Nëse deri 20 vjet më parë ky komunitet ka përbërë vetëm 2-3 përqind të popullsisë së vendit, nuk ka asnjë arsye objektive dhe asnjë logjikë demografike, për shkak të të cilave përqindja e këtij komuniteti në popullsinë e sotme të Shqipërisë të jetë më e madhe. Përkundrazi, duke filluar nga vitet 1990 e këtej, në Shqipëri, si përqindje ndaj popullsisë së përgjithshme të vendit, është shtuar numri i kinezëve dhe jo i grekëve. Edhe nëse ka individë, të cilët, duke qenë jo thjesht shtetas shqiptarë, por shqiptarë nga pikëpamja e përkatësisë etnike, sot, për arsye nga më të ndryshmet, mund të deklarohen grekë, maqedonas, italianë, suedezë apo amerikanë, këta objektivisht nuk mund të jenë të tillë. Subjektivisht ata mund të jenë çfarëdo që mund të fantazojnë, madje edhe “aliens”, jashtëtokësorë, të ardhur nga cilido planet apo galaktikë që dëshirojnë.



Një paradigmë e re mbi përkatësinë fetare të shqiptarëve

اështja e regjistrimit të përkatësisë etnike të shtetasve shqiptarë, për mendimin tim, është parasëgjithash një çështje politike, jo thjesht një çështje demografike dhe, si e tillë, kërkon një zgjidhje politike, jo një trajtim burokratik. Në këtë shkrim, unë nuk dua të merrem më tej me të, por dëshiroj t’i kthehem çështjes së dytë, asaj që ka të bëjë me përkatësinë fetare të shtetasve shqiptarë dhe me përfshirjen në instrumentin që do të përdoret në regjistrimin e popullsisë së vendit të një pyetjeje, e cila kërkon nga çdo shtetas (por në asnjë mënyrë nuk duhet ta detyrojë atë) të deklarojë besimin e tij fetar.

Më parë, sidoqoftë, më lejoni t’i bëj të njohur publikut shqiptar një fakt sociologjik, i cili jam i sigurtë se ka mbetur i panjohur për pjesën më të madhe të tij. Në tetor 1991, Sektori Shkencor i Sociologjisë pranë Fakultetit të Filozofisë dhe të Sociologjisë të Universitetit të Tiranës, të cilin unë pata nderin ta drejtoj për një vit si Dekani i parë i tij, kreu të parin sondazh të opinionit publik shqiptar, në bashkëpunim me (dhe për llogari të) USIA-s (United States Information Agency), në atë kohë një organizëm i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara. Një kampion përfaqësues prej 1,000 vetash u intervistua në 15 rrethe të vendit. Instrumenti u përpunua në Uashington dhe u redaktua e u plotësua në Tiranë. Ndër 100 pyetjet që përmbante ai, për të parën herë në një sondazh që kryhej në Shqipëri bëhej edhe pyetja mbi përkatësinë fetare të shqiptarëve. Rezultatet e sondazhit (me një marzh gabimi 3 përqind) për këtë çështje ishin shokuese në atë kohë për Uashingtonin zyrtar. Sidoqoftë, në gjykimin tim, si drejtuesi i atij projekti, ato rezultate ishin shumë pranë të vërtetës dhe, në një masë të madhe, mbeten të vlefshme edhe sot, pas 20 vjetësh. Gjetjet e këtij sondazhi thyen për herë të parë klishenë e një Shqipërie 70% myslimane, duke dhënë këtë rezultat mbi perkatësinë fetare të shqiptarëve:

52.4 përqind pohuan se janë jobesimtarë (“nonbelievers”, ose “don’t know”);

26.0 përqind u identifikuan si myslimanë;

14.7 përqind u identifikuan si të krishterë ortodoksë;

6.9 përqind u identifikuan si të krishterë katolikë.

Edhe pse sondazhi në fjalë u krye në një periudhë shumë të veçantë për vendin tonë, kur tranzicioni demokratik sapo kishte nisur dhe feja në Shqipëri sapo ishte çliruar nga interdikti që i kishte vënë shteti komunist për disa dekada me radhë, unë kam bindjen se rezultatet e atij sondazhi pasqyrojnë më saktë realitetin shqiptar sesa të dhënat e çdo sondazhi tjetër mbi çwshtjen e përkatësisë fetare të shqiptarëve të kryer deri më sot, qysh nga viti 1929.



