Përjetësisht model

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Përjetësisht model

Mos mendoni se, meqë po bashkëpunon me një nga regjisorët më të suksesshëm, Oni Pustina pretendon të bëhet aktor. Mos mendoni se, meqë në dyqanin e tij “Katwalk” gjithçka po shkon për mrekulli, ai mendon të jetë biznesmen i suksesshëm. Vërtet mund t’i bëjë të gjitha. Por pa hequr dorë për asnjë çast nga të qenit model. Sepse vetëm aty qëndron forca e tij

Suadela Balliu



Ditën që nisën xhirimet e filmit “Lindje-Perëndim-Lindje” ndjeu t’i dridheshin këmbët nga emocionet. Po shkelte në një fushë të paeksploruar më parë. Egoja për të qenë gjithnjë më i miri e bënte të druhej kur mendonte si do të dukej përpara një stafi të tërë profesionistësh. I dukej sikur nuk do të mund të nxirrte qoftë edhe një fjalë të vetme nga goja, ndërsa vetëm mendimi se regjisori Gjergj Xhuvani do të mbetej i pakënaqur nga performanca e tij, bënte që djersë të ftohta t’i përshkonin trupin.

E vërtetë që e përzgjodhën më së shumti se është i bukur, por roli që i besuan nuk ishte aspak i vogël. Matej me të njëjtin kut të aktorëve të tjerë, që në këtë fushë shkelnin për të disatën herë, dhe për më tepër me statusin e profesionistëve. Po të kish qenë përpara një aparati fotografik, atëherë po që nuk kishte nevojë t’i tregonin asgjë. Sepse ai është terreni i tij.

Gjithsesi frikërat, drithërimat dhe drojën e fillestarit Fation Pustina i hodhi pas vetes, me mbarimin e ditës së parë të xhirimeve. U përshtat aq shpejt e aq mirë sa nuk do të nguronte të fillonte të merrej qetësisht më së shumti me look-un. Shqetësimi i tij i vetëm do të bëhej: “A më kanë dalë sytë bojëqielli?”, duke e përsëritur me frekuenca të sakta, sa herë që mbaronte së xhiruari një sekuencë filmike.

E gjithë kjo shkujdesje e menjëhershme ndoshta duhet ta ketë çuditur pjesën tjetër të stafit. Ndokush prej tyre duhet ta ketë marrë si një nga aspektet e natyrës së shpenguar të Onit, që duket sikur nuk merr asgjë seriozisht. Madje edhe kur bëhet fjalë për provën e tij të parë në kinematografi. Por nuk është aspak e vërtetë që ai nuk i merr seriozisht punët që i besojnë.

Vetëm sa nisi të mendojë më qetësisht pas asaj ditës së parë të xhirimeve, kur kuptoi se këtë herë thjesht nuk duhej të shikonte nga kamerat, siç bën kur xhiron apo pozon për një reklamë. Më kot ishte trembur.

Kamerat, prozhektorët, regjisorët... nuk ishin të panjohur për të. Të gjithë e mbajnë mend Onin, protagonistin e reklamës së një detergjenti larës të kompanisë “Deka”, për realizimin e së cilës janë dashur ditë të tëra xhirimi.

Me regjisorë e kamera ai ndeshet prej vitesh edhe në emisionin e përjavshëm të Maria De Filipit, ku Oni është një nga postierët më të famshëm të këtij formati televiziv. Ndaj dhe përvojës së re nuk e pati aspak të vështirë t’ia gjente lidhjen me profesionin e tij, duke mësuar të bëjë dallimin. “E di që në një reklamë duhet të shohësh kamerën, ndërsa në një film nuk duhet ta shohësh fare atë”. Vetëm kaq pak iu desh Onit për të kaluar me sukses provën e ditëve të para, ndërsa sikletin e gjykimit të profesionistëve shumë shpejt e zëvendësoi me përgëzime.

Tani, pasi i kaloi me sukses ditët e para, aktori-narcis mezi i pret pushimet e vogla mes xhirimeve dhe, ashtu pa iu afruar fare monitorit, nuk humbet kohë të lëshojë pyetjen, të cilën prej mëse dy muaj xhirimesh e ka bërë refren. Le të habiten regjisori dhe i gjithë stafi, le të shpërthejnë në të qeshura aktorët e tjerë, Oni Pustina nuk mund të mos kujdeset që paraqitja e tij të jetë e patëmetë. Jo se është prepotent, as mendon se interpretimi i tij shkëlqen mbi të gjithë të tjerët, por “fiksimet” e tij profesionale nuk mund t’i lërë jashtë sheshit të xhirimit. Në fund të fundit, ai është dhe do të mbetet Oni modeli.





