I vogli Rama i madh

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
I vogli Rama i madh

ImageProfili i një babai jo të zakonshëm. Që ka krijuar një marrëdhënie dhe ca kode të forta komunikimi me të birin, krejt ndryshe nga baballarët e tjerë.

Dy Ramat, i vogli dhe i madhi, Edi dhe Gregu, rrëfejnë ekskluzivisht për “ONE” gjithë jetën e tyre… takimin e parë, kur Gregu sapo kishte filluar të fliste, ditët që kanë kaluar vetëm me njëri-tjetrin në të njëjtën shtëpi, orët e tmerrshme në spitalin e Bostonit ku u duhej të luftonin me sëmundjen e rëndë dhe kohët që kalojnë tashmë të qetë sa herë që babi Edi është pak më i lirë…





ثshtë ora 7.35 minuta. Makina jonë ndal rendjen e çmendur nëpër rrugën gjithë gropa të Pezës, vetëm pak metra larg nga ku Edi Rama ndal vrapin e tij të mëngjesit. Kuptojmë se paskemi mbërritur, për fat, fiks në kohën e duhur.

Rama afrohet duke rregulluar frymëmarrjen dhe, si për të na sfiduar, vë buzën në gaz prej shenjave shumë të dallueshme mbi ne, të mundit për të qenë në atë orë në Pezë. “Qenkeni zgjuar mesa duket më herët nga zakonisht!”, thotë teksa na drejton drejt shtëpisë prej guri, ku po jeton prej kohësh. Ndërkaq, nga pas pemëve, prej së largu dallojmë një siluetë të hollë, që duke u afruar, merr pas çdo hapi gjithnjë e më shumë një trajtë tejet të ngjashme me Ramën që kemi në krah.

ثshtë Gregu, djali i tij, i gjatë po aq (madje ca më shumë) e i veshur po ashtu me bluzë e pantallona sportive, si i ati. Bashkohet dhe ai me ecjen tonë drejt verandës ku Rama (i madhi) na udhëheq të gjithëve, për të na ofruar më pas kafen e këtij mëngjesi – çka ai e bën rregullisht (kur ndodhet në Tiranë) pikërisht këtu, sapo përfundon vrapin prej 30 minuta të çdo dite, deri në orën 8.10 minuta, kur i duhet të ngrihet vrikthi për të mbërritur në 8.45 minuta në Tiranë – dhe për të nisur rrëfimin për atë çfarë i kemi kërkuar prej ditësh e pse morëm udhën që pa gdhirë drejt Pezës, gjë që ai pranon ta bëjë për herë të parë përballë nesh, ashtu siç është më e mira të bëhet. Krejt i zhveshur nga hija e postit të Kryetarit të Bashkisë apo e Kryetarit të Partisë Socialiste e i ulur pranë të birit, si zakonisht, në gjithë ditët kur bëjnë së bashku vrapin e mëngjesit.

“Unë e bëj çdo ditë vrapin i shoqëruar nga Raufi, që është miku im i vjetër dhe trajner i madh, ndërsa Gregu vjen të na shoqërojë sa herë i teket të më tregojë sa jam plakur duke më lënë mbrapa”, nis e na tregon Rama, duke i hapur kështu rrugë bashkëbisedimit. Ora ndërkaq ka shkuar 8.10 minuta, por ndryshe nga herët e tjera, ai nuk ngrihet për të ikur. Dita që ka nisur krejt ndryshe për të, është programuar në axhendë të vijojë po ndryshe nga herët e tjera. E ka shtyrë takimin e parë të mëngjesit në zyrën e Bashkisë duke na lënë neve pak më shumë hapësirë nga ç'na kishte premtuar, ndihmuar shumë për këtë nga Vali Bizhga, drejtorja shumë e sjellshme e kabinetit dhe kujdestarja e përpiktë e kohës së Ramës. E kjo na çudit dhe kënaq, njëkohësisht.



