“Pushka e gjakmarrjes” po vret e ngujon dhe fëmijë, shteti hesht

Nga: Erviola Halili

Brenda 20 viteve të tranzicionit të pafund e rraskapitës shqiptar, përveç varfërisë, papunësisë, trafiqeve, emigracionit masiv deri biblik e mungesës së shpresës për ndryshim, po vepron në mënyrë të pandalshme dhe një fenomen, një atavizëm i së shkuarës: GJAKMARRJA mes shqiptarësh.

Gjakmarrja1-150x150.jpg


Ky fenomen para-mesjetar shqiptar e shoqëror është futur në jetën shqiptare dhe ka mbetur në veprim aktiv, i nxitur nga forca e Kanunit. Në shumë raste, përveç zbatimit të “KANUNIT” për konfliktet e vjetra, shkak është bërë e po bëhen edhe abuzimet e drejtësisë në mos zbatimin e ligjit në vendimet që japin. Acarimi i konflikteve e padrejtësive të krijuara, sjell përdorimin e dhunës, mandej, çështja precipiton në vetëgjyqësi. Për këtë marrëzi zakonore shqiptare vritet vëllai, prindi, fëmija, komshiu, i afërmi i familjes etj.

Në të dhënat e publikuara prej shoqatave të pajtimit të gjaqeve, rezulton se ky fenomen është prezent masivisht e lirshëm në zonën Veriperëndimore-Lindore të Shqipërisë, konkretisht në rrethet Shkodër, Mirditë, Pukë, Kukës, Kurbin, Krujë, Lezhë, Malësi e Madhe, Dibër, Librazhd etj.
Në mbarë vendin, janë 1260 familje dhe 3214 individë të futur në gjak, që jetojnë të ngujuar, të fshehur e në arrati jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, në zonat ku vepron kanuni i gjakmarrjes, sipas të dhënave afro 650 fëmijë kanë braktisur shkollën, duke vuajtur pasojat traumatizuese të ngujimit, të bllokimit të jetës së tyre.
Që prej vitit 1997 e deri sot, sipas evidencave zyrtare, gjakmarrja dhe hakmarrja kanunore kanë marrë 234 jetë njerëzish të moshave e sekseve të ndryshme. Ndër viktimat, 158 janë adoleshentë e të rinj, 24 femra e 17 fëmijë. Kjo dramë shqiptare me pamje tejet primitive, ka krijuar ngujimet masive të shumë familjeve “në gjak”.
Për të shpëtuar nga pushka e gjakmarrjes, familjet dhe individët “në gjak” qëndrojnë të shkëputur nga jeta e lirë, të izoluar brenda banesave, larg vendbanimeve të tyre, larg atdheut. Ata janë vetë-izoluar, duke mbijetuar me vështirësi. Kjo vetëmbrojtje e familjeve dhe njerëzve të vënë “në shënjestër” nga pushka e hakmarrjes gjakësore, po rezulton të jetë e përjetshme, duke mos pasur asnjë zgjidhje tjetër përveç “kanunit” për pajtime, mbasi shteti nuk po ndërhyn për ta bllokuar këtë vëllavrasje zakonore absurde.

