Asnjeherë më parë në 20 vjet, që nga fundi i Luftës së Ftohtë, Rusia dhe Perëndimi nuk ishin vënë përballë njëri-tjetrit në një kurs të tillë përplasjeje.
Spiralja e situatës ku janë përfshirë të dy palët mori tjetër hov me përfundimin e referendumit në Krime dhe 97 përqindeshin e votave pro-bashkimit me Rusinë. Për të krijuar një ide sa më të qartë se në ç’pikë janë tensionuar marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit duhet të ndjekësh kanalin shtetëror televiziv rus, thotë BBC.
Në edicionin informativ të mbrëmjes, prezantuesi i njohur për besnikërinë ndaj Kremlinit, qëndronte përpara një fotografie sfondi që lë mjaft vend për intepretim: pamja ishte ajo e një bombe bërthamore duke shpërthyer. Rusia, tha ai, është vendi i vetëm në botë që ka aftësinë t’i kthejë Shtetet e Bashkuara në pluhur radioaktiv... dhe nuk po bënte shaka.
Në anën tjetër të hendekut, Barak Obama njofton se do të udhëtojë këto ditë në Europë ndërsa numri dy i administratës së tij, Xho Bajden do të vizitojë Poloninë dhe Lituaninë. Mesazhi ynë është i qartë, shprehet Obama. Si aleatë të NATO-s kemi angazhimin solemn të mbrojtjes kolektive e do t’i qëndrojme deri në fund.
Kthesa nga diplomacia në konfrontim u bë e pashmangshme pas injorimit të vazhdueshëm të thirrjeve të Perëndimit për tërheqjen e trupave ruse nga Krimeja e për ndalimin e referendumit atje. Që nga përfundimi i votimit të dielën, Rusia ka vazhduar të bëjë përpara me një ritëm të vrullshëm për aneksimin e gadishullit, duke ndjekur një kurs tashmë të pandalshëm.
Edhe më të drejtpërdrejta se masat e BE-së, sanksionet e Uashingtonit shkuan përtej shënjestrimit të politikanëve të fuqishëm e këshilltarëve. Në krye të listës së saj, Amerika vuri një prej ndihmësve më të ngushtë të presidentit rus, Vladislav Surkov, arkitekti i stilit autoritar qeverisës apo i asaj që mund të quhet “një vertikale pushteti”, në majën së cilës vazhdon të qëndrojë triumfator Putini. I dyti në radhë, Sergei Glazyev, krahu i djathtë i shefit të Kremlinit në Ukraine.
9 të tjerët përfshijnë kryetarin e Dhomës së Lartë të parlamentit, zevendeskryeministrin dhe liderin e rusëve etnikë në Krime. Surkovi u përgjigj me buzëqeshje: ‘jam i nderuar, tha ai. s`kam asnjë llogari bankare jashtë kufijve’.
Pyetjet që shtrohen tani janë: deri ku do të shkojnë të dyja palët? A do të ketë një raund tjetër sanksionesh? A do t’i dërgojë Vladimir Putini trupat e tij në lindje të Ukrainës dhe mbi të gjitha, cili do të jetë reagimi i Perëndimit ndaj asaj që tashmë po etiketohet si “Lufta e Re e Ftohte”.
/ Top Channel