Kontributi i Skënderbeut dhe Ali Pashe Tepelenës për shndërrimin e Manastirit në qendër vilajeti dhe në vendlindje të Alfabetit Shqiptar
Për Kongresin e Manastirit kam shkruar disa herë, madje edhe një fejton relativisht të gjatë, para disa vjet, prandaj, për të mos u bërë i mërzitshëm dhe i bezdisshëm, vendosa kësaj rradhe të përqëndrohem vetëm në rrugën e cila solli këtë Kongres. Gjeneza ose fillimi i kësaj rruge është mjaft e gjatë, por unë do të filloj nga koha e Skënderbeut e këtej. Jam i vetëdishëm që titulli i këti shkrimi, shumë lexuesëve, në shikim të parë, do t’iu duket si apsurd, por nëse kanë durim dhe e lexojnë me kujdes deri në fund këtë shkrim, do binden në të kundërtën. Ja pse. Po filloj me Skënderbenë. Kongresi i parë i Manastirit nuk do të ndodhte sikur ky qytet mos ishte qendër vilajeti, e, për këtë, në mënyrë indirekte ka kontribuar edhe rezistenca e shqiptarëve, duke filluar nga koha e Skënderbeut. Pushtuesët osmanë, me të shkelur në Manastir, shqetsime të mëdha patën pikërisht nga rezistenca në fjalë, në krye me heroin ynë kombëtar. Ky, përveç asaj që ka dashur Manastiri, themeluar nga stërgjyshët e tij – Linkestët, mos mbetet në duart e osmanëve, deshte të hakmeret edhe për helmimin e vëllezërve të vet nga ana e sulltanit. Ky i fundit, i vetëdishëm që me forcë nuk do mund të përballojë dot Skënderbenë, trimërinë e të cilit e kishte njohur derisa e kishte peng, vendosi ta qetsojë përmes islamizimit të shqiptarëve. Për ta kryer këtë, patjetër duhej të ngrihen objekte fetare islame në Manastir. Prandaj, nuk ishte gjë e rastit që xhamia e parë në Ballkan u ngrit pikërisht në këtë qytet dhe atë, me iniciativën e një komandanti të shquar turk i cili posa ishte kthyer nga një betejë e pasuksesshme me shqiptarët e Skënderbeut, vetëm disa vjet pas vdekjes të këtij të fundit. Pas xhamisë të parë, filluan të ngrihen edhe të tjera, numri i të cilave, në fund, mbriu në 72, gjë që e shëndroi Manastirin në qendër më të rëndësishme dhe më atraktive fetare në Ballkan. Për këtë pra, në mënyrë indirekte, ka kontribuar edhe Skënderbeu dhe rezistenca shqiptare nëpërgjithësi.
Nga kjo që theksova më sipër del përfundimi se shqiptarët pushtetin osman e rrezistonin më tepër se çdo popull tjetër që jetonte në Manastir. Me të drejtë, ndonjë nga lexuesit do të dojë të dijë shkaqet për këtë. Përgjigja ime do të ishte kjo. Historia ka dëshmuar se ai që rruan pragun e shtëpisë së tij, reziston më tepër nga mysafiri. Nëse këtë shtëpi rastësisht e përfshin zjarri, mysafiri do dalë prej saj, për të shpëtuar jetën, kurse i zoti qendron deri në fund dhe bën çmos për ta shuar zjarrin, duke sakrifikuar jetën. Ose, për ta elaboruar më mirë këtë, do shërbehem me një shembull mjaft të thjeshtë, por me plot kuptim. Nëse një fëmijë mban në dorë para të veta, vështirë është që t’ia marrish, e nëse ato para i ka të vjedhura, menjëherë ti jep dhe ia mbath këmbëve, sepse si ka fituar me djersë. Besoj se u kuptuam. Por, ti kthehemi Skënderbeut. Manastiri, përveç qendër fetare, më vonë, u bë edhe qendër ushtarake. Rezistenca e Skënderbeut dhe e shqiptarëve pas vdekjes së tij, kontrobuoi tepër në këtë drejtim sepse, edhe pse një pjesë e madhe e shqiptarëve, për ti shpëtuar asimilimit të egër sllav, përqafoi islamizmin, por ata nuk e pranuan sundimin osman, kështu që, rezistenca shqiptare nuk u ndërpre. Kjo e detyroi sulltanin të sjellë forca të mëdha ushtarake, për nevojat e të cilëve u ngritën objekte të ndryshme ekonomike etj, në Manastir, të cilat këtij qyteti ia ndryshuan krejtësisht tiparet ose fizionominë, duke e shëndruar në qendër vilajeti dhe në qytet konsujsh, gjë që, mundësoi që Manastiri të shëndrohet edhe në Qendër të Lëvizjes Mbarëkombëtare Shqiptare, me vepra të shumta atdhetare, siç është edhe Kongresi i Alfabetit.
