Historia e krijimit te qytetit te Korces

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
liaz bej Mirahori, themeluesi i Korçës, më se 500 vjet më parë

15/03/2007 "Detyrë të madhe ka Korça ndaj Khoxha Mirahorit, se ay ardhi dhe e bëri atë kërthizën e gjithë fshatrave. Shpresë e madhe është që Korça do të madhohet dhe më tepër, nga që është kyçi i tregtisë, në mes të Shqipërisë së Poshtme, të Veriut e të Maqedonisë Perëndimore dhe anëve të Veriut e të Toskërisë. Me të madhuarit, me të zbukuruarit e Korçës ndihmuan shumë dhe gjithë korçarët me tregtitë e begatitë e tyre, po midis gjithë këtyre emri i Khoxha Mirahorit gjithnjë në shekuj e paskëtaj është për t’u përmendur, se ay quhet që vu të parët gurë në themelet e madhërisë së saj, prandaj dhe të parat në historitë e Korçës duhet t'i ketë emri i Khoxha Mirahorit".

Nuçi Naçi

Historia e qytetit të serenatave, i ngritur mbi gërmadhat e fshatrave Gjorixhë e Peskëpi

Deri më sot askush nuk ka një ide të qartë se nga vjen emri i qytetit të Korçës. Historia e saj nis me kthimin e Iliaz bej Mirahorit nga Stambolli në vitin 1484. Disa thonë se ky njeri me shtat mjaft të lartë e me flokë të zinj që i mbinin mbi supe, i veshur me një anteri të bardhë e të mëndafshtë, kishte qëndruar buzë lumit të Mborjes, aty ku rrjedha e ujit ndante dy fshatra të vegjël dhe vështronte vëmendshëm gjithçka ndodhte në të dy krahët e tij.

Pikërisht aty kishte vendosur të ngrinte Korçën.

Në njërën anë të lumit shtrihej një fshat i vogël që quhej Peskëpi, ndërsa në anën tjetër një fshat edhe me i vogël, që quhej Gjorixhë.

Fshati i parë (Peskëpia) ka patur fatin të mbetet i shkruar në defterët e kohës dhe për këtë arsye vazhdon të përmendet edhe sot e kësaj dite, sa herë që flitet për historinë e Korçës, kurse Gjorixha gjendet e shkruar shumë rrallë, aq sa mund të thuhet se janë të pakët ata që kanë njohuri mbi ekzistencën e dikurshme të këtij fshati.

Peskëpia, që gjendej në anën perëndimore të lumit kishte marrë këtë emër, sepse fillimisht aty ishin ngulur pesë familje, pra, pesë shtëpi, të cilat në kohën kur ishte ndalur aty Ilaz bej Mirahori, ishte shtuar në 15 familje, ndërsa fshati Gjorixhë, që shtrihej në pjesën lindore, gjendet e shkruar në gjuhën turke, që në shqip do të thotë "shiko e shko", ose e thënë edhe më shkurt do të shqiptohej "shih-shko".

اifçinjtë

Njeriu me shtat të lartë, i quajtur Iliaz Bej Mirahori, që atë çast kishte qëndruar buzë lumit të Mborjes, i cili mblidhte ujërat e maleve të Moravës, pasi hodhi vështrimin mbi fshatin Gjorixhë kishte folur me zë të lartë, madje pa e kuptuar as vetë.

"Këtu do të ngrihet Korça".

Thonë se kjo fjalë ishte dëgjuar edhe nga banorët e Gjorixhës dhe të Peksëpisë, që atë çast kishin kaluar aty pranë tij.

Në të vërtetë banorët e dy fshatrave nuk ishin gjë tjetër veçse një grup çifçinjsh që jetonin mes një varfërie të lodhshme.

Mes habisë dhe kureshtjes kishin pyetur përsëri për të mësuar se çfarë kishte ndërmend të bënte ai njeri, në atë vend që kishte vetëm baltë dhe gjithnjë bënte ftohtë, ndërsa në dimër, askush nuk guxonte të dilte nga dera, sepse mund të ngrije, ashtu si qirinjtë e akullt nën strehët e shtëpive.

"Të jetë i çmendur ky njeri?!", kishin menduar së pari çifçinjtë e lodhur, por pamja e tij nuk ta jepte këtë përshtypje.

Iliaz bej Mirahori ishte i gjatë nga shtati dhe flokët e zinj i zbrisnin deri poshtë mbi supe, ndërsa kishte një pamje të butë si prej engjëlli.

