Kur Shqipëria prodhonte raketa për aeroplanët Mig-21

legjenda

Tetova
Flet inxhinieri Dilaver Dautaj për aventurën në Kombinatin Ushtarak të Poliçanit.
Mark Brunga

Në fillim të viteve `80, pasi shtetit shqiptar i qenë prerë kreditë dhe ndihmat ushtarake që merrte nga Kina, specialistëve të industrisë ushtarake iu vu detyra që të zgjidhnin problemet urgjente të mungesave të shkaktuara. Inxhinieri ushtarak Dilaver Dautaj, i cili për një periudhë kohe ka kryer funksionet e shefit të Grupit të Projektimeve dhe Prodhimeve të Municioneve të Aviacionit Luftarak të Mig-19 dhe 21, thotë se shteti kishte vënë si një nga detyrat kryesore kërkesën për zhvillimin e industrisë ushtarake deri në pavarësi të plotë.

Për këtë u krijua Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Industriale Ushtarake (ISP nr. 6) në Tiranë me specialistët më të mirë dhe më të besuar të vendit për të vazhduar më tej punën për kompletimin e industrisë ushtarake, që ishte ndërprerë pas shkëputjeve të marrëdhënieve me Kinën. Ky Institut drejtohej nga Ilir Hoxha, dr. i Shkencave Mekanike, titull të mbrojtur në Suedi. Ai ishte në atë periudhë, thekson ing. Dautaj, një nga inxhinierët më të aftë të vendit: “Ai ka ndjekur vazhdimisht me përparësi çdo ecuri të punës shkencore dhe ka kontribuar me njohuritë e tij të shumanshme në kapërcimin e problemeve teknike që na dilnin gjatë realizimit dhe zbatimit të projekteve që kishim detyrë. Ndërkohë duke u shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e industrisë mekanike dhe elektrike të vendit u arrit që të prodhoheshin municionet nga më të thjeshtat deri tek më të komplikuarat të avionëve Mig 19 dhe Mig 21”.

Dilaveri thotë se Grupin e Studimit dhe të Projektimit të Mjeteve Ushtarake, i cili përbëhej nga kuadro nga më të aftët e asaj periudhe, në fillim e kryesonte inxhinieri mekanik ushtarak Gëzim Cane, i cili më pas kaloi në detyrën e kryeinxhinierit të Kombinatit Industrial të Poliçanit (Kombinati fillimisht përbëhej nga 4 uzina të fuqishme mekanike dhe kimike). Në vitin 1992 Cane u bë deputet. Pas largimit të Canes si drejtues i Kombinatit të Poliçanit, drejtimin e Grupit Studimor dhe Prodhimit ia ngarkuan inxhinierit durrsak Dilaver Dautaj.

Për projektimin dhe prodhimin e raketës ka pasur edhe shume vështirësi që janë kapërcyer hap pas hapi. Dilaveri thotë se për këtë mjafton të përmendim faktin se vetëm për të gjetur lëndën djegëse që shkatërronte tanket është punuar rreth 3 vite. Ndërkohë që zbulimi i shtetit na vinte në dispozicion çdo kërkesë që ne i bënim për të dhëna sekrete lidhur me teknologjinë e armatimit. Këto të dhëna vinin nga Rusia, Kina, Vietnami. Mjafton te përmendim faktin se edhe një kërkesë e thjeshtë për literaturë teknike shkencore që mund të bënim, na vinte në dispozicion rreth 15 ditë pas kërkesës, thotë ai më pas.

Dilaveri thotë se nuk mund të harrohet kurrë ajo punë e palodhshme që është bërë me përkushtim dhe net të tëra pa gjumë të grupit inxhiniero-teknik për projektimin dhe prodhimin e bombave 250 kg të aviacionit si dhe të raketave ajër-ajër dhe ajër-tokë, e cila duhej të shponte blindin e tankut. Vështirësia qëndronte në faktin se për shkak të ruajtjes së sekretit ushtarak, nuk mund të diskutoje hapur dhe të debatoje me kolegët e punës. Të debatoje qoftë dhe për probleme teknike me koleget atëherë ishte shumë e vështirë. Prodhimi i raketave qe nga detyrat më të vështira, pasi ajo përmbante disa lloje barutesh, si shkrirësin e blindit, barutin e motorit reaktiv si dhe barutet që finalizonin punën e saj. Ishin probleme tepër të vështira për t’u zgjidhur dhe me përgjegjësi, pasi ndikonin direkt në efikasitetin dhe balistiken e raketës, e cila do të lëshohej nga aparaturat e avionit luftarak dhe devijimi sado i vogël i balistikës e nxirrte jashtë funksionit avionin, i cili ishte një nga më të shpejta dhe më precize të asaj kohe.

