Me qenë grua, dit e nat’

Soulmind

~She wanted the whole world or nothing~
Themelues
Nga Fjolla SPANCA:

Me qenë gru në Kosovë është sfidë dhe krenari! Tregojnë gjyshet për kohërat e veta se si gratë nuk guxonin me nxjerrë asnjë fjalë, se si punojshin nëpër ara, rrisnin fëmijët, gatuanin, dhe madje mbanin shtëpitë. Nëpër vite, gratë, anise të ndrydhura, ishin pjesë e pashkoqitur e historisë së shtetndërtimit; në mos ato kanë qenë aq heroina, sa s’kanë pranu me e braktis Kosovën atëherë kur gjysma e “burrave t’fortë” ikën prej vendit e u martuan për të dytën a tretën herë, për hesap dokumentesh, gjasmë!

Sido që të jetë, kanë kalu vite qysh atëherë, shumë pallate janë ndërtu, janë betonizu shkolla e universitete, janë hap klube nate e është revolucionarizu jeta prej teknologjisë, madje prishtinalinjtë e kanë heq edhe Fantën prej përdorimit, por asnjë nga këto s’ka mbërrijtë me fshi injorancën prej gjeneve e mendjeve tona. Ajri i rënduar së fundmi nëpër Kosovën e “pavarur”, thënë shkurt, është zgjatim i situatës së krijuar nëpër dekada. Në një vend ku gratë janë palë e shpërfillur dhe e destinuar veç për plotësim qejfesh, s’do mend se fatkeqësia i bie tërë popullit.

Matanë pritshmërive …

Kush i mban mend grafitet e presidentes, do kujtojë edhe inatin që i zuni intelektualët, artistët e pseudofeministet, për mesazhin e keq që përcillnin ato. S’do mend se një akt i tillë duhej dënuar, sidomos kur dihet se burrat e fortë – e kojshiket – në Kosovë goxha qejf e kanë me u marrë me llafe, me i përbuzë gratë, e me i nënçmu ato. Biles, dorën në zemër, presidentja, si pak burra, arriti me e ndërru imazhin e një shteti të ri, që për 8 vite korri veç 111 njohje ndërkombëtare. Anise pak u promovuan punët që ajo i kreu, sidoqoftë ato kishin peshën e tyre dhe s’mund të mohohen, dhe sado kritika që u derdhën mbi Jahjagën, ajo s’rreshti së punuari dhe nuk u dorëzua.

Njoh edhe qindra gra të tjera që i sfidojnë burrat patriarkalë dhe arrijnë me siguru jetën për veten e familjen. Madje, mes nesh frymojnë gra që kanë kalu përtej çdo paragjykimi, kanë kap majat e suksesit dhe mirësisë. Zonja të tilla i kanë tejkalu pritshmëritë e ngushta mizogjiniste.

Megjithëkëtë, kjo dritë shprese lehtë zbehet kur e risjell nëpër mend fatin e idhët të plot grave që akoma jetojnë me frikë, ose të atyre që sot nuk janë më mes nesh. Na pëlqeu ose jo, realiteti është tregues i pamëshirshëm i tëhuajsimit tonë social dhe i rrëshqitjeve shpirtërore.

Shoqëri injorantësh, shoqëri e prapambetur

Dy ditë më parë, një portal jo pak i përditësuar në Prishtinë shkruante se deputetes Albulena Haxhiu i është gjetur gazi lotsjellës në organet e ndjeshme të trupit. Ky lajm u publikua bashkë me një rëntgen si provë. E hidhët dhe neveritëse ishte shija që la mbas një postim i tillë.

Kush e di për të satën herë, me ose pa dashje, e kupton se si tek ne gratë janë vec objekte seksuale, për të cilat shkruhet me pasion të frikshëm sa herë politika të caktuara duan ta zhveshin intimitetin e njerëzores apo ta mohojnë atë.

Eshtë e dhimbshme me pranu se ne jemi akoma shoqëri injorantësh dhe e prapambetur, e cila nuk mund ta tejkalojë veten dhe ta shohë tjetrin të barazvlershëm. E trishtë me jetu mes burrash që gratë i vështrojnë nga jashtë, për format dhe madhësinë, ndërsa i mohojnë qeniet e tyre esencialisht. Mbi të gjitha, është e papranueshme heshtja e shumicës së deputeteve të Parlamentit të Kosovës, të cilat janë mbërthy prej tumaneve të partisë dhe s’guxojnë të thonë asnjë fjalë, qoftë edhe për t’u solidarizu me kolegen e tyre, me të cilën ato mund të mos ndajnë partinë, ama i bashkojnë dhimbjet dhe hallet e njëjta natë e ditë.

Dashnitë s’kanë kushte, as masë!