Statistika të vjetra, “statistika” të reja dhe realitete kokëforta

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Shqipëri, në të cilin shtetasve shqiptarë u është kërkuar të pohojnë besimin e tyre fetar, është kryer në vitin 1929. Në atë kohë, rreth 70% e shqiptarëve janë vetëdeklaruar myslimanë, 20% të krishterë ortodokë dhe 10% të krishterë katolikë. Edhe pas 80 e ca vjetësh, këto janë të dhënat që (përmes metodologjisë “cut and paste”) CIA vazhdon të publikojë për Shqipërinë në versionin e përditësuar më 23 gusht 2011 të botimit të saj The World Factbook. Edhe më keq akoma, një studim demografik krejt i dyshimtë, i kryer (me intervistues shqiptarë tërësisht të patrajnuar) nga organizata amerikane Pew Research Center në vitin 2009, e nxjerr përqindjen e popullsisë myslimane në Shqipëri në 79.9%. Të dhëna të tilla nuk shprehin në asnjë mënyrë realitetin e sotëm të Shqipërisë. Të paktën për tri arsye kryesore:

Së pari, në vitin 1929, popullsia e Shqipërisë ishte rreth 800,000, ndërsa sot është mbi katër herë më e madhe, çka do të thotë se përqindja e njerëzve që i përkasin një denominacioni fetar të caktuar nuk rritet përpjestueshmërisht me rritjen e vetë popullsisë.

Së dyti, gjatë gjysmëshekullit komunist, feja dhe ushtrimi i saj në Shqipëri u ndaluan me ligj, ndërsa ateizmi u imponua si e vetmja fe zyrtare. Për këtë arsye, dy gjenerata shqiptarësh u lindën, u rritën dhe u socializuan pa ndikimin e përditshëm të fesë dhe të institucioneve të saj në jetën e tyre, në kushtet kur çdo fe ishte rreptësisht e ndaluar të praktikohej dhe mungonin insitucionet në të cilat ajo mund të praktikohej.

Së treti, gjatë 65 vjetëve të fundit kanë ndodhur ndryshime jashtëzakonisht të mëdha në fushën e arsimit e të kulturës dhe shqiptarët e sotëm, pjesa më e madhe e të cilëve janë në moshë te re, nuk mund të kenë të njëjtin botëkuptim (filozofik, social apo fetar) as të viteve 1920 apo 1930, dhe as atë të viteve 1980. Kjo është e vërtetë edhe për shoqëritë e tjera, të cilat po urbanizohen, po modernizohen dhe po globalizohen gjithnjë e më shumë.



Origjina fetare dhe përkatësia fetare

Të dhënat e vitit 1929 dhe, rrjedhimisht, edhe të dhënat e CIA-s mbi përkatësinë fetare të shqiptarëve sot nuk mund të jenë dhe nuk janë aspak të sakta edhe për një arsye tjetër shumë të rëndësishme. Mund të pranohet dhe është krejt e mundur që 70% e shqiptarëve të kenë origjinë fetare (nga prindër) myslimanë, por feja, ndryshe nga kombësia, nuk është një karakteristikë me të cilën njerëzit lindin. Asnjë nga ne nuk lind as me idetë gjeometrike karteziane, as me idenë e Zotit. Këto ne i mësojmë dhe i bëjmë (ose jo) pjesë të botëkuptimit tonë gjatë jetës, në varësi të rrethanave ekonomike, sociale dhe kulturore në të cilat socializohemi dhe risocializohemi. Feja është një botëkuptim, një çështje besimi individual dhe, për këtë arsye, çdo njeri ka atë fe me të cilën identifikohet ai vetë, pavarësisht besimit fetar që kanë nëna apo babai i tij.

