Ndarja e Kosovës

polisi_tajrush

Struga zemra Ilirides
Pothuajse në fund të viteve 80-ta të shekullit të kaluar, Serbia fillon realizimin e projektit “Serbia e Madhe”. Fillimisht realizon pjesën e parë të projektit, duke suprimuar autonominë e Kosovës dhe Vojvodinës.


Në përpjekjet e saj për ta realizuar pjesën e dytë të projektit, Serbia përkrah grupet e rebeluara serbe kundër Qeverisë së Kroacisë. Kuvendi i Kroacisë, duke e parë se Serbia synon ndarjen e pothuajse 1/3 së territorit të saj, më 25 qershor 1991, e shpallë Kroacinë shtet të pavarur dhe sovran. Kroacia, e vetëdijshme se Serbia do ta sulmojë pas shpalljes së pavarësisë, paraprakisht kërkon nga ShBA-të ndihmë për të përmirësuar armatimin e policisë, por ShBA refuzon një gjë të tillë për shkak të frikës se Kroacia më pas mund t’i shtypë serbët lokalë. Të mos harrojmë, në fillim ShBA ishte kategorikisht kundër ndarjes së Jugosllavisë.

Serbia, përmes APJ-së, armatos serbët lokalë për të parandaluar pavarësinë e Kroacisë. Serbët shpallin mini republikën e tyre në Kroaci. Kroacia importon nga Hungaria armatim të sofistikuar. Përfaqësuesi i Kroacisë në RSFJ, Stipe Mesic', deklaron publikisht se Kroacia ose duhej të blente këtë armatim, ose, në vend të armatimit, të blinte stilolapsë dhe me ta të shkruante “Ju lutem, mos na sulmoni”. Për më shumë, Mesic' e paralajmëron Serbinë se së shpejti në Knin do të valojë flamuri kroat. Në fillim të gushtit të vitit 1995, Kroacia vendos kontroll në tërë territorin e vet. Pra, Serbia pas dështimit në Slloveni dhe Maqedoni, dështon edhe në Kroaci. Një dekadë më vonë dështon edhe në Malin e Zi. Por, nuk mund të thuhet se Serbia ka dështuar në Bosnjë e Hercegovinë (për shkak të Marrëveshjes së Dejtonit) dhe në Kosovë (për shkak të Planit të Martti Ahtisaarit).

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic', në fillim të muajit tetor deklaroi se në qoftë se shterren të gjitha opcionet për zgjidhjen e problemit të Kosovës, atëherë, Serbia do ta shqyrtojë opcionin e ndarjes së Kosovës. Serbia momentalisht është e interesuar të realizojë planin A, i cili parasheh ruajtjen e Kosovës nën sovranitetin formal të Serbisë. Nëse dështon plani A, atëherë, vjen në shprehje plani B, i cili nënkupton ndarjen e Kosovës.
Se çfarë do të ndodhë, varet edhe nga vendimi që do të marrë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND). Nëse mendimi këshillues i GjND-së është pozitiv për Serbinë, atëherë, Serbia nuk do të lëshojë pe nga plani A. Por, sipas të gjitha gjasave, GjND-ja do të deklarojë se nuk është nën juridiksionin e saj të japë mendim për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës ose do të japë mendim ambivalent. Në qoftë se mendimi i GjND-së nuk është krejt qartë në anën e Serbisë, atëherë, sipas të gjitha gjasave, Serbia do të përcaktohet për planin e dytë: ndarjen e Kosovës. Duhet thënë edhe se Serbia, përveç Kosovës, do të synojë ta ndajë edhe Bosnjë e Hercegovinën.

Meqë u përmend GjND-ja, nuk është mirë të mos e përmendim margaritarin që na e ofroi një “konsulent i pavarur dhe kontribues” i një gazete poqeveritare. Sipas tij, Serbia ka lëshuar pe në favor të Kosovës sepse në fillim ka kërkuar opinionin këshillues të GjND-së se a është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në përputhje me Rezolutën 1244, ndërsa tani po kërkon të di nga GjND-ja se a është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në të vërtetë, Serbia nuk ka lëshuar pe, ashtu siç po pretendon ‘konsulenti i pavarur’, por vetëm ka korigjuar kërkesën e saj sepse sikur Serbia të pyeste GjND-në se ‘a është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në përputhje me Rezolutën 1244’, atëherë, GjND-ja shumë lehtë do të mund të përgjigjej pozitivisht, meqë edhe teksti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës e merr për bazë Rezolutën 1244.

Sidoqoftë, deri në marrjen e vendimit të GjND-së, Qeveria e Kosovës do ta kompletojë implementimin e Planit të Martti Ahtisaarit për sa i përket krijimit të komunave të reja serbe dhe të krijimit të partneritetit të komunave serbe në Kosovë. Kështu, Qeveria e Kosovës do t’ia bëjë Serbisë edhe më të favorshme gjendjen terren për ta ndarë Kosovën. Shembulli më i mirë se trupat ndërkombëtare në Kosovë nuk do ta pengojnë ndarjen e Kosovës, është ndarja e Bosnjë Hercegovinës përkatësisht krijimi i entitetit kriminal të quajtur Republika Srpska. Po ashtu, shembull ilustrativ është edhe deportimi në prani të trupave ndërkombëtare i 11 mijë e 364 shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000. Siç duket, Kryeministri i Kosovës është i vendosur që t’i pajis pjesëtarët e TMK-së me stilolapsë dhe t’i urdhëroj të shkruajnë “Ju lutem, mos e ndani Kosovën”.

Shkëlzen Gashi
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top