I dua, i dua, i duaaa të gjitha

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
I dua, i dua, i duaaa të gjitha

Nëse mendoni se ardhja e Roanit në jetë e ka zbutur ambicien e Enada Hoxhës për të qenë gjithkund e gjithmonë e vetmja dhe e para, e keni gabim. Gjithçka vijon si më parë. Sepse balerina mund të ndihet e lumtur vetëm nëse arrin qëllimet e saj. Nuk na besoni?! Lexoni çfarë ka pohuar ajo vetë...

Salla e provave në Teatrin e Operës dhe Baletit është pothuaj e gjitha e rrethuar nga pasqyra. Kështu që nuk është fare e vështirë që të kapësh menjëherë një lëvizje të gabuar tënden. Për këtë shërbejnë gjithë ato pasqyra në një sallë ku vetëm kërcehet. Kështu ka menduar dikur dhe Enada Hoxha. Ndërsa tani, endet përballë pasqyrave, më e vëmendshme se kurrë më parë ndaj imazhit që i reflektohet aty, por jo për të kontrolluar lëvizjet e saj.

Nuk është duke kërcyer. As duke ndjekur koreografinë e pjesës tjetër të trupës së baletit. Ndërsa Gerti është në një tjetër kënd të sallës, imazhin e të cilit nuk e prek pasqyrimi në pasqyrë. E atëherë?!

Ja tek na e heq ajo vetë menjëherë kuriozitetin. Madje pa qenë nevoja ta pyesim. “Edhe tre kilogramë, dhe do të jem si më parë. Vetëm tre”, i pëshpëriste me vete këto fjalë ngado që shkonte. Nga ç’duket, për balerinët e tjerë, kjo pëshpëritje ishte kthyer në refrenin e zakonshëm të çdo dite... “Oh, edhe tre kilogramë, dhe do të jem ashtu siç duhet”.

ا’është e vërteta, edhe me këta tre kilogramët, që sipas saj janë të tepërt, për syrin tonë Enada duket në formë të mirë fizike edhe pas lindjes së Roanit, djalit që tashmë është tre muajsh. Ndërsa ajo këmbëngul se i duhet edhe pak mund që të arrijë në peshën ku ajo do ndihet vërtet në formë. Ndryshime të tjera? E pyesim nëse Roani ka ndryshuar gjë në ritmin e vrullshëm të punëve të saj. Buzëqeshja që është formuar në buzët e saj tregon se jemi në prag të përgjigjes që prisnim: “Jo!”.



Roani lindi më 14 shkurt. Me një llogari të shpejtë që bëjmë, del se pikërisht në ditët që takuam Enadën, vogëlushi bënte tre muajsh. Në këto kohë, ditë pas dite, herë pas here kur e ka ushqyer me qumësht prej gjirit të saj, natë pas nate kur e ka gdhirë prej të qarave të tij, dashuria për të voglin është rritur bashkë me të.

Megjithatë, ajo nuk ka lënë asnjë projekt t’i ikë nga duart pas lindjes së tij. Enada Hoxha vazhdon të jetë po aq e fiksuar pas karrierës dhe ambicies për të bërë gjithçka e në mënyrë perfekte. Ndaj ora 9 e gjen gjithmonë në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit për t’ia nisur një pune që vetëm orare të mirëpërcaktuara nuk mund të ketë. Ishte musical-i “Moulin Rouge” që e nxori nga shtëpia për t’ia nisur sërish punës me vrull. Mos mendoni se kishin kaluar nja dy a më shumë muaj e se ajo e kishte marrë me nge ngritjen nga shtrati, shkëputjen nga i vogli...

