Perandori Franc Jozefi ne Prizren.

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
[COLOR="Blue"Nje zbulim qe pat bere nje studiues shqiptar ne kishen e qytetit te Prizrenit: nje pllake e shkruarne shqip nga perandori i austro - hungarise Franc Jozefi. Pllaka eshte vendosur ne nje organo, te cilen ky perandor ia dhuron kishes shqiptare per te shoqeruar kenget kishtare. Ky artikull eshte botuar ne revisten "Klan" si dhe ne shtypin e perditshem dhe ka ngjallur shume diskutime rreth ketij fakti te panjohur te historise sone. Gjithashtu studiuesi ne fjale pati zbuluar ne kete kishe te Prizrenit edhe nje portret te heroit tone kombetar, Skenderbeut, portret ky qe derime sot nuk njihej.[/COLOR]

[BNjë Perandor në Prizren
(Vlera historike për kombin shqiptar, në Katedralen e Prizrenit “Zonja Ndihmëtare”)
[/B]


Shpëtim Sala

Qyteti i Prizrenit, në gjysmën e dytë tëshekullit XX, konsiderohej si një nga qendrat më të zhvilluara ekonomike, tregëtare dhe kulturore në Shqipërinë veri-lindore. Në fundin e shekullit të XIX, ai kishte 1 000 dyqane, zejtari e tregëti të lidhur ngushtë me qytetet e Shkodrës, Shkupit , Prishtinës e më tej. Arkivat Austriake, Ruse, Franceze, Angleze etj, ruajnë një dokumentacion të pasur për këtë periudhë. Prizreni në to shfaqet si një nga qendrat e lëvizjes patriotike për autonomi e pavarësi kombëtare. Fuqitë e Mëdha të kohës kishin vendosur konsullatat dhe legatat e tyre në qytetet. Në vitin 1863, nga 11 540 shtëpi që numëronte qyteti i Prizrenit, 150 ishin katolike, në të cilat jetonin 2 000 banorë. Një ndër objektivat kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (qershor 1878), ishte edhe arësimimi dhe zhvillimi kulturor i popullsisë shqiptare në të gjitha viset dhe trevat ku banonin shqiptarët. Patriotët shqiptarë u treguan tepër aktivë për të mos lënë popullsinë të binte në prehrin e injorancës e të pa diturisë. Ata arritën në përfundimin se do të ishte tepër efekteve aleanca dhe mbështetja e Austrisë, e cila nga ana e saj planifikonte një dalje në jugun e Gadishullit Ballkanik. Realizimi i idesë Austro-Hungareze, do të bëhej duke përfshirë, fillimisht krahinat ku banonin shqiptarët e besimit katolikë, në një lëvizje të madhe arësimore e kulturore, e cila do të çonte në ndërgjegjësimin patriotik të tyre. Mbështetja e emancipimit kulturor të popullsisë katolike (patronati), kishte nisur nga viti 1615, duke u forcuar më tej me traktatin e Beogradit (1739), me paqen e Sistovës (1791), me hartimin e Ligjit nga qeveria Austriake (1848), me anë të të cilit “në shkollat fillore fëmijët duhet të mësojnë gjuhën amtare”. Pas kësaj kohe Austro-Hungaria bëri përpjekje serioze për hapjen e shkollave ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe. Në vitin 1896 Austro-Hungaria subvenciononte 14 shkolla ku mësohej gjuha shqipe, ndërsa në vitin 1913 numuri i tyre arriti në 28, krahas tyre financoheshin spitale, menca e kisha. Porta e Lartë nuk mundi t’i mbyllte shkollat që motivoheshin në besimin katolik. E drejta e mbrojtjes së besimit (Kultus protektorat) të popullsisë katolike, që banonte kryesisht në veri të Shqipërisë si dhe në qytetet e Shkupit dhe të Prizrenit etj. gradualisht do të bëhej përcaktuese dhe përçuese e ideve dhe kërkesave politike të së ardhmes. Lëvizjet diplomatike të Oborrit Perandorak Vienez synonin depërtimin në jug të Ballkanit. Por gjithçka bëhej e e vështirë në sajë të përplasjeve me interesat sllave. Marëveshja e vitit 1897 midis ministrave të jashtëm të Perandorisë së Austro-Hungarisë dhe të Rusisë përpiqej të ruante statuskuonë në Ballkan, duke synuar aneksimin e Bosnjë-Hercegovinës dhe krijimin e Shqipërisë autonome, në rast të prishjes së gjendjes ekzistuese. Françeskanët, që kishin ardhur në Shqipëri qysh në shekullin e XIII, mbas pushtimit turk mbetën i vetmi urdhër fetar në vend që pati shumë pak firo. Atyre duhet t’jua u dimë që në Shqipërinë e veriut krishtërimi katolik u, u ruajt nga një rënie e plotë.
Kisha Katedrale e Prizrenit
Historikisht kishat katedrale janë ndërtuar në pjesën dërmuese nga mbretër apo perandorë, në qytetet ku ata vendosnin qendrat nga ku drejtonin dhe ushtronin sundimin e tyre, me synimin që ata të udhëhiqnin edhe shpirtërish popujt që sundonin. Në vilajetet ku banonin shqiptarët, qendrat ipeshknore u vendosën në Prizren, Shkup, Tivar e Durrës e më vonë në Shkodër. Këto qytete, ndonëse i përkisnin Perandorisë Otomane, përfaqësonin edhe qendrat ku përplaseshin dhe mplekseshin interesat dhe planet e ardhme të Fuqive të Mëdha të kohës. Qytetet e mësipërme ishin me një përfaqësim të dyfishtë të besimit të popullsisë, myslimanë dhe katolikë. Ato ishin qendra të jetës ekonomiko-kulturore të vendit. Në të njëjtën kohë, Shkupi, Prizreni e Shkodra, duke qënë qendra të vilajeteve përkatëse, përfaqsonin qytetet nga ku pushtuesi osman ushtronte pushtetin e tij.
Katedralja “Zonja Ndihmëtare” u ndërtua në afërsi të qendrës urbane të Qafë Pazarit. Punimet për ndërtimin e saj mendohet të kenë filluar me nismën e arqipeshkvit Dario Bucciarelli në vitin 1865, dhe të kenë përfunduar në vitin 1870