Për ta pasur më të lehtë të gjithë punën në sheshxhirim dhe interpretimin brenda rolit, Oni nisi të mendonte se në fund të fundit filmi nuk ndryshonte edhe aq shumë nga një set fotografik. E pse të mos e shihte pikërisht ashtu: si një set fotografik, ku shkrepen me shpejtësi marramendëse foto të panumërta. E sigurisht që në secilën prej tyre duhet të kujdesesh të dalësh bukur, të shprehësh ndjenjën dhe emocionin që regjisori do dhe më pas gjithçka shkon mirë. Këto i kishte mjaft të qarta dhe zbatimin me përpikëri e kishte si një lojë fëmijësh. Si për fatin e mirë të tij, edhe interpretimi i personazhit qëndronte brenda kornizave të karakterit të Onit, të atij Oni që miqtë e vjetër e etiketojnë ende si “rrugaçi”.

Megjithatë, Oni i habiti të gjithë me interpretimin e tij, ndërsa formulën për t’ia dalë mbanë nuk e pati edhe aq të vështirë ta gjente.

Megjithatë, kur e pyet të të rrëfejë diçka më tepër rreth këtij interpretimi të parë, ai të përgjigjet: “Per scaramanzia, – duke mos i shpëtuar dot shprehjeve besëtyte, që tashmë i vijnë më për mbarë në gjuhën italiane. – Nuk dua të lavdëroj veten. Të shohim si do të shkojnë xhirimet, si do të dalë filmi e pastaj të flasim më gjatë”.

Kjo eksperiencë e re duket se e ka kënaqur pa masë Onin. Nuk mundet ta fshehë entuziazmin kur flet për skenat e xhiruara anekënd Shqipërisë apo kur nis të të rrëfejë se si është ndier pranë kolegëve më të rinj e sidomos pranë aktorit Ndriçim Xhepa, të cilin e përshkruan thjesht si “njeri fantastik”, por edhe kur falënderon regjisorin, për besimin e të cilit punoi edhe më me përkushtim. “Në fakt doja që të dilja mirë nga kjo eksperiencë në radhë të parë për t’i shpërblyer besimin regjisorit, pastaj për të kënaqur edhe veten”.

I mirëpret edhe ftesat e tjera për të tilla eksperienca, por e di mirë se aktor ende nuk mund të quhet. Ndërsa model... model po, me plot gojën. Ndaj edhe me të përfunduar xhirimet do të niset drejt këndit të dytë nga i cili përbëhet trekëndëshi i jetës së tij. “Sapo të përfundojnë xhirimet e filmit, do të kthehem menjëherë në Milano, ku më presin shumë punë. Do të mbyllem në studion fotografike derisa t’i mbaroj të gjitha e, me të mbaruar aty, nga fundi i gushtit – fillimi i shtatorit, do të shkoj në Romë, pasi nis sezoni i ri i “C’è posta per te””. E ndërsa ai rrëfen natyrshëm, në imagjinatën e çdo femre do të kalonte dëshira sikur në derë të të trokiste një postier si ai që u troket personazheve të emisionit italian. Ndërsa do të stacionohet për një sezon të tërë televiziv pranë studiove gjigante të Cineccitta-së, ku zhvillohet emisioni “C’è posta per te”, rrëfen se Tiranës sërish nuk do t’i mungojë gjatë, sepse në trekëndëshin e stacioneve, Tirana vjen e para për të.



Të qenit model, Oni nuk e harron për asnjë çast dhe kjo nuk ndodh vetëm në sheshxhirimin e filmit apo në setin fotografik të ndonjë reklame. Imazhin e djalit të bukur ai po e përdor mjaft mirë edhe për biznesin e tij, në dyqanin që ka hapur kohë më parë në Tiranë. Ai është modeli të cilin markat më të mëdha të veshjeve, bizhuterive, parfumeve, orëve, produkteve për kujdesin e lëkurës e shumë e shumë të tjera e zgjedhin si imazh të tyre. Ai është bukuroshi për të cilin çmenden të gjitha vajzat – jo vetëm në Shqipëri – kur në shfletimin e revistave e fokusojnë interesin e tyre vetëm në faqet e reklamave që shfaqet Oni apo mahniten me imazhet gjigante që mbulojnë faqe të mëdha pallatesh e aeroportesh në metropolet më të mëdha të botës. Aq sa tundimit për t’i shkrepur një foto posterit të madh nuk munden t’u rezistojnë dot. E me siguri që do t’i shkëpusin nga revista “One” të gjitha faqet ku është shfaqur Oni për t’i ngjitur ndoshta më pas në muret e dhomës.

