Manipulimet historike si traditë fatale në Ballkan

kitrra 123

plak gjufurrak
V.I.P
Manipulimet historike si traditë fatale në Ballkan


Shkruar nga Enver Robelli / KOHA Ditore


Enciklopedia e Republikës së Maqedonisë renditet në vargun e teksteve dhe simboleve të dyshimta mbi historinë në Ballkan. Për këtë fajtorë janë, në radhë të parë, të ashtuquajturit intelektualë, të cilët lehtësisht vihen në shërbim të koniunkturave politike

Mes shumë mendimeve të mençura mbi politikën dhe historinë, kryeministri legjendar britanik Winston Churchill ka thënë edhe dy fjali mbi Ballkanin. Ky rajon, sipas Churchillit, “prodhon më shumë histori se ç’mund të konsumojë”, prandaj edhe mund të konsiderohet si “pjesa më e butë e barkut të Evropës”. اdo goditje në këtë pjesë mund të ketë pasoja. Një gjë e tillë u pa këto ditë, menjëherë pasi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë në prani të kryeministrit Nikola Gruevski prezantoi para opinionit një Enciklopedi, e cila synon të përmbledhë gjithë dijen mbi historinë, kulturën dhe identitetin e brishtë të Maqedonisë. Disa formulime mbi shqiptarët e këtij vendi u kontestuan nga historianët, publicistët dhe politikanët shqiptarë, disa konstatime u hodhën poshtë nga përfaqësitë diplomatike perëndimore në Shkup. Formulimet e njëanshme në Enciklopedinë e Maqedonisë tregojnë, për të satën herë, se një pjesë e gueriles intelektuale në këtë vend nuk është pajtuar me faktin se Maqedonia është një shtet shumetnik. Manipulimi i fakteve historike dhe nënvizimi i epërsisë nacionale të kombit maqedonas ndaj popujve të tjerë në Ballkan (sidomos ndaj shqiptarëve dhe grekëve) është njëri prej kapitujve më të zbehtë të shkencës maqedonase.


Ngushëllim në histori


Shembujt janë të panumërt. Të nevrikosur për shkak të refuzimit të Greqisë që Maqedoninë ta pranojë me emrin e saj kushtetues “Republika e Maqedonisë” akademikët, publicistët dhe politikanët në Shkup prej vitesh trillojnë fakte historike. Kështu aeroporti i vogël i Shkupit është emëruar “Aleksandri i Madh” (ndër shqiptarë i njohur si Leka i Madh), stadiumi i futbollit në Shkup ka marrë emrin Filipi II, autostrada që shpie nga Shkupi në drejtim të Greqisë quhet “Aleksandri i Madh”. Të gjitha këto emërtime synojnë të tregojnë se sllavët e Maqedonisë mund t’i referohen historisë helene, ndonëse në Ballkan kanë ardhur një shekull pas vdekjes së Aleksandrit të Madh. Për të mohuar realitetin shumetnik në Maqedoni autoritetet kanë vendosur në Vodno, një kodër mbi Shkup, një kryq ortodoks, i cili supozohet të jetë më i madhi në Ballkan dhe gjatë natës dritat e tij mund të shihen edhe përtej Maqedonisë. “Kush kërkon ngushëllim në histori, nuk ka vizion për të ardhmen”, kishte thënë para disa muajsh ish-prefekti i Shkupit, Trifun Kostovski. Rasti i Enciklopedisë së Maqedonisë edhe një herë tregon se kur intelektualët pranojnë t’u shërbejnë interesave të politikës dhe braktisin terrenin e shkencës për t’u marrë me “çështjen kombëtare”, skandali është i programuar.


Një shembull taze këto ditë vjen nga Shqipëria. Në librin e ri “Historia e Popullit Shqiptar 12”, i cili u dedikohet maturantëve, gjenden një mori frazash propagandistike mbi zhvillimet politike në Shqipëri në vitet e fundit. Kryengritjen makabre të vitit 1997 historianët e reduktojnë dhe e thjeshtësojnë aq shumë dhe e quajnë vetëm rebelim komunist të organizuar nga opozita e atëhershme, ndërsa për qeverisjen e kryeministrit Sali Berisha gjejnë vetëm fjalë lavdëruese, duke e quajtur epokë të re të zhvillimit të vendit. Askush nuk mund t’ia mohojë rezultatet Berishës, por a thua historianët që e kanë shkruar librin “Historia e Popullit Shqiptar 12” do të bënin formulime të njëjta sikur Berisha të ishte në opozitë. Në rast të tillë historianët me siguri do ta kishin lartësuar veprën e madhe të shokut Fatos Nano dhe do ta kishin stigmatizuar Berishën si puçist, i cili në vitin 1998 kishte organizuar grusht shtet. Me një fjalë: historinë në Ballkan e shkruajnë pushtetarët me ndihmën e historianëve të gatshëm për t’iu shërbyer të gjitha koniunkturave.


