Paganini, ky “demon” që hyjnizoi muzikën

Lauri

Anunnak
Nikolo Paganini, ky “demon” që hyjnizoi muzikën, ky Promethe që mbajti gjallë zjarrin e shpirtit

nikola_zpsfm8evvcy.jpg

Bota e garrametshme e muzikës, historia e pashembullt e legjendarëve që ngjizën me pasion e me forcë të etershme besimi, Zotin që krijoi botën ëndërrtare, realitetin magjepsës të tingujve dhe harmonisë, me Nikola Paganinin e ngërthen në një dimension tjetër këtë univers, këtë yjësi shumëshndritëse.

Miti i këtij shëmbëllimi të fanitur vetëm nëpër përfytyrime, kaploi eterin jo si një engjëll, por si një djall. Kësisoj edhe shtëpia e Zotit, nga agonia e deri në shterim, mish e shpirt, e dëboi si një heretik dhe e përndoqi me flakët e ferrit, duke e kthyer në një Promete të zjarrit të shpirtit.

Nikolo Paganini u lind më 27 tetor 1782 në Genova. Asokohjes erdhi në jetë më i magjishmi i magjisë së violinës, kësaj vegle muzikore që nisi rrugën e vet të mrekullimit që në antikitet, për t’u njohur në Italinë e shekullit XVI si një dimension etern që i qasej andjes së njeriut. Violina nuk ka njohur në historinë e ekzistencës së saj një virtuoz më të zotin se Nikolo Paganini. E çfarë nuk është thënë dhe sendërtuar për ta ngecur në kurthin e legjendës, për ta shëmbëllyer të përplotësuar atë çfarë ky gjeni kumtoi e kurorëzoi. I madhi Robert Schuman ka thënë: “Paganini ishte pikë kthese në historinë e virtuozitetit”. Talenti i tij i jashtëzakonshëm mendohej se ishte rezultat i një pakti me “djallin”, ai luante në violinë si një magjistar. Rrëfehet gjithashtu se kur Paganini luajti për herë të parë në La Scala të Milanos më 1813, një kritik italian shkruante: “Ai është pa asnjë dyshim, violinisti më i madh në botë. Interpretimi i tij ishte vërtet i papërfytyrueshëm. Pasazhet e tij gjatë ekzekutimit në violinë, kërcimet e harkut dhe akordet, asnjëherë nuk janë dëgjuar nga ndonjë violinist”. Në asokohje rrëfehej se princesha Eliza e Lukas, motra e Napoleonit e kishte të pamundur ta dëgjonte pa i rënë të fikët dhe se kompozitori Rossini qante si vajzë e vogël kur dëgjonte Paganinin të luante. Gjithashtu, thuhej se telat e violinës së tij ishin të krijuar nga zorrë njerëzish, andaj kjo ishte arsyeja e melodive të jashtëzakonshme që dilnin nga interpretimet e tij. E ç’nuk u stis për ta personalizuar sekush këtë mit përmes shpërthimesh të këtilla fantazish të shpenguara. Ky ishte Paganini, ajo perëndi e ardhur nga Olimpi si shëmbëllimi i një afrie të tokësores me hyjnoren.

To view this content we will need your consent to set third party cookies.
For more detailed information, see our cookies page.



Virtuozi e violinës


Paganini, nuk ishte thjesht një violinist, kitarist apo kompozitor. Ai ishte një perëndi. Ai ishte Zot që krekosej mbi kërshërinë dhe ëndjen e gjithë atyre që patën fatin ta përcjellin së gjalli këtë talent jashtëtokësor. Gjunjëzimi përpara kësaj përmendoreje të hyjnisë së muzikës, i lartësonte mish e shpirt. Të gjithë, kureshtarë e shpirttrazuar, u pushtuan prej kësaj ndjesie, u mrekulluan prej kësaj energjie penetrimi që çlironte ai korife prej aktit të virtuozitetit. Loja e këtij mjeshtri të patëdytë dallonte kësodore për nga teknika. Veçon, sesi e përafronin atë me të magjishmen, tinguj që mëtonte, loja që kremtonte. Shembulli që gostiti u shndërrua në burim frymëzimi për shumë kompozitorë, kujtojmë në këtë kolanë, të madhin Franz Liszt. Një poet gjerman shkruante mbas koncertit të Paganinit: “Ishte një entuziazëm i madh e mahnitës që nuk e kisha parë e dëgjuar ndonjëherë në jetën time “.

