Karl Marks Zonjë, të dua

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Karl Marks Zonjë, të dua


Ajo ka flokë të gjatë që i bien mbi supe dhe sy të mëdhenj e të trishtë. Ka veshur një fustan të gjatë me kopsa deri në qafën e hollë… Kjo është Zheni Marks, gruaja që përjetoi e para në dhomën e vogël bri makinës së shkrimit rreshtat e para të “Kapitalit”, pa e menduar se ky libër do të ndryshonte sisteme, dhe do të krijonte filozofi, në emër të së cilës komunizmi në shumë vende do të jetonte gjatë. Atëherë ajo ishte thjesht një grua e brishtë, e lumtur që pas shumë vitesh vuajtje kishte mundur të jetonte bashkë me burrin që donte. Dhe ai quhej Karl.
Pas çdo filozofie fshihet një grua? Françoise Giroud, gazetare, shkrimtare dhe politikane franceze besonte gjithnjë në këtë teori. Ajo kërkoi menjëherë të mësonte diçka më tepër për Zhenin sapo lexoi “Kapitalin”. Françoise, një grua që ishte rritur mes librash e dinte se për të zbuluar Karl Marksin dhe për të dhënë një imazh të vërtetë të jetës së tij, ajo duhet të hulumtonte në jetën e gruas që e deshi më shumë. Dhe kjo ishte Zheni Marks. Për vite më radhë ajo kërkoi arkivave, dhe në shtypin e kohës për të zbuluar diçka më tepër mbi Zhenin, për t’i kthyer më vonë këto materiale në një rrëfim romantik të quajtur “Zheni Marks viktima e përjetshme”, i cili do të kthehej në një nga librat më të mirë të shkruar ndonjëherë për çiftin Marks.
Ky libër tashmë është përkthyer në shqip nga Ferdinant Leka dhe botuar nga shtëpia botuese “55”. Në më shumë se 200 faqe mund të gjesh të vërtetat e një jete ku u bënë bashkë dëshpërimi dhe suksesi, dashuria dhe zhgënjimi.
Si grua Françoise e sheh me dashuri personazhin e saj dhe gati gati e adhuron mes rreshtash. Zheni dhe Karl Marksi kanë qenë të martuar për tridhjetë e tetë vjet. Kohë e gjatë që sipas Françoises nuk qe një rrugë e shtruar me trëndafila. Por qe një dashuri e një lloji të tmerrshëm, siç është dashuria që lidh një grua me një gjeni.
Por sot, në këto kohë kur ne e lexojmë këtë libër, idhulli është thyer. Marksizmi, si zëvendës i nevojës së përjetshme për besimin e njerëzve nuk çan më përpara. Ai është përjashtuar si metodë për drejtimin e një shoqërie. Eshtë pak të thuhet se në shtatëdhjetë e katër vite zbatimi praktik nuk u arrit asnjë nga objektivat e tij, se nuk u ka siguruar atyre që e duruan as mirëqenie as dinjitet, as liri. Por si metodë kërkimi si instrument analize, vepra mbetet mjeshtërore ku një mendje e fuqishme që bashkon një masë gjigande të dhënash ka ngritur një histori shkencore të njerëzimit.
Si funksionon historia prej kohësh? Kjo nuk është pak. Kjo vepër është ushqyer me gjakun e Zhenit. Nganjëherë asaj i vjen shpirti në majë të hundës. Ajo bërtet: Do të doja më shumë të vdes sesa të vazhdoj të jetoj kështu!”. Karli i thotë “Ke të drejtë, të kuptoj, je ti ajo që i mban në shpinë të gjitha…”
Ai e respekton thellësisht, edhe në shpërthimet e saj. Ai përpiqet të qëndrojë i qetë, megjithëse sipas fjalëve të tij ka “një natyrë që duron shumë pak”. Për ti dhënë fund ajo fiton përsëri gjakftohtësinë e saj.
Eshtë e qartë. Ajo nuk e di që Marksi është Marks, se fjala e tij do të bëhet objekt kulti dhe nderimi thellë në tre të katërtat e planetit. Zheni nuk mund ta besojë natyrën e lavdisë, objekt i të cilit është burri i saj. Marksi nuk profetizon në emër të Zotit.
Ai thotë vetëm se Njeriu e bën Njeriun, lind Njeriun. Zheni nuk mund ta përfytyrojë se në emër të tij do të ngrihen sisteme barbare, që as vetë atij nuk i shkonin në mëndje. Ajo di vetëm që i shoqi ka një forcë mendore të pazakonshme, të cilën e vë në shërbim të çështjes më të drejtë për të, çështjes së proletariatit. Zheni dhe Marksi e dënuan vetë veten.
Por le të flasim për Zhenin….
Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, Zheni, baronesha fon Vestfalen ishte sublime. Vajza më e bukur e Trierit, zeshkane, kryelartë me sy të gjelbër, me fytyrë të përsosur, vezake, me çehre zbardhoku. Në të njëjtën kohë e çuditshme, therëse, thumbuese…
Poeti Hajnih Hajn, kur e takoi në Paris tha: “Ajo është magjike… Dhe gjithë grupi i vogël që shkonte shpesh te Marksët do të miratonte: magjike. Ajo u lind në 1814, pikërisht një vit para Vaterlosë. Viti kur Prusia e zmadhuar nga Saksi, zona e Rinit dhe nga Vestfalia u bë forca kryesore e Konfederatës gjermanike dhe Zheni u rrit në Treves, që gjermanët e quajnë Trier. Ne nuk e dimë se ç’shkollë ndoqi, me siguri më të mirën, babai i saj ishte i vëmendshëm për këtë. Vetë ai i mësoi anglishten. Në moshën katërmbëshjetë vjeçare, u konfirmua në fenë protestante, feja e familjes së saj. Vargu i saj i konfirmimit, ai që zgjodhën atë ditë si një devizë: Unë jetoj, por jo vetëm për veten, me Krishtin brenda meje”. Por ajo do të largohet shumë shpejt nga besimi fetar. Zoti i saj i vetëm do të jetë burri i saj….