Revista “One”: Jeta private ka qenë gjithmonë një pikë mjaft interesante nga ku mund të nisë konturimi i profilit tuaj jopolitik. Por, në këto kohët e fundit, nuk keni lejuar pothuajse askënd të afrohet me këtë qëllim. Neve na lejuat. Pse?

(Kemi nisur kështu bashkëbisedimin me Ramën).

Rama: Në fakt më është afruar kushdo ka dashur, po nëse s'kanë mundur të gjejnë ç'kanë kërkuar, ky s'është problemi im. Unë kam shumë pak orë në javë për veten time jopublike e për ata që më duan, jo për çka jam në publik, po për çka jam jashtë angazhimeve të mia shoqërore. Këto janë orë e marrëdhënie njerëzore që s'kam asnjë dëshirë t'i shtoj në tezgën e materialeve të konsumit mediatik, ku shitet e blihet çdo ditë qenia ime publike. S'hyn as në detyrimet e mia të patjetërsueshme ndaj publikut dhe as në dëshirat e mia që të shuaj kuriozitete të kota lexuesish për jetën time private. Megjithatë, ju jeni këtu pas një trokitjeje të kujdesshme, po mjaft këmbëngulëse, e vendosur që të shisni numrin e ardhshëm të revistës duke ormisur në sergjenin e saj detaje të jetës sime private dhe unë jam përpara jush i vendosur për të mos ju lejuar të më shisni bashkë me revistën. Të shohim ç'do dalë…

Revista “One”: Asgjë e keqe s'ka për të dalë. Ajo që na intereson prej jetës suaj private është raporti që ju keni me djalin, Gregun. Ndaj që t'ia nisim nga fillimi: a mund të na tregoni, nga çfarë kujtoni, marrëdhënien që u krijua mes jush që në ditët e para kur ai erdhi në jetë?

Rama: Im bir ka ardhur në jetën time si një lajm nga jashtë atdheut, sepse jetët tona nuk na takuan qysh në dekikën e lindjes së tij, po më vonë. Në atë kohë – ishte viti '90 – kjo qe një gjë fort e rrallë, mbase unikale në llojin e vet. Kur u pamë nga afër për herë të parë, ai më njihte mua nga tregimet e së ëmës e të gjyshërve dhe nga ndonjë fotografi prej atyre që dilnin nga laboratori si të kishin ndenjur me vite të tëra në terr, kurse unë e njihja nga ëndrrat e dëshirat e mia për të. Kishte filluar të fliste kur u takuam dhe kaluam një nga ditët më intensive të jetës sonë.

Ndërsa tani kuptoj se koha për mua ka kaluar më shpejt sesa do të kisha dashur dhe ai është rritur më shpejt sesa më është dashur mua për ta kuptuar ndryshimin e hatashëm, jo vetëm të trupit të tij, që tashmë është diçka më i gjatë se i imi, po edhe të mënyrës së tij të të parit të botës e të të menduarit të gjërave.

Revista “One”: Vitet kur keni jetuar jashtë kanë qenë në favor apo në disfavor të kësaj marrëdhënieje?

Rama: Distanca gjeografike nga fëmija, familja, të afërmit, s'mund të ketë sipas meje në asnjë rast formën e një situate të favorshme, por thjesht të një realiteti që duhet ta jetosh siç vjen, duke u munduar të zotërosh veten përballë boshllëkut të brendshëm që herë zgjerohet e herë ngushtohet, po që është gjithnjë aty, nën dërrasën e kraharorit. Por ka edhe një anë tjetër të jetuarit me fëmijën e familjen duke pasur detin në mes, një anë të mbushur me mall, kujtime, imazhe, dëshira për të ardhmen e ku mjaftojnë disa minuta në një kabinë telefoni për të ndier gjëra të cilat kurrë s'mund të të rrokin kur s'ka distancë e mungesë. Sot do të kishte qenë më e lehtë: celulari, sms-të, e-mail-et, messenger-i, videochat-i, Bluetooth-i… Flasim për vetëm 11 vjet më parë dhe duket sikur kanë kaluar 110 vjet në këtë sens!

