“Mburoja” skarco ndaj një masakre

ReNdEx

Interist Forever
Staf në FV.AL
Mod
39965_2.jpg



Nga: Ilir Dhima

U desh vetëm një vit pas ngjarjeve tragjike të 21 janarit 2011, që të rriten shpresat për t’u zbardhur e vërteta dhe motivet reale të asaj masakre e cila në Europë nuk ka pasur dhe nuk ka precedent qysh pas Luftës II Botërore. Dhe kjo kohë relativisht e shkurtër për një krim të përmasave të tilla nuk mund të përbëjë ndonjë çudi, po të merren parasysh edhe pengesat e shumta që ka vënë Qeveria shqiptare, për ta mbajtur në errësirë të plotë tablonë e njollave të forta që i shkaktoi ajo me këtë rast funksionimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në këtë vend ballkanik. Në këtë vend, që së paku gjeografikisht gjendet në zemër të një kontinenti, në hapësirat e të cilit asnjë qeveri dhe asnjë individ i veshur me pushtet nuk mund t’u shmangen në mënyrë permanente dhe shkelnuese mbrojtjes efektive të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe, në këtë kuadër, ndëshkimit të atyre që ndërmarrin ndonjë veprimtari ose kryejnë ndonjë akt që synon cënimin e këtyre të drejtave, ose kufizime më të gjera të tyre se sa ato të pranuara nga mekanizmat juridikë. Detyrimi i agjencive ligjzbatuese për të ndërmarrë qoftë edhe me ndihmën e analogeve të huaja që kanë përvojë më të madhe dhe disponojnë teknologji më të përparuar (në rastin tonë të FBI–së) konsiderohet përgjithësisht si detyrim unilateral, i cili buron prej nevojës që autoritetet qeveritare apo edhe individë të veçantë përreth tyre, duhet të bëhen të ndërgjegjshëm që një vrasje e kryer edhe jashtë kuadrit ligjor, del gjithnjë në pah, del përherë në shesh.
Nga ky vështrim, “reflektimi” që shfaqi Kryeministri Berisha fillimisht në një intervistë televizive dhe dje në një konferencë shtypi nëpërmjet zëdhënëses së tij, me justifikime të vrazhdëta dhe të përçartura ndaj një hetimi të paanshëm, gjithëpërfshirës, intensiv dhe kompleks, nuk përbën veçse “mburojë” skarco (si ato alibitë momentshkurtra të iluzionistëve), për përgjegjësitë e rënda që kanë veçanërisht ushtarakët e Gardës së Republikës dhe funksionarët e lartë zyrtarë që i urdhëruan ata, për të shtënë me municione luftarake mbi protestuesit e 21 janarit, për të vrarë dhe plagosur me plumba të hekurt jetë njerëzish, mu në mes të një bulevardi publik të Kryeqytetit. Për të shpjeguar arsyet që shpien drejt një konkluzioni të tillë, le të përpiqemi që brenda formatit të një artikulli gazetaresk të bëjmë disa ballafaqime të atyre përpëlitjeve vicioze të Kryeministrit, me disa parime të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht të asaj europiane, instrumentet e të cilave të ratifikuara edhe nga Shqipëria gjatë 20 viteve të fundit, jo vetëm që harmonizohen me të drejtën e brendshme, por edhe kanë supremaci ndaj saj, deri në vendosjen e Konventës Europiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, në të njëjtin plan me dispozitat kushtetuese.
Qysh në fillimet (vitet ‘50 të shekullit të kaluar) e miratimit dhe hyrjes në fuqi brenda disa shteteve të kësaj Konvente, institucioneve të saj u është dashur të shqyrtojnë në çështjet ku trajtohej ekuilibri ndërmjet individëve dhe shoqërisë, nëse motivet që lejonin kufizimet e renditura në dispozita të ndryshme duheshin konsideruar shteruese, apo një Shteti mund t’i lejohej t’u impononte kufizime individëve për motive të “nënkuptuara” ose politike. Për t’u siguruar se, në gjerësinë e klauzolave kufizuese që përmban Konventa, Shteti të mos shpërdorojë pushtetin, është vendosur një rregull i interpretimit strikt të këtyre dispozitave, çka do të thotë që asnjë mundësi tjetër, përveç atyre që përmenden në klauzolën përjashtimore, nuk mund të jetë bazë për çfarëdo kufizimi dhe se ky rregull duhet të kuptohet në mënyrë të atillë, që të mos lejojë gjuhën të rrotullohet përtej nocioneve të konsakruara. Pra, jo ashtu siç pohoi Kryeministri ynë, që na paskej dhënë atë ditë të masakrës një urdhër, sipas të cilit, “ai që do të hynte brenda (Kryeministrisë - shënimi im), nuk do të dilte më”. Por, edhe nëse kjo vendosmëri e Berishës me shokë në marrje jetësh do të parashikohej nga ligji, Gjykata e Strasburgut në interpretim të Konventës do të shqyrtonte nëse veprimi apo urdhri mund të konsiderohet apo jo “i nevojshëm në një shoqëri demokratike” për një nga qëllimet legjitime të renditura në nenin përkatës të Konventës, si masa të domosdoshme për sigurimin kombëtar, për sigurinë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve. Që këtej dilet te aplikimi, së paku, i tre parimeve të KEDNJ-së të theksuara posaçërisht për vlerësimin e marxhinave (kufizimeve) që përdor Shteti, si Palë e Lartë Kontraktuese e kësaj Konvente. Le t’u hedhim atyre nga një sy, veç e veç.
