Monique
With or Without u
TIRANE- Kreu i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor në Tiranë, Florenc Hoxha u plagose mbrëmë me thikë pranë një lokali në Farkë. Burime nga policia e Shtetit thanë për "GSH" se ngjarja ndodhi rreth orës 22 të mbrëmjes, ku Hoxha u godit me thikë në pjesën e këmbës. Policia dyshon se autori i ngjarjes është ish-shoqëruesi i Hoxhës, Indrit Deliaj, duke e shpallur atë në kërkim. Florenc Hoxha iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në QSUT dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
NGJARJA
Mësohet se kreu i INUV është qëlluar dy herë me një thikë pranë një lokali në Farkë, ndërkohë që autori i krimit është larguar nga vendi i ngjarjes me makinë. Policia ka identifikuar autorin dhe po punon për kapjen e tij. Po kështu, mësohet se shkak për konfliktin mund të jetë bërë detyra e kryeinspektorit vendor ose problemet e pronësisë. Ndërkaq, bëhet me dije se Hoxha u dërgua për mjekim në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
AKUZA E PROKURORISE
Pak muaj më parë prokuroria në kryeqytet e akuzoi kreun e INUV, Florenc Hoxha, për shpërdorim detyre në katër raste. Referuar hetimeve, në dy raste ai nuk ka vepruar me prishjen e objekteve pa leje, ndonëse ka pasur ankesa për to, në një rast ka prishur një objekt duke injoruar një vendim gjykate, ndërsa në një rast ka prishur një objekt që ishte në proces legalizimi. Hetimet ndaj tij kishin nisur nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa masa e arrestit është dhënë nga Gjykata e Tiranës. Sipas prokurorisë, Florenc Hoxha ka prishur ndërtime kundër ligjit dhe ka lejuar ndërtime të tjera pa leje. Konkretisht nga dosja hetimore mësohet se Florenc Hoxha ka lejuar 20 ndërtime pa leje, ndërsa ka prishur në mënyre selektive disa ndërtime të tjera pa leje.
Hetimet ndaj kreut të INUV kishin nisur tre muaj më parë. Gjithashtu, pas arrestimit të Florenc Hoxhës u lëshua një urdhër arresti dhe për Zyhdi Dajtin, kreun e Inspektoratit Kombëtar Urbanistik. Edhe ai u akuzua për veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatave. Konkretisht Dajti kishte pezulluar dy objekte në kundërshtim me vendimin e gjykatës, duke sjellë pasoja të rënda financiare në dëm të subjekteve.
KARRIERA E HOXHES
Florenc Hoxha ka punuar më parë si oficer policie në sektorin e Krimit Ekonomik në disa rrethe dhe më pas në Tiranë gjatë vitit 2010 si shef i komisariatit nr. 3 në Tiranë. Emri i tij u lakua së tepërmi edhe gjatë protestës së 21 janarit, ku u akuzua si një prej drejtuesve të policisë të përfshirë në dhunën ndaj protestuesve. Pas zgjedhjeve të 8 majit 2011, kryebashkiaku Lulzim Basha e emëron kreun e Inspektoratit Urbanistik të Tiranës, po nën varësi të Bashkisë.
(ma.ar/o.d/BalkanWeb)