Kishte zbritur në Gjorixhë me një kalë të bardhë, ndërsa pak më tej kishte lënë disa njerëz, të cilët qëndronin në pritje të çdo urdhri që mund të jepej prej tij.

Pikërisht për shkak të pamjes dhe të veshjes me mëndafsh e gajtanë, çifçinjtë që kishin qëndruar përballë me Iliaz bej Mirahorin rrinin në heshtje dhe vështronin gjithë habi njeriun që kishte zbritur papritur në dy fshatrat e tyre.

Iliaz bej Mirahori kishte përsëritur sërish se pikërisht aty do të ngrinte një qytet të madh dhe të bukur.

Nuk dihet nëse e besuan çifçinjtë, por Mirahori u tha se, "çdo ditë do t'u jepte bukë falas, ndërsa çdo të enjte në mbrëmje do të kishte diçka të veçantë. اifçinjtë vështruan përsëri të habitur. Si ishte e mundur!?, dukej sikur pyesnin njëri-tjetrin. "Po, tha Mirahori, do të jap urdhër që të gatuhet dy herë në ditë, në drekë e në darkë. Do të gatuhet çorbë gruri dhe orizi, por edhe gjellë të tjera, dhe do të hajë kushdo që do të jetë i pranishëm në kohën e bukës, i vobektë, pasanik, i varfër, i huaj, udhëtar apo banues, fëmijët e studentëve e të tjerë. Kushdo qoftë, përsëriti Mirahori, ç'ka do që të hanë, e kanë hallall e t'u bëjë mirë".

Gjithçka që u kishte thënë atë ditë u bë e vërtetë, madje gjendet e shkruar fjalë për fjalë në vakëfnamenë e Mirahorit. Thuhet se banorët e Peskëpisë shkuan dhe ndezën qirinj në kishën e tyre të vogël të Shën e Premtes, duke u lutur që njeriu që u kishte premtuar bukën e përditshme falas dhe një misur të zier me oriz, të kthehej sërish në fshatrat e tyre.

Haberet

Lajmi për njeriun shtatlartë, me flokë të zinj që i zbrisnin deri poshtë mbi supe, i veshur i tëri në mëndafsh, me një palë tespi të zeza, të shkuara edhe ato në fill mëndafshi, i shoqëruar nga njerëz të tjerë me kuaj, kishte marrë dhenë, madje kishte kapërcyer edhe dy fshatrat, Gjorixhën dhe Peskëpinë.

Ishte marrë vesh nga të gjithë se ai njeri kishte qenë mjaft i rëndësishëm dhe se quhej Iliaz bej Mirahori, i cili nuk kishte shumë që ishte kthyer nga Stambolli.

اifçinjtë kërkonin të dinin gjithçka mbi atë njeri.

Kishin mësuar se Iliaz bej Mirahori ishte shumë i kamur. Pasuritë e tij shtriheshin jo vetëm në Kolonjë, në Korçë dhe në Përmet, por edhe në Janinë, ku kishte punuar si Sanxhakbej, madje, edhe Kostandinopojë, ku dyqanet dhe shtëpitë e tij nuk kishin të numëruar, veçanërisht në lagjen "Ivlanka".

Thuhej se Iliaz bej Mirahori ishte martuar me të bijën e Sulltan Bajazitit II, pra ishte dhëndër Sulltani dhe kjo nuk ishte pak. Tashmë dinin gjithashtu se Mirahori kishte patur tre djem, Muhamedin, që ishte vrarë në një nga luftërat në afërsi të Bagdadit, Mehmetin që do të merrte në dorë qeverisjen e Korçës pas vdekjes së Mirahorit dhe djalin e vogël, Sefer Shahun, i cili quhej kështu, sepse do të merrte përkujdesej për ecurinë e Imaretit. Por ndërkohë kishte dhe një sërë vajzash, Fatimen, Shoh-Hatun, Aishen, Hondin dhe Hatixhen. Dy vajzat e fundit i kishte patur me gruan e dytë, që siç arritën të mësonin çifçinjtë në ato ditë të mbushura me habere, gruaja e dytë e tij ishte mulate.

Flitej që Iliaz bej Mirahori kishte dhe një shërbëtore mjaft të bukur, turkeshë që të rrëqethte me vështrimin e saj, por edhe një skllave të quajtur Hurshide Abdullah, që mund të thuhet se ishte magjia vetë.

Iliaz bej Mirahorit nuk do t'i mungonin as skllevërit, por që më pas do t'u jepte lirinë.