Përkatësia fetare është një gjë krejt tjetër nga origjina fetare. Unë vetë nuk i përkas asnjë feje; po kështu më kanë thënë edhe prindërit e mi, pavarësisht se prindërit e tyre dhe të parët e tyre, kanë qenë të krishterë ortodoksë. Po feja e fëmijëve të mi? Pyesni ata. Ata mund të zgjedhin të besojnë në cilëndo fe që të duan, madje edhe të mos besojnë në asnjë fe, por në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye nuk janë lindur të krishterë ortodoksë, pra edhe nuk janë të tillë, n.q.s. nuk kanë zgjedhur vetë të përqafojnë këtë besim fetar. Origjina fetare nuk ka të bëjë me ne, ose me familjen tonë të prokrijimit; ajo ka të bëjë me të parët tanë (më imediatisht me prindërit tanë), pra me familjen e orientimit të secilit prej nesh. Përkatësia fetare, nga ana tjetër, ka të bëjë me vetë individin që përfaqëson secili nga ne. Duke qenë një botëkuptim, feja subjektivizohet tek çdo individ i veçantë në formën e një cilësie individuale. Njeriu është fetar (pavarësisht denominacionit konkret), jo sepse prindërit e tij kanë qenë ose janë fetarë, por vetëm nëse ai vetë identifikohet si i tillë. Për këtë arsye, djali (apo vajza) i një prindi mysliman mund të jetë katolik, mund të jetë ortodoks, mund të jetë protestant, mund të zgjedhë të konvertohet edhe në hebre, ose mund të mos identifikohet me asnjë fe nëse ai (ose ajo) është skeptik apo ateist. Pra, jo të gjithë kemi një përkatësi fetare të dhënë, ose të trashëguar, ndërkohë që pothuajse të gjithë ne, shqiptarët, vijmë nga familje që tradicionalisht kanë aderuar në njërën ose tjetrën nga të trija fetë e mëdha që vazhdojnë të ekzistojnë në vendin tonë.



“Problemi” fetar dhe fondamentalizmi fetar

Duke i bërë të njohura edhe në raste të tjera faktet e sipërpërmendura të sondazhit në fjalë, individë të ndryshëm kanë sugjeruar se me këtë unë e “problematizoj” fenë myslimane! Ky është një arsyetim absurd. Natyrisht, feja myslimane nuk përbën asnjë lloj problemi, siç nuk përbën problem asnjë prej feve të tjera, nëse nuk bëhet fjalë për fondamentalizëm religjioz, i çdo lloji qoftë ai (fondamentalizëm i krishterë, islamik, budist, scientologist, mormon, evangjelist apo ku ta di unë). Ajo që është e veçantë në fenë myslimane tek shqiptarët është se kjo fe (ndër të trija fetë e mëdha që ekzistojnë në vendin tonë), është feja më e re në kohë, ekzistenca e së cilës daton jo më larg se 600, 500, apo 400 vjet më parë. Edhe pse si katolicizmi, ashtu edhe ortodoksizmi, janë fe të importuara dhe të imponuara mbi një popull pagan në origjinën e tij, siç kemi qenë ne shqiptaret, imponimi i fesë myslimane për shkak të pushtimit të gjatë otoman është një fakt më i freskët në memorien kolektive të shqiptarëve sesa konvertimi i pjesës më të madhe të shqiptarëve në fenë ortodokse pas krijimit të Bizantit, apo në fenë kristiane këtu e dymijë vjet më parë. Ndoshta ky fakt bën që feja myslimane të jetë disi “problematike”, ngaqë duke qenë e imponuar mbi një popull, i cili historikisht është njohur për pragmatizmin e tij fetar dhe politik, ajo nuk ka ato rrënjë të thella në kombin shqiptar që ka, fjala vjen, katolicizmi. Po kështu, unë besoj se asnjë fe dhe asnjë botëkuptim apo organizatë politike nuk është “e keqe në vetvete” për sa kohë që ajo nuk synon tru-shpëlarjen e njerëzve dhe indoktrinimin e tyre, siç bënë në kohën e tyre Inkuizicioni, bolshevizmi, nazizmi dhe sot fondamentalizmi ekstrem i çdo ngjyrimi fetar që mund të jetë. Gazeta MAPO (Fatos Tarifa)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 57.1%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 0 0.0%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 3 42.9%
Back
Top