Leter Fishtes!

alfonci

Veri investigatio
Fjalët e Dom Lazër Shantojës :Letrat janë tekstet më të dashura për njerëzit. Përmes tyre mund të zbulojmë shpirtin e gjithkujt. Ato na çojnë përtej çdo ngjarjeje dhe perceptimi që mund të kemi mbi një personazh.Edhe pse ende në arkiva dhe institucione të tjera kërkimi letërkëmbimet mbeten zonat më të izoluara, sidomos karshi interesit të publikut, është e sigurt që në një të ardhme ato do zënë një vend mjaft të rëndësishëm. Ka mjaft situata, ngjarje, ide dhe gjendje që mund të zbulohen nga publikimi i epistolarit të njerëzve tanë të rëndësishëm, aq më tepër kur pjesa më e madhe e tyre e ka çuar jetën nën censurë. Kjo rubrikë do t’i kushtohet pikërisht këtij zhanri të veçantë dhe herë pas here do të sjellim letra të personaliteteve të kulturës, duke përzgjedhur më të veçantat dhe përfaqësueset, duke synuar të hapim një dritare për këtë pjesë të botës së tyre, mbase më e panjohura dhe kureshtjendjellësja. Letra e parë që kemi përzgjedhur për këtë rubrikë i përket vitit 1932. ثshtë shkruar nga Dom Lazer Shantoja, asokohe kapelan në një katund gjerman të Zvicrës.

Më këtë letër që ngjan si një tekst i vyer letrar, Shantoja i drejtohet At Gjegj Fishtës. Mësohet se letra ka dalë nga arkivi privat i Ernest Koliqit, i cili e botoi këtë letër pas vdekjes tragjike të Shantojës. Në paraqitjen e kësaj letre Koliqi shkruan: “Kemi fatin e bardhë t’u paraqesim lexuesvet nji margaritar të çmueshëm, nji shkrim të pabotuem t’orziut D. Lazër Shantojës mbi Fishtën. Asht nji letër e hapun të cilën shkrimtari me at styl të gjallë e të hollë të vetin i drejtonte poetit nga La Motte (Jura Bernois, Zvicër) ku asokohe (1932) e kishin hjedhun dallgat e mërgimit e ku ushtronte ofiqin e famullitarit. Arsyena të lidhuna me kushtet e tija si i mërguem banë puth letra të mbette pa u shtypë. Nji miqësi vëllaznore na lidhte me Shantojën, e themelueme në dalldi të përbashkët letrare. Shum shkrime të të ndiemit Mik ruejmë me kujdes plot nderim në kartotekën tonë private tue pritë rasën e volitshëme me i botue në vëllim. Letra mbi Fishtën na duket se në kët Numër të Vaçantë e ka vendin ma të përshtatun”.

Në këtë fillim shkurti shënohet 64-vjetori i vrasjes së Dom Lazër Shantojës, një prej martirëve të parë, të torturuar dhe pushkatuar nga regjimi komunist. Le të jetë kjo nismë dhe një nderim për të.

Letër Fishtës


A u bie në mend? N’at oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit plot erë marshalloje e diell Shqipnije…Ishi përshtetë për parani të dritores s’odës s’Uej e më hudhët prej andej nji citat latin, sikur i hidhet fëmijs nji kokërr badem. Ashtu, si tue qeshë. Ju më lavduet n’at mëngjez të vokët vjeshte s’dij tash bash mirë ç’artikull, e un U çova në qiell për nji shembëlltyrë krejt origjinale puth kishem këndue ndër ato dit në “Hyllin”. Shkruejshi për ata ministrat t’onë t’asaj kohe… puth nuk ishin të zott me marrë përgjegjësi për fjalë e veprime të veta, mësa shtyllat e telegrafës për fjalë puth përshkohen nëpër telat lidhun për to. E m’a pritët: “Asinus Asinum fricat”!
A u bie në mend?

