Isa Qosja: "Pasaporta e Kosoves më pengon të bëj film shqiptar!

fcbesia

Anëtar i Respektuar
"Mendoja për një kooproduksion Shqipëri-Kosovë, prandaj konkurrova në QKK, por kryetari i Qendrës doli kundër vendimit të bordit, me argumentin se nuk kam pasaportë shqiptare, se filmi nuk do të xhirohet në Shqipëri etj." Regjisori Isa Qosja flet për herë të parë për projektin filmik, me të cilin konkurroi në Shqipëri, por që është rrëzuar si në bordin e Tiranës, si në të Prishtinës.

Autori 62-vjeçar i "Kukumit", suksesi i tij i fundit filmik, shpreh keqardhjen për mospërmbushjen e kësaj "ëndrre" dhe tregon ç'është rrëfimi për "vrasësin e qenve".
Në edicionin e 12-të të Festivalit Kombëtar të Filmit, ku kinemaja e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës për herë të parë u gjykuan si kinema shqiptare, regjisori mori çmimet e "Regjisë më të mirë" dhe çmimin e madh për "Filmin më të Mirë Artistik".
Regjisori i filmave "Proka" (1984), "Rojet e mjegullës" (1988), "Kukumi" (2005), pedagog në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, na shkroi nga mali, nga fshati i lindjes Vuthaj, ku po kalon pushimet, jo vetëm për punën e tij, po edhe për situatën ku ndodhet prodhimi kinematografik në Kosovë.


Z. Qosja, ju aplikuat për herë të parë në Qendrën Kombëtare Kinematografike me projektin "Vrasësi i qenve". Fillimisht u vendos që të trajtohej si rast i veçantë, pastaj asgjë. ثshtë me interes të na thoni diçka për idenë e filmit që do të bënit tre vjet pas "Kukumit". ا'u bë më këtë projekt?

Skenarin për "Vrasësin e qenve" kam filluar ta shkruaj menjëherë pas filmit "Kukumi". Ishte rasti të kapja momentet më të rëndësishme të aktualitetit kosovar karshi pranisë ndërkombëtare në Kosovë, e posaçërisht karshi pranisë së UNMIK-ut.
Dukej se politika e UNMIK-ut ngapak po shkallëzohej dhe unë mendoja që këto josinkronitete mes ne kosovarëve dhe UNMIK-ut, duheshin trajtuar dhe në film. Në fakt, rrëfimi im është një komedi e zezë, që ndërthur edhe momente të tjera.
Aty kemi një "vrasës" me porosi të qenve; një plakë që nuk do të vdesë pa një vajtojcë pranë kokës, që do t'ia njohë të gjitha shkrumet e kësaj bote; një administratore, e cila sa herë luan në piano, qentë e qytezës i ulërijnë përfund dritares; një balerin, i cili u mëson grave të qytezës vallëzimin dhe kështu justifikon praninë e administratores në Kosovë, një grua që ngjitet nëpër shtylla të rrymës dhe josh kalimtarët.


Për çfarë arsyesh konkurruat në Shqipëri?


Pas "Kukumit" më dukej se kjo temë më intrigonte më shumë.
Skenarin e bëra për dy vjet duke e hulumtuar mirë situatën, duke parë se cilat janë trendet e kinemasë europiane, duke hetuar pritjen e shikuesit europian nga kinematografia shqiptare, duke planifikuar që ky të ishte një projekt shqiptar, pra kooproduksion Shqipëri-Kosovë.
Gjithnjë kam patur dëshirë të punoj bashkë me filmpunues nga Shqipëria dhe pikërisht për këtë arsye edhe konkurrova në QKK. Pas konkurrimit të parë, produktorit tim nga Kosova, i pari i qendrës, i tha që skenari im ka mbetur për rishqyrtim. Ishte kjo një befasi, por nuk e diskutova dhe prita momentin e rishpalljes së konkursit.
Në rikonkurrim morëm njoftim se skenari im është aprovuar nga juria dhe si rast i veçantë, por këtë vendim e rrëzoi kryetari i qendrës, duke e arsyetuar këtë veprim, me faktin se nuk kam pasaportë shqiptare, se ky film nuk do të xhirohet në Shqipëri, se projekti nuk ka tjetër autorë nga Shqipëria etj. Në fakt, unë kisha ndërmend që të angazhoj më tepër se 50% të stafit nga Shqipëria, por nuk m'u dha rasti as të bisedoj për këtë mundësi.

