Nga zgafella.

kitrra 123

plak gjufurrak
V.I.P
Shkruar nga Flaka Surroi

Kryeministri do të bënte mirë që para se t’i shkonte ndër mend të bënte ftesa sikur ajo që ia bëri Tadiqit të dielën, të rikujtonte faktin se në postin e kryeministrit erdhi falë abstenimit të gjashtëdhjetë për qind të votuesve kosovarë, gjë që nuk i jep legjitimitet të mjaftueshëm madje as për të bërë gafa
Gjithnjë më ka fascinuar invencioni i agjencive të marketingut dhe të prodhuesve sa herë që publikut i kanë ofruar produkte me pretendimin se kanë efekte të shumëfishta. “3 në 1“ do të ketë qenë njëri nga opsionet, të cilat më së shpeshti janë gjetur në treg në trajtën e detergjentit për enë, të kafesë “instant” apo të pastave për dhëmbë... Por tregu, jo detyrimisht komercial, i Kosovës ofron edhe një produkt tjetër që zor se do të mund të gjendej madje edhe në rajon – ai i gafës 3 në 1.
E tillë ishte ajo, të cilën na e ofroi kryeministri këtë të diel, me ftesën për shtrëngim duarsh që ia bëri kryetarit serb, në një konferencë për media në اagllavicë. Përderisa politika ditore toleron pallavrat për bashkëpunimin e ndërsjellë të shteteve fqinje; për evitimin e sjelljes sikur të ishim në luftë të ftohtë dhe gjëra të tjera të ndryshme, opinioni publik e ka të vështirë të përpijë deklarata populiste, kinse të guximshme, që nuk çojnë kandar në anën e atij kujt i drejtohen, përderisa në shtëpi shkaktojnë rihapjen e vragave që nuk po mbyllen as me kalimin e kohës.
Se ajo që e tha kryeministri atë ditë ishte gafë e trefishtë, do të mund të shpjegohej në këtë formë: Së pari, kryeministri e personalizoi çështjen e raporteve të (pa)mundshme mes dy shteteve fqinje, duke thënë: “...derisa kryetari i Serbisë kërkon pranga dhe qeli për mua personalisht, unë po e ftoj në zyrën time, atë të kryeministrit të Republikës së Kosovës, që t’i shtrëngojmë duart”. Problemi i kryetarit të Serbisë nuk është pranga dhe qelia e kryeministrit, por fakti se ne (e jo “unë”) e kemi shpallur pavarësinë, për të cilën kemi luftuar të gjithë ne (e jo “unë”) me dekada. E dyta – është praktikë që homologët t’i ftojnë homologët e tyre (pos në rastin e Kosovës, kur një ministër i Jashtëm mund t’i ftojë në vizitë zyrtare një kryetar e një kryeministër), e me sa dihet Kosova e ka një kryetar, të cilit do t’i takonte kjo punë. Ftesë për ftesë, kryeministri ynë është dashur t’ia drejtonte ftesën homologut të tij, kryeministrit serb, e jo kryetarit. Me këtë gjest i ka dhënë hapësirë këtij të fundit që ta injorojë ftesën edhe për shkak se ajo do të mund t’i dukej jo serioze dhe e drejtuar në adresë të gabuar. E treta, dhe më seriozja – është ftesa për t’i shtrënguar duart me përfaqësuesin e shtetit, i cili sa nuk na shfarosi krejtësisht; me përfaqësuesin e shtetit i cili nuk e ndien as më të voglën brejtje të ndërgjegjes për të gjitha viktimat dhe shkatërrimet që i shkaktoi; me përfaqësuesin e shtetit i cili nuk i kthen as informatat bazike, e lëre më trupat e mbi dy mijë të zhdukurve.
Përderisa gafat e parë mund të jenë pjesë e repertorit politik të kryeministrit; të mungesës së përvojës së tij të mjaftueshme; të vështirësive për të dalë jashtë shabllonit të asaj që me ngulm e përsërit, pavarësisht se çfarë pyetjeje i shtrohen – dhe të cilat do t’i falen si shumë të tjera që i ka bërë më parë, kjo e treta është e rëndë, dhe nuk harrohet lehtë. Nëse kryeministri e ka harruar, 12 mijë jetë nuk mund të falen me një shtrëngim duarsh. Nuk mund të falen as vuajtjet e të vejave të Krushës, ta zëmë, apo të familjarëve të atyre 400 mbetjeve mortore, të cilat që dhjetë vjet presin të identifikohen, e as të atyre që edhe pas dhjetë vjetësh ende nuk e marrin veten as fizikisht e as psikikisht pas gjithë tmerrit të përjetuar. Jo kryeministër, këto nuk falen me një shtrëngim duarsh në zyrat e institucioneve të Kosovës, ani që ju tregoheni zemërgjerë e ua falni fletarrestimet që i kanë bërë kundër jush.
Para se të bënit një ftesë të tillë, do të duhej të siguroheshit se homologu nga Serbia do të duhej të ishte një Willy Brandt, i cili do të gjunjëzohej para varrezave të Jasharëve për t’i kërkuar falje popullit të Kosovës për të gjitha të këqijat dhe krimet që shteti i tij i ka shkaktuar atij dhe Kosovës. Dhe para se t’ju shkojë ndër mend ta bënit një gjë të tillë sërish, ndaluni të mendoni se fakti që keni ardhur në postin e kryeministrit falë abstenimit të gjashtëdhjetë për qind të votuesve kosovarë, megjithatë, nuk ua jep legjitimitetin të bëni ftesa kuturu, sepse në rend të parë po ua lëndoni shpirtin tashmë të molisur deri në skaj të të mbijetuarve që kishin qenë dëshmitarë të zhdukjes e të vrasjes së familjarëve të tyre. Fakti se, matematikisht, vetëm pak mbi dhjetë për qind të të gjithë votuesve të Kosovës kanë votuar për partinë tuaj, nuk ua jep legjitimitetin që të kaloni lehtë nëpër gafat tuaja pa pyetur për pasojat. Fakti se jeni kryeministër ju obligon që ta respektoni popullin, të cilin keni pasur fatin ta përfaqësoni.
Mbase duhet t’ia nisni me një kërkimfalje për të gjithë ata që i keni ofenduar me veprimin tuaj të së dielës.
 
Titulli: Nga zgafella.

Bravo Flaka, 3 ne 1...
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top