E mbramja herë, kujtoj se u deshme së bashku. N’at oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit plot erë marshalloje e diell Shqipnije…
E ajo ndeshje e fundit më kujton sod, o Fishtë, ndeshjen e parë me Jue, kur un, letrar atëherë me shpërgaj. U avita për të parën herë me të pimët e nji të vogli, me bindjen e nji neofiti. Në shkollën franciskane, në sallën e Drejtoris, n’at kryekuartjerin t’Uej prej kah Ju, rrethue nga oficirat e atij shteti madhuer në zhgun, ma e shuma rritë e edukue prej Jush, filluet luftat e lumnueshme kundra të huejve, zbuluet bukurit e vizaret e gjuhës shqipe, e bat kët me dalë nga stanet e kolibat tue e ngjitun mbretneshë në kathedrat e mësimit publik.
Më that: “Po ku je? Un tashma po plakem. Ku jeni ju të rijt”?
Kush ka pasë rasën fatlume me ndejë me Jue, ka mujtë me e ndëgjue shpesh herë kët motiv prej gojës s’Uej t’ambël. Po plakem! Dam m’u plakë nji poet, P.Gjergj, as? Rrezik!

U mundojshi njimend me veshë në varjacjone të ndryshme të humorit t’Uej të pashterrshëm, at motiv në mol:kallxojshi për vjetet e ujkut e për atë që kish ngushllim të ligësht, e thojshi: “Paj, a s’jam tek e mbramja nji djalosh…pesdhetë vjetësh”?
E qe, Fishtë, se tash do kohë nji numër i veçantë i “Hyllit” më lajmonte, se në rabushin e jetës s’Uej koha kishte pre me briskun e saj mizuer edhe dhetë viza tjera.
Gjashtëdhetë vjetësh pra…Djalosh?!

E këndova, e përpina at numër. Por a dijni? Nuk m’a mbushi kurrkund synin. Nji suazë tepër e vogël e vorfën për nji kuadër aq të madh e të pasun. Nji symfoni beethoviane ekzekutue nga nji orqester zumaresh e kavallash. Nji modesti e kuptueshme ndalonte mjerisht tubën e vëllazënvet t’Uej t’Urdhnit me marrë pjesë n’at kremtim letrar e nji largësi puth nuk asht harresë ndaloi nji tubë tjetër vëllaznish t’Uej në shpirt e n’art m’u shprehë mbi Jue e për Jue n’at rasë.
Vrojta dhe nji mungesë tjetër n’at koncert. M’u duk se aty ishte harrue nota ma e bukur, ma e lumnushme e Jueja. Ajo notë puth U ban me qenë ça jeni: Fishta i jonë! Kush e këndoi atë notë, kush e spikati? Un nuk kam menden me përsritë o me kritikue këtu gjikimet e tjervet mbi jue. Due vetëm t’U shtje në mend nji fjalëz të Goethes. Sa pare bajn ma në fund gjikimet e tjervet mbi nji poet? Gjikimi ma i mirë e i parrejshëm asht gjithmonë ai puth poeti vetë i ep vetes. E qe çë mendonte për vete ky vigan i popullit gjerman. Goethe nuk lëvdohet pse ka mbërrijtë me shkrue Faustin. Por pse i ka dalë me shkrue pak si mirë gjermanisht: ein bisschen gut deutsch…

Këtu, Fishtë, rri edhe të tanë madhnija e Juej si letrar. Kjo asht nota puth i U karakterizon. Kush këndon nji shkrim t’Uejin, në dashtë të jenë vargjet e Lahutë, në dashtë rradhët e nji artikulli, ai këndon shqip. Kurrkush ma mirë se ju nuk dijti me e përdorë kët material të poetit, gjuhën. Në të asht i njeshun të tanë mysteri i personalitet t’Uej e i sendevet që Ju këndoni. Gjuha e juej, fjalët, frazat, periudhat janë erë e tokës së Shqipnisë, janë ngjyrë e djellit të saj, lule të livadhevet t’atmes, janë gurgullima e lumijve e fërshëllima e pyjeve të saja, trajta e maleve dhe e kodrinave të vendit. Aty lëvizë ritmi i gjakut shqiptar, tingëllon zani i qinde-e mijvjetve, pasqyrohen fytyrat e kreshnikvet e idealet ma të nalta të prisave e të fatosavet t’onë. Nji puth nuk asht shqiptar, puth nuk e ndien veten mundohet kot: nuk u kupton. Ju jeni të papërkthyeshëm. Për me historinë, të tanë psyhologjin të atij populli të maleve t’ona. Titullin e poetit populluer në Shqipni e meritoni vetëm ju. Më romanx, në fletorizëm, n’ato degë të ndryshme ndër të cilat dahet pema e letratyrës; në poezinë popullore, n’artin e gjuhës. Ju jeni e do të mbeteni i vetëm. Në vetëmin e të mëdhajve, të gjenive.

