Leskovik-o (s)’fryn më erë!…

Leskoviku. Të habit pasuria e ngjarjeve historike që ka përcjellë ky qytet gjatë shekujve, figurat e mëdha historike që ka nxjerrë, pasuritë e mëdha folklorike që nga këngët lirike deri te ato epike, që nga përrallat e legjendat deri te mrekullitë etnografike të tij.

Leskoviku i verës, i rakisë, i rrushit debinë, i banjave të mrekullueshme të Sarandaporit, i Tri Urave, qyteti i këngës dhe valles. Ai ka qenë i njohur prej shekujsh para shumë qyteteve shqiptare që linden më vonë.
Shiko fotografinë 1787204
Leskoviku ka qenë nënprefekturë dhe qendër gjykate në kohën e Mbretit Zog, sepse ka qenë një krahinë me 34 fshatra. Në atë krahinë përfshiheshin edhe një pjesë e madhe e fshatrave, që janë futur dhunshëm në rrethin e Përmetit, më shumë për shkaqe politike që në monizëm. Ishte më e lehtë ta sundoje atë krahinë kryeneçe duke e copëtuar. Prandaj iu hoqën të gjithë fshatrat që nga Mesareja deri në Munështir, اarçovë, Iliarë, Zhepë, Izgar, Kreshovë, etj. dhe e bashkoi me Kolonjën me qendër Ersekën, por megjithatë nuk ia hoqi emrin qytet, e la lokalitet, ku kryheshin shërbimet më të thjeshta administrative.

Banorët e Leskovikut u çuditën, kur në zgjedhjet e para demokratike në vitin 1992 pika kufitare e Tri Urave iu dha arbitrarisht rrethit të Përmetit! Ajo historikisht ka qenë pjesë e krahinës së Leskovikut.

Një çudi tjetër ndodhi kur Banjat e Sarandaporit u shitën pa i pyetur fare leskoviqarët. اudia më e madhe po ndodh këto kohë, kur ai qytet, sot bashki nesër do të jetë një komunë, njëlloj si اarçova pak kilometra më larg dhe do t`i duhet që edhe për një vërtetim të shkojë në Ersekë dhe, më keq akoma, në Korçë.

Ndarja e re territoriale nuk i ktheu Leskovikut dinjitetin e humbur prej më shumë se shtatëdhjetë vjetësh, nuk u ktheu leskoviqarëve qytetin, atë qytet që ka qenë i dëgjuar me shekuj si një nga qytetet më të kulturuar, të bukur dhe me emër në Shqipëri.

Populli i krahinës është liridashës, shumë punëtor, i shkathët, inteligjent, krenar, këmbëngulës në kërkesat e veta, arsimdashës, mikpritës dhe nikoqir i shkëlqyer, i bindur ndaj ligjeve të shkruara e të pashkruara, lufton për një jetesë më të mirë, është një popull i vuajtur dhe i munduar nga të gjithë sistemet shoqërore që ka kaluar vendi.

Pozicioni i tij gjeopolitik është i tillë që prej shumë kohësh ka shërbyer si portë hyrëse në Shqipëri jo vetëm nga shteti grek, që ka dashur edhe ta gllabërojë, por nga gjithë bota perëndimore e lindore. Ai ishte urë lidhëse për shkëmbimet tregtare, kulturore, arsimore, politike dhe për marrëdhënie miqësore midis popujve.

Pasuritë më të mëdha të leskoviqarëve pasanikë kanë qenë në Greqi. Krahina e Leskovikut dikur kishte 34 fshatra dhe ka prodhuar aq histori sa disa krahina të marra së bashku. Shekulli i XIX-të e bëri atë të dëgjuar edhe në Evropë.

Në atë kohë Leskoviku ishte nënprefekturë dhe qendër gjyqësore edhe për Kolonjën. Ajo krahinë dha shenjat e para të luftës pa kompromis kundër pushtuesve fashistë. Djem e vajza të fshatit e qytetit u hodhën në luftë për çlirimin e plotë të vendit nga pushtuesit.