Mikeshat e mia që tashmë janë bërë nëna, sa herë flasin për ndjesitë që kanë jetuar gjatë lindjës së fëmijëve, lahen mes lotësh, ama fytyrat u shkëlqejnë dhe sytë u ndrisin. Anise kanë ndjerë dhimbje të forta, tepër të forta, ato thonë se i kanë harruar të gjitha dhe i duan të vegjlit ma shumë se veten, sepse, sipas tyre, dashnitë e mëdha s’kanë kushte, as masë. E unë hutohem, sepse është e mbinatyrshme ajo dashni që vetëmohohet për t’i lënë frymën një qenieje ma të çmueshme se vet jeta!

Kur shoh përkushtimin, kujdesin dhe dashurinë e pakusur që falin tek fëmijët e tyre, mahnitem prej energjisë, forcës dhe vendosmërisë së grave. Ato japin krejt çfarë kanë veç me pa botën pak ma të mirë nga sa është. Janë të patrembura kur luftojnë me vdekjen, dhe s’ka gjë që i ndalon në betejë me sëmundjet, varfërinë a padrejtësitë.

Këto, pra, janë GRA që para se të bëheshin nëna, ishin qenie njerëzore, të buta dhe të forta, të ashpra dhe të mëshirshme. Ato ishin dhe mbetën po aq të vendosura dhe të afta në profesion e në zanat. Sado që ne përpiqemi me i mbulu mirësitë e grave, ato nuk zhbëhen prej indiferencës sonë. Madje, edhe nënvizimi i statutit social (beqare, e martuar, e ndarë), që bëhet qëllimisht, është i rremë, sepse, në fund të ditës, shumë prej “mbiemrave” që u ngjiten grave janë metoda degraduese, nëpërmjet së cilave vlerësohen shabllon; motra, e dashura, nana, shoqja, kolegia apo mikja jonë.

Ndaj, është humbje e madhe me e pa Kosovën duke i mohuar gratë e veta! Pa fije dyshimi, interesi dhe qëllimi i qytetarit normal është stabiliteti dhe mirëqenia e vendit, prandaj nuk justifikohet asnjë formë e dhunës brenda parlamentit apo institucioneve të tjera, por ky motiv i lartë s’mund të mbivendoset kundrejt peshës, moralit, dinjitetit dhe qenies së një gruaje. Dhe sado e vrazhdë të jetë tregu deputetja Haxhiu brenda parlamentit, ne s’mund të lejojmë që një grua të degradohet moralisht për hatër të fushatave jo dinjitoze të partive politike.

Kryeministri apo Koreja e Veriut

Se shqiptarët janë pishmanlinjë të thekun, këtë e dëshmon edhe i pari i ekzekutivit, i cili s’përtoji me i linçu gratë kur disa burra nxorën krye kundër ambasadorit amerikan. Deklarata e tij ishte skandaloze, fyese dhe poshtëruese. Kryeministri, si përfaqësues i popullit, nuk u rezervua fare kur shkruajti për gratë, fondet perëndimore, dashurinë mbi Amerikën, e për ca zëra që, sipas Mustafës, duhet të ikin për në Korenë e Veriut, meqë na qenkërkan kundër rrymës, apo, thënë ndryshe, nuk qenkan amerikandashës. Kryeministri, në këtë rast, nuk është as më pak e as më shumë se sa një burrë i zakonshëm kosovar që gratë i gjykon nën lentet e turbulluara prej mendjes së ngushtë dhe i cili, fatkeqësisht, akoma nuk e ka kuptu peshën e fjalës, por as të pozicionit të tij. Në Kosovë, një nga problemet më të mëdha është mosshkëputja e postit nga personi. Kështu, edhe Mustafa ra pre e padijes, dhe harroi se pozicioni i tij është më sipëror sesa opinionet personale, prej të cilave mund të na kursente!

Sikur t’isha vajzë!

Bota jonë s’është aspak e lehtë, sidomos për gratë që e duan jetën dhe e detyrojnë Qiellin me çel Diellin sa herë duan me vendos buzëqeshje në fytyrën e tjerëve! Këto gra, edhe sikur të merrte fund bota e të rifillonte sërish, gra kishin për të mbetë! Biles, gra krenare! Dhe s’ka kryeministër në botë që ato t’i çojë n’Korenë e Veriut. Toka është sa femërore, po aq mashkullore. Ndaj, sado të përpiqen palaqo portalet, gratë s’kanë për t’u thyer, e as do jenë më pak të dinjitetshme. Kur të vijnë të tjerë në këtë copë Toke, do kuptojnë se këtu jetuan e luftuan gratë që i deshën burrat dhe miket e veta përtej politikës dhe interesit material. Për më të tepër, do na kujtojnë si qenie me ngjyra plot në krahror. /tesheshi.com/
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top