Ndaj jo më kot ka hapur një dyqan veshjesh, markat prestigjioze të të cilave ka kohë që i hijeshon me trupin e tij në sete të ndryshme fotografish e reklamash. Ndaj jo më kot ka vendosur përpara dyqanit një poster të madh të tijin, i cili nuk ka si të bëjë ndryshe, veçse të joshë.

Klienteve të dyqanit “Katwalk” u pëlqen gjithmonë e më shumë të përkëdhelen më shpesh nga Oni, ndërsa ai u jep sugjerimet e veta mbi veshjet, këpucët, ngjyrat, modelet e për këtë është i detyruar në një farë mënyre që Tiranës të mos i mungojë gjatë. Edhe fanset e tij dynden aty, me shpresën se, përveç veshjeve të përzgjedhura, do të gjejnë edhe vetë Onin. “Kur klientet e dyqanit e dinë se ndodhem këtu në Tiranë, duhet me patjetër që të shkoj e t’i sajdis vetë”, rrëfen Oni, që këshillat e një modeli profesionist ua jep me shumë kënaqësi të gjitha atyre që zgjedhin të vishen në dyqanin e tij.

Madje edhe kur është i ftuar në ndonjë eveniment këtu në Tiranë, si sfilata e fustaneve të nusërisë së “Geraldina Sposa”-s, nuk rri dot thjesht i ulur si të ftuarit e tjerë, por syri i mprehtë i profesionistit nuk lë t’i shpëtojnë detajet e sfilatës, mënyra si lëvizin modelet, si shohin dhe si e ekspozojnë veshjen. “Sfilata më pëlqeu jashtëzakonisht shumë, por ishin disa modele që prireshin shumë të nxirrnin më shumë veten në pah sesa veshjen. Në fakt kjo bie ndesh me atë që bën një model. Modeli duhet të shqetësohet për të nxjerrë bukur veshjen dhe pastaj, automatikisht, del bukur edhe vetë”. Këto këshilla, vajzat-nuse të sfilatës sigurisht që do ia kishin kërkuar me dëshirën më të madhe Onit, nëse do ta shihnin përpara se të niste sfilata apo nëse do ta kishin pasur përkrah duke sfiluar me kostum. “Në fakt, do të më kishte pëlqyer të sfiloja nëse do të kishte pasur edhe veshje për meshkuj, sigurisht, gjithmonë nëse do të më ftonin. Nëse bëhet ndonjë sfilatë e tillë, sigurisht që do të pranoja me kënaqësi”.

Por profesionalizmin e modeleve, Oni e sheh edhe me syrin e dikujt që ka kohë që planifikon hapjen e një agjencie modelesh. Për t’u mësuar nga eksperienca e vet, me siguri që Oni do të ketë shumë. Por deri tani mbetet ende projekt, sepse kushtet e ofruara këtu në Tiranë, për syrin e mprehtë të një modeli të famshëm, duan kohë të piqen.



Puna si model duket se nuk e ka mërzitur e nuk ka vënë re kurrë as më të voglën lodhje, edhe pse i numëron katërmbëdhjetë vite të gjata. Ai mundet t’i bëjë të gjitha, këtë e tregoi edhe me realizimin e këtij filmi. Por edhe pse po koleksionon fjalët më të mira për eksperiencën e tij të parë në film, edhe nëse do të jetë më i suksesshëm në biznes, ai dëshiron të identifikohet përjetësisht si Oni modeli. Atë di ta bëjë më mirë. Blicet e panumërta të aparateve që i përplasen në fytyrë për të nuk shkaktojnë as më të voglën bezdi. Përkundrazi, sapo ndeshet me një makinë fotografike ai lëviz tamam si peshku në ujë. Merr qindra pozicione, ndryshon mimikat, qëndrimet e shikimet me lehtësinë më të madhe. Di të dhurojë një qëndrim serioz, një vështrim të egër, një buzëqeshje të ëmbël, e në të gjitha këto nuk ka si të mos jetë sensual.

