Kalaja ilire e Preshevës, si po serbizohet.

ReNdEx

Interist Forever
Staf në FV.AL
Mod
56922.jpg


PRESHEVE- Lart mbi Preshevë, në një kodër ndanë saj, gjendet Kalaja e Preshevës. Nga qendra e qytetit nuk e shquan dot me sy, e për të vajtur deri lart, nuk ka rrugë të asfaltuar. Në fakt, nuk ka as një rrugë të mirëfilltë këmbësorësh. Duhen 25 - 30 minuta ecje normale që të ngjitesh, nëpër do shtigje të rrethuara nga shkurret, bari i thatë, e hera - herës edhe ferrat. Mësuesi i historisë në gjimnazin e qytetit, Qenan Ferati, është i pari që na flet për të. Më shumë se dy a tri herë në vit, ai i ngjitet tatëpjetës së kodrës dhe del deri në kala.

I nxehti përvëlues i korrikut e bën më të gjatë rrugën, megjithatë, ia vlen të kërkosh gjurmët shqiptare të një toke që prej shekujsh, është vënë në shënjestrën e serbizimit të trashëgimisë. Këtij synimi nuk i ka shpëtuar domosdo, as ky objekt tejet i rëndësishëm iliro-dardan. Banorët e zonës e quajnë thjeshtë kalaja e qytetit tonë, ndërsa serbët prej kohësh e kanë bërë si zakon t'i thonë Kalaja e Markut. E jo më kot! Meqenëse shumica e shqiptarëve të zonës është e besimit mysliman, emri Mark që i takon besimit të krishterë, i jep kalasë orientimin e ortodoksëve serbë. Asnjë shqiptar në zonë nuk e përdor etiketimin Kalaja e Markut, por kur i pyesim për emrin e kalasë, ata na thonë se serbët e përdorin në këtë formë.
KALAJA
Ajo zë sigurisht së paku 1000 metra katrorë hapësirë, mbase edhe më shumë. Meqenëse nuk i është nënshtruar ndonjë studimi të plotë dhe nuk është gërmuar përreth saj apo në "oborret" e brendshme, është e pamundur të përcaktosh qartë se deri ku kanë shkuar muret rrethuese. Rreth kalasë ka një bimësi deri diku të dendur me shkurre. Dy vite më parë është çelur një lloj shtegu që të çon tek kalaja, por në ditët e vizitës sonë, kjo mezi dukej. Kalaja aktualisht ka një mur rrethues që nuk dihet se deri ku shtrihet me lartësi rreth 30 m nga toka. Brenda saj ka një strukturë muri që shkon në mbi 3 metra, por është e paqartë se për çfarë ka shërbyer. Mund të vësh re edhe dy puse uji. Vende-vende muret janë të rëna dhe gurët të hedhur shkujdesur.

Sipas banorëve të zonës dhe mësuesve të historisë, treva e Preshevës në kohërat antike ka qenë nën sundimin romak. Gjatë dyndjeve sllave, në shekujt VI dhe VII, në rajonin e Preshevës janë ndërtuar disa kështjella për t'u mbrojtur nga barbarët sllavë. Nuk ka një datim të saktë për ndërtimin e kalasë së Preshevës, por nga studimet e pakta për të cilat flasin banorët, kalaja e Preshevës është më e hershme se shek. VI-VII, kohë në të cilën në Ballkan erdhën sllavët, pra serbët. Më herët qyteti i Preshevës shtrihej rreth e rrotull kalasë, ndërsa sot është shtyrë në një pjesë tjetër të Luginës. Vendbanimi modern ka zbritur në fushë dhe është zgjeruar. Gjatë rrugës për tu ngjitur në kodër-kala, syri të has në copëza qeramike, që shtrihen kodrës të pashpresa që arkeologë të mirëfilltë t'i studiojnë. Mbetjet e muranave dhe mureve mbrojtëse të kështjellës qëndrojnë aty edhe si për të treguar madhështinë e dikurshme, ashtu si edhe mjerimin e sotëm kur, të pastudiuara dhe pa mundësi studimi fshehin mbase thesare.

Institucionet serbe nuk janë marrë asnjëherë me këtë kala: As për ta studiuar e as për ta restauruar. Kjo gjë na konfirmohet nga mësuesi i historisë, Qenan Ferati. Shtetit serb nuk i ka interesuar ndonjëherë ndriçimi i historisë ilire, as i trashëgimisë prej atij populli nga e kemi ne gjenezën. Në fund të fundit, kjo gjë rivërteton para tyre, hershmërinë tonë në këto troje, ku ata janë ardhacakë në shekujt VI-VII. Unaza dhe stoli tjera nga filigranologjia janë gjetur në katundin e Zhunicës e që i takojnë kohës së perandorit August. Në Zhunicë dhe Preshevë janë gjetur edhe monedha të po kësaj kohe (vitet e 35 pas Krishtit). Nga qeramika janë zbuluar objekte apo pajisje të ndryshme që i takojnë periudhave të lashta parahistorike rreth 3500 vjet p.e.s.

Dy vite më parë, Bashkia e Preshevës thoshte se Kalaja e Preshevës është një lokalitet jashtëzakonisht i çmueshëm në aspektin arkeologjiko-historik, hulumtimi i së cilës do të jetë detyrë parësore e institucioneve arsimore dhe të kulturës, kurse dimensioni ekonomik i projektit do të ishte në varësi të vizitorëve të mundshëm. Nga ana tjetër në këto vite asgjë s'është bërë për këtë kala.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top