Revista “One”: Gjithsesi, tani, 11 vjet më pas, kur nuk mungojnë sms-të, e-mail-et, Bluetooth-et e kur ju jeni në Shqipëri, jo përtej detit, duket se angazhimet tuaja në politikë janë bërë po kaq penguese për të pasur një komunikim të ngushtë me djalin tuaj, apo jo? A ka krijuar ndonjë krisje në këtë marrëdhënie axhenda juaj tejet e ngarkuar?

Rama: “Krisje në marrëdhënie” është fjalë e papërshtatshme, pasi puna e prindit s'mund të jetë kurrë shkak për krisje marrëdhëniesh me fëmijën. Gregu e ka ndier gjithnjë pasionin tim për punën dhe sot e kupton më së mirë angazhimin tim.

Ndërsa mbaron fjalinë, Rama i hedh një dorë në sup të birit, si për të marrë dhe aprovimin e tij. Gregu vë buzën në gaz, mendohet pak dhe thotë: “Sigurisht që e kuptoj, por nuk mund ta mohoj se komunikimi me babin jo pak herë bëhet shumë i vështirë, duke qenë se ai është gjithë kohës në tension dhe i ngarkuar prej punëve të tij. Gjithsesi, kjo s'na pengon të mbajmë një marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin".

E lë me kaq, duke ia pasuar sërish topin të atit me një shkëmbim vështrimesh që duket se ia njohin mirë njëri-tjetrit.

Rama: "Kur unë gjej kohën për të bërë pjesën e tmerrshme të prindit, ky ka rastin të hakmerret. Sa herë e pyes apo i kërkoj llogari për diçka, ai ma kthen përgjigjen gjithmonë me formulën se unë duhet t'i kushtoj më shumë kohë që t'ia shpjegoj më mirë gjërat që ai s'arrin t'i kuptojë e ta bind se pse gjithçka unë i them që të mësojë ai duhet ta mësojë, ndërkohë që mendon se shumë gjëra që mësohen në shkollë janë të kota. Së fundmi, ka dhe një zhvillim të ri që mua më pëlqen shumë. Tani, kur humbet durimin me zënien time me punë në kurriz të kohës që ai kërkon për vete, Gregu e shpreh revoltën në e-mail ose në letra, të cilat kur s'ka mundësi të m’i japë në dorë, i lë mbi tryezë."

Gregu aprovon me kokë. Kur e ngacmojnë se çfarë shkruan zakonisht në ato letra e i kërkojmë të na citojë të paktën njërën prej tyre, ai na thotë prerë, pa na parë në sy: “S'i mbaj mend. Janë letra krejt spontane". Të cilat babi Edi, i ka ruajtur të gjitha në një sirtar, por nuk guxojmë t'ia kërkojmë, përderisa Gregu duket “xheloz” për intimitetin mes tyre. I largohemi këtij argumenti dhe vijojmë të pyesim Ramën për të tjera gjëra, nga ato që mund të tregohen…

Revista “One”: A keni jetuar ndonjëherë vetëm ju të dy, me njëri-tjetrin? Nëse po, ç'baba keni qenë në të tillë situatë?

Rama: S'besoj se mund të fitoj ndonjë garë hipotetike baballarësh model. Kemi jetuar me njëri-tjetrin prej kohësh në sensin që Gregu vjen ku jetoj unë në çdo kohë e për sa orë apo ditë ka dëshirë, por ka qenë një kohë e ndërmjetme kur ai deshi që pika e tij fikse të ishte nën të njëjtën çati me mua. Kjo kohë përkoi me hyrjen e tij në shkollën e mesme dhe me hapjen e një dialogu më angazhues mes meje e tij, që lidhej sigurisht me ndërlikimet e rrugës drejt adoleshencës. Por s'kam fije dyshimi se do të mbetem në një borxh të pashlyeshëm me të, për faktin se s'kam mundur dot asnjëherë të jem pranë tij aq sa duhet, s'kam pasur asnjëherë aq kohë sa do të duhej për ta ndihmuar të ormisë fluksin e pafundëm të informacionit e të pikëpyetjeve mbi jetën, botën, shoqërinë... s'kam gjetur dot thuajse asnjëherë mundësinë që t'i shfaq gamën e pjatave të hatashme të repertorit tim kulinar, mësuar me të dëgjuar e të shijuar në një shtëpi ku gjyshja vinte nga një shkollë gatimi e klasit të parë të Europës së vjetër.

