O moj Shqypni, prapë ti?!

Love

βeℓℓe â๓e
Nga: Ermal Ilirjani

Mos hapësh televizor a gazetë këto ditë se direkt të derdhet në kuzhinë ndonjë patriot që ka vënë një flamur në kokë, në makinë a në gjoks dhe që po bën luftë mediatike për të mbrojtur kombin. Me të drejtë ka filluar edhe një debat shumëplanësh për regjistrimin e popullsisë. Debat që ka bashkuar shumë qytetarë, opinionistë, figura publike. Por ç’është kjo pranverë e beftë shqiptarizmi dhe a e ka drejtuar ajo publikun në drejtimin e duhur? Personalisht mendoj se arsyeja kryesore që ka ndezur patriotizmin së pari është nevoja e brendshme për identitet dhe së dyti nevoja për t’u ndjerë pjese e një grupi në një shoqëri ekstremisht individualiste.

Lidhur me nevojën për identitet, ajo që vihet re është se pas mijëra vjetësh ekzistence, 99 vjetësh pavarësi, pushtimesh e ripushtimesh, komunizmi, kapitalizmi, demokracie, urbanizimi e ruralizimi, ne shqiptarët nuk ia kemi dalë të formëzojmë një identitet kombëtar dhe një platformë kombëtare. Dhe kur them “një” nënkuptoj të unifikuar që të na përfaqësojë të gjithëve.

Po le ta shohim pak më ftohtë këtë punë, dhe le ta nisim nga debati më i fundit mbi deklarimin e kombësisë dhe fesë. Përse u ndez ligjërimi publik dhe u skuqen ekranet nga flamujt. Ajo që i acaroi, trembi, cëmbisi është i famshmi deklarim i rreme i kombësisë dhe fesë?

Por a është në thelb ky problemi që duhet të thithë energjitë e shqiptareve, apo si zakonisht ne i rrimë aq afër ekranit saqë shikojmë një llambushkë që po digjet, po nuk arrijmë të shikojmë tablonë e plotë? Nëse marrim të mirëqenë dëmin nga deklarimi i rremë i disa “palo” bashkëkombësve, duhet të hamendësojmë se kemi gjëra madhore imediate për të humbur si komb apo si shtet. اfarë kemi ne shqiptarët për të humbur nga ky proces?

Po ja, do thotë dikush, ne rrezikojmë të humbim historinë. Më falni që jua them, po e kemi humbur dhe vazhdojmë ta bjerrim nga dita në ditë. E kemi humbur sepse për aq kohë sa ne mund ta shkruanim, arkivonim, dokumentonim propagandonim, ne (shqiptarët, ilirët, arbrit etj.) nuk e bëmë. Arsyet mund të jenë të shumta, duke nisur nga fakti që jemi më shumë të pushkës sesa të penës (Milan Shuflaj, thotë se në mesjetë thuajse të gjithë princat shqiptarë, shkruesit i kishin o sllavë, o greko bizantinë), mbase për faktin që jemi më shumë të fjalës se të veprës (rikujtoj të fjalës së folur jo asaj të shkruarës), mbase për faktin që jemi individualistë, ose mbase, siç thonë, na e kanë futur të tjerët (po edhe kjo e të futmes sikur nuk qëndron shumë se herën e parë e të dytë e kanë fajin të tjerët, ndërsa herën e tretë...). Ne mund të jemi unikalë në rastin tonë, pasi edhe festën kombëtare të çlirimit nuk arrijmë ta unifikojmë.

Po edhe atje ku ne kemi dështuar si shqiptarë, na kanë ardhur në ndihmë të tjerët, armiqtë siç do i quanim ne: arkeologë italianë e francezë na zbulojnë rrënojat e kolonive greke dhe qyteteve ilire të ngritura me mermer grek apo tjegull romake; gjuhëtarë gjermanë na studiojnë dhe na ruajnë gjuhën; historianë grekë na përkufizojnë dhe na përcaktojnë origjinën dhe vendndodhjen (flas për ata të lashtët, jo këta të sotmit); pushtuesit e njëpasnjëshëm na bëjnë harta lufte dhe na regjistrojnë popullsinë dhe vendbanimet; e për të vazhduar edhe sot, ku ekspeditat franceze, italiane, gjermane, greke etj., vazhdojnë bëjnë zbulime arkeologjike; ku UNESKO vazhdon dhe na jep fonde për të ruajtur ato çikë gjëra që ne vazhdojmë të mos i lëmë në këmbë. Pra betejën për historinë deri më sot e kemi të humbur pasi së pari nuk e kemi të përcaktuar qartë, së dyti atë që kemi, jo vetëm nuk e ruajmë, por e shkatërrojmë dhe e deformojmë, së treti sepse dhe atë që është nuk dimë ta fusim në mozaikun botëror (p.sh mendoj se reklama më e mirë për historinë do të ishte investimi i shtetit tone për një film hollivudian mbi Skënderbeun, lobi grek e bën këtë për vit me “heronjtë” e tij).

