Romë 1941, rebelimi i gardistëve shqiptarë në oborrin perandorak

Love

βeℓℓe â๓e
Kujtimet e protagonistit: Si u trondit Musolini

Nga:
Luan Shtëpani

gardistet-1.jpg


Po mbushen 72 vite, nga ngjarja e cila tronditi oborrin perandorak në qendër të Romës. Në mars të vitit 1941, gardistët shqiptarë do të rebeloheshin duke bojkotuar kryerjen e shërbimit të rojes në oborr, liridaljen në qytet, ushtrimet, etj. Shkak u bë botimi i një studimi të akademikut Xhiovani Papini botuar në disa gazeta italiane të kohës. Në këtë studim, theksohej se Italia ka pushtuar Libinë, Abisininë dhe Shqipërinë, sepse këto popuj janë “të braktisur”, “të prapambetur”, dhe “gjysëm- barbarë”. Ky fakt ndezi gjakrat e ushtarëve shqiptare, të cilët qenë rradhitur në gardën perandorake.

Një nga protagonistët kryesor të kësaj revolte, Hysni Metani, biri i një familje të nderuar në Tiranë, do të mbante një ditar për periudhën shkurt–mars 1941, ku tregohet me detaje se çfarë ndodhi ato ditë në oborrin perandorak. I revoltuar për atë që ishte shkruar, z. Metani do të shprehej kështu: “tani edhe një herë, Shqipëria flamur nuk ka, ndërsa Skënderbeu qëndron monument në mes të Romës, siç duket për italianët, se sa për shqiptarët që janë gjallë ata janë … “barbarë”, pra nuk ka më shqiptarë!… E kështu filloi greva, ku në ditën e pestë të saj, do të shënohej kjo ngjarje. Rojtarët shqiptarë, do të mblidheshin në oborrin e kazermës, ku komandanti i batalionit shqiptar, një nënkolonel italian i quajtur Lisone, me shprehje “pro shqiptare” do të luante bukur lojën për të shuar këtë lëvizje. Ai do të deklaronte në takim se shqiptarët i njihte mirë, se ishin kreshnikë, mikpritës, fisnikë dhe të besës, me karakter të lartë, me edukatë, ndërsa Papini dhe Kordinjano që ka shkruar kundër shqiptarëve, janë “budallenj”, “të lojtur”, dhe “maskarenj”. Pas shumë orvatjeve të tij, për t’i bindur shqiptarët që të ndalnin grevën dhe pas shumë ndërhyrjeve, ai do të fliste më nënkuptime se organizator ishte Hysniu, për të cilin siç do të tregohet më pas ishte dyshues se kishte bërë një shkrim kundër tij në Shqipëri në një gazetë sportive. Pra, do të zbulohej në një farë mënyre se Hysniu ishte gazetar dhe se ai i kishte nxitur të tjetër. Pas largimit të Lisones dhe deklaratës së z. Metani se greva do të vazhdojë, gjendja u bë alarmante. Në këtë kohë, shqiptarët morën një vendim të rëndësishëm dhe të njëzëshëm, se “po të sulmoheshin do të përgjigjeshin me zjarr”, ku pati dhe nga ata që menduan se italianët nuk do ta bënin një veprim të tillë, sepse do të kishte pasoja të rënda.

Erdhi lajmi që rreshteri Hysni Metani duhej të paraqitej në komandë për disa sqarime. Nëse ai do të burgosej, i gjithë batalioni shqiptar vendosi që do të shpëtohej me çfarëdo lloj çmimi. Siç tregon në ditarin e tij Hysniu, këtë radhë komandanti e filloi bisedën më butë. Kërkonte që të niste jeta normale në kazermë, të dilnin në qytet, duke bërë shpeshherë pyetje provokative. Ndërsa Hysniu do të reagonte kështu: “Papini është akademik i madh italian. Përkundrazi ju thatë se ai ishte një budalla. Mirëpo budalla ose jo, ai ka shkruar. Tani unë personalisht si shqiptar desha një shpjegim; a jam me të vërtetë barbar, apo ai ka gabuar”. Dhe nëqoftëse është kështu, le ta ndreqë këtë me anën e atij mjeti që gaboi, pra me anën e shtypit, ose ne mbetemi barbarë”.