Në vitin 1879 si arqipeshkëv i Shkupit u zgjodh françeskani me origjinë kroate, Fulgenc Carevi. Autoritetet osmane e burgosën dhe e izoluan atë, për shkak se ai mbështeti kryengritësit shqiptarë në Prizren. Në pjesën e brendëshme të Katedrales së Prizrenit janë pikturuar dymbëdhjetë piktura murale, që ruajnë ngjyrat dhe freskinë e tyre edhe në ditët e sotme. Thuhet se popullsia e qytetit të Prizrenit grumbulloi me mijëra vezë, për përgatitjen e bojërave. Në pjesën ballore të çardakut të kishës gjenden të pikturuar, heronjtë e rezistencës kundër pushtimit osman, si dhe heronjtë e krishterimit, Gjergj Kastrioti dhe Janosh Huniadi. Të dy muralet, janë paraqitur në nuancën e ngjyrës gri.

Portreti i Skënderbeut na paraqitet në moshë të thyer, me një mjekër masive, me mustaqe të holla e të gjata, flokët të rëna mbi supe. Në përkrenaren e heroit tonë kombëtar, është vendosur koka e dhisë, me një stilizim larg atij që ruhet në Vjenë. Portretet e muraleve të japin përshtypjen e vendosjes të dy busteve në një hapësirë fiktive konkave. Pikturat mendohet të jenë realizuar në kohën kur arqipeshkëv ishte Lazër Mjeda. Në bazë të të dhënave ato i ka realizuar në vitin 1878 piktori austriak Simcowiss. Jemi në vitin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Në mbishkrimi që shoqëron muralen e Huniadit në gjuhën latine, me shkronja kapitale, që të japin përshtypjen e një gdhendjeje, shënohet:
JOANNES DE HUNYAD, GUBERNATOR ET DUX, HUNGARIAE, PUGNAVIT CUM CASTRIOTA, KONTRA TURCOS IN COSOWO, 1456. (Janosh Hunjadi, Guvernator dhe Komandant i Hungarisë, Bashkëluftëtar i Kastriotit në luftën kundra Turqve në Kosovë, 1456)
Janosh Hunjadi, u udhëheqës i madh i popullit hungarez në luftërat kundër pushtimit Turk. Në vjeshtën e vitit 1443, Hunjadi kaloi Danubin, duke udhëhequr ushtrinë hungareze. Ai iu drejtua Nishit dhe rrugës iu bashkuan edhe luftëtarë shqiptarë. Në betejën e zhvilluar në fillim të nëntorit 1443 në Nish, ai korri fitoren e parë kundër hordhive osmane. Në fitoren e tij ndikoi edhe largimi i Skënderbeut nga kampi osman. Huniadi vdiq nga murtaja në vitin 1456.
Nën muralen e Skënderbeut lexojmë:
GEORGIUS KASTRIOTA, PRIMUS PRINCEPS ALBANIAE, 1443-1467 (Gjergj Kastrioti, Princi i Parë i Shqipërisë, 14443-1467)
Jo më kot të dy portretet janë vënë përkrah njëri-tjetrit, të dy luftëtarët e lavdishëm, penguan forcat otomane të vazhdonin depërtimin për në zëmër të Europës.
Katedralja “Zonja Ndihmëtare” ruan edhe objekte të tjera me vlerë për artin dhe muzikën shqiptare. Ajo ka qenë strehë shpirtërore dhe kulturore e banorëve të Prizrenit.


