Mes yjeve nga ekrani i kompjuterit !

braziljania

Anëtar i Nderuar
Mjaft ambicioz projekti i shpallur së fundmi nga gjigantja amerikane e softuerëve "Microsoft". Një prototip kompjuteri që arrin të përshkojë hapësirat kozmike duke hyrë mes mjegullnajave, reve të hidrogjenit, duke iu afruar planetëve e yjeve. Një kompjuter ku do të arrihen të mblidhen të gjitha të dhënat mbi kozmosin që ekziston deri më sot, e që do të kenë shansin t‘i shfrytëzojë kushdo. Diçka të përngjashme me përpunimin grafik, që tashmë e njohin të gjithë mirë, të "Google Earth", harta tredimensionale që na jep pamje të mrekullueshme e me saktësi të habitshme të qosheve më të largëta të planetit tonë.

Ideja që qielli mund të "rrëmohej" më mirë brenda mendjes së një kompjuteri se sa nga syri i teleskopëve ishte parë prej vitesh me shumë interes nga Jim Gray, eksperti i madh i teorive të databeisit. Por, për fat të keq nuk mundi t‘i çonte përpara kërkimet e tij, për shkak të një aksidenti tragjik që i mori jetën në det.

"Xhimit i pëlqente të tregonte dy grafikë", tregon kolegu i tij, Kurtis Uong: "Në të parin vërehet se si hapësira që kontrollohet nga teleskopët botërorë dyfishohej çdo 25 vite. Në të dytin, që falë përdorimit të teknologjive të avancuara dyfishohet çdo vit". Nga qielli bien rrebeshe të tëra me të dhëna, fluks që gjatë kohëve tona rritet me ritme eksponenciale. Për shembull, "Sloan Digital Sky Surveyer", një prej projekteve më të avancuara për krijimin e hartave qiellore, ka arritur të grumbullojë 9 terabajt imazhe (një terabajt është i barabartë me një mijë gigabajt). Ndërkohë që brezi i ardhshëm i teleskopëve premton të grumbullojë informacion me patabajt (një petabajt është i barasvlefshëm me një milion gigabajt). Si mund të analizohet kjo sasi e stërmadhe informacioni?

Po shkohet drejt bashkimit të këtyre arkivave gjigante dixhitale, për të krijuar një memorie kolektive qiellore, që mund të analizohet më pas nga çdo shkencëtar. Doktor Grey kishte parashikuar një rol gjithnjë e më të rëndësishëm të softuerëve në këtë fushë studimi: një lloj të ri kërkimi që përdor programe algoritmike për t‘i distiluar automatikisht zbulimet e mundshme. Por gjetja që e bën "World Wide Telescope" (kështu quhet projekti) eksperiment unik ka të bëjë me zgjedhjen që këto të dhëna do t‘i kenë në dorë, përveç profesionistëve, edhe një mori amatorësh e të pasionuarish.

"Astronomia është shkenca më e përhapur në publikun e gjerë", shpjegon doktor Milan Maksimoviç, astrofizikan në Observatorin e Parisit: "Ndoshta pasi na vë përpara pyetjeve aq të rëndësishme, siç është, lindja e universit, si ka lindur jeta etj. Ndoshta ngaqë dëshira për të vështruar yjet ka lindur bashkë me njeriun. Numërohen qindra mijëra astronomë në të gjithë rruzullin".

Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendohet se çdo muaj mbahen të paktën 100 evenimente sociale të organizuara nga grupe astronomësh amatorë. Tradita e "festave të yjeve", gjatë të cilave pjesëmarrësit takohen në vende larg qendrave të banuara për të kundruar qiellin përmes teleskopëve të vegjël, nisi në vitin 1923 në Vermont. Hobi për astrologjinë është gjithashtu mjaft i përhapur në Gjermani, Japoni e Angli, por të pasionuar gjenden në të gjitha kontinentet. Ky bum i detyrohet në masë të madhe mundësive që ofron teknologjia dixhitale. Përdorimi i sistemit GPS dhe lap-topëve, të cilët koordinohen e bashkërendohen në distancë, kanë lehtësuar mundësitë e drejtimit të shumë teleskopëve njëherësh drejt një pikë të caktuar të qiellit. Nuk është më nevoja as për përllogaritje të komplikuara apo për të tërhequr pas vetes manuale të panumërta: mjafton të shkruash koordinatat në kompjuter dhe gjithçka kryhet automatikisht. Nga ana tjetër, imazhet, të cilat mund të dokumentohet shumë më lehtë, falë teknologjisë dixhitale, mund të dërgohen te të tjerët apo të publikohen nëpër site. Komunikimi me këdo tjetër që ka këtë pasion është mjaft i lehtë, pavarësisht se vendet mund të jenë mjaft larg nga njëri-tjetrin.

E bukura është se sot astronomia është ndoshta e vetmja shkencë ku amatorët mund të kontribuojnë në mënyrë aktive dhe mjaft të vlefshme. Mes shumë rasteve për t‘u përmendur është ai i pak kohëve më parë, kur Vivian Hoette, e Observatorit Jerkes të Uinskonsinit, teksa kontrollonte imazhet e dërguara nga Robert Holmes, një i pasionuar pas astronomisë, arriti të zbulonte një supernova. "Në fushën e të ashtuquajturve objekte të dobëta, siç janë supernovat, kometat e asteroidet, pjesa më e madhe e zbulimeve të reja vijnë pikërisht falë astrologëve amatorë", konfirmon doktor Maksimoviç, i cili shton edhe një fakt mjaft interesant: "Mënyra si punojmë po ndryshon rrënjësisht. Janë një seri e gjatë punësh rutinë, të cilat u delegohen operatorëve të specializuar, ndërkohë që vetë shkencëtari mund të jetë në anën tjetër të planetit".

اdo të ndodhë kur këta mijëra e mijëra të pasionuar do të kenë mundësinë të shfrytëzojnë potencialin e "World Wide Telescope". Ka të ngjarë që shumë do të rrudhin hundët kur diletantët e qetë do të arrijnë të shohin diçka që u ka shpëtuar profesionistëve. Për Fedrika Raia, vulkanologe pranë Kolegjit të qytetit në Nju-Jork, e përfshirë në mënyrë mjaft aktive në debatin mbi krizën e edukimit shkencor, është e sigurt për një gjë: "Kur të rinjtë të kenë mundësinë të manipulojnë të dhëna të vërteta, kur të arrijnë t‘i shohin personalisht ndërthurjet mes tyre, vetëm atëherë do të mësojnë çdo të thotë me të vërtetë të kryesh kërkime shkencore". Në rast se më pas arrijnë apo jo të zbulojnë ndonjë kometë të re, kjo nuk ka shumë rëndësi: mënyra si do të shohin botën (në këtë rast qiellin), nuk do të jetë kurrë më ajo e mëparshmja.

G.Shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top