Vetëm fiks dy javë kishin kaluar nga dita e lindjes së Roanit, kur Enada doli nga shtëpia për t’iu drejtuar TOB-it. Ato ditë nuk ishin edhe aq të rehatshme për të. Me kilet e tepërta, që nuk ishte mësuar kurrë t’i kishte, nuk ndihej mirë. Por e dinte se me vullnetin e fortë që ka, nuk do t’i duhej shumë kohë për t’i hequr. Me po atë vullnet, e mblodhi mendjen se duhej ta linte djalin në duart e vjehrrës së saj, ndërsa vetë të vijonte me projektet e punës. Ama kurrsesi nuk mundi të jetë krejt e shkujdesur nga meraku për të voglin. Në fillim e ka kuptuar se e teproi me njëmijë e një porositë që i linte mamit të Gertit para se të dilte nga shtëpia. Edhe pse ajo kishte pasur përvoja të tjera më parë, me nipër e mbesa, Enada do t’i vinte re disa detaje që duheshin ndryshuar. Komunikimi mes nuses dhe vjehrrës për këtë gjë rezultoi i suksesshëm. Ndaj Enada është shumë më e qetë tani, sa herë kapërcen pragun e shtëpisë, ku nuk i dihet asnjëherë se kur mund të kthehet. Vërtet shfaqja e “Moulin Rouge” mbaroi, por është dhe projekti tjetër që e mban po aq orë larg shtëpisë, në mos edhe më shumë. Provat e gjata në “Star Academy”, ku ajo bashkë me Gertin janë pedagogët që u duhet të mësojnë me orë e orë të tëra nxënësit e kësaj shkolle, e mërkura kur është dhe transmetimi i gjatë televiziv e gjithë ditët e tjera

të përgatitjes së të rinjve amator në kërcim... e shumë e shumë të papritura që dalin nga një format i tillë, i marrin jo pak kohë Enadës. I marrin dhe shumë energji. Ndaj dhe dorëzohet ndonjëherë. Nëse më parë ajo nuk mund t’ia lejonte kurrsesi vetes që dikush tjetër të bënte punën e saj, tani e bën herë pas here. Ndonjë pasdite ia beson të shoqit provat e Akademisë për të përfituar pak orë për të birin. Nga ana tjetër, edhe Gerti sakrifikon për të dyja ato, sepse e di mirë se Enada nuk do t’i linte provat pa pasur një arsye të fortë. Roani është i tillë.





Sapo i mbetet ndonjë orë e lirë, rend direkt për tek djali. “Mbyllem vetëm me të për një orë në dhomë, e shtrëngoj fort, i flas gjithë kohës fjalë të ëmbla.” Fjalët e ëmbla në rastin e saj janë fjalë të tipit “Vetëm unë të dua ty!”, fjalë që vetëm një mami si Enada mund t’i thotë. Edhe ajo vetë e di se i shfaq më shumë se ç’duhet shenjat e egoizmit edhe në lidhje me djalin, por ja që nuk mund të përmbahet dot.

Po synon që edhe për Roanin të jetë ajo dhe vetëm ajo e para. Edhe pse nuk ia kushton atij dhe vetëm atij gjithë kohën, të paktën kohën më të madhe të saj. Sepse Enada i do të gjitha, me çdo kusht.

Ndihet shpeshherë në faj që harrohet kaq shumë pas punëve të saj, sa mund ta lërë dhe gjatë gjithë ditës djalin vetëm me të ëmën e Gertit. Kur e pyesin se nëse ndjen se po rrezikon pak kështu që i biri t’i largohet, duke mos e parë gjatë gjithë ditës, ajo stepet e ngurron për të dhënë një përgjigje. As që mund ta mendojë se mund të ndodhë kjo gjë. Në jetën e saj gjithçka ndodh ashtu si do ajo që të ndodhë. Edhe Roani do t’i bindet asaj. Ndaj ka filluar t’ia diktojë që tani se vetëm ajo e do, askush tjetër.

Momenti më i mirë për të folur me këtë gjuhë me të birin duket se është koha kur

i jep qumësht nga ngjiri i saj. Për të dy kjo është koha më e bukur. Nuk ka rëndësi nëse mesnata ka kohë që ka kaluar. Mami Enada lufton me gjumin për të përfituar nga djali të paktën orët e natës. Kështu zbeh disi edhe atë ndjesinë e ndërgjegjes së vrarë.