Sipas Dilaverit, pas arritjes së rezultateve të shkëlqyera eksperimentale me prova reale në poligone u shtrua detyra e re e projektimit të teknologjisë së prodhimit në seri si dhe projektimi i uzinës së prodhimit që do të realizonte këtë prodhim. Ky qe një objektiv i ri që do të kërkonte mund e djersë të jashtëzakonshme, por megjithatë edhe kjo u realizua. U bë projekti dhe pritej të materializohej. Po kjo nuk u arrit të bëhej pasi dobësimi i ekonomisë në vitet `84 – `85 dhe kërkesat e tjera më imediate bënë që ky projekt të arkivohej për t’u lenë për një kohë më të përshtatshme… Dilaveri thotë se u arrit që të prodhoheshin rreth 60 copë raketa eksperimentale dhe më pas gjithçka u ndërpre. Gjithçka nga këto eksperimente te dokumentuara tashmë ka mbetur në pronësi arkivave të shtetit… Ka qenë viti 1983 kur u bënë provat e para me raketat e Mig-ëve.

Dilaveri kujton se si ato u bënë në zonë e Tërpanit, Berat. “Pasi arritëm t’i prodhonim tërësisht duke zgjidhur edhe problemet teknologjike që kishin vështirësi, për të parë realisht efikasitetin e tyre në betejë reale, vendosëm që t’i provonim në qitje luftarake të rregullta. Rezultatet përfundimtare të eksperimentit ishin të plota. Produkti luftarak i raketave për avionët Mig, të prodhuara në vend, garantonte të gjitha cilësitë e produktit të importit”. Dilaveri kujton me nostalgji se si ekipi i inxhinierëve festoi këtë arritje. Ai thotë se në provën e tyre mori pjesë komandanti i Përgjithshëm i Aviacionit, Bardhyl Taçi, disa nga specialistët e fluturimeve, Kryeshturmani, si dhe shefi i Armatimit të Aviacionit të asaj periudhe, Perikli Teta.

Në uzinën e prodhimit u morën pesë copë raketa ajër-tokë dhe u dërguan në aeroportin e Kuçovës, ku u bë edhe armatosja e Mig-ut të eksperimentit. Provat u bënë me Mig-19, për arsye se ky tip ishte më i ngadaltë në fluturim si dhe më i manovrueshëm në terrenin malor ku u zhvillua ekzaminimi i efikasitetit të raketave të aviacionit të prodhuara në Shqipëri. Po kjo bëhej edhe për të kursyer karburant avionësh, pasi avionët Mig-21 ndodheshin në aeroportin e Gjadrit dhe sasia e karburantit që konsumonte një avion i atillë qe e madhe. Poligoni ishte në Tërpan në Qafen e Kumbullës. Atje kishim instaluar një tank maket. Ai tregon për këtë: “Kur u godit me të gjithë sasinë e raketave që hodhi avioni i provës, atëherë dhe entuziazmi ynë nuk kishte fund…”

Paralelisht është punuar edhe me prodhimin e bombave të aviacionit, të cilat kishin një peshë rreth 250 kg. Mig-u armatoset me 2 copë të tilla. Prova me to është bërë në vitin 1982. Në grykëderdhjen e lumit Vjosa. Në provën e tyre mori pjesë një nga pilotët më të aftë që ka pasur aviacioni ynë luftarak dhe që për cilësitë e tij të veçanta si pilot dhe komandues kishte kaluar në detyrën e komandantit të Përgjithshëm të Aviacionit, Bardhyl Taçi. Dilaveri kujton se si ai i u drejtua me pyetjen: – Inxhinier a do ta copëtojnë bombat tona bunkerin e Mendu Backës, që ta marrim në telefon më pas e t’i themi se bombat tona t’i thërrmuan bunkerët tuaj se nuk bëjnë?

Mendu Backa ishte zv.ministër Mbrojtjeje në atë periudhë dhe ata ishin miq së bashku dhe me këtë donte që të bënte shaka. I thashë se nëse do t’i biesh në kokë, do të marrësh rezultatin që kërkon. Ai mori radion dhe iu drejtua aviatorit që të zhvillonte manovrën e bombardimit të bunkerit që ndodhej në poligon. Si pilot mjaft me përvojë që ishte, ai e drejtoi avionin nga toka. Bombat u hodhën të dyja, por nuk ranë mbi bunker. Natyrisht që bunkeri ishte një objektiv i vogël dhe ato ranë rreth 50 metra më larg, por shpërthimi i bombave qe i madh dhe bunkeri u trondit, saqë u shkul nga vendi disa cm. Ishte muaji korrik i vitit 1982, kur u bë ky bombardim me bomba të prodhimit shqiptar. Gropat që hapnin ato atje ku godisnin ishin mbi 2 metra thellësi me një rreze krateri prej 25 metrash. /Standard/
rr-euml-fimi-kur-shqip-euml-ria-prodhonte-raketa-p-euml-r-avion-euml-t-mig-21_hd.jpg
 
Titulli: Kur Shqipëria prodhonte raketa për aeroplanët Mig-21

Kjo pjesa qe bombat kane ra 50 metra larg objektivit tregon cdo gje per kualitetin. Me 50 metra huqje i ben pluhur ushtaret tu ne rast lufte frontale. Apo edhe civilet ne zona urbane. Mire qe nuk kane pasur rast te perdoren ne beteja te verteta.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top