Në këtë drejtim, ka kontribuar edhe Ali Pashë Tepelena. Ky, si kundër Skënderbeu, përveç që ka dashur Manastiri, si vatër e vjetër ilire, mos mbetet nën turqit, hakmerrej edhe për vrrasjen e vjehërit të tij, Kapllan Pashës, të cilit, akoma pa zbritur nga kali, ia prenë kokën dhe e lanë në atë gjendje të mjerueshme disa ditë me rradhë në një shesh të Manastirit. Kontributi i Ali Pashë Tepelenës për afirmimin e Manastirit, ka të bëjë edhe me vllehët. Ai, siç dihet, dogji Voskopojën dhe disa vende të tjera, jo për ti plaçkitur, siç thonë kundërshtarët e tij, por për t’ia shkulur rrënjët e propagandës greke. Kjo djegie bëri që shumë familje vllehe nga ato vende, të shpërngulen në Maqedoni, pra edhe në Manastir. Këta vllehë, njihnin nga disa gjuhë dhe zanate dhe si të tillë i dhanë impuls të veçantë zhvillimit ekonomik, gjegjësisht tregëtisë dhe zejtarisë, gjë që edhe më tepër i hapi rrugën Manastirit për t’u shëndruar në qendër vilajeti, pa të cilin nuk do të mbahej dot Kongresi i Alfabetit. Ja pse. Manastiri si qendër e rëndësishme ekonomike, u mundësoi disa familjeve shqiptare, të pasurohen dhe një pjesë të pasurisë ta shfrytëzojnë në dobi të veprave kombëtare, siç ishte edhe Kongresi i Manastirit. E them këtë, sepse ky kongres zgjati rreth 10 ditë dhe kërkonte shpenzime të mëdha, të cilat rranë kryesisht në kurriz të familjeve të pasura, siç ishin ajo e Gërmenjëve, në hotelin e të cilëve – “Liria”, u mbajt kongresi në fjalë, si dhe ajo e Qiriazëve, familja më patriotike në mbarë kombin shqiptar dhe në të gjitha epokat pas asaj të Frashëllinjëve, prej të cilës fitoi frymëzimin e saj kombëtar dhe atdhetar.
Kësaj familje, gjegjësisht, rolit të saj në Kongresin e Alfabetit, unë i kam kushtuar edhe një fejton të veçantë. Prandaj, në këtë rast, do theksoj vetëm disa momente më kryesore. Kjo familje përbëhej prej 5 antarëve, 3 meshkujve dhe 2 femrave, secili më patriot se tjetri. Për këtë ka kontribuar, siç thamë, familja e Frashëllinjëve, posaçërisht bilbili i gjuhës shqipe – Naim Frashëri. Ky, veç tjerash, i ka mundësuar Sevasti Qiriazit, të kryejë me sukses dhe në kohë fakultetin e mësusisë në Stamboll dhe gjatë ceremonisë së diplomimit, i dha porosi të tilla kombëtare, të cilat ajo i respektoi dhe i realizoi në maksimum. Sevastia dhe motra e saj Parashqeva njihnin nga 8 gjuhë dhe si të tilla ishin femrat më të emancipuara në Ballkan, kurse e dyta ishte e vetmja femër në botë, në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919-1920. Librat e Naim Frashërit ishin pasuria më e madhe e familjes Qiriaze. Nga shkrimet e tij ishte frymëzuar sidomos Gjerasim Qiriazi, gjë që shihet edhe në vjershat e tij, siç ishte edhe strofa në vijim:
Do punoj për mëmëdhenë,
gjithë jetën sa të roj,
do t’i zgjoj edhe ata që flenë,
kështu jetën ta mbaroj.
