Rama: Pas 36 orësh do të bëjmë histori, Berisha: Më 28 qershor do fitojë Shqipëria

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Banderola, flamuj, deltaplane me parulla të dy partive, PS e PD, pushtuan dje qiellin dhe sheshet kryesore të kryeqytetit. Mitingjet e dy partive kryesore, PS e PD, janë zhvilluar në të njëjtën orë, dhe shumë pak metra larg njëri-tjetrit.
Rreth orës 18 e 30, turma të mëdha njerëzish me flamuj të PS dhe PD nëpër duar kanë vërshuar drejt shesheve të kryeqytetit për t’u tubuar në sheshin “Skënderbej” të PD dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të PS.
Afër orës kur do të fillonin mitingjet, militantë të PS dhe të PD janë konfliktuar midis tyre me banderola dhe flamuj, ndërsa policia ka ndërhyrë për të shmangur incidente të mundshme. Masa të rrepta sigurie kanë shoqëruar sheshet ku po zhvilloheshin mitingjet, për të shmangur incidentet, pasi 24 orët paraardhëse ishin të tensionuara për shkak të pretendimeve që socialistët kishin ndaj policisë për pengesat që kishin hasur në ngritjen e ambientit për të zhvilluar mitingun.
Organizimi i mitingjeve thuajse ka patur të njëjtin skenar në të dyja rastet. Krerët e dy partive, Rama e Berisha, kanë mbërritur në podiumet e mitingjeve të tyre pak minuta pasi kishte nisur mitingu. Të dyja mitingjet janë hapur me muzikën që ka shoqëruar të gjithë fushatën e secilës parti. Te PS ka hapur mitingun grupi muzikor “West Side Family”, që ka shoqëruar Edi Ramën gjatë fushatës elektorale. Këngëtarët që kanë shoqëruar Berishën gjatë fushatës, hapën mitingun e PD, i cili ka nisur disa minuta përpara atij të PS. Në mitingun e PD kënduan para turmës grupi i njohur muzikor “Modern Talking”, kënga e të cilëve ka qenë edhe kolonë zanore e PD në fushatën e 28 qershorit.
Si në mitingun e PS, edhe atë të PD, disa kandidatë të zgjedhur nga disa qarqe të vendit kanë folur para se të mbërrinin liderët e dy partive në podiumet përkatëse. Thuajse në të njëjtën mënyrë, krerët e dy partive kanë hyrë në podiumet përkatëse, të shoqëruar nga entuziazmi i militantëve që kishin mbushur sheshet para tyre.
Sa i përket ligjërimit të dy liderëve, Edi Rama është përqendruar fort në sulmet kundër kundërshtarit të tij, Berisha, ndërsa ky i fundit ka shmangur akuzat ndaj kundërshtarit dhe është përqendruar tek arritjet në katër vitet e qeverisjes dhe premtimet elektorale. Edi Rama tha se pas 36 orësh më 28 qershor, PS do të bëjë historinë, ndërsa Berisha u shpreh i bindur në fitoren e PD dhe tha se më 28 qershor do të fitojë Shqipëria.
 
