Një fushatë zhgënjyese

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Fushata që sapo mbyllëm do të mbetet, pa dyshim, një nga më të këqijat dhe njëkohësisht nga më djallëzoret në këto 18 vjet procese demokratike. Ajo ishte në të vërtetë më e sofistikuar se të tjerat, qoftë në teknologji dhe qoftë në ide, por nuk ishte e tillë në atë çka përbën thelbin dhe arsyen e ekzistencës së një procesi të tillë: bashkëbisedimi i hapur, i sinqertë dhe profesional me qytetarin.
Këngët, fishekzjarret dhe çdo gjë tjetër që shoqëron natyrshëm aktivitetet të tilla, kësaj radhe nuk mund dot me rrëzëllimin e tyre të mbulonin zbrazëtirën e madhe të ideve dhe projekteve të munguara politike. Kjo fushatë nuk u tha asgjë qytetarëve të këtij vendi dhe forcat politike synuan me djallëzi, më tinëzisht se gjatë gjithë këtyre viteve, t'i trullosnin ata nën mesazhe të mëdha ndryshimesh që vijojnë, apo ndryshimesh që do të vijnë, por duke mos u thënë asgjë se si, se kur, se me çfarë çmimesh dhe mënyrash do arrihen këto objektiva.
Ishte padyshim një fushatë e trukuar, manipuluese e opinionit publik shqiptar, thuajse në të gjitha elementët e saj. U mashtrua, në radhë të parë, me imazhin, e, ç'është më e rëndësishmja, me programet. Në rastin më të mirë u prezantuan programe, të cilat ishin të mbushura veçse me objektiva, por në asnjërin prej tyre qytetari shqiptar nuk arriti të kuptonte si dhe më çfarë do të realizoheshin ato. Sot shoqëria shqiptare ka ndryshuar. Ajo nuk është më ajo e çekut të bardhë, me qindra të rinj, mirë apo keq kanë mbaruar studimet, disa të tjerë janë kthyer dhe përpiqen të punojnë në universitetet private e ambiente të tjerë. Pra, njerëzit kuptojnë. Këta njerëz, e dinë tashmë se pas çdo premtimi qëndron një faturë financiare dhe një numër njerëzish e instrumentesh për ta realizuar. Nëse dikur, pas çdo premtimi për shtrime rrugësh njerëzit shkriheshin me ty të ngazëllyer, sot ata nuk janë më të tillë.
U mashtrua gjithashtu me financimet e kësaj fushate. Nuk do shumë mend për të kuptuar se në lojë u hodhën miliona euro, prejardhjen e të cilave nuk e morëm vesh kurrë. Sikurse nuk do të merren vesh kurrë mënyrat që politika do të përdorë për të larë borxhet e investitorëve të saj.
Akoma më i plotë u bë ky peizazh i zymtë, sidomos nga aplikimi i këtij sistemi të ri elektoral, i cili në rastin më të mirë mund të funksionojë vetëm në ndonjë vend me traditë demokratike apo më thjeshtë, që e di ç'është gara. Një sistem që sjell - për shkak të listave të mbyllura - përfaqësues-borxhlinj ndaj çdokujt, por jo ndaj atij për të cilin ekziston një sistem demokratik: qytetarit.
Këta të fundit nuk mundën dot as t'i njohin deputetët e parazgjedhur. Kulmi arriti me mbylljen jashtë çdo etike dhe transparence të të gjithë debateve televizive, për të ngelur kështu veçse në mëshirën e kasetave të regjistruara, që regjitë profesionale partiake kishin mundur të krijonin gjithë durim dhe talent. Në zgjedhje qytetari dëshiron të njohë dhe takojë në fakt talentin dhe profesionalizmin e atyre që do t'u besojë jetën e tij për 4 vjet dhe jo atë të regjisorëve që trukojnë imazhe.
Vetë televizionet pranuan, me sa duket, të heqin dorë kësaj radhe nga detyra e tyre: ajo e informimit me korrektesë e gjithçkaje po ndodh, e sistemit elektoral, e defekteve të tij, e mesazheve të varfra dhe të gënjeshtërta, e realiteteve të prodhuara nga truket që nuk kanë shqetësim tjetër, veçse të turbullojnë mendjet e votuesve.
Po kaq kritike e munguar ishte në këtë fushatë edhe shoqëria civile. Në një sistem demokratik ajo do të duhet të ishte filtruesja dhe përçuesja në hapësirën politike të interesave të qytetarit dhe jo të sajat. Aftësitë dhe profesionalizmi i saj janë më se të mjaftueshëm për t'u shpjeguar qytetarëve shqiptarë se çfarë po ndodh, se ku jemi me elementët më thjeshtë që duhet të karakterizojnë aktivitete të tilla, si fushata elektorale, siç janë transparenca dhe komunikimi publik. Por, sot, ajo humbi, e turbulluar nga ngasja e politikës, dinjitetin e saj, teksa në përpjekjen për t'u bërë pjesë e politikës, la menjëherë pas shpatullave një karrierë të gjatë e të suksesshme të formulimit të mendimit të pavarur, për të veshur "gunën" e lehtë të mendimit unik, të kopjuar keq.
Të gjithë së bashku, ne, e lamë të vetëm në këtë fushatë njeriun e thjeshtë shqiptar, përballë një ingranazhi të jashtëzakonshëm demagogjie dhe mashtrimi, përballë një klase politike milionere, e cila, pavarësisht nga mesazhet që shpërndan në eter, është ajo e njëjta e gjithë këtyre viteve. Ne ishim këtu, e ne pamë. Ne e pamë qytetarin tonë të turbulluar, me kokë të rënduar sa majtas aq djathtas, për të kuptuar diçka më shumë nga ajo që po ndodh. Ne pamë dhe prekëm vuajtjen e tij, nga mitingjet, nga spotet, nga mesazhet pa pikë baze profesionale, nga të njëjtët personalitete të vjetër me makijazh të ri. Tamam si në një teatër absurd, ne pamë të gjitha këto dhe s'mundëm të bëjmë asgjë.
Në vend që t'u hapnim sytë qytetarëve, ne ndihmuam politikën që ta bënte më të plotë rrethimin ndaj tyre, ashtu gjithë qejf e cinizëm me paditurinë e tij, kush me penë, kush me kamera, kush me fjalë, kush me gajde e kush me dajre.
Shqipëria jonë, ky atdhe i bukur, meriton më shumë se kaq, padyshim. Nuk meriton të jetë një vend i bllokuar, ku jeton një "shoqëri e lartë" e elitës politike të kamur, qëllimi i përhershëm i së cilës mbetet pushteti me çdo kusht, dhe ku qytetari fatkeq, hesht i vuajtur, i braktisur dhe tallur, nga të gjithë, në paditurinë e tij të pafajshme. Shekulli
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top