Ata që përjetojnë më dhimbshëm shpirtërisht këtë dramë shoqërore e jetësore janë fëmijët, ata që në emër të “pushkës së gjakut” janë të detyruar të ngujohen duke u privuar nga shkolla dhe jeta e lirë e bashkëmoshatarëve të tyre që arsimohen, edukohen, argëtohen. Shteti nuk ndërhyn për të “çliruar” këta fëmijë e të rinj nga ngujimi! Kjo është absurde kur mendon që unë jam e lirë, ndërsa bashkëmoshatari im në Shkodër, Lezhë, Krujë, Dibër, Pukë, Mirditë e kudo ku konflikte mes familjesh e individësh, qëndrojnë të mbyllur si në burg, duke u fshehur nga “pushka e gjakmarrjes” anormale, primitive e kriminale.
Përveçse më trondit ekzistenca dhe veprimi i “KANUNIT” edhe sot në shekullin 21, më tepër më çudit e më trondit deri në revoltë shpirtërore e shoqërore, realiteti skandaloz që shteti nuk ndërhyn, që bëhet palë e heshtur me “KANUNIN”. Më trondit indiferenca e plotë e veprimit kundër krimit të gjakmarrjes. Më shqetëson e më alarmon fakti që “pushka e gjakmarrjes” po tregohet më e fortë se forca e ligjit, se fuqia e shtetit. Unë si e re që jam arsyetoj thjesht kështu: Shteti e di që ka mijëra familje, prindër, fëmijë, të rinj e individë që jetojnë të ngujuar, të fshehur e në arrati prej frikës së “zakonit” të gjakmarrjes. Shteti e di se cilat familje e individë “e mbajnë pushkën në dorë” gati për të vrarë.

Përse nuk ndërhyn, përse nuk vepron për ta “ulur” me veprimtari paqësore ose për t’i “hequr” me veprimtari ligjore këto “pushkë gjakmarrëse”?
Përse nuk vepron për t’i nxjerrë këto mijëra familje e individë në jetë të lirë?!
Askush nuk përgjigjet, ndërkohë që vazhdon e derdhet “gjak kanuni” mes komshinjsh, vëllezërish, krushqish, pra mes shqiptarësh, që pas zënke për gardhin, moralin apo stërgjyshin e vrarë në vitin 1800, marrin hak në… vitin 2012!

Dhe, në vend të shtetit, të ligjit, të institucioneve kushtetuese, për të ndalur e bllokuar këtë vëlla-vrasje, po veprojnë shoqatat e pajtimit të gjaqeve, me qëllimin e mirë për të vendosur bashkëjetesën paqësore brenda komunitetit. Kjo nuk mjafton, mbasi i pari që ka detyrim të bllokojë këtë fenomen primitiv të shoqërisë shqiptare është ligji dhe ndëshkimi i atyre që nuk zbatojnë ligjin, në gjykimin dhe vlerësimin e të drejtave të interesave të qytetarëve.
 
Titulli: “Pushka e gjakmarrjes” po vret e ngujon dhe fëmijë, shteti hesht

Gjakmarrja eshte nje nga problemet e medha qe ne kemi pasur dhe kemi.
Ceshtja eshte se ky problem del me i nderlikur sesa duket. Fajtoret kryesor jane gjykatat tona. Nuk eshte faji i heqjes se denimin me vdekje, personalisht jam kundra, por moszbatimi i ligjive. Per keto te fundit ne kemi me shumice, por ekzekutivi lene shume shume per te deshiruar. Shembujt jane te shumte, ku per nje vrasje qendron maksimumi 5 vite ne burg, nese ske aq shume para.
Pastaj problemi tjeter eshte shoqeria, individi qe krijohet ne ate shoqeri, i rritur me doktrinat dhe zanoket e vendit. Nese te kan vrare duhet te vrasesh, gjaku lahet me gjak. Pastaj jemi dhe shume te lidhur me te kaluaren, e kemi te pamundur si shoqeri te dallojm te kaluaren nga e tashmja. E kemi te pamundur te arkivojm historine dhe te nxjerrim rezultate nga analiza e saj. Kjo gje nuk ka te bej aspak me faktin qe jemi lindur shqiptar dhe jemi ndryshe nga bota, por me faktoret e atille qe na kane sjelle ne kete pike.
Por faktori kryesor per zgjidhjen e ketij problemi gjithsesi mbetet institucioni i drejtesise. Nese nuk funksionon drejtesia, problemet do te jene gjithmone presente dhe te pashmangshme.
 
Redaktimi i fundit:

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 12.5%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 1 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 12.5%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 37.5%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 1 12.5%
Back
Top