Shkrepjet e panumërta dhe zhurma ngacmuese e aparatit janë muzë frymëzimi për punën e tij. “Do të vazhdoj të punoj si model derisa të më kërkojnë. Për aq kohë sa ofertat do të trokasin në adresën time”. Ofertat do të trokasin edhe për shumë kohë në adresë të Onit, megjithëse – vështirë ta besosh edhe kur e dëgjon të dalë nga goja e tij – se dalëngadalë po i afrohet të dyzetë viteve të jetës. Duket se mosha për të është vetëm një çast i mbërthyer nga shkrepja flakëruese – e destinuar të mbetet e pandryshuar nga koha – e një aparati fotografik. Nga ai aparat, përpara të cilit Oni Pustina mbetet përjetësisht modeli.



Citime



E di që në një reklamë duhet të shohësh kamerën, ndërsa në një film nuk duhet ta shohësh fare atë



Sapo të përfundojnë xhirimet e filmit, do të kthehem menjëherë në Milano, ku më presin shumë punë. Do të mbyllem në studion fotografike derisa t’i mbaroj të gjitha e, me të mbaruar aty, nga fundi i gushtit – fillimi i shtatorit, do të shkoj në Romë, pasi nis sezoni i ri i “C’è posta per te



Do të vazhdoj të punoj si model derisa të më kërkojnë. Për aq kohë sa ofertat do të trokasin në adresën time



Vështirë të besohet, por bukuroshi Oni Pustina, ngadalë po i afrohet dyzetë viteve të jetës. Këtë e rrëfen ai vetë





Box

I dashuruar kokë e këmbë me Ambetën

Kohëve të fundit, në median shqiptare Oni nuk ka mbetur aspak i palakuar. Gazetat me thashetheme shpeshherë janë hapur me tradhtitë e hamendësuara të tij ndaj së dashurës. Por, edhe nëse e keni hasur nga kodrat e liqenit hipur mbi një biçikletë, që shkëmben biseda të ëmbla me një vajzë të re që pikturon, ju themi që ato janë thjesht skena nga filmi, sepse në jetën reale Oni vazhdon të jetë shumë i dashuruar me balerinën Ambeta Toromani dhe mezi pret ta përqafojë sapo të mbarojnë xhirimet e filmit e t’i kthehet edhe njëherë jetës normale në Itali. “Kjo eksperienca e filmit na ka ndarë pak fizikisht, por nga ana shpirtërore na ka bashkuar shumë, sepse më ka marrë malli tmerrësisht për të”, rrëfen Oni.





Box

Kthim në shtëpinë e vjetër

Kur vjen në Tiranë, Oni nuk zgjedh të banojë në apartamentin e tij, ashtu si bën në Milano e Romë. Preferon më shumë të jetojë në shtëpinë e vjetër të prindërve. Përkëdheljet dhe kujdesi i mamasë janë njëqind herë më të mira se hapësirat e mëdha e të ftohta të apartamentit të tij. Mëngjesin e gjen të përgatitur që herët me gjithë dashurinë e mamit, e cila është mëse e kënaqur që e ka të birin më shumë kohë për vete. I pëlqen edhe t’u kthehet kujtimeve fëminore e shokëve të vjetër. Këta të fundit janë shumë të rëndësishëm për të, sepse ata janë të vetmit që i dhurojnë miqësinë e vërtetë, të cilën rrallë mund ta gjejë jashtë Tiranës.







Box

Vajza, e keni edhe ju një shans

Që prej dy muajsh Onin mund ta shikoni rrugëve e ambienteve të ndryshme të Tiranës. Nuk keni pse të prisni ato ditët e fundit të dhjetorit, ku Oni bashkë me miqtë e tij, Kledi Kadiun, Ilir Shaqirin e Igli Taren, zgjedhin të kthehen nga Italia e të kalojnë ndërrimin e viteve pikërisht në Tiranë. Vizita e tij në Shqipëri do të zgjasë po aq sa edhe xhirimet e filmit “Lindje-Perëndim-Lindje”.

Vajza, nëse deri më tani e keni adhuruar përmes ekranit të qelqtë të televizorit apo fletëve të lustruara të revistave, tani keni një shans më shumë: ta shikoni nga afër, ta përshëndesni e, pse jo, dhe ta puthni. Nëse nuk e hasni në ndonjë bar a pub të Tiranës, mund ta gjeni çdo mëngjes nga kodrat e liqenit, duke bërë ritualin e përditshëm: vrapon për ta mbajtur gjithmonë në formë fizikun prej modeli. Vajza, ç’prisni? Mos humbni kohë, por vishni tutat sportive e nisuni në ndjekje të Onit. Afatin e keni deri në fund të qershorit!





Revista One
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top