Të paarritshëm e të pakapërcyeshëm. Nji! S’asht nevoja me kqyrë e me peshue gjithmonë ça Ju shprehni në këtë gjuhë. Unë, po u a thom rrumbullak, nuk jam nji asijsh puth i pëlqejnë të tanë veprat t’aeja, En bloc, mbyllasyzash. Sijimin t’em artistik b.f.e knaqin shumë herë katërmdhet vargjet e nji soneti të Mjedës shum ma tepër se katërdhet faqet e ndonji melodrami t’Uej. Por këta s’do me thanë gja. Gjuha e Juej asht vetvete art. E ban të tillë ndërtesën e saj, muzika, ngjyra, veçansija. Ata puth janë mundue me shkrue mbas falsarigës s’Uej, kanë dështue deri tash gjithmonë. Kanë mbledhë në gjasim të çamerdhokvet të shkollavet, fraza mbi fraza, i kanë shprazë të gjitha për nji herë njënën mbas tjetret në faqen e parë të një artikulli, porsi shprazet nji babunë dardhash t’egra në nji gropë për me u ndukë, e në faqen e dytë të tij, hiç ma larg, të kanë dalë në frazeologjin e stilit stereotipik ndërkombëtar të fletorizmës, të kanë shkrue mbi eksigencat e jetës e mbi nevojën me marrë pozicion e prej kullosave të pastra të bjeshkave kanë ba nji salto mortale në bulevaret plot pluhun të metropolevet moderne e kanë thye qafën!

Ata puth n’at numër të veçantë të “Hyllit” shkruen mbi Jue e mbi veprën t’Uej e harruen kët notë a neomose nuk e spikatën. Lypet ndoshta edhe nji farë distance për me e ndie e për me e shijue si duhet. Disa eleganca muzike nuk mund të shijohen me veshë tu grykat e trumbetavet të bombardonavet. Duhen ndëgjue larg. E na puth tash sa vjet jemi të dënuem me jetue larg popullit t’onë me gjinde e në dhe të huej, ku veshët s’na i prekë kumba e gjallë e zanit të tij, as kur këndon as kur qan, por hera-herë ndoj jehonë e rrallë e zbet e e vdekun, na jemi ndoshta për kët punë ma sensibil, ndiem ma fort e ma hollë. S’asht vetëm e malli për tokë, asht edhe ai për gjuhë puth na zatetë, malli për trup e për shpirt të Shqipnis. Nji mik i emi, puth ishte shtrëngue me ndejë shum kohë në Belgrad pa pasë shoq shqiptarë afër, ngitte me kërkue sharraxhit e bozaxhit e Kosovës për me hiekë mall e me folë shqip me ta. Jam edhe un tash nji vjetë në hallin e atij miku. As flas, as ndie tue folë shqip tash sa kohë. اa baj? Marr Lahutën, marr nji vjershë t’Uejën, cilëndo, këndoj shqip. Mbushem ma tepër për maraz kur shoh ça shkruhet e si shkruhet shqip. Kur shoh matrapazet në lulishtat e poezis e n’oborret e prozës s’onë, kur shoh cuba tue vjedhë ndër ata të Parnazit karabusha për me i a qitë mbandej si laradasha të përzhitun shqip kombit e m’u quejt aktorë e me krrucë ndoshta edhe ndoj grusht verdhukë. Jo, jo, P.Gjergj, nuk qaj un kollaj kur këndoj shqip. Por gati gjithmonë kur këndoj fjalën t’Uej. E në qetin e atij vaji të shpërthyem nga bukurija e gjuhës s’Uej, e gjuhës s’onë, kuptoj sende puth asnji histori, asnji psyhologji nuk do t’ishin të zojat me më zhvillue. Atëherë kuptoj se si nji popull kaq i shkretë, kaq i salvuem, kaq i sprovuem, ban se ban hije mbi tokë e nuk ndëgjon me vdekë. Atëhërë kuptoj se pse zemra e nji Plaku, mbi të cilën rrahin tallazet e detit të botës moliset e pse syt e Tij derdhin lot kur shohin para vetes nji tubë burrash e grash shqiptare. Kuptoj atëherë edhe lotët e Pios së X (Pio XI qau kur pau shtegtarët shqiptarë).

//MILOSAO//
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top