Trieri nuk është një kryeqytet. Eshtë vetëm një qytet i vogël, i Rinit, me dymbëdhjetë mijë banorë, shumica katolikë, i paprekur ende nga industrializimi, i rrethuar i gjithi nga vreshta-verërat e mira të Mozelës, pasuria e saj, kopshte, rrënoja romake….
Pikërisht këtu jetonte Zheni dhe Karl Marks. Duke qënë se prindërit e tyre ishin miq ata njiheshin që fëmi.
Por ata do të kuptonin se ndjenin diçka për njëri tjetrin vetëm kur ai kthehet nga studimet në Bon. Atëherë ajo ishte njëzet vjeçe kurse ai vetëm 18 vjeç. Marksi shkoi ta takonte atë në shtëpinë Vestfalen për të ecur së bashku me të në fushë. Pikërisht aty ata i thonë lamtumirë fëmijërisë. “Një burrë dhe një grua tashmë janë përballë njëri-tjetrit duke u dëshiruar në mënyrë të dyanshme dhe duke u zbuluar të domosdoshëm njëri për tjetrin. Atë ditë do të përfundonin fejesën e fshehtë”, shkruan Françoise.
Por kjo fejesë do të zgjaste shumë, aq shumë sa shpesh Zheni i shkruante se “Ah Karl! Pikëllimi im është i madh. Gjithçka që për këdo vajzë tjetër të re do të ishte një burim kënaqësish, dashuria jote e bukur, aq mëllëngjyese, aq e zjarrtë mënyra jote e mrekullueshme për të ma thënë, krijimet ekzaltuese të përfytyrimit tënd, të gjitha këto më futin frikën dhe shpesh më zhytin në dëshpërim. E di Karl, kam një shqetësim të madh, se dashira jote nuk do të zgjasë dhe unë do të jem e pazonja ta shijoj”.
Por ky ankth i madh i Zhenit do të fashitej në korrik të vitit 1847 kur ajo për herë të parë mbështetet në krahët e tij. Ja çfarë i shkruan ajo pas atij takimi të zjarrtë:
“Ah!Zemra ime, e dashur, sa e rëndë është pesha që ka hedhur mbi shpirtin tim, e gjitha ajo që ka ndodhur! E megjithatë, Karl nuk provoj, nuk mund të provoj asnjë brerje ndërgjegjeje. Mbyll sytë dhe shoh vështrimin tënd të lumtur(…) E di fare mirë atë që kam bërë, edhe sikur kjo të më bëjë të padenjë dhe të ngjallë dënimin publik. E di gjithë këtë dhe gjithë pjesën tjetër, e megjithatë jam plot gëzim dhe hare dhe nuk do ta ndërroja me asnjë, me asnjë thesar në botë kujtimin e atyre orëve… Oh Karl, jam e keqe. Tek unë nuk ka asgjë të mirë përveç dashurisë sime për ty… Fundi i dashurisë tënde, do të jetë po atë minutë fundi i ekzistencës sime. Dhe pas kësaj vdekjeje nuk ka ringjallje”.
Pas studimeve në Bon, kur Karl mundi të gjente një punë si gazetar, ai tashmë është gati për tu martuar me zonjushën Zhen. Ajo veshi një fustan të gjelbërt si sytë e saj dhe lidhën kurorë më 21 maj. Për tridhjetë e tetë vjet, kjo zonjushë do të ishte në krah të tij deri sa mbylli sytë. Lindja e fëmijëve, vështrirësitë e saj për ti sjellë në jetë vogëlushët, kohët e varfërisë, dhe udhëtimet do ta bënin më të bukur Zhenin. Françoise i rrëfen gjithë vitet e jetës së saj. Ndalesën në Paris në vitin 1843, miqësinë me Engëlsin, dhe kohët Karli kur shkruante “Kapitalin”. Jeta e Zheni Marks është një udhëtim për të kuptuar jetën tjetër të Karl Marks. Orët e saj janë orët e vërteta të Karlit. Kur Zheni vdiq Engelsi tha: “Tani ka vdekur edhe ai”. E kush tjetër mund ta dinte më mirë këtë se bashkëpunëtori i tyre i vjetër, Fridrih Engelsi, një prusian i bukur flokëverdhë, i hijshëm, i ciltër, i shkëlqyeshëm, i mprehtë, dashamirës i gjërave të mira, i verërave të mira, i vajzave të bukura, një njeri që e shijonte jetën....? Marksi do të bashkohej shumë shpejt me Zhenin, për tu prehur përgjithmonë në paqen e varrezës së Hajhejtit. Atë ditë në varrimin e tij bëheshin apo nuk bëheshin njëzet veta.
Ca rreshta nuk mjaftojnë për të treguar jetën e Zheni Marks, gruas me sy të gjelbërt, dhe që pëlqente fustanet e gjatë… Ndaj dhe libri i Frannçoise Giroud është një roman romantik për të dhe për komunizmin sentimental.



BallkanWeb
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 22.2%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 11.1%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.6%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 22.2%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 11.1%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 1 5.6%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 22.2%
Back
Top