Patriotizmi i Naim Frashërit kishte frymëzuar edhe nënën e Qiriazëve, e cila, edhe pse e pashkolluar, kontribuoi tepër në shkollimin e fëmijëve të saj dhe e cila nuk lejonte që në shtëpinë e saj të flitet gjuhë tjetër përveç shqipes, kështu që aty hynin e dilnin vetëm patriotë të shquar, posaçërisht para, gjatë dhe pas Kongresit të Manastirit. Në shtëpinë e saj mbaheshin mbledhjet e fshehta që kishin të bëjnë, jo vetëm me Alfabetin, por edhe me çështjen e çlirimit të vendit nga sundimi pesë shekullor osman. Për Qiriazët, e zgjata njëçikë më tepër për të konstatuar se pa këtë familje Manastiri nuk do të bëhej dot qendra e Lëvizjes Kombëtare, pra, as edhe vendlindje e Alfabetit shqiptar. Në oborrin e kësaj familje, u ngrit edhe Shtypshkronja Universale Shqiptare. Për ngritjen e saj u vendos në Kongresin e Manastirit. Nga kjo shtypshkronjë dollën 300 tituj të shkrimeve, librave, abetareve dhe publikimeve të ndryshme shkencore e tj., në 13 gjuhë të botës të cilat disperzoheshin në të katër anët e rruzullit tokësor, gjë që çështjen shqiptare e afirmoi tepër në tërë anët e Globit dhe hapi rrugën drejt Pavarësisë së Shqipërisë. Pikërisht këtu qendron roli i familjes Qiriaze dhe i Kongresit të Alfabetit, në të cilin, siç thashë, ra vendimi për ngritjen e Institucionit në fjalë. Përndryshe, Kongresi i Manastirit ishte urrë midis Lidhjes së Prizrenit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Sepse, në Lidhjen e Prizrenit të v. 1878 u aktualizua nevoja e aprovimit të Alfabetit të përbashkët. Prandaj, jo rastësisht, vetëm disa muaj pas kësaj, gjegjësisht gjatë vitit 1879, u krijua Alfabeti i Stambollit, i njohur edhe si Alfabeti i Sami Frashërit, sepse ky me duart e veta i krijoi gërmat e atij Alfabeti, i cili u vlerësua lart në Kongresin e Manastirit. Ndërsa, lidhja e Kongresit me Pavarësinë e Shqipërisë qëndron në faktin që para këtij kongresi, shqiptarët përdornin alfabete të ndryshme, të cilat, jo vetëm që pengonin komunikimin normal midis tyre, përmes letrave, por shkakëtonin edhe grindje, sepse bihej nën ndikim të vendeve nga të cilat fitohej alfabeti. Me aprovimin e Alfabetit të Manastirit, pengesat në fjalë si dhe grindjet, morën fund, gjë që hapi rrugën e trasuar nga Lidhja e Prizrenit drejt Pavarësisë së Shqipërisë, e cila u realizua në të njëjtin muaj, pas 4 vjet nga Kongresi i Manastirit, më 28 nëndor, 1912.