Muralja e Shën Sesiljes
Shën Sesilja është një nga shenjtoret e kishës katolike. Ajo u martirizua në periudhën e sundimit të Mark Aurelit, në shek. e III-të.
Kulti i saj është mjaft i popullarizuar, sepse Shën Sesilja konsiderohet mbrojtësja e muzikës dhe e muzikantëve. Reliktet e saj u vendosën në vitin 821 në kishën e Shën Sesilies në Transtevere. Shën Sesilja nderohet nga besimtarët katolikë në: Itali, Francë, Austri e Gjermani. Shën Sesilja, është e njohur mjaft herët edhe në Shqipëri, nga besimtarët dhe kisha e krishterë. Gjon Buzuku e përmend Shën Sesiljen në “Meshar”, krahas shenjtoreve të tjera, si Mari Magdalena, Dorotë, Luçi, etj, (Botimi i E. اabejt, Tiranë, 1968, f. 50).

Profesor Eqerem اabej, frazën e mësipërme të “Mesharit” e ka transkriptuar fonetikisht:
Shenjteja Cecilja. lutu për në.


Shën Sesilja është pikturuar kryesisht nëpër kisha nga piktorët më të mëdhenj të Rilindjes EUropiane, si Rafaeli, Rubensi (1577-1640) etj. Piktura ‘
Shën Sesilja” e Rubensit është një nga më të famshmet, ajo ka përmasat 400 x 514 cm. Muralja e Shën Sesiljes në Katedralen e Prizrenit është realizuar 250 vjet më vonë. Të dy pikturat e paraqesin Sesiljen me dy duart mbi tastierë dhe kokën e drejtuar lart, që nënkupton se muzika që ato luajnë, i dedikohet Zotit lart në qiell. Në afreskun e Prizrenit, Shën Sesilja, ka një aureolë në kokë, tipare të mprehta, flokë të gjatë të lidhur gërshet, ulur mbi organo, në një ambient të hapur. Në pikturën e Rubensit një ndriçim i natyrshëm bie mbi flokët e saj.

Organo dhuratë e Franc Jozefit

Në çardakun e Kishës ndodhet një organo, dhuruar nga Franc Jozefi. Dhurata është bërë në vitin 1897, kur arkipeshkëv ishte shqiptari Pashk Trokshi, i cili ka lindur në Durrës. Pashku studimet teologjike i kreu në Kolegjin Papnor Shqiptar të Shkodrës. Arkipeshkëv i Shkupit ai u caktua në janar të vitit 1893.



Organo, në pjesën e poshtme të kapakut të tastierës, mbart pllakën ku Perandori i Austro-Hungarisë, Franc Jozefi, bën dedikimin e tij për Kishën Katedrale të Prizrenit. Dedikimi është bërë në gjuhën shqipe, mbi një pllakë bronzi, të gdhendur me dorë, në një tekst me nëntë reshta, me shkronja kapitale, të tre madhësive. Reshtin i tretë, ka përmasa më të mëdha të shkronjave, dhe kjo për të nxjerrë në pah Franc Jozefin, Perandorin e Austro-Hungarisë, përkrahësin e arsimit dhe kulturës shqiptare, mbrojtës të krishterimit në Shqipëri.