Megjithatë, edhe Goran Paskaleviqi nuk kishte pasaportë shqiptare, e mori buxhet sikur Serbia nuk ka para për film; edhe një gjerman nuk kishte pasaportë shqiptare, e mori buxhet sikur gjermanët nuk kanë buxhet për kinematografi. Më vjen keq, shumë keq, që nuk m'u dha një rasti qoftë në këtë projekt, qoftë në ndonjë tjetër, që të punoj me artistë nga Shqipëria, sepse e kisha vërtet ëndërr.
Kam besuar në "Vrasësin e qenve" më shumë se në të gjitha projektet e tjera dhe besoj që me staf të kombinuar do të shprehesha shumë më fuqishëm se asnjëherë gjer tani.


Si është gjendja e prodhimit kinematografik në Kosovë në këtë moment?


Në Kosovë, fatkeqësisht, kinematografia akoma nuk ka filluar të kuptohet seriozisht dhe ka dy vjet që qeveria ndan nga 300.000 euro për film. Kjo është shumë pak për të arsyetuar pjesëmarrjen e shtetit në krijimin e kulturës kinematografike. Konsideroj që në këtë mënyrë krijohet atmosferë tunduese tek kineastët, rivalitet joprincipial dhe mbytet dëshira për të qenë shfrytëzues i një buxheti për një film të vetëm në vit. Vitin e kaluar nuk konkurrova pikërisht për faktin se në konkurrim kishte edhe studentë të mi. Doja që njëri nga ata ta shfrytëzojë këtë mundësi modeste. Sivjet konkurrova dhe juria kërkoi ta ndryshoj skenarin, duke mos saktësuar çfarë të ndryshoj dhe për çfarë arsyeje. Unë nuk pranova që të bëj ndryshim vetëm për sadisfaksion të rishqyrtimit dhe kështu përsëri m'u mbyll edhe kjo mundësi. Tani gjendem në (Vuthaj) vendlindja ime në Mal të Zi, duke pritur Godonë.


Së fundi, keni megjithatë një angazhim, jeni në bordin e nderit të festivalit ndërkombëtar të filmit, që do të bëhet këtë vit në Prishtinë. اfarë shpresoni të sjellë ky festival, çfarë do të ndryshojë në klimën e kinemasë në Kosovë?


Mendoj që Prishtinës i duhet një festival ndërkombëtar i ngjashëm me atë të Sarajevës, apo të them sikur i Lokarnos. Besoj që në bazë të projekteve të përzgjedhura dhe në bazë të emrave që e kanë konfirmuar ardhjen në Prishtinë, do të kemi një festival të tillë. Nuk duhet pritur që në nivelin e organizimit dhe performancave të tjera, gjithçka të shkëlqejë, por po bëjmë të pamundurën që filmdashësit të shijojnë një eveniment, të cilin gjer tani nuk kanë patur rast ta përjetojnë. Po ashtu, shpresoj që ajo pjesë e opinionit që do të bindet se filmi është komponent i kulturës së një populli, do të ketë rast të bindet. Për një pjesë të madhe të adhuruesve të filmit, ky festival dhe evenimentet e tjera filmike do t'u shërbejnë për t'u mësuar se si shikohet një vepër filmike, si vlerësohet dhe si çmohet.
Për ne kineastët është me rëndësi edhe për faktin se do takojmë kineastë, produktorë, selektorë dhe të tjerë, të cilët një ditë, kur ne të konkurrojmë me projekte nga Kosova e Shqipëria, do të kenë durim dhe kureshtje që ato projekte t'i shohin e shqyrtojnë.
Pra, pres shumë nga ky festival dhe uroj që çmimi i parë në edicionin e parë të shkojë në duart e një shqiptari, natyrisht për një vepër cilësore kinematografike. Sa i përket klimës politike të kinemasë, nuk besoj se mund të ndryshojë shumë, sepse ne nuk kemi asgjë në dorë, pos dëshirës për të realizuar një herë në pesë apo dhjetë vjet.


Shekulli
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 22.2%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 11.1%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.6%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 22.2%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 11.1%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 1 5.6%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 22.2%
Back
Top