Leskoviqarët e kanë ndjekur me shekuj emigracionin brenda dhe jashtë vendit. Ata kanë punuar në Greqi, Turqi, Bullgari, Rumani dhe më larg akoma në Amerikë, Argjentinë, Brazil e kudo ku kishte punë si mjeshtër të pijeve alkoolike, si teknikë vreshtash, sharrëxhinj etj.

Dikur në Leskovik derdheshin zilet e këmborët për gjithë republikën. Zanatçinjtë e atij qyteti ishin virtuozë të zanatit të tyre dhe i dhanë emër qytetit brenda dhe jashtë vendit. Me ardhjen e demokracisë ashtu si gjithë shqiptarët edhe leskoviqarët shkuan në kurbet. Shumica në Greqi dhe në Itali dhe së bashku me të tjerë shkuan edhe më tej në Evropë e Amerikë. Shkuan se dolën të zhveshur e të zbathur, të uritur e të pashëndetshëm, shkuan se nuk i mbante vendi, se kërkonin një jetë më të mirë, se nuk gjetën punë në vend.

Tani popullsia e asaj krahine është pakësuar shumë, pasuritë e saj janë të pa shfrytëzuara, se nuk ka rini, nuk ka forca pune. Pasuritë që ka dhe shfrytëzimi i tyre kërkojnë që ai qytet të lidhet me rrugë të mira dhe sa më shpejt me zonat e thella shumë të pasura si Shqeria, të lidhet më shpejt me qytetet e Ersekës, Korçës e Përmetit, të lidhet me Konicën e Janinën, për të tregtuar prodhimet e veta.

Leskoviku nuk kërkon një administratë të madhe, por ai mund të sigurojë aq të ardhura sa të kënaqë çdo punonjës e banor të krahinës. Leskovikun e ofendon ndihma ekonomike për mëshirë që marrin disa familje, i heq dinjitetin e qytetarit. Leskoviqari do punë, nuk do mëshirë nga shteti.

Banorët e Leskovikut e kanë dashur dhe e duan qytetin e vet, por kjo njësi administrative u fshi nga harta me ndarjen territoriale të fundit, pa u menduar aspak për të ardhmen e tij. Leskoviku është larg 40 km nga Erseka, 95 nga Korça dhe 50 nga Përmeti. Vajtje-ardhje jo më pak se 150 km. Ku dhe kur do t`i zgjidhin problemet banorët e këtij qyteti ?! Më afër ata kanë Konicën dhe Janinën ! Leskovikun e djegur tri herë, me hartën që u aprovua më 31 korrik 2014, u dogj për herë të katërt!
Shiko fotografinë 1787205
Qytet me tradita të lashta turistike

Qyteti i Leskovikut ishte qendër turistike, ku vinin e pushonin në verë pasanikë, të cilët veç klimës shfrytëzonin edhe banjat aq të dëgjuara të Sarandaporit dhe banjat me avull të Postenanit. Turizmi i dha atij shkëlqim e rriti dhe i shtoi rrjetin tregtar. Ishin të dëgjuar qiraxhinjtë dhe tregtarët e tij, që bënin rrugët nga Follorina deri në Janinë, Sarandë e më tej. Një pasuri e madhe e asaj krahine janë edhe traditat folklorike dhe etnografike. Bukuria e valleve dhe këngëve leskoviqare, sazet e dëgjuara të Hafize e Selim Leskovikut, violinisti virtuoz Mitre Jorgo, klarinetisti Vangjel Janushi e Gaqo Lena përcollën më shumë art meloditë lirike të asaj krahine, që pushtuan skenat e Gjirokastrës, Beratit dhe të krahinave të tjera brenda dhe jashtë vendit. Ajo krahinë ka pasuri të mëdha arkeologjike e historike. Janë të dëgjuar vende të tilla si Varri i Krajlit, Maja e Melesinit, kisha e Cerckës, e Kovaçishtit, vendbanimi i vjetër i Malishtës, bodrumi i Lashovës, lapidari i ushtarëve italianë të rënë në luftën italo-greke, Vrima e Kopiles në Radat, Përroi i Grekut, Pylli i Shelegurit, liqeni akullnajor në majën e tij, bile edhe “tunelet” e çuditshëm të Malit të Postenanit të hapur nga ushtria në kohën e komunizmit (!) etj., që mund të shtojnë kuriozitetin e turistëve dhe udhëtarëve të huaj e vendas.leskovikuuuuuu