Për çifçinjtë kishte rëndësi çdo lajm i përhapur për Iliaz bej Mirahorin, por mbi të gjitha flitej në mënyrë të veçantë për Fermanin (Urdhrin Mbretëror), me anë të të cilit Sulltan Bajaziti II e shndërronte Iliaz bej Mirahorin përmes një mylknameje në pronar tokash, në fshatrat Panarit, Treskë, Trebickë, Vithkuq, Leshnjë, Peskëpi, Gjorixhë, Katund, Stratobërdë, Grabockë dhe Boboshticë.

Të qenit kaq i pasur ngjallte kërshëri dhe besim te bujqit dhe çifçinjtë, ndërsa prisnin nga çasti në çast shfaqjen sërish të njeriut me shtat jashtëzakonisht të lartë.

Xhamia

Ashtu siç kishte premtuar, Iliaz bej Mirahori nisi të hidhte themelet e një qyteti të madh dhe të bukur.

U mblodhën aty çifçinjtë dhe bujqit e të dy fshatrave, Gjorixhës dhe Peskëpisë, por edhe banorë të fshatrave Treskë, Trebickë, Orgockë, Katund dhe nga fshatra të tjerë.

Punonin jo vetëm myslimanë, por edhe ortodoksë, ustallarë dhe zanatçinj të mbledhur nga të gjitha anët.

Për Iliaz bej Mirahorin nuk kishte asnjë dallim, i trajtonte të gjithë njëlloj.

Gjithkush që punonte aty paguhej mirë me derhem në dorë, çdo ditë. Të gjitha vaktet e bukës jepeshin falas, kurse të enjteve në mbrëmje përgatitej diçka e veçantë.

Ishte viti 1484.

Po ndërtohej Xhamia e Iliaz bej Mirahorit. Do të kishte një sallë qendrore për lutje, piktura muzeale, por nuk do t'i mungonte as mafili mbi portën e hyrjes. Mbulesa e sallës kryesore do të ishte një kupolë e veshur me plumb, ndërsa në hyrje do të kishte ajatin, edhe ai me mbulesë plumbi. Minareja e saj do të ishte e gurtë dhe mjaft e lartë. Ndërkohë xhamia do të lidhej me Imaretin.

Vetëm kur përfundoi së ndërtuari, ustallarët mbetën të habitur me bukurinë e saj.

Ishte një ndërtim i bukur klasik.

Shumë më vonë në hyrje të saj do të vendosej një mbishkrim në gjuhën turke, ku thuhet: "Themeluesi i kësaj vepre të mirë dhe të dobishme, Iliaz bej Mirahori, e ndërtoi këtë xhami në vitin nëntëqind e një (sipas kalendarit të vjetër)”.

Zhvillimi

Gjorixha nuk kishte qenë kurrë më parë aq e zhurmshme.

Krahas xhamisë vazhdohej me ndërtime të tjera, përfund saj po ndërtohej Pazari i Korçës, një Pazar ky që nuk ishte parë kurrë në ato anë.

Njerëzit për herë të parë po shihnin se mund të fitoje para me punë, ndërsa nuk kishte asnjë lypsar në rrugë për të kërkuar bukë. Ndërtimet e Iliaz bej Mirahorit nuk kishin të mbaruar.

Përballë me xhaminë ndërtoi një shkollë ku të mësonin djemtë e vajzat. Nuk la pa ngritur edhe një Imaret, ku gatuhej bukë, gjellë, ëmbëlsira, që të gjitha për të varfrit. Iliaz bej Mirahori që interesohej për gjithçka, solli enë të reja dhe të kallajisura. Imareti u kompletua me ndërtimin e kuzhinës, furrës, depos dhe hanit, ku gjithnjë do të kishte një vend për udhëtarët dhe njerëzit që vinin në qytetin më të ri të asaj kohe.

U ngritën disa dyqane njëri pas tjetrit, ndërsa u rregulluan rrugët dhe u ndërtuan ura mbi lumin e Mborjes që sillte në qytet ujërat e malit të Moravës.

Njerëzit kishin nisur të pasuroheshin.

Gjithkush mendonte për të filluar një zanat që nga punimet e leshit, sixhadet e qilimat dhe deri te përpunimi i lëkurave, ndërsa zanatçinjtë e vërtetë vinin nga ana e anës për të filluar punë aty.

Mirahori u kujdes edhe për ngritjen e një spitali. Thuhet se ky ka qenë spitali i parë në vendin tonë.

Prejardhja e emërtimit të qytetit të Korçës

Nuçi Naçi thotë se fjala "Gjorixhë" e shkruar në gjuhën turke, në shqip lexohet krejt natyrshëm "Korçë", duke kthyer shkronjën "g" në "k", ndërsa për shkronjën "j", Nuçi Naçi, duke u bazuar në ligjet gramatikore të shqipes, sqaron se shkronja "j" e zëshme e shqipes në këtë rast është e destinuar të humbasë.

