Kultura në shumës, kombësia në njëjës!

ReNdEx

Interist Forever
Staf në FV.AL
Mod
47051.jpg


Historia kudo ka provuar se shkolla dhe edukimi nuk janë i vetmi burim për të mëkuar ndjeshmërinë e etnicizmit, ku ti je pjesë fal rrënjëve të thella dhe të qëndrueshme. Ajo sigurisht që e pranon gjithë popullin e vet sepse nuk ka njeri që nuk e kalon një pjesë të jetës në shkollë. Atje flitet për të kaluarën historike dhe brezat e rinj mësojnë kontributin dhe përgjegjësinë që kanë ndaj brezave të mëparshëm, ndaj etërve të kombit të tyre që vunë gurët e themelit në atë që quhet atdhe! E kaluara historike nuk është as thjeshtë memoralistik, as strehë alibie, por as thjesht objektiv për sulme selektive ndaj një periudhë të caktuar! Historia e jetuar dhe e certifikuar muzeumizohet dhe nuk fshihet, arkivohet dhe nuk rezervohet, nuk rishkruhet bazuar në klientelizëm dhe shpërdorim me qëllim etiketimin e dikujt si pinjoll, dhe në anën tjetër në delir të afrosh dikë që nuk ka as staturë, as kontribute, si figurë historike e kombit! Të gjitha periudhat historike kanë rëndësinë e tyre, sa kohë që në të gjitha ato kanë jetuar dhe janë përpjekur për mbijetesë dhe zhvillim shqiptarët. Sistemet e prapambetura ose totalitare tashmë të kapërcyera, nuk mund të mbajnë peng të sotmen. Nëse do të shihnim vetëm nga e shkuara dhe jo nga e ardhmja, ajo që do ta pësonte do të ishte liria! Edukimi përmend panteonin historik, por se nëse dikush apo disa që drejtojnë vendin, orientojnë ose urdhërojnë, se kush do të hypi në këtë panteon dhe kush do të duhet që të zbres, atëherë ky nuk është panteoni i vlerave dhe kontributeve. Ai do të ishte tribuna komike e të vetëshpallurve udhëheqës historik të kombit! Përmes shkollimit fitohet një kulturë e përbashkët, lind dhe zhvillohet deri duke u unifikuar dhe standardizuar një gjuhë kombëtare që është e ndryshme nga gjuha e çdo etnie të veçantë. Ajo shëndrohet në gjuhën institucionale pa të cilën askush nuk mund të mbajë marrëdhëniet me institucionet në një gjerësi optimale. Kombi nuk mund të vijojë rrugëtimin historik pa sjelljet praktike të gjalla, vitale, dhe në një shumës kreativ. Kombi i ruan dhe përdor simbolet sepse pa to ai duket si pa elemente identifikimi. Ai ruan ritet e mira dhe kujdeset që ato të mos humbasin, por trashëgon edhe rite të këqija që, si anakronizma që frymëzojnë herë “kalorës të vetmuar të fytyrës së vrerosur”, herë turma pa kontroll që, rendin pa orientim dhe nuk dinë se ç’kërkojnë. Ambienti antropologjik-harta antropologjike dhe-rituali antropologjik, kanë një përmbajtje identifikuese në rrugëtimin e autoktonëve që shëndrohen nga popullsi(etni) në komb! Brenda këtij trinomi fuzon një pluralitet komunikimi, dhënie dhe marrje në historinë e gjatë. Kjo pasuri, ky arsenal aplikativ njerëzor, formon një tipologji që gjendet në çdo gjurmë dhe veprim njerëzor, që të bën të jesh shqiptar dhe të mos jesh fjala vjen skandinav, espanik, indian apo eskimez. Standardizimet e tregut dhe uniformiteti i tij fal tregjeve globale, ka bërë që shumë tipare unikale dhe tradita identifikuese të vijnë e të ngushtohen e shpesh edhe të humbasin. Kur Presidenti i Francës zoti Nikola Sarkozi erdhi në pushtet, propozimi i parë që bëri, ishte që tradita kulinare e Francës të regjistrohej në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s! Brezat e rinj duket se po humbasin nga kjo traditë dhe mënyra e jetesës bazuar në kulturën “fast food” i unifikon njerëzit në një konsumizëm utilitar, aq sa nuk mund t’i dallosh se cilës kulturë dhe civilizim i përkasin! Ja përse të huajt tek ne, vlerësojnë trashëgiminë antropokulturore në zona si Përmeti, Berati, Thethi, Kelmendi etj. Njësimi përmes pluralizmit kulturor në një shoqëri të hapur dhe demokratike e ndihmon kombin që të vitalizohet! Ngushtimet, izolimet, mbylljet dhe mos dialogimet kulturore në shumës, sjellin kufizime të pashmangshme. Secili komb ka nevojë për njësimin e gjuhës si mjet universal i komunikimit dhe transmetimit të kulturës. Por një gjuhë është e tillë dhe e kryen misionin, vetëm kur komunikon pluralitet kulturor, informacion nga një shumës burimesh, kur ajo ka aftësi që të barti dhe përcjelli kulturën edhe të popujve dhe kombeve të