Edi Rama


“6 orë nga sot ne do të kemi shansin të ecim drejt kutisë së fshehtë për të bërë historinë. 36 orë nga sot ne do të kemi, jo mundësinë e radhës për të votuar në zgjedhjet e radhës, por mundësinë për ta bërë votën tonë fuqi të një ndryshimi historik. 36 orë nga sot ne do të kemi në dorë, jo një votë për të ndërruar një qeveri me një tjetër, por të drejtën për të ndërruar faqen e historisë me votën tonë. Kaluan 4 vjet që kur nisëm këtë rrugë bashkë. Qindra-mijëra kilometra rrugë qytet më qytet e fshat më fshat. Dhjetëra-mijëra zëra e histori njerëzore vuajtjesh e shpresash të mbledhura kaluam nëpër Shqipëri, një nevojë e thellë në shpirt për ndryshim, e cila doli dalëngadalë mbi sipërfaqe dhe sot është kthyer në këtë që pas 36 orësh do derdhet drejt kutive të votimit për të ndryshuar politikën e këtij vendi, për të sjellë akoma më të mira për këtë vend, për t’i dhënë secilit prej nesh që të thotë që unë votova. Dhe dita që ndryshoi ishte 28 qershor 2009. Për t’i lënë një ditë secilit prej nesh krenarinë që të thotë po, unë votova për Shqipërinë pa kufij me Evropën dhe kapërceva doganën greke për të shkuar tek im vëlla emigrant. Unë votova atë ditë, ishte 28 qershor 2009 për të gjithë Shqipërinë me libra, për të gjithë fëmijët, për të gjithë mësuesit dhe që prej asaj dite nuk pati më as fëmijë të varfër dhe as mësues që mbeteshin në rrugë se nuk bëheshin dot me pushtetin.
Po unë votova për Shqipërinë me ujë të pijshëm, për Shqipërinë pa plehra, ku fshati jeton denjësisht. Unë votova më 28 qershor dhe me votën time unë mora pjesë në histori. Pas 36 orësh Shqipëria do të hyjë në një politikë të re ndryshimi. Mes nesh dhe të ardhmes qëndron kryeplaku i politikës së vjetër, Sali Berisha, dhe një shpurë oborrtarësh në pushtetin e familjes së tij që i dhanë fushatës agresivitet primitiv. Këto janë orët për ta mbyllur në librin e historisë Sali Berishën dhe për t’i dhënë fund historisë së politikës së tij të vjetër.”


Berisha


“Sot, uragani i fitores është shndërruar në detin blu të fitores sonë. Uragani i fitores që vërshon në të katër e anët e këtij vendi, në kodrat, malet, qytetet, fshatrat, rrugët dhe sheshet e tyre, është sot në zemrat dhe shpirtin e bardhë të shqiptarëve, është sot në Tiranën blu, në Tiranën e fitores. Si të votojë Tirana, do të votojë Shqipëria. Si të fitojë Tirana, do të fitojë Shqipëria.
Katër vite më parë dyert e Shqipërisë për integrimin në Evropë po mbylleshin çdo ditë e më shumë nga muret e krimit dhe të korrupsionit. Ne arrestuam me qindra banda, shembën sistemin kleptokracisë, qeveria u njoh si kampione në luftën kundër korrupsionit dhe fituam. Lajmet dhe kronika të zeza që katër vjet më parë mbushin mediet evropiane dhe botërore për Shqipërinë, ne i rrëzuam ato me vlerësimin e Shqipërisë si vendi me rritjen më të lartë ekonomike në Evropë, si vendi që renditet i dyti në botë për klimën e biznesit, si vendi që dyfishoi rrogat dhe pensionet për qindra mijëra qytetarë shqiptarë, që punësoi mbi 80 mijë qytetarë dhe nxori nga varfëria 400 mijë të tjerë, si vendi që ndërtoi 6 000 kilometra rrugë dhe që me korridorin e kombit i faktoi shqiptarëve dhe botës se ky komb, se ky vend ka gjithë potencialin për të bërë të pamundurën të mundur.
Ndaj dhe sot le t’i ftojmë të gjithë shqiptarët të bashkohemi për të bërë realitet ëndrrën tjetër më të bukurën e shqiptarëve që nga Rilindja Kombëtare deri më sot, Shqipërinë Zonjë mes kombeve të Evropës. Të bashkohemi për të ndërtuar së bashku në Shqipëri sistemin modern rrugor, akset e shkurta, boshtin e jugut, rrugën e Arbrit dhe të gjitha rrugët e tjera të mëdha. Të vazhdojmë projektin tonë evropian, të punësojmë në katër vjet 160 mijë qytetarë shqiptarë, në parqe industriale, në fabrika, në uzina, në qindra e qindra hidrocentrale dhe vepra të tjera, në resorte magjepse turistike të brigjeve dhe maleve tona. Të bashkohemi në mënyrë që ne të vazhdojmë rrugën që nisëm, rrugën e demokracisë që nga vendi me rrogat dhe pensione më të ulëta se në Korenë e Veriut, të parakalojmë gjashtë vende anëtare të Bashkimit Evropian.”
 