Së pari, me qëllim që të justifikohet çdo ndërhyrje si ndaj shumë të drejtave, edhe ndaj të drejtës për jetën, që është nga më të qartat dhe e shprehur në nenin 2 të Konventës, duhet të ketë një objektiv legjitim në interes publik ose të përgjithshëm. Qytetarët shqiptarë protestuan më 21 janar 2011 kundër varfërisë, kundër korrupsionit, kundër vjedhjes së pasurisë kombëtare dhe asaj vetjake, kundër grabitjes së votave popullore, kundër keqtrajtimeve në përgjithësi etj., etj., që te ne ishin dhe janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisjes qendrore. Në këtë drejtim, ata nuk mund të akuzoheshin për demonstrimin e ligjshëm që zhvilluan përpara Kryeministrisë dhe aq më pak të cilësohej ky demonstrim si pjesë e skenarit për një grusht shteti. Shtypja e protestës dhe sidomos vrasja e qytetarëve, pikërisht kur askush prej tyre nuk kishte vënë këmbë në territorin e Kryeministrisë dhe aq më tepër kur masa e protestuesve ishte zmbrapsur dhe i qe larguar bulevardit, nuk mund të përligjë kurrsesi justifikimet që nxjerr Berisha demek në emër të mbrojtjes së një interesi të përgjithshëm, siç është – sipas tij - edhe ruajtja e institucioneve shtetërore. E atyre institucioneve, që edhe atë 21 janar nuk u prekën, por madje edhe kur një grusht protestuesish u ngjitën në shkallët e fasadës së Kryeministrisë, i kthyen krahët hyrjes së saj, duke përshëndetur bashkëprotestuesit e tyre.
Së dyti, në çdo rast nuk mund të jetë e mjaftueshme që ndërhyrja t’i shërbejë një objektivi legjitim; ajo duhet të jetë edhe proporcionale. Pra, e rëndësishme është të konsiderohet fakti, nëse çdo ndërhyrje prish ekuilibrin e drejtë midis mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në veçanti asaj për jetën, dhe kushtit të interesit të përgjithshëm. Një demonstratë mund të ofendojë, mund edhe të trembë persona me pushtet, që vënë në lëvizje forcat policore dhe ushtarake për t’iu kundërvënë ideve ose pretendimeve që demonstrata kërkon të promovojë. Megjithatë, pjesëmarrësve duhet t’u jepet mundësia të zhvillojnë protestimin, pa druajtur se do t’i nënshtrohen dhunës fizike të urdhëruar nga kundërshtarët në pushtet. Madje, edhe nëse nga bulevardi publik fluturuan atë 21 janar ca popla të vogla të gurta në drejtim të oborrit të Kryeministrisë, përgjigjja nga brenda këtij oborri nuk mund të jepej me të qëlluar pistoletash dhe batare plumbash automatikësh, që potencialisht mund të shtrinin përdhe dhjetëra apo edhe qindra qytetarë demonstrues. Nocioni që rregullon ushtrimin e kompetencës së Shtetit në zbatimin edhe të ndonjë përjashtimi është se, çdo forcë e përdorur duhet të jetë “jo më shumë se absolutisht e nevojshme”. Një rregull ky mjaft strikt dhe bindës për vlerësimin e proporcionalitetit të veprimeve të shtetit, që jepet në klauzolat kufizuese të Konventës. Në këtë kuptim, Berisha u duk sikur ishte në jerm, kur thoshte përpara kamerave, se, “Nuk di, jo Gardë, por nuk di ushtar në vendroje, i cili të mund të qëllohet me gurë dhe të mos reagojë”; dhe se, “po e gjuajte ushtarin me gur, me dru, me çdo gjë tjetër, nuk të gjuan me gur, nuk të gjuan me dru. Nuk ka ushtar në botë që po ta gjuash nuk të drejton armën”. Po si, me plumba drejt e në zemër dhe në lule të ballit prej vendstrehimit ku ka qenë futur?!
Së treti, koncepti i ligjshmërisë sipas Konventës, zbatohet në të gjitha fushat e të drejtës vendase. Por duhet që ligji të jetë përshtatshmërisht i aksesueshëm, që qytetari të ketë të dhëna të vlefshme për rrethanat, për normat juridike të zbatueshme në çdo çështje. Dhe, një normë nuk mund të konsiderohet ‘ligj’, përveçse kur ajo është formuluar me saktësi të mjaftueshme, që t’i japë mundësi qytetarit të rregullojë sjelljen e vet. Prandaj, do të ishte në kundërshtim me funksionimin e shtetit të së drejtës, që kompetencat ligjore, të cilat u jepen organeve të Ekzekutivit, do të shpreheshin në terma të një pushteti të pakufizuar. Ndërsa, masat paraprake të parashikuara në Ligjin mbi Gardën e Republikës, në atë mbi përdorimin e armëve të zjarrit etj, masa që Berisha i përmendi në intervistën e cituar më sipër, realisht nuk u vunë në zbatim. Nuk u vunë në zbatim, sepse askush nga protestuesit nuk shkeli territorin e Kryeministrisë. Madje, edhe një veturë e shtyrë s’dihet prej kujt nuk u ndesh veçse me derën e hekurt të rrethimit të këtij territori.
E pra, ata që arbitrarisht qëlluan mbi protestuesit pikërisht në fund të demonstrimit paqësor, me sa kuptohet për t’u dhënë “një mësim të mirë” atyre, kurrsesi nuk mund t’i shpëtojnë dënimit. Dhe, ata që urdhëruan shkaktimin e asaj masakre të paharruar, kurrsesi nuk mund të mëshirohen për të mos iu nënshtruar vuajtjes së dënimeve edhe më të rënda.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top