Më ngushëllon në anën tjetër ideja se duke qenë me të i thjeshtë, po jo përkëdhelës; i drejtpërdrejtë, po jo imponues; kërkues, po pa llafe të shumta e as ngulmime të tepërta për çka nuk ka dashur të bëjë, ai është rritur i lirë, pa të vërteta të gatshme e as trysninë e një disipline të fortë në procesin e të nxënit, me plot luhatje në mësime e trille të papritura për t'u marrë me plot gjëra jashtëmësimore dhe në thelb me një kalitje të vetvetishme për të qenë rezistent përballë të panjohurave, i pallastuar e as i mësuar me gjetjen gati të gjërave që i lypsen apo që dëshiron.

Po të mos ishte kështu e Gregu të mos ishte ky, jam absolutisht i bindur se luftën që fati e detyroi të bënte me vdekjen në moshën 16-vjecare ai nuk do ta kishte fituar kurrë. Gjatë asaj lufte, që më ka mbajtur nëntë muaj me frymën pezull, kam kuptuar gjithë sa thashë dhe kam parë nga fare afër, falë djalit tim, një shfaqje të jashtëzakonshme të fuqisë për të jetuar, që unë vetë s'jam fare i sigurt se do të mund ta realizoja për të po të isha në vendin e tij.

S'do ta harroj kurrë çastin kur u përshëndeta me mjeken e Gregut në dalje të pavijonit të të sëmurëve me kancer dhe ajo grua, që ishte mishërim i dijes e i besimit bashkë, më tha: “Sikur djali të mos kthehej në Shqipëri, ne do të duhej ta shëtisnim për të inkurajuar me shembullin e me energjinë e komunikimit të tij pacientët që luftojnë me të keqen e madhe në trup dhe kanë nevojë të shohin sesi njeriu mund të triumfojë, edhe kur metastazat janë përhapur gjithandej dhe shkenca thotë se shpresat janë minimale. Gregu është një top fighter!”.

Rrëfimi ka arritur në pikën më delikate, në kohët kur, ndërsa në jetën politike kishte ngjitur një shkallë më shumë (drejt postit të kryetarit të PS-së), në jetën private po ndjente deri në kockë kërcënimin e një humbjeje shumë të madhe. Në kohët kur të dy, atë e bir, kanë kaluar momentet më të vështira të jetës së tyre, kur ndërsa Rama i vogël dergjej në spital, të madhit, pas një përkeqësimi të skajshëm të shëndetit të djalit, pas telefonatës që e njoftoi se nëse nuk shkonte ta shikonte djalin menjëherë, ndoshta s'do ta shihte më kurrë, iu desh të bënte një fluturim urgjent drejt Bostonit.

Revista “One”: Kush e ka shoqëruar Gregun në gjithë këtë kohë atje në Boston?

Rama: Ime më, Neta. Në gjithë ato ditë, Gregori ka zhvilluar dy beteja, atë të vërtetën me sëmundjen dhe atë në thonjëza me gjyshen e tij, e cila duke u kujdesur për çdo detaj e duke i kërkuar përpikëri në çdo lëvizje, e bënte shpeshherë të shpërthente. Gjithsesi beteja ka farkëtuar dashurinë mes tyre dhe tani Gregu i çon lule gjyshes.

Gregori: Konfliktin me gjyshen s'kam dashur ta hap, por duke qenë se rrethanat ishin shumë të sikletshme, donim-s'donim, përplaseshim me njëri-tjetrin. Më vjen keq që ajo e ka vuajtur këtë gjë dhe tani e kuptoj se gjithçka ka ndodhur edhe prej papjekurisë së moshës sime.