Më tej, ai do të shprehej se siç janë gjithë italianët të bashkuar me shqiptarët “barbarë” edhe këtu në Romë, një batalion shqiptarësh “barbarë”, ku ju jeni komandant, rrjedhimisht jeni të tillë si ata, dua të them: si ne. Pas këtyre fjalëve, komandanti duhet të sigurohej se nuk do të kishte reagim nga gardistët në shtyp, duke i kujtuar rreshterit rregullat ushtarake. Para së gjithash jam shqiptar dhe pastaj ushtar- iu përgjigj Hysniu, i cili shtoi se nuk do t’i përgjigjej me shkrim akademikut italian. Biseda po shkonte drejt acarimit, për shkak të refuzimit të z. Metani për tu thënë të tjerëve që të dalin jashtë në liridalje. Më në fund komandanti në irritim e sipër, do të shprehej se sipas një raporti politik, që vinte nga Tirana t’i (iu drejtua me gisht rreshter Metanit) je gazetar.

Unë gazetar? Ju faleminderit zotëri për titullin që më dhatë! – ia kthen rreshteri i cili me ironi i tregon se nuk ka studiuar për këtë gjë e cila reflektohet dhe në fletën e tij matrikullore. Unë ju njoh juve – tha komandanti. Kur kam qenë organizator sporti në Korçë t’i ke shkruar në gazetën “Sporti Shqiptar” që dilte me fletë të kuqe, një kritikë kundër meje. Drejtorin e njohja, por korrespondentin jo, tashmë e di, ai je t’i!. Hysniu e mohoi, duke treguar se ai që ka shkruar duhet të ketë qenë sportist dhe jo ushtarak. Të gjithë po prisnin përfundimin e bisedës, ndërsa Lisone ishte i bindur se veprimi i gardistëve shqiptarë ishte një kryengritje e armatosur. Hysniu doli nga zyra, u takua me shokët dhe në bisedë me ta u shpreh se greva duhet të vazhdonte. U zgjodh dhe një këshill që do të udhëhiqte gjithë qëndresën. Jehona e ngjarjes së oborrit të Viktor Emanuelit të Tretë, u ndje jo vetëm tek italianët, por dhe tek shqiptarët e Romës, veçanërisht tek studentët. Ato u drejtuan drejt kazermës, ku i njoftuan gardistët se të njëjtën gjë kishin bërë dhe në fakultetet e tyre. Kishin firmosur një peticion, të cilën ia kishin dërguar redaksive të gazetave italiane, por nuk morën asnjë përgjigje.

Pas Papinit, dhe artikulli studiues i Kordinjanos do t’i nxiste më tej gardistët për ta vazhduar grevën. Ai do t’i cilësonte shqiptarët bastardë, mercenarë që i shërbejnë të fortit, pa idealizëm si komb dhe pa dëshirë për kulturë dhe përparim. Shkon dhe më tej, duke thënë se me plaçka fjalësh të huaja kanë hartuar një përshtjellim zërash që e quajnë “gjuha shqipe” dhe prej këtij emërtimi të shqiptimit; madje quhen shqiptarë.
Në këtë situatë konkluzioni i gardistëve për shkrimet ishte i qartë; Italia po bënte të gjitha përpjekjet për të errësuar çdo gjë shqiptare. Duhej patjetër të krijohej një imazh i keq për shqiptarët që ato të mos mbështeteshin në veprimet e tyre antifashiste. Mendohet se jehona e grevës ka shkuar deri tek Duçja nisur nga ecje-jaket e shumta të personaliteteve qeveritare dhe masave që u morën për të larguar repartet e tjera rreth e rrotull oborrit perandorak. Dyshja Kordinjano- Papini do të bëhej problem dhe në Shqipëri ne gazeta e libra.
Letra e Papinit për Gazetën “Tomori”

