In Memoriam/ Përmasat letrare të Rinush Idrizit

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
In Memoriam/ Përmasat letrare të Rinush Idrizit


Një nga penat e shquara të letrave shqipe bashkëkohore, që e ka shtrirë kontributin e vetë në lëmin e artit të fjalës në në dy periudha, pra përpara viteve ‘90, si dhe pas tyre, është Rinush Idrizi, poeti, studiuesi, kritiku i spikatur i këtij harku kohor. Edhe në këtë rast, pra edhe me kontributin e R. Idrizit, jemi brenda atij rregullit absurd dhe të çuditshëm, ku ne shqiptarët, përgjithësisht “me memorie të vagulltë”, kujtohemi për vlerat e artistëve dhe të mjeshtrave të fjalës, atëherë kur shuhen, pra kur ikin në amshimin e pakthimit. Megjithëse, me njerëzit e letrave, artit dhe shkencës, pra me ato që mbruajnë vlera të njëmendta, ndërprerja fizike e jetës, shënon fillimin e komunikimit real të veprës dhe vlershmërisë së shënuara në veprat e tyre. Kështu ka ngjarë edhe me Rinush Idrizin, i cili u nda nga jeta, para kohe, disa ditë më parë. Që prej vitit 1995, ai bashkë më familjen kishte mërguar në SHBA, dhe jetonte në qytetin e Bostonit. Paprania e pranishme, një term i U. Eco-s, si vepër dhe vlerë letrare, sendërtuar nëpër tekste poetike apo në metatekste kritike dhe studimore, edhe në këto vite të mungesës, e bën të nevojshme kthimin e vështrimit prapa, për të prekur dhe shijuar përvojën e gjerë dhe të vyer shkrimore të këtij autori. Kemi të bëjmë me një figurë me disa plane, me disa anë dhe aspekte të vlerta, me përmasa të shumëfishta dhe aq të nevojshme për letërsinë dhe magjinë që ngërthen ajo, të cilat ndihmojnë për të prekur dhe ndjerë prurjet e shumta shënuar prej tij në lëmin e letrave shqipe...
Kritiku letrar
Njëri prej aspekteve me vlera të posaçme, e kreatives dhe ndihmesës së dhënë prej tij, është fytyra e kritikut letrar, e dëshmuar në përcjelljen e teksteve poetikë dhe në prozë të jo pak autorëve, të cilët ishin në fillimet e regëtimave letrare, ku edhe ndjejmë aftësitë e tij në kapjen e kahjeve dhe prirjeve shkrimore të autorëve të atëhershëm, shkrime të cilat për nga thellësia që kanë lajmtojnë mjeshtrin e shqyrtimit dhe studimit letrar. Teksti që e përfaqëson dhe formaton më së shumti si kritik letrar, madje si një kritik që luan me zjarrin, në kuptimin e rrethanave kur shkruhet, është artikulli “Mbi heroin pozitiv në prozën tonë”, botuar në vitin 1971, në të cilin hidhen ide të “rrezikshme” për modelin letrar të realizmit socialist, natyrisht të rrezikshme për atë kohë dhe koncepsion zyrtar mbi letraren dhe artin. Në atë artikull sarkazma dhe ironia e autorit, guximi dhe mençuria, shkon deri aty sa i kërkohet dhe mëvishet atij modeli zyrtar që “heroi pozitiv mund të jetë një send apo edhe një kapanon”, një ide që solli pasoja për autorin, si ndalimi i mësimdhënies së gjuhës dhe letërsisë shqipe, e po ashtu edhe ndalimi i botimit të veprave të shkruara për vite me radhë. ثshtë rasti i parë dhe i vetëm i një reagimi publik, i dokumentuar gjer më tash, i kryer në kohën e diktaturës ndaj mbrapshtisë letrare të socrealizmit, e sidomos kulmit të themeleve të atij modeli utopik, gjoja letrar, pra të heroit pozitiv. Sjellja në dritën e lirisë, që mendojmë dhe dëshirojmë se kemi arritur, e kësaj atmosfere, terri dhe zymtësie, shtrëngimi dhe ankthi, zhgënjimesh dhe pabesie, por edhe shenjave se nuk kishte “vdekur” plotësisht mendimi dhe kurajoja qytetare, do të ndikonin dukshëm për të parë periudhën letrare të përpara viteve ‘90, në dritëhijet dhe mosarritjet e pranishme.