Po mund të humbim territore nesër, pasnesër, do thotë dikush tjetër. Nesër, pasnesër?! Le te zbresim pak me këmbë në tokë, ne i kemi të humbura territoret. Kemi gjysmën e Shqipërisë (asaj të përcaktuar si katër vilajetet Turke !!) jashtë kufijve. Apo këto janë harruar se kur u ndanë këto na ranë?! A ka një platforme për të kërkuar atë që është e drejta e Shqiptarëve, a janë bashkuar vallë shqiptarët të kërkojnë, mbrojnë dhe bashkojnë këto territore? Jo, sepse ato i kanë ca shtete dhe kombe që kanë bërë pune sistematike, ndërkohë që ne merremi me llogje. Por mirë ato që nuk na dhanë, por ne po humbim edhe atë që na kanë falur. Si do të thoni ju? Po ja, së pari nëpërmjet lënies bosh te fshatrave e territoreve të tëra dhe shpërnguljes në Tiranë, Vlorë, Shkodër, Fier e Korçë të 13% të popullsisë që mbeti në vend. Ndërkohë që nuk duhet harruar që 22-25% e popullsisë së përgjithshme ose 35% e popullsisë aktive ka avulluar jashtë vendit. (statistikat Ministria e Punës, اështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta). Se në fund të fundit logjika e pasjes së territoreve është që t’i përdorësh e t’i shfrytëzosh e jo t’i kesh për inventar. Kemi humbur territore duke i lënë të na shpyllëzohen (më duket se nuk kemi qenë të pushtuar këto dekadat e fundit), po humbasim fshatra të tërë nga erozioni (përfshi edhe objekte historike e kulturore), po humbasim lumenjtë dhe detin nga keqtrajtimi, kemi humbur edhe pjesën më të madhe të florës dhe faunës nga kallashi, tritoli, korrenti etj. A u bë ndonjë aleancë kuq e zi për këtë, se në fund të fundit këto territore nuk do na i marri me vete Jorgoja.

Po mund të humbasim gjuhën, se këta që ndërrojnë identitet fillojnë nuk flasin shqip. Po më rifalni pak o miq, po për çfarë humbje flasim? Gjuhën shqipe ka vite që të merr malli ta dëgjosh të shqiptohet e të shkruhet siç duhet, dhe aq më pak të dëgjosh të përdoret më tepër se 10% e fjalorit të saj. Mirëpo me sa duket është e vërtetë ajo që thuhet se ca gjëra përdori ose do i humbësh. (“use it or lose it” është termi në anglisht)

Po mund të humbasim kulturën shqiptare do thotë dikush tjetër. Po cilën kulturë, o derëbardhë? Së pari, nëse flasim në termin e kulturës si ajo që e cilësonte Ciceroni “kultivimi i mendjes dhe shpirtit”, ne as nuk dimë të kemi kultivuar mendjen (flas si komb dhe jo si individë) dhe as shpirtin. Mendja kultivohet me dije, me art, me kulturë, me shkollim, me qytetari që nënkupton edhe teatër, opera, stadiume, shkolla universitete, forume qytetare etj. Sa për kultivimin e shpirtit, lëre fare. Po le të flasim për kulturën si shpirt i popullit, si një identitet i përbashkët. Këtë duhet ta gjejmë në veshje, ndërtesa, organizime e ceremoni tradicionale, në këngë popullore, në legjenda e rrëfenja, në fjalët e urta, në vlera morale të njëjta.