Revista “One”: Po tani, në ç'moshë je?

Image

Gregor: Më 12 gusht mbush plot 18 vjeç.

Rama vë buzën në gaz dhe tund mendueshëm kokën, ndoshta sepse në numërimin që djali u bën viteve të tij, ai llogarit plakjen. Pak ditë më parë ka shënuar 44 vitet që kanë kaluar nga dita e tij e lindjes.

Ndërsa Gregori largohet nga veranda, ne vijojmë bisedën me Ramën, duke ia kujtuar këtë fakt…

Rama: Faleminderit që më kujtoni 44-ën. Në këtë sens, më duket sikur pardje kam qenë 24 dhe ata që ishin 44 më dukeshin ohu, të kaluar në moshë, dhe ja ku sot jam vetë përtej kufirit të fundëm të rinisë, me një djalë që tanimë s'më merr dot as këpucët, se i rrinë të ngushta. Por në anën tjetër, që më ndihmon shumë me praninë, hijen e tij mbi supet e mia, për të qenë më pak i rrëmbyer e shumë më dëgjues se dikur.

Revista “One”: Ndërsa ai paska ndryshuar diçka tek ju, po ju, a keni ndryshuar ndonjë gjë në botën e tij?

Rama: Dëshiroj shumë që lirinë, pavarësinë e gjykimit, kurajën për të marrë vendime, aftësinë për të kundërshtuar, të mos ia kem cenuar me trysninë time prindërore, me gjykimet e mia nganjëherë shumë të prera, me ndikimin tim në vendimmarrje, me kundërshtimet e mia në ndonjë rast tepër energjike ndaj ndonjë kërkese a teke të tij. Sa herë jam përballë tij, mundohem të kthehem në moshën e tij, kur prindërit duheshin sfiduar, kur gjykimet duheshin bërë jashtë rrezes së botëkuptimit të tyre, kur qoftë edhe vendimi për të mos u kthyer në shtëpi në orar e për të ngrënë “batërdinë” e radhës më bënte të ndihesha i madh apo kur refuzimi për të fikur dritën e leximeve joshkollore deri në pesë të mëngjesit më jepte kënaqësinë e të qenit “kokë më vete”. Kam pasur fatin të kem një nënë që nuk dorëzohej përpara “shpirtit tim të kundërshtimit” dhe një baba që rrinte në mes të dyve, fjalëpak në momentet e gjykimit prindëror për aktet e mia të rebelimit, po gjithnjë i kujdesshëm për të ma lënë hapur qiellin mbi kokë. Sensin e kufijve të brendshëm moralë ia dedikoj ngulmimit stoik të nënës sime, kurse lirinë e shpirtit tim ia di për nder tim eti. Si baba, ndoshta nuk arrij gjithnjë të jem me Gregun çka ka qenë im atë për mua; ky do të ishte një perfeksion që s'jam i zoti ta mbërrij, por lus Zotin që të mos ia kem cenuar asnjë milimetër hapësirën e qiellit mbi kokë me hijen e me leksionet e mia.

Revista “One”: A ju duket vetja hero në sytë e tij, si një baba që veç këtyre përpjekjeve që thatë se bëni në drejtim të tij, keni dhe poste të rëndësishme, tituj e çmime ndërkombëtare në CV-në tuaj, që jeni cilësuar deri edhe si një nga heronjtë evropianë që ndryshojnë botën në anketën vjetore të revistës së famshme londineze "TIME"?

Rama: Nuk e di, s'kam gjetur asnjëherë kurajën që ta kem këtë bindje, por do të doja shumë që të isha.

Revista “One”: Ama nga media (e të tjerë) jeni akuzuar dhe si baba që e përdorni djalin tuaj për fushata elektorale, për kornizimin e një imazhi më të mirë e më të besuar. Në të vërtetë, sa keni dashur ta bëni Gregun pjesë të botës suaj politike?