1
2
3
4
5
6
7
8
9 MADHNIJA
PERENNORE E KRAJLNORE
E FRANO ZEFIT T’ PAR
PERENORI I AUSTRIS E KRAJLI APOSTOLIK I MAGARIS
PLOTHIRSCEM
PER DHUNTI
KISCS KATEDRALE T ’PREZRENNIT
N’ VJET T’ SCELBUSIT T’ ON
1897

Teksti në shqipen e sotme: “Madhëria Perandor e mbret Zefi i parë, Perandor i Austrisë dhe Mbreti Apostolik i Hungarisë, plot hirshëm, për dhuratë Kishës Katedrale të Prizrenit, në vitin 1897 të shërbyesit tonë.”.
Kjo organo ka shërbyer, për të shoqëruar korin kishtar të vajzave, të cilat këndonin këngë fetare në gjuhën shqipe. Kisha “Zonja Ndihmëtare” konsiderohet ndër të parat ku këngët liturgjike këndoheshin me tekstin në gjuhën shqipe, ajo u ndoq në fillim të shekullit të XX-të nga kishat ortodokse të Korçës, ato katolike të Vlorës, Bukureshtit, Bostonit etj.

Alfabeti i përdorur
Alfabeti i përdorur është ai i veriut, me të cilin ka shkruajtur Buzuku, është shkruajtur përkthimi shqip i “Kuvendit të Arbrit”, një numër i madh librash të botuar në Shkodër nga katolikët etj.


Në tekstin e mësipërm, të Gjon Buzukut vërejmë shkronjën, z, si edhe dyshkronjëset dh, sh, të përdorura në të njëjtën mënyrë edhe në tekstin e pllakës përkushtuese. Dyshkronjëshin “dh” e ndeshim në reshtin e nëntë të tekstit të mësipërm.

Alfabeti i përdorur është ai i veriut, i cili përdorej prej vitesh nga françeskanët dhe jezuitët. Dedikimi në gjuhën shqipe, i organos 110 vjeçare, nga ana e Perandorit të Austro-Hungarisë, Franc Jozefit, është një nga sfidat që i bëhej autoriteteve turke dhe elementëve antishqiptarë të kohës. Teksti është shkruajtur me mjaft hijeshi, nga ndonjë gdhendës, ndoshta vendës apo austriak, pra pllaka mund të jetë gdhendur në fabrikën e prodhimit të pianove në Vjenë, ose në Prizren, i cili ka pasur një artizanat tepër të zhvilluar në atë kohë, gdhendës dhe punues të mrekullueshëm të argjendarisë. Në se teksti është shkruajtur në Vjenë, shkrimi në gjuhën shqipe, do të jetë bërë nën konsulencën e albanologëve vendës ose të shqipfolësve, si nxënës apo studentë shqiptarë që ndodheshin për studime në Austri.