Legjendari i të gjitha kohërave, artisti që trondiste skenat. Edhe pse kishte kapluar majat më të thekshme të lavdisë dhe virtuozitetit, jeta ekstravagante në krahët e harbuar të së cilës ai kridhej si një i babëzitur, nuk ia kurseu shtratin e dhembjes, ku ky shpirt i trazuar lëngoi. Ky talent i papërsëritshëm kishte shkaktuar stuhi zilie në sedrën dhe ambicien e bashkëkohësve dhe hapur një qiell ku shndërinte vetëm ylli i tij. Jo talentin por shpifjen dhe sajesat nga më fluturaket, trillet e mendjeve më të errëta, kishin endur për të çmos. Disa thonin se kishte vrarë dy gratë që dashuroi, shpirtrat e të cilave ai i burgosi brenda tingujve të violinës së tij magjepsëse. Mënyra se si i rrëmbente dëgjuesit në rrymën melodioze, ishte më shumë se e veçantë, e mistershme, ngazëllyese, magjepsëse. Ai kishte lindur të krijonte me virtuozitetin e tij, me violinën e tij “Guarneri del Gesu” një dimension të ri të realitetit, një qasje eterne të jetësimit të momentit, një mundësi të hyjshme të njeriut të depërtojë në qiejt e parajsës.

Cilido që e dëgjonte s’pariherë këtë magjistar të kësaj vegle muzikore, ndjente transformimin që e përshkonte të tërin. Akordet dyshe e treshe, akordet oktavë e glissandot bashkë me staccato e pizzicato të dorës së majtë e të djathtë që jetësoi ai, depërtojnë atëditë e sot në frymëmarrjen e gjeneratave. Edhe pse nuk ishte aspak i bukur, femrat magjepseshin me personalitetin e tij, koteshin në sharmin që kumtonte ndërsa bëhej njësh me violinën. Studiues kujtojnë me panik se pak para se ky gjeni të vdiste, sytë e tij kishin marrë formë të frikshme. Sytë e shkëndishëm ishin strukur aq thellë, saqë tmerri që shkaktonin tek ata që i shihnin, nuk kishte të shuar. Por e keqja nuk ndalte aty, gishtërinjtë e tij të stërzgjatur i kishin bindur të gjithë se bëhej fjalë për një “qenie diabolike”. Madje para se të linte frymën e fundit si pasojë e tuberkulozit në laring, prifti refuzoi të kryente ritet e fundit. Kështu, më 27 maj 1840, kisha katolike refuzoi varrimin e “shërbëtorit të djallit” dhe i vdekuri qëndroi për gjashtë muaj në arkivol, brenda bodrumit të spitalit. Më vonë, me ndërhyrjen e tre adhuruesve të tij, u arrit marrja e trupit dhe varrimi i fshehtë i tij.

Jeta dhe vepra e mjeshtrit


Nikolo Paganinit lindi më 27 tetor të vitit 1782, në Gjenova. Ishte një nga gjashtë fëmijët e Tereza dhe Antonio Paganinit. I ati ishte një argat në portin e qytetit dhe një amator i mandolinës. Afër të atit dhe drejtorit të korit të kishës katedrale të Gjenovës, Nikolo i vogël, akoma pa mbushur gjashtë vjeç, mori edukimin e tij të parë muzikor duke mësuar mandolinë dhe violinë. Shkruan sonatën e tij të parë në vitin 1790, kur ishte vetëm 8 vjeç. Në moshën 9-vjeçare u shfaq në skenë duke krijuar një entuziazëm të paparë me interpretimin e ndryshimet e tij mbi veprën Karmanjola. Përmirësoi ndjeshëm artin e tij afër violinistit të famshëm Rola në Parma dhe studioi kompozim me Chiretti-n, mësuesin e Paer. Që të dy deklaruan se nuk kishin se çfarë t’i mësonin këtij djaloshi me shumë dhunti.

Një periudhë e jetës rinore të gjeniut mbetet e mbuluar me mister. Thuhet se gjatë turit të tij të parë me koncerte nëpër Itali, shiti violinën për të paguar disa borxhe që bëri nga pjesëmarrje në lojërat e fatit. Një amator francez i fal mjeshtrit në Livorno një violinë të shkëlqyer “Guarnieri”, violinë kjo që mbeti e preferuara e Paganinit deri në fund të jetës.

Femrat dhe lojërat e fatit mbamenden të jenë gropat më të thella ku u rrëzua hera-herës karriera dhe shëndeti i tij i dobët. Gjenialiteti që gdhendi me pasion e përkushtim, shndriti me mister e legjenda, e bënë atë të pavdekshëm. E gjithë bota fliste për këtë muzikant me pamje ekzotike dhe sot përkulet me mirënjohje e përunjësi për ç’ka mëtoi.

Fiziku dhe ndikimi në publik

Paganini ishte i gjatë, i dobët, me flokë të gjatë dhe një fytyrë të verdhë që i jepte pamje që të kujtonte më tepër një fantazëm sesa njeri të gjallë. Kishte gropa në fytyrën e tij eshtake. Shikimi që pluskonte prej atyre zgavrave të thella ishte kaq i ftohtë, sa njerëzit rrallë arrinin ta shikonin drejt e në sy. Zakonisht dilte në skenë me vonesë, gjithnjë i veshur me të zeza. Pasi vendoste violinën në sup, pa shoqërinë e ndonjë instrumenti tjetër, fillonte të shpërndante ”magji” dehje dhe shastisje. Dëgjuesit, ata më zelltarët, viktima të mahnitjes thonin se ”kishte djallin në bërrylin e tij”.