Papandreu premton kushte më të mira për emigrantët shqiptarë në Greqi


Presidenti i Internacionales Socialiste, njëherazi dhe kryetari i Partisë Socialiste greke, Jorgos Papandreu, ishte dje në Tiranë për të mbështetur kryetarin e PS, Edi Rama, në betejën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Në funksion të këtij qëllimi, Papandreu përveç mesazheve politike premtoi kushte më të mira për emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi. “Ne duam të mbrojmë të drejtat e emigrantëve me punë të ligjshme, kushte të barabarta, rroga të barabarta. Ajo që ne socialistet duam të bëjmë është të integrojmë emigrantët në shoqërinë greke. Ne do të lejojmë që çdo fëmijë i lindur në Greqi të marrë nënshtetësinë greke. Ne e propozuam këtë në parlament, po nuk arritëm ta miratojmë, sepse nuk kishim mazhorancë. Ata që përfundojnë shkollën e lartë në Greqi dhe që kanë jetuar aty për tre vjet do të kenë të drejtën e nënshtetësisë greke. Edhe ata që kanë 5 vjet në Greqi dhe duan të bëhen qytetarë grekë, do t’u japim të drejtën që të aplikojnë për ketë”, - u shpreh Papandreu. Pas takimit me kryetarin e PS, kreu i Internacionales ,Socialiste, Jorgos Papandreu deklaroi se socialistet kanë në filozofi të tyre krijimin e një shoqërie me të drejta për të gjithë qytetarët duke i dalluar ata thelbësisht nga të djathtët. “Ne duhet të krijojmë një shoqëri me të drejta të bazuara në vlera, një shoqëri që mbron të drejtat e të gjithëve, që mbron të drejtat e punëtorëve. Për këtë po punojmë ne socialistet dhe për këtë miku im, Edi Rama, po punon në Shqipëri”, - u shpreh Papandreu.




Martens: Zgjedhjet e 28 qershorit janë të rëndësishme për Shqipërinë dhe rajonin


Presidenti i Partive Popullore Evropiane, Wilfried Martens, erdhi dje në Tiranë për t’i dhënë mbështetje kryeministrit Berisha dhe PD në zgjedhjet e 28 qershorit. Presidenti Martens vlerësoi qeverisjen aktuale të PD dhe theksoi se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit. “Unë vij për herë të parë këtu si President i Partive Popullore Evropiane. Në dhjetor të vitit 1993 takova zotin kryeministër, i cili ishte president i vendit. Konstatova në fillim të vizitës sime se çfarë ndryshimi rrënjësor dhe gjigant ka bërë për vendin dhe popullin e tij. Kam ardhur këtu për ta mbështetur atë, në këtë fushatë zgjedhore, sepse ajo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit, për të patur një kryeministër dinamik dhe një qeveri dinamike dhe për të përgatitur të ardhmen evropiane të Shqipërisë, si një pol të stabilitetit në të gjithë rajonin. Edhe njëherë unë jam i bindur se Shqipëria duhet të bëhet anëtare e BE. Dhe një nga rezultatet kryesore të kryeministrit Berisha është se ai hapi dhe realizoi perspektivën evropiane dhe antlantiste të Shqipërisë. Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s. Shqipëria dhe qeveria e saj mundësuan nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE. Ne do ta mbështesim kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për të realizuar liberalizimin e vizave në BE. Ne konstatuam një progres shumë të madh për sa i përket fushës sociale dhe fushës ekonomike. Tashmë Shqipëria ka një buxhet të stabilizuar dhe ka krijuar një infrastrukturë të re për Shqipërinë. Për këtë arsye ne si Parti Popullore Evropiane do ta mbështesim atë në këtë fushatë. Siç e dini Partia Popullore Evropiane është partia politike më e madhe dhe grupi politik më i madh në Parlamentin Evropian”, - Martens.Gazeta Tema
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top