tjerë! Ishin Jakobinët që hodhën idenë e shtetit-komb. Në Francë që nga shekulli XVI kishte filluar njësimi i gjuhës, por që “Republika e tretë” më 1914, që e institucionalizoi me ligj gjuhën standarde, sepse deri atëherë fliteshin 14 gjuhë në truallin kombëtar! Përmes gjuhës frënge transmetohet bota e paanë e dijes universale, aq sa Franca konsiderohet si një “kërthizë e kulturës botërore”. Dialektalizmat si forma burimore dhe pluralitete të tipologjisë dhe nën grupimeve, nga ato krahinore dhe deri tek zona më të ngushta, nuk mund të humbasin, por se edhe nuk duhet të pengojnë komunikimin gjithëpërfshirës, thjesht sepse frymëzohen nga provincializmi apo identifikim vetizolues! Sa më komunikuese në transmetimin e dijes plurale që të jetë gjuha, aq më homogjenitet merr popullsia, aq më e gjallë është jeta shpirtërore. Njësia politike shtetërore identifikon në njëjës, kombësia gjithë po aq, por të dyja këto shtylla ngrihen bazuar në shumësin kulturor. “Larmia kulturore, nënvizon Domenique Schnnaper, si e tillë në vetvete nuk e ndalon krijimin e një kombi”, si dhe “Larmia e gjuhëve, e besimeve fetare dhe e kulturave, në parim nuk është e papajtueshme me krijimin e një hapësire politike të përbashkët”. Në Shqipëri ka një popullsi në masë absolute autoktone me një kulturë, gjuhë, tradita dhe zakone mjaft të pasura, në shtresa dhe nënshtresa. Por ka edhe pakica të hershme etnokulturore si popullsi të periudhës parakombëtare që, mbeten brenda territorit tonë dhe iu bashkuan shumicës determinuese autoktone në ndërtimin e kombit dhe shtetit kombëtar! Kultura, gjuha dhe tërë konstitucioni shpirtëror i këtyre pakicave është respektuar dhe konsideruar me një tolerancë shembullore nga shqiptarët dhe, është pranuar në emër të shumësit kulturor të rinë pranë dhe të shkëmbejnë mes tyre! Pakicat kombëtare që vijnë më vonë në kohë dhe që, shtrihen vetëm në zonat ndërkufitare, bashkëjetojnë me kombin shqiptar bazuar në një traditë historike të bashkëjetesës humane e duke respektuar traditat e njëri-tjetrit, duke konsideruar tolerancën e pritësit për bujtësin, sepse si kombësi pakica ajo është jo shqiptare, por se si territor ku pakicat nacionale banojnë prej disa brezave, është toka bujare e shqiptarëve. Gjuhët e pakicave, kulturat e tyre autentike, besimet fetare të veçanta, çdo ritual identifikues, janë pjesë e një mozaiku të një popullsie që ushqehet nga pluralizmi kulturor, si njëri nga kushtet që lehtësojnë bashkëpunimin demokratik. Të gjithë janë qytetar të një shteti që ka projekte politike dhe formon një shoqëri të ligjit , të rregullit, një shoqëri politike që kapërcen ndryshimet dhe dallimet kulturore. Kujtesa kombëtare e përbashkët dhe jo thjesht etno-kulturore, ka qenë e nevojshme në ndërtimin e çdo kombi! Pakicat kombëtare i bashkohen kësaj kujtese, jo për të humbur por për të dialoguar, me valencë bashkëjetese kontributet për progres. Shqiptarët jashtë Shqipërisë, si pakica historike në Greqi, Turqi, Itali(diçka më pak) humbën identitetin kombëtar, gjuhën, zakonet, ritualet, u shkrinë pa përgjegjësi në rrjedhën kombëtare të pritësve. Kjo sepse politikat në dekada të shtetit shqiptar, në disa sisteme, e braktisën këtë pjesë të kombit. Por edhe sot që sistemin politik e kemi demokratik dhe kontaktet dhe mundësitë janë tejet më të gjëra,nuk ka kujdes,nuk ka programe, nuk ka studime, nuk ka përgjegjësi për emigracionin e vjetër dhe atë të ri. Me regjistrimin e popullsisë dhe të banesave, mbetet që si banorë jashtë atdheut, mijëra shqiptarë të regjistrohen atje ku banojnë sot. Por se, si pronarë, së paku të banesave, do të regjistrohen dhe do të paguajnë detyrimin pronësor në “atdheun nativ”. Pra do të jenë të tatuar por jo të përfaqësuar, sa kohë që këto para apo një pjesë e tyre, ende nuk do të financojnë strategji dhe programe konkrete, për të mbrojtur identitetin e tyre kombëtar. Mbajtja gjallë e konstitucionit shpirtëror, nuk është thjesht detyrim i ngushtë kombëtar, por edhe pjesë e një pluralizmi kulturor. Dalai Lama, shkruan se “kinezët ofrojnë ushqim të mirë për stomakun, ne ofrojmë ushqim të mirë për shpirtin”!E gjithë bota institucionale kujdeset për të drejtat e kësaj popullsie dhe kulturës së murgjve budist!