Me siguri, lexuesve do t’iu interesojë se si ishte atmosfera para objektit të Alfabetit ditën e fillimit. Ishte 14 nëntori 1908. Dëbora kishte mbuluar Pelisterin piktoresk dhe kulmet e shtëpive të Manastirit. Megjithatë, qysh në orët e para të mëngjezit, para objektit ishin grumbulluar qindra shqiptarë e të tjerë, të cilët të ftohtin e përballonin përmes këngëve dhe valleve kombëtare, gjë që krijonte përshtypjen sikur aty bëhet ndonjë dasmë e madhe shqiptare. Para objektit, në të dy anët e Dragorit, ishin mbledhur edhe më tepër se 100 nxënës shqiptarë të cilët mësonin në shkollat e mesme, sidomos në Gjimnazin turk të Manastirit që ndodhej pranë objektit të Kongresit. Në atë gjimnaz kishte edhe 4-5 profesorë shqiptarë, midis të cilëve edhe Bajo Topulli, zavëndës drejtor i atij institucioni arsimor. Këngët dhe vallet pushuan në momentin kur filluan të vijnë kongresmenët të cilët ishin ajka e kombit të atëhershëm shqiptar, siç ishin: Mitat Frashëri – kryetar i kongresit, kurse më vonë edhe i Ballit Kombëtar, Gjergj Fishta – “Homeri shqiptar”, Luigj Gurakuqi, Shain Kolonja – dhëndër i Naim Frashërit, etj. Përqafimet dhe lotët nga gëzimi nuk kishin fund. Interesant ishte fakti që midis kongresmenëve kishte myslimanë, të krishterë, synitë, bektashinj, ortodoksë, katolikë, prtotestantë, toskë, gegë, çamër, labër, etj. Prandaj edhe para objektit ishin të pranishëm njerëz pothuajse të tëra konfesioneve në fjalë. Pas kësaj ceremonie madhështore, njerëzit u kthyen nëpër shtëpitë e veta duke pritur padurim epilogun, kurse pjesëmarrësit e Kongresit hynë në sallën e madhe, e cila sot nuk ekziston më dhe pas disa mbledhjeve të njëpasnjëshme, aprovuan Alfabetin. Kështu që, kongresmenët, të shprehem në mënyrë figurative, lojtën rolin e krushqëve të cilët nga ky objekt, gjegjësisht nga Manastiri, morën “nusen” më të mirë e cila rreth një shekull po i shërben dhe sa të jetë bota do t’i shërbejë tërë shqiptarëve kudo që kanë jetuar dhe do jetojnë paskëtaj.
Siç dihet, Kongresi i Manastirit nuk do të ndodhte pa Hyrijetin. Shtrohet pyetja: Pse këtë ngjarje e përfituan më tepër shqiptarët, e jo edhe popujt e tjerë. Përgjigja është kjo. Revolucionin xhonturk që solli Hyrijetin, e filloi dr. Ibrahim Temo nga Struga në Stamboll, kurse e realizoi bashkatdhetari i tij – Nijazi Be Resnja më 1908 në Manastir. Pra, pa shqiptarët, nuk do të ndodhte Hyrijeti. Xhonturqit të cilët u kapardisën në krye të shtetit, ishin të vetëdishëm për këtë, prandaj s’kishin guxim as edhe fytyrë që të pengonin Kongresin e Alfabetit, edhepse ky ishte në dëm të Perandorisë osmane, sepse zavendësoi alfabetin e mëparshëm, turko-arab, dhe krijoi kushte për Pavarësinë e Shqipërisë, gjegjësisht për ndarjen e këtij shteti nga Turqia. Nga kjo që thashë gjer tani, del përfundimi se historia e Manastirit është e pasur me plot ngjarje të lavdishme për popullin shqiptar. Por, çka mbetur sot nga kjo histori në këtë qytet? Asgjë. Nga Shtypshkronja Universale s’ka as nam as nishan, edhe pse ajo ka afirmuar tepër emrin e këtij qyteti dhe sikur të ishte vepër e ndonjë maqedonasi, kushedi se çfarë përmendore do të vendosej aty. Madje, as emrin e ndonjërit nga 5 antarët e familjes Qiriaze ku u ngrit ajo shtypshkronjë nuk e ka marrë, të paktën ndonjë rrugicë e qytetit. Objekti ku u mbajt Kongresi është në ditë të hallit, gabim ky që duhet të korigjohet, sidomos tani kur po bëhen përgatitje për manifestimin e 100-vjetorit. Ajo që ka mbetur si gjurmë, të cilën autoritetet albanofobe s’kanë mundur ta zhdukin, është emri i fushës së Pellagonisë, që kujton Pellazgët e para 12.000 viteve të kaluara, Heraklea Linkesits, që kujton fiset ilire – Linkestët dhe Bardhylin, emri i lumit Dragor, që ka të bëjë me fjalën shqipe dragua, si dhe emri sllav i Manastirit – Bitolla, që ka të bëjë me fjalën shqipe i butë. Sikur këto sqarime t’i dinin autoritetet serbe dhe komuniste maqedone, me siguri do tua ndëronin emrin.
Te marra nga ( wikipedia )