Leskoviku mburrej me vreshtat e veta, me rakinë dhe verën e famshme, me pasuritë e tij mbi e nëntokësore. Janë të dëgjuara vreshtat e Postenanit, Radovës, Shqerisë, اarçovës etj. Një nga pasuritë e mëdha të krahinës janë pyjet, që shtrihen që nga Arrëza dhe vazhdojnë me Shelegurin, Vashën dhe më tej matanë Postenanit deri në Munështir e gjetkë. Në kohën e komunizmit u zbuluan edhe rezerva mineralesh të kromit dhe alabastrit etj. Një pasuri tjetër po aq e madhe janë dhe dy banjat e asaj krahine: Banjat termale te Sarandaporit dhe banjat me avull të Postenanit. Ato u kanë shërbyer me shekuj të sëmurëve jo vetëm të zonës, por edhe të gjithë vendit tonë dhe më tej Greqisë etj. Ajo krahinë është shumë e pasur me bimë medicinale të shumë llojeve, që janë e kanë qenë burim të ardhurash për banorët e krahinës. Janë të dëgjuara qershitë e Radovës, fiqtë dhe rrushi i Gropës së Zogut, arrat e Vrepckës dhe shumë vende të asaj zone. Akoma më të mira janë reçelrat dhe glikotë e krahinës.
Shiko fotografinë 1787206

Vatër patriotizmi dhe zhvillimi kombëtarXega01

Në fillim të viteve `30 të shekullit të XIX-të aty u zhvillua një nga ngjarjet më domethënëse të luftës së popullit tonë kundër Turqisë. Zylyftari i Podës i tregoi turkut se rezistenca e shqiptarëve nuk mbaroi me prerjen e kokës së Ali Pashës. Zylyftar Poda shkroi epopenë e Melesinit. Ajo krahinë i dha Rilindjes Kombëtare figura të shquara që luftuan me pushkë e penë për Mëmëdhenë. U dalluan figura të tilla si Jani Vreto, Faik Konica, Stefan Postenani, Muço Qulli, Teki Glina, etj. që i dhanë tonin Rilindjes. Gati 70 përqind e rilindëve më të shquar ishin nga Kolonja dhe Leskoviku. Në vitin 1912 Lesovikun e përfaqësoi në Vlorë avokati i dëgjuar Cile Vreto, i cili shpuri atje fjalën e lirë të popullit patriot të krahinës. Në vitet e Luftës së Parë Botërore Leskoviku ashtu si Kolonja e Korça pësoi një tragjedi të madhe. Andartët grekë vranë e prenë shumë njerëz, dogjën 650 shtëpi dhe shkretuan vreshtat e zonës. Ishte një gjenocid i vërtetë, për të cilin Greqia nuk ka denjuar të kërkojë falje. Por, leskoviqarët e rindërtuan qytetin më të bukur se më parë.
Shiko fotografinë 1787207
“Zylyftar mustaqeverdhë, prit nizamët se t’u derdhë”…ZylyftarPoda

