Nga kooperativa, muzikant amator në rrugë

alfonci

Veri investigatio
60-vjeçari i vetëpunësuar ofron muzikë për kalimtarët në këmbim të lëmoshës së tyre. Fiton rreth 700 lekë në ditë

Quhet Mehmet Roko, është 60 vjeç, dhe prej disa vitesh është "vetëpunësuar" si muzikant në rrugë. Për dy vjet rresht, pothuajse çdo ditë, ai me gajden e tij luan muzikë për të gjithë kalimtarët. Kështu kërkon të jetë në një mënyrë i dobishëm dhe të mos i fitojë paratë kot. Muzika që bën me veglën, të cilën e ka krijuar vetë me lëkurën e dhisë, me brirët e lopës dhe me bush, lloj druri, jo vetëm që është kthyer në mjet fitimi, po në të njëjtën kohë i ka hequr edhe vetminë, burrit që jeton krejtësisht i vetëm. اdo ditë nga një urë në tjetrën, në trotuare dhe përgjatë rrugës që ndjek çdo ditë nga "puna" në shtëpi dhe anasjelltas, luan muzikën e tij me gajde. Njerëzit e shikojnë të çuditur. Ndonjërit prej kalimtarëve, që i pëlqen muzika ose mënyra si ka zgjedhur të fitojë bukën e gojës, i hedhin monedha, të huajt që e shikojnë i vendosin kartëmonedha, ndërsa e përgëzojnë për muzikën që luan. Pakkush e di, por ai është një amator, nuk ka studiuar as shkollë muzike, nuk ka marrë as leksione private. Gjithçka që ka mësuar dhe luan e ka arritur në saj të veshit që ka për muzikën, dhe falë praktikës së kryer gjatë kësaj kohe. E konsideron shok, mik dhe mjet jetese. "Dal çdo ditë dhe luaj muzikë, e kam bërë vetë me këto duar", thotë 60-vjeçari. Ai nuk është shumë i madh në moshë, por rrudhat në fytyrën e tij, pesha trupore dhe dhëmbët e parregulluar e tregojnë më të madh në moshë. Sytë e tij shkëlqejnë brenda rrudhave dhe një buzëqeshje i mbush mollëzat e fytyrës sa herë që luan me gajden e tij. "Fitoj 6 mijë, 7 mijë lekë në ditë, rri këtu çdo ditë, disa orë, dhe pastaj largohem. Fitoj lekët e bukës me gajden time që e kam bërë vetë. I kam kërkuar të gjitha ato që duheshin dhe më pas i kam punuar me duar, derisa muzika vinte e mirë", thotë Mehmeti. Ndryshe nga njerëzit e tjerë, që kërkojnë të fitojnë diçka në rrugë, ai është më optimist, në sytë e tij ka më shumë shpresë dhe dëshirë për të jetuar, pavarësisht rrjedhës së jetës. "Jam nga Pogradeci, nga një fshat, quhet Cerovë. Kam punuar në estradën e Korçës, edhe aty i bija gajdes. Nuk jam muzikant, kam punuar në kooperativë për shumë vite, kam bërë edhe punë të tjera. Pastaj më morën shtëpinë, më nxorën në rrugë dhe unë erdha në Tiranë", rrëfen Mehmeti. Kur e pyesim, nuk flet shumë për vështirësitë që e kanë detyruar të luajë muzikë në rrugë dhe t‘i lutet Zotit që ditët të jenë me diell dhe të ngrohta dhe jo të ftohta e me shi. Nuk dëshiron të flasë për brengat apo ku e kalon natën. "Jetoj te treni, jetoj vetëm, gruaja më ka vdekur që kur erdhi demokracia. Kam një vajzë, ajo është e martuar, është në Elbasan", tregon 60-vjeçari dhe ndërsa flet bën një shenjë me dorë, si për të treguar që ajo ka ikur është larg, por të paktën ajo nuk jeton ditët ashtu si ai, në rrugë, duke luajtur muzikë me gajden me lëkurë dhie. Fiton 600-700 lekë çdo ditë. Thotë se i mjaftojnë për të ngrënë bukë dhe duket i kënaqur. Nuk ka mundësi të ushqehet dhe aq shumë, por pavarësisht kësaj nuk bën shumë pushime gjatë interpretimit. Madje, ku i hedhin para, dëshira i shtohet edhe më shumë për të dhënë maksimumin e për t‘i dhuruar qytetarëve melodi të ëmbël dhe interesante. "Muzikën e bëj vetë, edhe gajden e kam bërë vetë. Lëkura është e dhisë, pjesa që bashkon dy materialet është briri i lopës, ndërsa druri që kam gdhendur vrimat është prej bushi. I kam gjetur, i kam kërkuar", rrëfen Mehmeti. Dëshira për të vazhduar jetën ashtu siç i ka ardhur dhe për t‘iu përkushtuar pasionit të tij, gajdes, dhe mbi të gjitha mjetit, që nuk e lë pa punë, është drita që ka gjetur në fund të tunelit. "Bjeri gajdes gajdexhi, bjeri ti të lumtë dora", i thonë moshatarët e tij. Kur e shikojnë Mehmetin, pavarësisht halleve që kanë, ndihen mirë që marrin një pension, kanë fëmijë që i ndihmojnë, bashkëshorte, nipër e mbesa. Por, nga ana tjetër ndihen të "sfiduar" nga muza e Mehmetit dhe vullneti i tij për ta jetuar jetën deri në fund, edhe pse me vështirësi...

gazeta-shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top