Më 25 mars 1941 në numrin e saj të 81 kjo gazetë boton shënimin “Italia dhe Shqipëria- një letër e Xhovani Papinit”. Më thonë se shënimi i bërë nga unë, përsa i përket Shqipërisë në një shkrim timin të fundit i ka habitur lexuesit shqiptarë. Më vjen shumë keq që me ato radhë kisha qëllim të flisja për gjendjen e braktisur në të cilën i kishte lënë disa krahina të Shqipërisë regjimi i kaluar dhe në mënyrë të posaçme, përparimet dhe pajisjet civile të këtyre viteve të fundit, qëkurse mbretëria shqiptare ishte bashkuar me Italinë me një mbret të përbashkët. E njoh historinë e moçme dhe të re të vendit tuaj, si çdo italian i kulturuar, traditat lavdiplote të atdheut të Skënderbeut”.
Poshtë letrës së Papinit, redaksia boton artikullin e vet, duke shprehur mendimin se Papini ka bërë dy gabime, si atje ku thuhet “..Italia e mori për vete Shqipërinë dhe “..ky vend është i prapambetur i braktisur dhe gjysëm barbar”.
Nga ana tjetër redaksia shton; “megjithë këtë ne na gëzon fakti se nuk ka dashur të na fyej..” dhe se “Papini nuk i ka thënë me qëllim”.

Reagimi
Pas përgjigjes së Papinit, reagojnë gardistët e Romës. Ata pranuan përfundimet e shokut të tyre, Hysniut, i cili shkroi: Më 20 mars të 1941 këtu mbërriti një gazetë shqipe, ajo mbante dt 17 mars dhe kishte si kryeartikull një shkrim me titull “Një gabim i Xh. Papinit.” اështja pra mori dhenë….. Hë për hë le të jetë kështu. Por, unë kam për të thënë të tjera në lidhje me trajtimin që i bëhet kësaj çështje në gazetë. Nënshkrimi i artikullshkruesit nuk është i një shqiptari dhe rrjedhimisht ky artikull nuk shërben për opinionin në Shqipëri, por për atë në Itali. Nëse thuhet se deklarata vlen edhe për opinionin e italianëve në Shqipëri, kjo nuk ka të bëjë me ta, sepse italianët e ardhur jetojnë vetë me shqiptarët dhe sidomos jetojnë si pushtues dhe sundues….. Megjithatë renegatët le ta marrin si fakt historik këtë ngjarje. Vetëm se ky fakt, duhet të shënohet më gjërë, sepse deri më tani nuk është thënë i plotë.

Kryeartikulli mban titullin shqip “gabimi” ndërsa italisht “svista” ku e gjetën shqiptarët këtë cilësim në gjuhën italiane?. Megjithatë merret vesh, mesa kuptoj unë “gabimi” nuk mund të përkthehet në italisht “svista” sepse kjo në shqip nuk do të thotë “gabim”. Unë jam i sigurtë se italianët në Shqipëri këtë të përkthyer e marrin si “rrëshqitje syri”, “shparje” apo “mosparje” dhe jo “gabim” sepse kjo do të thotë: në shkrim e sipër Papinit i ka “rrëshqitur”, syri dhe pra nuk ka gabuar në studimet mbi popullin shqiptar gjatë historisë dhe në ditët sotme. Atij vetëm i ka rrëshqitur….. kjo “thënie” që për ne është “pikëpamje”. Kësaj i thonë të mos ua prishës qejfin italianëve dhe Papinit me shokë të tjerë akademikë”. A tha se kjo është polemikë? Sidoqoftë, kam qejf mos të humbasin këto hollësira.

ثshtë fakt që në Shqipëri u mbajt një qëndrim i rreptë dhe ndaj Kordinjanos. Fashistët amplifikuan “korrigjimin e Papinit dhe përkrahën botimin e librit “Skandali Kordinjano dhe mbrojtja e kombit shqiptar” nga Nikë Barcella. Pra, nga njëra anë, kemi fashistët që me botimet përligjën pushtimin e Shqipërisë dhe nga ana tjetër për tu mbrojtur bënë të kundërtën, duke detyruar korrigjimin e Papinit dhe botimin e librit të Barcellës kundër Kordinjanos. Për këtë libër nuk dihen hollësi, gjë që përbën një shkas që historianët të hulumtojnë.