Një rrezatim si një fashë drite, e asaj kohe tmerri dhe errësire, përfaqëson shkrimi i Rinush Idrizit përmbi heroin pozitiv, që në distancën kohore, na portreton njeriun me karakter dhe të ditur, që e tha fjalën e tij në kohën e duhur, e tashmë në kohën e lirisë pa kufizime, së paku politike, ajo tingëllon si një emblemë diturie dhe qëndrese e qenies njerëzore, në kushtet e privimit të fjalës së lirë.
Monografitë studimore
Pjesë thelbësore e dimensioneve letrare, madje shkencore të Rinush Idrizit, janë edhe punimet monografike, të cilat përveçse i kanë qëndruar kohës për shkak të përfundimeve shkencore dhe letrare, por edhe sot e gjithë ditën këto punime monografike mbeten nga interpretimet më të realizuara të mënyrës sesi mundet dhe duhet që t’u qasemi figurave të shquara të letërsisë shqipe. Rinush Idrizi, në vitet e jetës së tij, ka botuar dy monografi:
A - Në vitin 1980, pas kalvari largimesh nga puna dhe e nga e drejta e botimit, autori publikon monografinë “Mjeda”, një punim shkencor, i plotë dhe më i thelli i monografive kushtuar figurës së poetit më buzëhollë të letrave shqipe, poetit që e latonte vargun me nge dhe për një kohë të gjatë, dhe pastaj e hidhte në fletë si një tingëllimë gjamuese e afsheve të jetës. R. Idrizi, shkencërisht dhe letrarisht, e vendos figurën e poetit në kontekstet shkrimore të kohës, por edhe më përtej saj. Pasi prek dhe shpjegon të gjitha rrethanat e jetës së N. Mjedës, studiuesi hidhet mjeshtërisht në poezinë dhe poetikën e tij, madje edhe duke sendërtuar një vështrim të thukët mbi natyrën e poetit dhe të poezisë së tij, në të gjithë pentagramin poetik të tij, qoftë në vëllimin “Juvenilja”, qoftë tek sonetet (tingëllimat) magjike, e po ashtu edhe tek kryevepra e Mjedës “Andrra e jetës”.
B - Në vitin 1992, pas një shqyrtimi të gjatë të jetës dhe veprës së poetit dhe prozatorit modern të letrave shqipe, boton monografinë “Migjeni”, një tekst tjetër që pohon dhe zbulon shenja të tjera të aftësive shkencore dhe interpretuese të R. Idrizit në fushën e historiografisë letrare të shqipes, posaçërisht në realizimin e monografive. Edhe në këtë rast, ky mjeshtër i fjalës shqipe, përmes një optike të gërshetuar të faktologjisë dhe argumentit shkencor, realizon një portertizim dhe figurim sa konkret po kaq interesant, gjithnjë duke patur në themel shkrimin monografik, mbi jetën dhe veprën letrare të autorëve.
Vlera e librit kushtuar Migjenit, shkrimtarit që përmbysi dhe riformuloi shumë elemente në poetikën e shkrimit të shqipes, është e veçantë dhe krejt e papërsëritshme, për disa arsye:
- Jepet përgjigje me argumenta shkencorë dhe letrarë mbi qenësinë e Migjenit si shqiptar nga gjaku, kultura, formimi dhe gjuha.
- E kundron dhe skicon si një poet modern i letrave shqipe, gjithkohore dhe gjithapësinore, në vargëzim, në frymën sociale, në thadrimin e realizmit kritik në të gjithë poetikën e vetë përbërëse.
- Në prozë, Migjeni, me skicat, pamfletet, fejtonet, tregimet dhe novelat, padyshim bashkë më të Koliqi dhe Kuteli, hapën udhën e lëvrimit modern të kësaj gjinie.
Pra, Rinush Idrizi duke qenë studiues me vetëdije moderne, të dy figurat, pra Mjedën dhe Migjenin, që i përkasin variantit letrar të gegnishtes, pra sfondit përbashkues të tyre, ata në poetikën e shpërfaqur janë edhe dy përvoja shkrimore të dallueshme dhe krejt specifike. Mjeda, me vokacionin e vetë poetik, origjinal dhe të papërsëritshëm, si teknikë dhe vjershërim, si frymë dhe sendërtim i romantizmit rrezëllitës, i përket fund e krye poezisë klasike shqipe, padyshim kulmeve të formësimit letrar të saj, në të gjithë pentagramin poetik të letrave shqipe të deri atëhershme. Nga ana tjetër, Migjeni shënon, gjithnjë sipas optikës shqyrtimore të R. Idrizit, poetin me modern të letrave shqipe, në poetikë, vargëzim, figurëshmëri dhe në frymën që përçon në vargjet e lira, si dhe në prozën e tij. Këto “hone” të thadrimit poetik të të dy poetëve, fare të ndryshëm në kuptimin e përvojave dhe prurjeve letrare, e kanë nxitur mendimin studimore për t’i lexuar dhe zbërthyer në vlerat që bartin, duke mbetur që të dy këto tekste nga shqyrtimet më serioze dhe më të plota mbi këta poetë, nga më të shquarit e letrave shqipe.