Fillimet e arsimit në gjuhën shqipe
Një kontribut të rëndësishëm në përhapjen e gjuhës shqipe dha peshkopi Dario Bucciareli, veprimtaria e të cilit u shtri në aksin Shkup-Prizren. Ai botoi në vitin 1858, “Gramatica della lingua albanesse”, e cila shërbeu për mësimin e gjuhës shqipe nga shqiptarët e qytetit të Prizrenit. Në vitin 1862, Bucciareli botoi librin në gjuhën shqipe “Udha e Krygjës”. Për t’i mbrojtur shkollat, ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, nga mbyllja apo presionet e gjithkahëshme të pushtuesit osman në Shkup, Prizren, Pejë e gjetkë, ato u hapën pranë ambjenteve të kishave. Me gjithë mbrojtjen e konsujve austriakë dhe të autoriteteve kishtare (famullitarëve), në varësi të klimës politike të kohës, pushtuesit osmanë shpesh i kanë mbyllur këto shkolla, kanë përzënë mësuesit dhe kanë sekuestruar mjetet mesimore. Perandori i Austro-Hungarisë porosiste Arqipeshkvin e Shkodrës që të përpiqeshin të gjithë shqiptarët e vërtetë, të hapin sa më shumë shkolla në Shqipëri. Ai pati parashikuar në vitin 1890, se në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të XX do të realizohet vetëqeverimi i shqiptarëve. (“Leka”.nr. 7. Viti 1937). Shërbimi postar Austro-Hungarez ndihmonte për transportimin e librave dhe periodikeve nga Bukureshti në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Qeveria Austro-Hungarisë mbështeti mësimin e gjuhës shqipe në shkolla. Ajo u dha te drejta studimi te rinjve shqiptare, shume prej tyre u futen ne fakultetet e Klagenfurtit, Wنhringut, Vjenës etj. Shkollat e hapura nga Austro–Hungaria, ishin te karakterit fetar, ato vareshin nga kisha. Shkolla më e vjetër në gjuhën shqipe, në Prizren është ajo e hapur pranë Kishës Katolike, për të cilën fillimisht u kujdesën françeskanët, mbas tyre, në vitin 1870, jezuitët, ndërsa motrat nga Zagrebi filluan shërbimin e tyre në vitin 1879, kur arqipeshkëv u caktua Fulgenc Carevi. Deri në vitin 1877 mësimet zhvilloheshin në gjuhën itliane, me disa shpjegime dhe bashkëbisedime në gjuhën shqipe. Në vitin 1889 u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe, e cila ishte një shkollë fillore për djem. Mbështetësi dhe nismëtari për hapjen e kësaj shkolle u bë Mati Logoreci. Ndërtesa e kësaj shkolle ndodhet ende sot pranë kishës, në ndërtesën e priftërinjve. Tre vjet më vonë në vitin 1892, pranë shkollës shqipe të Kishës së “Zonjës Ndihmëtare” u themelua shkolla shqipe e vashave, në ndërtesën e motrave të nderit. Vajzat e vogla mësonin të bënin punë dore dhe gjithçka që duhet të dinte një zonjë e ardhshme shtëpiake. Ato njëkohësisht ishin pjesë përbërëse e korit të kishës.
Nismëtarët për hapjen së shkollave shqipe të djemve dhe të vashave në Prizren u bënë Dom Simin Lumezi, Dom Mati Logoreci. Mësuesi tjetër Lazër Lumezi, jo më kot u quajt “Lazër Shqiptari”, se pse krahas punës së tij si mësues në Prizren, ai u shqua edhe si etnograf e folklorist. Mati Logoreci shërbeu si mësues në Prizren deri në vitin 1903. Kontributi i Mati Logorecit, i tejkalonte kufijtë e Prizrenit. Patiotizmi dhe vlerat e tij intelektuale evidentohen me pjesmarjen e tij në Klubin “Agimi” të Shkodrës. Mati Logoreci u ftua në Kongresin e Manastirit, në nëntor 1908, së bashku me poetin Ndre Mjeda, si përfaqsues të klubit “Agimi”.
Beogradi në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar, bëri ç’është e mundur të largonte Lazër Mjedën nga Ipeshkëvia e Prizrenit. Lazër Mjeda Ishte emëruar në detyrë e Arqipeshkvit të Shkupit në vitin 1909. Ndaj tij u bë edhe një aktpadi. Për t’ju larguar telasheve, Vatikani e emëroi Lazër Mjedën (1922) në Arqipeshkvinë e Shkodrës. Largimi i tij u bë fshehurazi, për të mos u hetuar dhe burgosur nga serbët. Më 14 shtator Lazër Mjeda mbëëriti në Shkodër. Pas largimit të tij, arqipeshkvia e Prizrenit u kthye në Ipeshkëvi.
Katedralja “Zonja Ndihmëtare”, krahas vlerave shpirtërore për shqiptarët e besimit katolikë të Prizrenit, përbën një tempull të kulturës, arsimit shqip në Kosovë.
…………………………………
Bibliografi:
-Gaspër Gjini-Ipeshkvia Shkup Prizren nëpër shekuj, Ferizaj, 1992.
-Krishtërimi ndër shqiptarë, Shkodër, 2000.
- Mehmet Shukriu-“Prizreni I Lashtë”, Prizren, 2001.
-Nathalie Clayer, Shija e frutit të ndaluar apo leximi i shqipes gjatë Perandorisë Otomane në shuarje. Botuar në “Revue des Mondes Musulmans et la Mediterranee, 2004.
-“Leka”, 1937., nr. 7, f. 294.
-Islam Dizdari, “Një traditë e vjetër që duhet ripërtërirë”, në librin: Seminari i dytë Ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj”, vëllimi i dytë, Shkodër, 1999.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 12.5%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 1 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 12.5%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 37.5%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 1 12.5%
Back
Top