Veprimtaria e Hysni Metanit
Hysniu që në vogëli është marrë me lexime. Ishte njeri që merrte shënime e mbante ditar. Filloi të shkruaj artikuj për ndeshjet futbollistike dhe veprimtaritë atletike të kohës e t’i botojë në gazetën “Sporti Shqiptar”. Po ashtu ka shkruar dhe artikuj politikë ku dërgoi për botim njërin prej tyre. Ai së bashku me shokët e tij ishin kritikë të situatës. Lexonin letërsi idologjike. Gjykuan se e vetmja mënyrë për t’i bërë të rinjtë për vete ishte që të krijonin skuadra futbolli në të gjithë lagjet e Tiranës sepse skuadra e tyre “Tomson” prej kohësh nuk po grumbullohej më. Krijohen skuadrat “shpresa” dhe “rrufeja”. Qëllimi ishte që rinia e Tiranës të dëfrehej me ndeshjet dhe të bashkohej e edukohej me frymën e vllazërimit. Pas largimit të z. Metani në Itali si gardist, dy skuadrat bashkohen, krijohet “Shprefeja” e cila qe pishtare jo vetëm e bashkimit të të rinjve, por me ndeshjet e saj të suksesshme kundër skuadrave fashiste shtoi dozat e urrejtjes ndaj tyre.

Hysniu së bashku me shokët e tij ndikuan dhe në ngritjen e grupeve teatrore. Përkrahën studentët dhe qytetarët e Tiranës që morë pjesë në demonstratën e parë kundër rrezikut të pushtimit fashist. Hysniu mori drejtimin e grumbullimit dhe klasifikimit të vullnetarëve që do të shkonin në bregdet, pasi të armatoseshin. Fill pas pushtimit të Italisë qeveria bëri rekrutimet e para. Si njeri i përgatitur fizikisht që merrej me sport dhe me shkrime, u gradua fillimisht tetar e shumë shpejt rreshter. Për këto cilësi iu komunikua se do të shkonte me shërbim në Romë si gardist pranë oborrit perandorak. Në rrugët e Romës shumë shpejt do të parakalonte një batalion ushtarësh shqiptarë me një trupë të madhe muzikantësh. Italianët e habitur nuk po u besonin syve nëse ato ishin ushtarë, apo muzikantë. Dikush ishte shprehur se “jemi ne italianët që kemi pushtuar Shqipërinë, apo janë shqiptarët që na kanë zaptuar ne”. Gardistëve shqiptarë menjëherë iu caktua deviza, veshje kombëtare shqiptare me fustanellë e kësule, ndërsa në emërtesë fjala “mbretërore” u zëvendësua në “perandorake”, ku dihet se Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë perandori. Hysniu tregon në ditar, detaje për oborrin perandorak, se si ata morën në dorëzim nga reparti i mëparshëm italian komandën e rojes. Pallati mbretëror me një oborr të shtuar me gurë dukej si kështjellë muze.

Do të kalonin kohë, nga përplasja mes italianëve dhe shqiptarëve të oborrit. Derisa një ditë jepet urdhëri që Hysniu së bashku me të tjerë do të largoheshin. Me një urdhër sekret nga Ministria e Luftës do të transferoheshin në ishullin e Sardenjës “të dënuar, si turbullues”. Përpara se ata të largoheshin u dha urdhëri që të mblidhej i gjithë batalioni shqiptar i oborrit perandorak, për përgatitje parade. Ndërsa “turbulluesve” u thanë të shkonin për të marrë rrobat e gjithçka që kishin. Kur Hysniu së bashku me shokët po dilnin përtej portës së oborrit u dukën rradhët e para të batalionit që po kalonte me marsh parade. Gardistët u kthyen nga shokët e tyre duke i nderuar ushtarakisht, gjë që bënë dhe ata, duke mbajtur të shtrirë pëllëmbën para kasketave sikur të ishin komandantët e tyre. Banda frymore ekzekutoi një melodi tjetër ku të gjithë në kor kënduan”
“Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë,
“Vraponi burra se s’ka me prit ……
Nga viti 1941 deri në verën e vitit 1943 Hysni Metani do të qëndronte i internuar në ishullin e Sardenjës. Pas kapitullit të Italisë u kthye në Shqipëri. Më 1944 kalon në radhët partizane në brigadën III-të sulmuese, njëkohësisht luftoi për çlirimin e Kosovës duke qenë anëtar i axhitpropit si redaktori i gazetës së asaj njësie. Pas çlirimit të vendit ishte korrespondent i gazetës “‘Luftëtari”, dhe në revista të ndryshme. Mori “Statusin” e veteranit të luftës antifashiste nacionalçlirimtare.

*Ky shkrim bazohet në kujtimet e Hysni Metanit të cilat janë të përmbledhura në një libër nga Selman Vaqari.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top