Poezia moderne e “sirtarit”
Fillesat letrare, megjithatë R. Idrizi i ka me poezinë. Kështu në vitet ‘60 të shekullit të kaluar shfaqet si poet më dy poema “Duart” dhe “Sytë” botuar në revistën “Nëntori” dhe në gazetën “Zëri i Rinisë”. Të dyja poemat, por sidomos poema “Sytë” ranë në sy për frymën “dekadente”, gjithnjë sipas këndvështrimit të poezisë dhe letërsisë nga shkrimtarët dhe studiuesit e partishëm. Këto krijime poetike, që parathonë shpirtin dhe mjeshtërinë e poetit, shënojnë edhe fillimin e ndëshkimit të autorit, simbas verifikimit të atëhershëm, për prirjet dhe kahjet erratake dhe formaliste në lëvrimin e poezisë.
Në këto kushte, pra i detyruar prej rrethanave ndaluese, autori ligjëroi në poezinë e “sirtarit”, në poezinë që pret ditë më të mira për t’u bërë publike. Shenjat më të qarta të poezisë së këtillë, pra të shkruara për shumë vite, madje qysh nga vitet 70 të shekullit tjetër, e gjer në vitin 2006, megjithatë duke mbajtur peshën dhe vulën e viteve shkrimore, janë të prekshme në përmbledhjen “Syri i Botës”, e cila zbulon shenjat e poezisë dhe të artit të sendërtuar nga autori.
Ky vëllim, i gjerë në tematikë dhe mesazhe, por edhe mjaft i larmë si teknika shkrimi, përmban njëqind e tridhjetë e katër poezi dhe midisi tyre sipkaten me dhjetëra krijime që janë moderne dhe të magjishme. Modernia dhe moderniteti i shkrimit të poezisë nga Rinush Idrizi, sidomos në këtë vëllim, dëshmohet:
- Nga strukturimi në pesë cikle të mëdha poetike, ku gjejmë të shpalosur botëperceptimin autorial në “Midis aluçinacioneve të atdheut”, “Ekzekutimi”, “Fantazmat e heroit pozitiv”, ثndërrim Demokracie”, “Dialog me poetin”, një mënyrë përgjithësisht e papranishme në librat poetik të bashkëkohësve të tij.
- Në frymën që përcjellë në vargje, që nuk kanë të bëjnë me shërbesën ideologjike dhe dogmatike, e pranishme në poezinë e korifejve të realizmit socialist.
- Në teknikën shkrimore, ku hasim poetikën moderne, madje si një zgjatim i poetikës migjeniane, si ta askush autor tjetër, ndonëse ka poezi që ligjërohen edhe më vjershërimin klasik.
- Në figurshmërinë e ngjeshur poetike, ku mbizotëron metafora dhe simbolika e shpërfaqjes së magjisë letrare.
Tufa poetike e poezive “Tek lexoja poetët”, “Shpirti është lakuriq”, “Zjarri po shuhet”, “Nata e Vetmisë sime”, “Unë sot jam poet politik”, “Nokturn”, “Monolog”, Autobiografi”, “I lindur 65 vjeç”, “Filozofi”, “Unë di të vdes”, “Në dritë Agimesh”, “Tërbimi” e dhjetëra të tjera, nxjerrin në pah mjeshtërinë shkrimore në vragëzim, në figurshëmri, në fjalësi dhe shprehësinë letrare.
Madje, në një kuptim më të gjerë janë këto gjurmë pranie letrare, që e bëjnë librin më të veçantë poetik, të tipit të përmbledhjeve të poezisë së “sirtarit”, por padyshim edhe njërin ndër librat më cilësor të botuar në gjuhën shqipe pas viteve ’90 në letrat shqipe.
Këto shenja dhe të tjera, këto gjurmë të mjeshtërisë shkrimore, si kritik, studiues dhe mbi të gjitha si poet i veçantë dhe origjinal, ndonëse i njohur vetëm në një rreth të ngushtë, m’u zgjuan kur mora vesh për ndarjen nga jeta të Rinush Idrizit, njeriut, mësuesit dhe pedagogut, qytetarit dhe krijuesit, poetit dhe studiuesit, kritikut, pra njeriut të dijes dhe kulturës letrare.



BallkanWeb
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 25.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 6.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 18.8%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 25.0%
Back
Top