Itali, arrestohet shqiptari, trajtonte si skllave vajzën 12-vjeçareGENOA - Mediat italiane zbuluan një rast të tmerrshëm dhune në qytetin Rapallo në Genoa, ku një 12-vjeçare trajtohej prej vitesh si skllave nga babai i saj shqiptar dhe nëna ekuadoriane.
Gazeta “Corriere” shkruan se vogëlushja përsërit shpesh fjalën “si urdhëron”, pas çdo pytjeje që i bëhet. Ajo u shërbente për çdo gjë prindërve dhe 2 vëllezërve më të vegjël, të cilët nuk e lejonin të ulej në tavolinë dhe e detyronin të ushqehej me mbeturinat e tyre. Nëse ata kishin ndonjë pakënaqësi, 12-vjeçarja detyrohej të qëndronte për orë të tëra e mbyllur në ballkonin e shtëpisë vetëm me të brendshme, në temperatura tepër të ulta, pasi dhunohej barbarisht.
Policia e Genoas arrestoi 37-vjeçarin shqiptar dhe bashkëshorten e tij 33-vjeçare nga Ekuadori, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, nën akuzën e keqtrajtimit të fëmijës, sekuestrim personi dhe heqje e paligjshme e lirisë.
Rasti në fjalë ,që ka tronditur opinionin në Itali, u zbulua falë një telefonate anonime në një linjë që kujdeset për problemet e të miturave në shtetin fqinj.
Pas një kontrolli të befasishëm në banesën e shqiptarit, policia konstatoi shenja dhune në trupin e vajzës, e cila shfaqte edhe shenja të dhunës psikologjike, pasi thoshte vetëm pak fjalë.
Aktualisht vogëlushja ndodhet në një qendër sociale, ku është nën vëzhgimin e specialistëve. Edhe dy vëllezërit e saj të vegjël janë marrë nën mbrojtje nga autoritetet lokale.
(BalkanWeb)