Rama: Dikur akuzat më bënin përshtypje, sot nuk marr mundimin t'i dëgjoj a lexoj dhe jo më t'i mendoj. S'kam llogaritur kurrë akuzat kur më është dashur t'i bëj gjërat e duhura. Por e vërteta është se me tim bir në një sfond politik kam qenë vetëm në ditë votimi. Sepse kam dashur t'i tregoj, qysh kur ka qenë ende i vogël, se dita e votimit është një ditë e shënuar në jetën e një qytetari. Ashtu siç mundohem t'i tregoj se politika është pasion e përkushtim, jo cinizëm e llogari.

Revista “One”: Projektet tuaja kanë pasur shpesh si objekt të rinjtë, bashkëmoshatarët e djalit tuaj. A i kërkoni ide Gregut për të kuptuar se si mund të depërtohet në këtë grupmoshë?

Rama: E dëgjoj gjithnjë me dëshirë Gregun, copëzat e së përditshmes së tij dhe përjetimet e jetës së tij sociale, duke u munduar të kuptoj çfarë e shqetëson, e mërzit, e tremb dhe çfarë nxit interesin e tij. Më ndihmon shumë fakti që ai i thotë gjërat siç i mendon dhe kjo më duket një karakteristikë e gjeneratës së tij, sepse më qëllon të dëgjoj plot bashkëmoshatarë të Gregut. Ndaj kësaj gjenerate (të lindurve pas komunizmit), ne kemi borxhe, po besoj edhe keqkuptime të mëdha.

Janë një gjeneratë që jetojnë përtej një hendeku të qenësishëm me botën tonë, me mënyrën tonë të të parit e të të menduarit të gjërave dhe ne, rëndom, bëjmë gabimin fatal të gjykimit të tyre si njerëz pa disiplinë, pa interesa, pa dëshira të tjera veç pub-eve, celularëve, rrobave. Kjo është vetëm pamja e jashtme e një bote që ne nuk e kuptojmë as sa dhe as si duhet, madje në një masë të madhe e keqkuptojmë rëndë. ثshtë temë e gjerë, shumë interesante; për mua jemi ne në gabim që e shohim botën e transformuar prej globalizmit nga këndvështrimi i "kohës së qepës", jo ata që po rriten në kohën kur bariu plak flet me celular. Dhe ne, të rriturit, do t'i paguajmë një çmim verbërisë sonë në të ardhmen.

Revista “One”: Ngacmuar nga kjo që sapo thatë, a keni arritur ju të bëheni miq aq sa për t'i treguar gjithçka njëri-tjetrit?

Rama: Ankohet shpesh se nuk na del koha për t'i thënë të gjitha. Megjithatë, komunikimi ynë është pa kufij. Të dy kemi një sens të zhvilluar humori dhe kjo lehtëson çdo bisedë "të vështirë". Por realisht biseda të vështira mes nesh nuk ka.

Revista “One”: Po historitë që qarkullojnë për ju nëpër faqe gazetash e revistash a i bëjnë përshtypje Gregorit?

Rama: Kthehemi tek çka folëm më parë për gjeneratat. Fëmijët tanë janë ku e ku më tolerantë e mospërfillës sesa të rriturit ndaj thashethemeve “të mëdha” të botës sonë plot seriozitet fals e moralizime shterpë. Jo sepse janë të vegjël, por, çudituni sa të doni, sepse janë më pak sipërfaqësorë sesa të rriturit që janë shumë të vegjël”.

Ndërkohë, Gregori është kthyer nga dhoma e tij me një veshje tjetër – po sportive – gati për të marrë rrugën e kthimit për në Tiranë, në shtëpinë e gjyshërve të palës tjetër, ku i pëlqen të qëndrojë më gjatë, sepse ata ka arritur t'i dominojë që i vogël, sepse atje është në territorin e vet, ku mund të bëjë gjithçka dëshiron.