Po le ta fillojmë me veshjet. Sigurisht që veshjet mund të jenë ato të pakta që mund të mbijetojnë (kryesisht si pasojë e sëndukëve të gjyshërve), por që sot në kohën e globalizmit vishemi njëlloj si amerikanët, grekët, italianët, turqit e serbët. Pra veshjet nuk do i humbim. Ndërtimet që të mund të na identifikonin harrojeni (maqedonasit kanë një stil të shtëpive, grekët kanë edhe stil të fshatrave, kroatët po ashtu etj), stili ynë përfaqësohet nga një mishmash tullash të kuqe, parafabrikatesh, suvash të arnuara dhe betoni ku mbizotërojnë “fitilat” (hekurat e lënë mbi soleta për të shtuar katin tjetër). Të vjen të vësh kujën të shkosh në kalanë e Gjirokastrës (që është qytet që mbrohet nga UNESKO) dhe të shikosh poshtë. Pra stilin e ndërtimit nuk do na e grabisë kush. Organizimet, ceremonitë, festat edhe ato kanë marrë të tatëpjetën, si e feston njeri nuk e feston tjetri. Shyqyr që na doli një festë vere që e bëmë kombëtare, po qe edhe atë nuk dimë si duhet ta festojmë.

Po këngët? A këngët po, këngët i kemi, vetëm se një pjesë gjatë komunizmit i kthyem në tekste me parti dhe Enver, një pjesë gjatë tranzicionit i kemi bërë me “o sa kam bythën e mirë” ose tallava apo turbofolk. Po s’ka gjë, do thoni ju, se të paktën na identifikojnë. Po mor dashamirës, po, vetëm se nuk më identifikojnë mua dhe një pjesë të mirë të shqiptarëve që njoh, por nga ana tjetër me të njëjtat tekste pa mesazh dhe ritme elektronike identifikohet gjithë Ballkani, Europa, Azia e më tutje.

Po legjendat dhe rrëfenjat? Këto po, kemi trashëguar shumë, dhe na kanë treguar shumë, por për fat të keq këto nuk po i humbim sepse Mehmeti (emër tipik shqiptar!!) po na bëhet Jorgo. Jo miq, po i humbasim kryesisht sepse Briany, Emmy, Noeli, Jurgeni (emra fëmijësh shqiptarë), po na shikojnë Digitalb dhe Tring, dhe përveç se kanë filluar të flasin sipas handikapit profesional të përkthyesit, po mësojnë edhe gjithë rrëfenjat e botës, po aspak histori me Zana, Orë, Shtojzovalle, Gishto, Kacamisër, Gjysmagjel apo qoftë edhe me اufo.

Po vlerat morale? Këtu dua t’i referohem pak Vaso Pashës tek “O moj Shqypni” kur para dy shekujsh ju drejtohej shqyptarëve me të vërteta të tipit: “ E s'të ka mbetun as em'n as besë;.... Shqyptar', me vllazen jeni tuj u vra,.... E për sa pare puth do t'fitoni, Besën e t'parëve t'gjith e harroni,” etj. Me sa duket vlerat morale të shqiptarëve paskan qenë çorap para dy shekujve, dhe me sa shohim nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe. Sot pavarësisht atij “shqiptarit” që na kanë ngulur në mend librat, rrëfenjat apo këngët, unë nuk njoh dikë që të jep besën, nuk shikoj njeri që të këshillojë në rrugë fëmijët që bëjnë gabim, rrallë e më rrallë shikoj dikë që kthen një portofol të gjetur (ku do e shikoj do thoni ju? Po ne media. Ku tjetër? Me gjithë qejf do falja mijëra orët e kronikës së zezë për raste të tilla). E për të mos thënë për postulate të tipit: mos vrit, mos vidh, mos dëshiro gjënë e tjetrit, respekto babanë dhe nënën se këto i nënkuptova të humbura kur përmenda kultivimin shpirtëror.

Po atëherë ç’dreqin do humbim ne meqenëse sot jemi njëlloj si dyqind vjet më parë: “Ca thonë kam fe, ca thonë kam din; Njeni: "jam turk", tjetri "latin"; Do thonë: " Jam grek", "shkje"-disa tjerë,....”??? Për fat të keq nuk do humbi asgjë tjetër vec asaj që “Vet e kemi prishun për faqe t'zezë!”.

Kështu që bashkatdhetarët e mi, para se të kërcejmë përpjetë se "greku po do me na bo këtë”, “se serbi po do me na bo atë”, ne duhet të formëzojmë dhe forcojmë identitetin shqiptar. Të punojmë me mish e me shpirt për mëmëdhenë, siç kanë punuar një dorë njerëzish që shqiptarët sot ju kanë harruar edhe emrin. Ky duhet të jetë fokusi i aleancave qytetare, ngaqë besoj fort se nëse ne arrijmë të ngremë vlerat morale, kulturën, dijen, artin, të organizojmë mire jetën shoqërore dhe forcojmë ekonominë, nuk ka arsye që shqiptarët të dëshirojnë të bëhen grekë apo serbë. Përkundrazi, nuk është çudi që të ndodhte dhe e kundërta.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top