Pra, fjala "Gjorixhë" na jep krejt pastër fjalën "Korçë".

Ndryshe nga Nuçi Naçi, studiuesi Nedai Thëllimi ka mendimin se fjala "Gjorixhë" vjen nga bullgarishtja e vjetër, që do të thotë "dardhë e egër" (goricë), e cila mund të ketë mbetur nga pushtimi bullgar, i cili zgjati në këto anë deri në vitin 1018.

Ky mendim ka qenë i shprehur edhe nga studiues të tjerë, ndërsa A.Selishçev te "Sllavianskoe Nnaselenie v Albanii", botim i vitit 1931, (faqe 214), thotë se emri i Korçës nga pikëpamja etimologjike shpjegohet nga fjala "Gorica", që ka të bëjë me vende të vogla malore.

Pavarësisht nga interpretimet që jepen, duket se fjala "Gjorixhë" mban të fshehur emrin e Korçës.

Në një dekret perandorak të vitit 1494, fjala "Gjorixhë" gjendet e shkruar "Koriçë", çka do të thotë se emri i Korçës qëndron i lidhur me emrin e këtij fshati.

Gjorixha nisi të humbasë dhe të mos përmendet më, sepse pikërisht aty nisi, së pari, ndërtimi i Korçës, ndërsa do të përmendej edhe për pak kohë më shumë fshati Peskëpi, sepse edhe ai më pas do të shkrihej gradualisht me fshatin Gjorixhë, ku po lulëzonte Korça.

Banorët, krenarë për "shfaqjen" e tij

Ilia bej Mirahori, i preferuari i vlerësuar nga Sulltan Bajaziti II

اifçinjtë dhe të ardhurit, ndërsa merreshin me punë, interesoheshin gjithnjë e më shumë për jetën e Iliaz bej Mirahorit. Tashmë gjithkush e dinin se Mirahori kishte lindur në fshatin Panarit, por ishte marrë peng nga Sulltan Murati II, kur ishte 10 vjeç, sepse babai i tij kishte patur influencë të padiskutueshme në Kolonjë. Vetëm me marrjen peng të të birit, Sulltan Murati II kishte nënshtruar jo vetëm babanë e Iliazit, por gjithë Kolonjën.

Këto i tregonin njëri-tjetrit, çifçinjtë, bujqit dhe ustallarët, teksa ishin duke hapur themele të reja e duke ngritur mure apo duke sjellë gurë e lëndë druri dhe gëlqere.

Më të informuarit, por edhe njerëz të afërt me Mirahorin tregonin se si Iliaz bej Mirahori ishte shquar për trimëri të rrallë gjatë rrethimit të Kostandinopojës në 29 maj të vitit 1453.

Ai kishte qenë i pari që kishte shtënë në dorë një nga portat e mureve të këtij qyteti, që do ta çonte në brendësi te katedralja e Shën Sofisë. Beteja e tij në lagjen "Samatia" do të përmendej shpesh në divanin e Sulltanit.

Shërbëtorët gjenin rastin për të treguar se pas asaj lufte, Sulltan Mehmeti II Fatihu do të ishte fitimtari, ndërsa Iliazi i Panaritit, rrëmbyes i gradave të merituara. Ishte kjo arsyeja që nga Iliaz u quajt Iliaz Bej, më pas Iliaz bej Mirahor, pastaj Mirahor Evel që do të thotë Mirahor i parë, ndërsa nuk do të ngurohej për t'i dhënë titullin Khoxha Mirahor, një titull ky që jepej vetëm nga sulltanët, por që ka kuptimin "i madh" dhe "i nderuar".

Shpërblimet për Mirahorin nuk kishin të mbaruar, ndërhynin të tjerët që pretendonin se kishin mësuar diçka më shumë për jetën e njeriut nga Panariti. Ka disa ndërtime në Stamboll që mbajnë emrin e tij, madje ekziston edhe një xhami me emrin e tij në lagjen "Jedikule", thoshte një tjetër. ثshtë e vërtetë, shtonin njerëzit e Mirahorit dhe jo pa kënaqësi vinin në dukje se ajo xhami numërohej si një nga më të mëdhatë e qytetit të Stambollit. "Perëndia na solli një njeri të shenjtë", i thoshin njëri-tjetrit banorët e Gjorixhës dhe të ardhurit nga zonat përqark, teksa takoheshin mëngjeseve.