Mbamendet se kishte një ndikim të tmerrshëm emocional mbi publikun. Efekti i virtuozitetit i ngjante më shumë lojës së një magjistari se sa një violinisti. Mund të transformonte burra guximtarë në frikacakë duke i udhëhequr në çmenduri dhe anasjelltas, të transformonte frikacakët në heronj, ndërsa sidomos tek femrat krijonte kriza emocionale dhe histeri kur e dëgjonin. Krejt këto, padyshim që përligjin gjithqysh sa u stis për të si një vullnesë e djallit. Fundja, e bukura, e magjishmja, kllapitësja që vjen prej muzikës, nëpër qiej e hedh andjen e dëshirimeve, atë më të madhërishmen që diti ta mëtonte një gjeni si Paganini.

Nga jeta e mjeshtrit te madh

Paganini mërzitej shumë kur e ftonin për drekë apo për darkë, sepse duhej të luante disa pjesë për të kënaqur të ftuarit.

Atyre që i thoshnin “Hajde për drekë por mos harro violinën”, ai i përgjigjej:

Violina ime nuk ha kurrë jashtë shtëpisë.



Një pianist po mburrej se në koncertet e tij kishte aq shumë dëgjues, sa që mbusheshin edhe korridoret.

– Kjo nuk është asgjë, i tha Paganini, – në koncertet e mia ka aq shumë njërëz aq që unë jam i detyruar të rri më këmbë.

Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Milano, Paganini po shëtiste nëpër një rrugë të parëndësishme duke mbajtur violinën e tij të mrekullueshme nën sqetull. Kur ndjeu erën e peshkut të skuqur, u drejtuaa nga restoranti aty pranë. Pronari i doli përpara dhe e shtyu me përçmim. Ai i tregoi një tabelë mbi portë ku shkruhej: “Ndalohet hyrja për muzikantët shetitës”.



Për interpretimin e mrekullueshëm të Paganinit u krijuan legjenda të tëra… Thonin, për shembull, se ai kishte qenë i dënuar me burg të rëndë për vrasje dhe i ishte kushtuar magjisë për të fituar zanatin e djallit.

Kjo legjendë u mor në atë kohë prej shumë njerëzve si e vërtetë. Disa prej tyre pohonin se e kishin parë me sytë e tyre kur Paganini ekzekutonte dhe djalli i mbante harkun.



Kur ishte dhjetë vjeç Paganinin e dërgoi i ati në Parma pranë profesorit të famshëm Aleksandër Rola për të marrë mësime në violinë. Kur profesori e dëgjoi fëmijën tek luante një koncert të vështirë të kompozuar prej tij, i tha:

– Në qoftë se ke ardhur për të mësuar, unë nuk kam se ç’farë të të mësoj.


Megjithëse e quanin koprac Paganini ishte shumë i gatshëm që t’i ndihmonte të gjithë ata që ishin në hall. ثshtë shumë e njohur bujaria e tij për Berliozin, i cili kur ishte i panjohur nuk kishte asnjë dysh për të jetuar. Kur doli për të dhënë koncert ishte edhe Paganini, i cili e kuptoi se ç’gjeni në muzikë ishte Berliozi. Kur u ngjit në skenë për ta uruar, u ul në gjunjë te këmbët e tij dhe i tha se ai ishte mbreti i të gjithë muzikantëve që ishin gjallë.



Paganini takoi në rrugë një djalë të vogël e të varfër, që i binte violinës. Iu afrua, e pyeti dhe mësoi se ai i binte violinës për të siguruar ushqimin e nënës së tij të sëmurë dhe të dy motrave të vogla që kishte në shtëpi. Paganini u mallëngjye shumë, e mori në dorë instrumentin dhe nisi t’i binte në mes të njerëzve që grumbulloheshin nga të katër anët për të dëgjuar violinistin e famshëm. Shumë shpejt u mblodh një turmë e madhe përreth violinistit. Kur mbaroi së rëni violinës në kapelën e tij u grumbulluan shumë monedha, të cilat ia la djalit të vogël.
A-V
 
Titulli: Paganini, ky “demon” që hyjnizoi muzikën

Sapo e lexova te statusi i te nderuarit,mjeshtrit te fjales A Vataj direkt mendova qe per F-V do ta dergoje Lauri.

Me beri kureshtar ajo qe thote ne krahune tij te djathte qendron djalli.

Paganini!


[video=youtube;-095jDDgrQo]https://www.youtube.com/watch?v=-095jDDgrQo[/video]
 
Titulli: Paganini, ky “demon” që hyjnizoi muzikën

A Vataj ka edhe nje sit ne vete. Eshte mjaft i pasur me materjal qe nuk gjinden ne gjuhen shqipe kund tjeter.
 
Titulli: Paganini, ky “demon” që hyjnizoi muzikën

E di!
Jam i vazhdueshem atje(thesar).
 
Titulli: Paganini, ky “demon” që hyjnizoi muzikën

Laur, para disa kohesh ka dale nje film ne mos gaboj per Paganinin (por spo me kujtohet titulli).
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 21.1%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 10.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 21.1%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 10.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 1 5.3%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 5 26.3%
Back
Top