Alltia e Adem Jasharit


Dëshmitar i manipulimeve të historisë dhe zbukurimeve biografike është çdo vëzhgues i vëmendshëm edhe në Kosovë. Janë të njohura rrëfimet e jo pak komandantëve të UاK-së, të cilët pas luftës thoshin: “Këtë revole e kam dhuratë nga Adem Jashari”. Thua se Adem Jashari gjatë gjithë jetës së tij paskësh prodhuar vetëm alltia, gjashtare, revole, pistoleta, revolverë, kobure, pisqolle etj. Një shembull tjetër janë përmendoret socrealiste të shumë figurave të rëndësishme të historisë së Kosovës, të gdhendura prej artistëve të importuar nga Shqipëria. اdo qytetar i huaj që e sheh përmendoren e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në Gjilan nuk do t’i shkojë mendja se fjala është për dy dëshmorë të vendit të tyre. Pse? Sepse, për fat të keq, Mala dhe Berisha aty duken më tepër si dy njerëz që kanë vjedhur një zadrugë dhe me narezakë nën sqetull ikin kodër pas bregut. Kjo është pamja e përmendores në Gjilan, një pamje që të vret syrin. Pak më tutje, po ashtu në Gjilan, është ngritur përmendorja e Agim Ramadanit, i cili shihet me uniformë ushtarake dhe me një fletore në dorë. Thua se Agim Ramadani braktisi rehatinë e Zürich-ut dhe shkoi në Koshare të shkruajë poezi.


Po! Në Ballkan historinë e gdhendin, e skicojnë dhe e shkruajnë pushtetarët – tamam ashtu siç veproi këto ditë edhe kryetari i Kosovës, i cili mori pjesë në hapjen e një shkolle që tani mban emrin e gjyshit të tij. Nuk i ha palla askujt që në Kosovë asnjë shkollë dhe asnjë institucion kulturor apo shkencor nuk e bart emrin e Esad Mekulit, i cili ka qenë kryeredaktori i parë i gazetës “Rilindja”, kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re”, autor i zërave mbi historinë e shqiptarëve në Enciklopedinë e Jugosllavisë të botuar në Zagreb, me një fjalë: njëri prej intelektualëve që hodhi themelet e kulturës së Kosovës në ish-Jugosllavi. Pasi janë djegur kriteret, çdokush mund ta familjarizojë historinë.


Rasti i Enciklopedisë së Maqedonisë, për fat të keq, nuk po shërben në opinionin shqiptar për nxitjen e një debati edhe për gabimet në oborrin vetjak. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, historian me profesion, ishte shumë i zëshëm dhe me të drejtë qortoi kolegët maqedonas për formulimet skandaloze mbi shqiptarët, por vazhdon të heshtë për gabimet trashanike të publikuara në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (FESH), i cili sivjet iu prezantua opinionit. Në këtë fjalor janë shkruar gabimisht toponimet e disa vendbanimeve dhe emrat e shumë personaliteteve, shumë ngjarje të historisë së re janë përshkruar me formulime të çuditshme dhe të pasakta. Njëri prej kontribuuesve të jashtëm të këtij fjalori është edhe vetë kryetari i Kuvendit të Kosovës. Përgjegjësia për gabimet në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (FESH) në radhë të parë bie mbi redaksinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, anëtarët dhe bashkëpunëtorët e së cilës për dhjetë vjet kanë punuar në këtë vepër.


Manipulim me shifra


Gabimet, keqinterpretimet, formulimet qëllimkëqija dhe manipulimet me fakte historike janë traditë fatale në Ballkan. Në prag të shkatërrimit të Jugosllavisë nacionalistë serbë, si Vuk Drashkoviqi dhe Vojislav Shesheli, trumbetonin se në kampin e shfarosjes në Jasenovac të Kroacisë ustashët kroatë kishin vrarë një milion serbë. Nga ana tjetër Kisha Katolike e Kroacisë dhe regjimi i Franjo Tuxhmanit minimizonin numrin e viktimave dhe përpiqeshin që krimin masiv në Jasenovac ta barazonin me masakrat e partizanëve të Titos pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë mënyrë tragjedia e Jasenovacit, ku sipas hulumtimeve serioze shkencore ishin shfarosur mes 80 mijë deri 100 mijë njerëz (serbë, hebrenj, antifashistë kroatë, romë), keqpërdorej për qëllime të politikës ditore. Duke fryrë numrin e viktimave nacionalistët e Beogradit synonin të tregonin se të gjithë kroatët janë ustashë dhe, rrjedhimisht, pakica serbe duhej të shkëputej nga Kroacia. Ndërsa pala kroate duke minimizuar krimin mundohej të ndryshonte historinë. Një sjellje pothuaj e ngjashme minimizuese mbizotëron edhe në diskursin rreth gjenocidit në Srebrenicë. Edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e OKB-së me seli në Hagë e ka kualifikuar krimin në Srebrenicë si gjenocid, në pjesën më të madhe të mediave serbe ende flitet për “ngjarjet në Srebrenicë”, thua se fjala është për një katastrofë natyrore. Parlamenti i Serbisë ende refuzon që përmes një rezolute të dënojë gjenocidin në këtë qytet boshnjak. Tani në këtë varg skandalesh është renditur edhe Enciklopedia e Akademisë së Maqedonisë. Shyqyr që për të kuptuar historinë e Ballkanit vëzhguesit si alternativa i kanë librat e autorëve, si: Noel Malcolm, Holm Sundhaussen, Mark Mazower, Edgar Hِsch, Ulf Brunnbauer, Stefan Troebst etj.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top