Ndalesa e radhës e nismës së re të ndërmarrë nga Agjencia Kombëtare të Turizmit “Nise udhëtimin tënd, nga Shqipëria jote”, ishte Lezha. Historia e lashtë e qytetit që njihet për një ndër aksionet më të mëdha në historinë kombëtare, “Besëlidhja e Lezhës” dhe trevave përreth, shtyu AKT-në të promovojë bukuritë dhe trashëgiminë kulturore dhe gjithçka të mrekullueshme që mbart në vetvete kjo pjesë e Shqipërisë.
AKT, mundësoi një tur në rrethin e Lezhës, ku vendet për tu vizituar dhe për të shijuar janë të shumta. Kalaja e Lezhës, që daton rreth 2000 vjet para Krishtit dhe mbart historinë që nga krijimi i qytetit antik të Lisusit, luftërat e shumta nën sundime të ndryshme e deri sot, është një ndër atraksionet kryesore të vizitorëve vendas e të huaj.
Për Drejtoren e AKT-së Brikena Arapaj, qëllimi i këtij turi është promovimi i trashëgimisë kulturore që ka çdo rreth i vendit tonë. “Jemi në Lezhë, një kala që daton që nga Mesjeta. Duke qenë këtu secili nga ne e kupton se çfarë vlerash kemi dhe se sa shumë duhet punuar për t’i promovuar këto vlera. Me zhvillimin e infrastrukturës vitet e fundit, kjo pasuri kombëtare bëhet akoma më e prekshme, jo vetëm nga ne, por për çdo vizitor. Tanimë nuk ka më droje, nuk ka më përtesë, gjithkush mund të vijë dhe të shijojë këtë natyrë të mrekullueshme, këtë kala të vjeter, vendvarrimin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti -Skënderbeu dhe gjithçka tjetër që ne do të ofrojmë në këtë tur”, thotë drejtorja e AKT-së Brikena Arapaj.
Kalaja e Lezhës, shumë e veçantë në mënyrën se si është ndërtuar, por edhe për vetë pozicionin gjeografik që zë, është një objekt vëmendja dhe kujdesi për të cilën është i madh. Specialisti restaurator i kësaj kalaje, Ded Margjoni, evidenton faktin se numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm. Arsye sipas tij është infrastruktura shumë e mirë rrugore. “Në vit kemi 2 mije deri 2 mijë e 500 vizitorë, por me krijimin e kësaj infrastrukture, numri mund të dyfishohet”, thotë Margjoni. Specialisti restaurator thotë se vizitorët kryesisht janë nxënës dhe studentë, ndërsa në vend të dytë renditen të huajt dhe më pas grupet e organizuara.
Përveç kalasë, Lezha është shndërruar si një pikë pelegrinazhi edhe për faktin se atje gjendet Memoriali i Skënderbeut. Brenda mureve të kishës së Shën Kollit evidentohen dy nga ngjarjet më të mëdha të kombit shqiptar. Së pari, mbajtja e Kuvendit të Lezhës më 2 mars 1444, ose siç njihet si Beselidhja e Lezhës, ku Gjergj Kastrioti-Skënderbeu bashkoi princat shqiptarë në luftë kundër osmanëve dhe. Së dytin Vendi i Varrimit të Skënderbeut, i cili vdiq në Lezhë më 17 Janar 1468, në moshën 63-vjeçare. Gjatë një viti Memoriali vizitohet nga 22 deri 25 mijë vizitorë, ku 3500 janë të huaj, kryesisht grupe nga vendet e Ballkanit.
Gjatë turit u viztua edhe komuna e Shëngjinit, e cila prej kohësh ka nisur përgatitjet për sezionin e ri turistik. Drejtuesit e komunës këtë vit kanë ndërmarrë investime në infrastrukturë.
Kryetari i Komunës Shëngjin Slvador Kaçaj, thotë se në fillim të muajit qershor pritet të përurohet një shëtitore e re, 1,500 metra e gjatë e cila do të mbajë emrin e “Wilson”, në nder të presidentit amerikan, sepse me Vendim të Këshillit të Ministrave të qeverisë së Fan Nolit, për 15 vite me radhë nga viti 1924 deri në 1939, Shëngjini është quajtur Wilson.
Për Agjencinë Kombëtare të Turizmit, “Nise udhëtimin tënd nga Shqipëria jote”, nuk është vetëm një moto, por një thirrje për të gjithë.
monitor