Studiuesi Entoni Smith ka analizuar në punimin e tij të vitit 1986, dy trajektoret e krijimit të kombit:”Kombi i qytetarit territorial” dhe “Kombin etnik gjeanologjik”. Ka vende si SHBA, Franca apo ndonjë tjetër ku flitet më shumë për shtetësi se sa për kombësi. Për vet veçoritë e tyre, atje ka ndodhur integrimi i popullsisë me prejardhje të huaj, rreth një projekti qytetar në emër të shtetësisë. Por se edhe në këta vende ka grupime me identifikim të tipareve kombëtare. Të tjera festa dhe rituale civile e fetare, kanë irlandezët e SHBA-së, të tjera kanë hebrenjtë apo espanikët, aziatikët apo arabët! Të gjithë si qytetar zbatojnë ligjin. Të gjithë në identifikimin e etnicizmit gjenealogjik e respektojnë dhe ushqejnë trashëgiminë dhe traditën. Ka bashkësi historike-gjuhësore dhe vullnet politik, por se vepron si çimento qytetaria. Gjithashtu nuk braktiset lidhja e gjakut dhe tërë arsenali antropologjik që e shoqëron atë. Në Gjermani ekziston kombi etnik gjenealogjik. Pikë referimi merret fjalimi për “Kombin Gjerman” i Johan Gotlib Fihte që, ai e mbajti pas shpartallimit të Prusisë nga ushtritë e Napoleonit, në betejën e Jenës në vitin 1806. Sot në Gjermani ka rreth 20% të popullsie të huaj për shkak të emigracionit, por se politika e dialogimit multikulturor ka hasur në vështirësi. Të ardhurit kërkojnë të drejtat për ç’kanë të veçanta, si gjuhë dhe si besim fetar, por se janë refraktar ndaj përthithjes së kulturës gjermane. Kancelaria Angela Merkel ka nënvizuar së fundi se “ky dialogim ka dështuar sepse ne e bëmë detyrën tone, ndërsa të huajt që kanë ardhur tek ne nuk po veprojnë si duhet”!Shqiptarët dhe Grekët janë kombe të ndërtuara mbi bazë etnike-gjenealogjike. Nëse asnjë grek nuk kërkon të konvertohet në shqiptar, gjen me mijëra shqiptar që pa pengesa të shpirtit konvertohen dhe shpallen si “grek”. Janë njerëz në emigracion ekonomik por edhe që banojnë në Shqipëri. Megjithëse grekët janë komb-etnik, e pranojnë këtë “prapësi” që ka një prapavijë sa të vjetër dhe të re! Kjo shpurë shqiptarësh skarco që, bukës nuk duan t’i thonë më bukë dhe dheut nuk duan t’i thonë toka e të parëve, nuk e dëmtojnë dot kombin shqiptar. Me Kosovën shtet më vete, shqiptarët ia dolën që të thyejnë barrierat shekullore. Me preokupimin “prudent” por të pa lëkundur për pronat shqiptare në اamëri, do t’ia dalim të rregullojmë gabimet historike të Institucioneve Ndërkombëtare! Pakujdesia e Shtetit Shqiptar dhe organeve të specializuara ndaj këtyre “bukë shalëve”, që risin artificialisht pakicat në Shqipëri, do të duhet të marri përgjigjen që meriton, si nga opinioni publik ashtu edhe nga verdikti i drejtësisë! Të fitosh një shtetësi të dytë në botën globale është shprehje e korrektësisë me ligjin dhe me detyrimet në vendin ku jeton, pavarësisht nga kombësia që ti ke! Por ta sjellësh identitetin kombëtar në shumës, do të thotë që, të të ketë lindur një nënë shqiptare dhe rrugës të gjesh se ke edhe një “nënë” greke. Nuk ka si të ndodhi që, të lindësh shqiptar dhe pas disa dekadash ta gjesh veten të një kombi tjetër, që flet tjetër gjuhë, ka tjetër histori, zakone dhe ritual, po aq të respektuara, por që nuk janë as të gjyshërve, as të prindërve të tu! Ky lloj gjaku i shprishur të nervozon!Këta nuk janë njerëzit global të pluralizmit si edhe thuhet nga disa “profanë librambyllur”. Janë deformime të tregut, ku shitet dhe blihet dinjitetit njerëzor dhe kombëtar! Në botën globale kombet zhvillohen, por nuk mund të humbasin!
(Shkrimi u botua sot në Gazeta Shqiptare)(s.g/BalkanWeb)

Nga Dr.PERPARIM KABO
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 3 50.0%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 0 0.0%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 3 50.0%
Back
Top