Dita e qëndrimit me të atin në shtëpinë e gurtë në Pezë ka mbaruar. Për t'u përsëritur prapë në një herë tjetër të afërt, po njësoj… por këto orët e rrëfimit për marrëdhëniet që ata kanë ndërtuar me njëri-tjetrin, për momentet e vështira e të bukura që kanë kaluar së bashku në gjithë këto vite, sipas mënyrës së tyre.

Ah, u kujtuam se për momentin e bukur s'na kanë thënë ende asgjë! Në ikje e sipër gjejmë një moment dhe e pyesim. “Kur lexoja tekstet e këngëve rap që Gregori shkruante në spital”, na thotë nxitimthi e pa u menduar fare.

Ora ndërkaq ka shkuar 9.20 minuta. Ndërsa Rama ikën me vrik për të nisur ditën e punës që mbaron më 10 të darkës, ne lëvizim më me nge. Nuk kemi asnjë nxit për t'u kthyer në Tiranë, tashmë me mision të kryer.





Boks

I pagjumi

Përgjithësisht me gjumin ka marrëdhënie armiqësore. Mund të ulet për të fjetur andej rreth orës 2.00 të natës e të zgjohet gjithmonë herët, shumë herët në mëngjes. Vetëm në ndonjë ditë të caktuar të muajit (që duhet të jetë padiskutim e diel) mund t’ia lejojë vetes gjumin, që ai e quan anormal – domethënë zgjimin në orën 10.00 të mëngjesit. Ndërsa një herë në vit, kur shkon gjëkundi me pushime, mund të bëjë tri ditë gjumë radhazi.



Ecje sportive

I ndodh shpesh që ta ndalojë makinën në krye të rrugës nacionale, në kthesën e Pezës, e ta përshkojë më këmbë gjithë rrugicën që shkon direkt e në shtëpinë ku po jeton këto kohë. Ashtu i veshur me kostumin e ditës. Ndërron vetëm këpucët zyrtare me ato sportivet, që i mban gjithmonë me vete në makinë.



Somario

Rama

“Kur u pamë nga afër për herë të parë, ai më njihte mua nga tregimet e së ëmës e të gjyshërve dhe nga ndonjë fotografi prej atyre që dilnin nga laboratori si të kishin ndenjur me vite të tëra në terr, kurse unë e njihja nga ëndrrat e dëshirat e mia për të”



Gregu

“Sigurisht që e kuptoj, por nuk mund ta mohoj se komunikimi me babin jo pak herë bëhet shumë i vështirë, duke qenë se ai është gjithë kohës në tension dhe i ngarkuar prej punëve të tij. Gjithsesi kjo s'na pengon të mbajmë një marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin”



Rama

“Së fundmi ka dhe një zhvillim të ri që mua më pëlqen shumë. Tani, kur humbet durimin me zënien time me punë në kurriz të kohës që ai kërkon për vete, Gregu e shpreh revoltën në e-mail ose në letra, të cilat kur s'ka mundësi të m’i japë në dorë, i lë mbi tryezë”



Rama

“Po të mos ishte kështu e Gregu të mos ishte ky, jam absolutisht i bindur se luftën që fati e detyroi të bënte me vdekjen në moshën 16-vjecare ai nuk do ta kishte fituar kurrë. Gjatë asaj lufte që më ka mbajtur nëntë muaj me frymën pezull, kam parë nga fare afër, falë djalit tim, një shfaqje të jashtëzakonshme të fuqisë për të jetuar, që unë vetë s'jam fare i sigurt se do të mund ta realizoja për të po të isha në vendin e tij”



Raama

“Dikur akuzat më bënin përshtypje, sot nuk marr mundimin t'i dëgjoj a lexoj dhe jo më t'i mendoj. S'kam llogaritur kurrë akuzat kur më është dashur t'i bëj gjërat e duhura. Por e vërteta është se me tim bir në një sfond politik kam qenë vetëm në ditë votimi. Sepse kam dashur t'i tregoj, qysh kur ka qenë ende i vogël, se dita e votimit është një ditë e shënuar në jetën e një qytetari”




Revista One
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top