Pak kush e di se në Muzeun e Luvrit në Paris është vendosur busti i luftëtarit shqiptar kundër pushtimit otoman, Zylyftar Podës, një nga objektet e rralla shqiptare në këtë muze. Zylyftar Poda, apo siç ka qenë emri i vërtetë i tij, Iljaz, (Zylyftar i ka mbetur nga fjala turke, Silihqidar, që do të thotë “mbajtës i armëve të Sulltanit”), lindi rreth vitit 1768, në fshatin Podë të Kolonjës, i cili ndodhet edhe sot në të dalë të qytetit të Ersekës, afër urës së Shalësit, në të djathtë të rrugës që të shpie në Leskovik. Zylyftari, apo Iljazi, siç është emri i tij i vërtetë, mësimet e para dhe ato të shkollës së mesme i mori në Janinë dhe Manastir. Ai u bë i njohur duke qenë krahu i djathtë i Ali Pashë Tepelenës dhe më pas në Kryengritjet e Tanzimatit.U vra në përpjekje me turqit i rrethuar në malin e Melesinit mbi Leskovik. Edhe sot në Kolonjë dhe Përmet këndohet kënga kushtuar atij: Melesini maja-maja/ E rreh topi, kumbaraja…/Zylyftar Mustaqeverdhë, /prit nizamët se t’u derdhë./ Le të vinë, mirëse të vine/te pusi e kam Mersinë…
Shiko fotografinë 1787208
1913-a, thikë në zemrën e Leskovikutandartet

Në tetor të vitit 1921 në qytetin e Leskovikut u organizua një nga mitingjet e para të shqiptarëve, që kërkonin nga Fuqitë e Mëdha vendosjen përfundimtare të kufijve te vendit dhe i detyruan ato të dërgonin Leon Rein dhe Justin Gotardin dy diplomatë të dëgjuar, dashamirës të Shqipërisë për të parë gjendjen e kufijve. Bashkia e Leskovikut e priti Gotardin me tufa me lule, e përshëndeti në gjuhën frënge dhe një grup të rinjsh këndoi Marsejezën. Bashkia i dhuroi diplomatit një kostum popullor (pirpiri). Në vitin 1923 filloi punën Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve i kryesuar nga Gjenerali italian Tellini. Leskovikut iu dhanë Banjat e Sarandaporit, një pasuri e madhe e krahinës. Grekët të zemëruar nga vendimi i Telinit, morën hak dhe e vranë gjeneralin! Në Leskovik u ndjenë më shpejt se në shumë krahina të vendit idetë përparimtare, që përqafoi rinia në kohën e Mbretit Zog. Atje u organizua një nga demonstratat e para të bukës në vend.
Shiko fotografinë 1787209
Ndarja e re territoriale, një tjetër thikë mbi të(!)

Do t’u bëja një propozim qeveritarëve, që në përgjithësi janë veshëshurdhër: Ta shikojnë edhe një herë punën e Leskovikut, të shkojnë atje të pinë një gotë verë “Pinonero” Leskoviku, të dëgjojnë këngët e bukura leskoviqare dhe do ta shikojnë se ç’është ai qytet. Të dërgojnë një grup ekspertësh, agronomë, ekonomistë, gjeologë, ekologë, inxhinierë, qoftë edhe psikologë për të vlerësuar pasuritë njerëzore, mbi e nëntokësore të krahinës. Do të shikojnë se po u investua në atë krahinë, leskoviqarët do të kthehen ashtu si janë kthyer gjithnjë, do të punojnë dhe do të mbajnë me të ardhura jo një bashki, po gjithë rrethin e Kolonjës. Leskoviqarët kërkojnë krahinën etnografike, t`u kthehet dinjiteti i shkelur padrejtësisht. Do të jetë mirë të gjendet një mënyrë të korrigjohet një gabim, bile faj, i bërë nga Komisioni i Reformës, dhe Leskoviku të marrë statusin që ka patur historikisht.

Leskovik-o fryn një erësazet_e_dasmes_se_mbretit_zog_

Leskovik-o fryn një erë

Dil e hapni moj penxheretë!

Dil e hapni moj penxheretë

Ka ardhë djali moj vetë o i tretë!

Ka ardhë djali vetë i tretë

Me lahutë e me gërnetë.

Me lahutë e me gërnetë

Daulles i bie vetë!

Leskovik, o gur i thatë

Sa punëtore moj na i ke gratë!

Sa punëtore na i ke gratë

Si të voglat moj dhe të mëdhatë!
Shiko fotografinë 1787210
dita
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top