Sepse ngado që t’a marrësh, e vë re që mami nuk e ka ndërgjegjen edhe aq të qetë. Madje edhe kur bie fjala te qumështi i gjirit. Nuk i ka marrë fare për bazë udhëzimet për një regjim të mirë ushqimor në kohën që e ka djalin në gji. Atë vetë oreksi nuk është se e ka prekur ndonjëherë. E ndihmon në këtë pikë edhe të qenit vegjetariane, por ama për hir të djalit duhej ta kishte bërë një sakrificë, pra që të hante pak më shumë se zakonisht. Por ja që jo. Vazhdon të kujdeset shumë për linjat e saj prej balerine. Vazhdon të ushqehet me fruta e sallaturina. E thotë se do të vazhdojë kështu, edhe pse ka planifikuar që ta mbajë djalin në gji edhe për tre apo katër muaj të tjerë. Ama të paktën nuk e ka marrë thjesht me kokë të vetën këtë vendim. Të paktën ka gjetur kohë e ka folur me mjekun pediatër, ka shfletuar libra, ka pyetur të tjerë me më shumë përvojë se ajo, ndaj dhe i di mirë tashmë disa gjëra. Nuk mund të ishte kaq shumë e pakujdesshme, pavarësisht se ambicia për karrierë ia ka verbuar sytë e pushtuar keq mendjen. Gjithsesi, pse nuk gjen dot kohë aq sa duhet për t’i kushtuar djalit, nuk do të thotë që nuk kujdeset e merakoset për detajet që s’mund t’i shkojnë në mend kujtdo, veçse një mami. Siç është për shembull dhe “çfarë do të bëhet ai kur të rritet”. Duket se edhe për këtë mami Enada ka nisur të mendojë që tani, ndonëse djali s’është veçse tre muaj.

A do të bëhet ai balerin? Përgjigjja e mami Enadës është gati. Po, ajo do që i biri të jetë balerin në të ardhmen. Ama nëse do të bëhet vërtet i tillë, mos mendoni se mami nuk do t’i vërë disa kushte. “Nëse do të jetë balerin, ai duhet të jetë absolut. Duhet të marrë talentin e Gertit dhe vullnetin tim”. Kështu po. Vështirë se Roani i vogël do t’i shpëtojë profesionit që do Enada. ثshtë ngado i rrethuar nga artistë. Edhe gjyshe Aishja, balerina e dikurshme, nuk mund të rrijë pa ia injektuar këtë frymë. Vetëm se deri atëherë gjërat do bëhen më me kujdes, do shihen imtësi, që gjithçka të jetë perfekte për të. E ëma i mendon të gjitha qysh tani. Ende nuk mund të thurë plane të detajuara mirë. Jo pse s’do të mundte, por sepse koha e saj është tejet e kufizuar. Tani për tani ka planet e saj. Ku veç të tjerave hyn dhe dobësimi. Duhet të heqë dhe tre kilogramët që i ndjen si të tepërt në trup, ndërsa endet në sallën e baletit, përballë pasqyrave të mëdha.





Somario

Fjalët e ëmbla në rastin e saj janë fjalë të tipit “Vetëm unë të dua ty!”, fjalë që vetëm një mami si Enada mund t’i thotë. Edhe ajo vetë e di se i shfaq më shumë se ç’duhet shenjat e egoizmit edhe në lidhje me djalin



Për hir të djalit duhej ta kishte bërë një sakrificë, pra që të hante pak më shumë se zakonisht. Por jo që jo. Vazhdon të kujdeset shumë për linjat e saj prej balerine. Vazhdon të ushqehet me fruta e sallaturina



A do të bëhet ai balerin? Përgjigjja e mami Enadës është gati. Po, ajo do që i biri të jetë balerin në të ardhmen. Ama nëse do të bëhet vërtet i tillë, mos mendoni se mami nuk do t’i vërë disa kushte



Megjithatë, ajo nuk ka lënë asnjë projekt t’i ikë nga duart pas lindjes së tij. Enada Hoxha vazhdon të jetë po aq e fiksuar pas karrierës dhe ambicies për të bërë gjithçka e në mënyrë perfekte. Ndaj ora 9 e gjen gjithmonë në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit për t’ia nisur një pune që vetëm orare të mirëpërcaktuara nuk mund të ketë




Revista One
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top