Pastaj pyesnin: "Si është e mundur që e la Stambollin?!". Pyesnin edhe pse përgjigjen e dinin prej kohësh, "Iliaz bej Mirahori i ishte lutur Sulltan Bajazitit II që ta linte të kthehej në atdhe, sepse donte që atje të ndërtonte një qytet të madh dhe të bukur".

"Shko", i kishte thënë Sulltani dhe bashkë me lejen i kishte falur edhe një sërë territoresh në formë mylku (prona).

Por, ndërsa e kishte përcjellë, thonë se Sulltani kishte rënë në dëshpërim. Po ndahej nga miku i tij më i mirë.

"Mirahori, siç shpjegon Sami Frashëri te 'Kamus-ul alam', (fq 1028), kishte qenë pedagogu i preferuar i Sulltan Bajazitit II".

Korça zhvillohet mbi gërmadhat e Gjorixhas dhe Peskëpisë

Dy lagjet e para "Varosh" e "Kasaba" me 8 mëhallat

Askush nuk kujtohej më që pak kohë më parë, aty ku kalonte lumi i Moravës kishin ekzistuar dy fshatra, njëri me emrin Peskëpi dhe tjetri Gjorixhë. Dy katundet po shkriheshin me njëri-tjetrin, ndërsa gjithnjë e më shumë po dëgjohej emri i qytetit më të ri të Korçës.

Vetëm Iliaz bej Mirahori kishte punësuar me dhjetëra njerëz, mësues, doktorë, ndezës të kandilave, meremetçinj, muratorë, karrocierë, thurës shportash dhe hasrash, prodhues qirinjsh, bukëpjekës dhe kuzhinierë, magazinierë, barinj, nallbanë, rojtarë, kallajxhinj, druvarë, mullixhinj, mbikëqyrës, kujdestarë kuajsh etj. اdo ditë nga fshatrat përreth vinte grurë, misë, gjalë, verë dhe uthull, mish dhe prodhime të tjera.

Në qytetin e Korçës kishin nisur të dilnin në skenë esnafët e tabakëve, të bakajve, bakërxhinjve, argjendarisë. Nuk mungonin prodhimet e leshit dhe shajakut, levenxat dhe qilimat, veshjet e burrave. Po hapeshin lokale të reja. Kërkoheshin gjithnjë ustallarë të mirë për ndërtime. Ishte harruar krejt Gjorixha dhe Peskëpia. Flitej vetëm për Korçën, e cila po merrte pamjen e një qyteti të vërtetë.

Pak më vonë, siç shpjegon Nuçi Naçi, Korça do të konfigurohej në dy lagje të mëdha, Varoshi dhe Kasabaja. Te lagjja e parë banonin të krishterët, ndërsa te Kasabaja jetonin myslimanët. Lagjja e Varoshit ndahej sërish në dy pjesë, në Varoshin e Sipërm, i cili kishte 8 mëhalla, të Panços, Manos, Mantos, Qiros, Barçit, mëhallën e re dhe të Kalasë, ndërsa Varoshi i Poshtëm kishte vetëm një mëhallë, atë të Shën Mërisë. Kasabaja përbëhej nga katër mëhalla, e Tregut, Ratakut, Qoshkut dhe mëhalla e Deresë.

Megjithatë, shton Naçi, tregu ishte i përbashkët si për myslimanët, ashtu edhe për të krishterët.

Jeta kishte filluar të rridhte ndryshe.

Data të ndryshme për vdekjen

Grekët shkatërruan tyrben ku ishte varrosur Iliaz bej Mirahori

Për vdekjen e Iliaz bej Mirahorit jepen data të ndryshme të vdekjes.

Nedai Thëllimi shkruan se Mirahori vdiq në vitin 1512, kur ishte 92 vjeç.

Sipas Sami Frashërit, Mirahori ka vdekur në vitin 1501.

Nuçi Naçi jep vitin 1500 të vdekjes së Iliaz bej Mirahorit. Kronika të kohës thonë se Mirahori jetoi më shumë se 100 vjeç. Nga ajo derë doli dhe një stërmbesë e Iliaz bej Mirahorit, Emineja, e cila do të ishte nënë e vëllezërve Abdyl, Sami dhe Naim Frashëri. Gjithsesi ai gjendet i varrosur në tyrben e tij, e cila gjendet në pjesën e pasme të xhamisë. Në këtë tyrbe ndodhen katër varre, varri me shtrat i Iljaz bej Mirahorit, varri i djalit të tij, Mehmetit, dhe i djalit të vogël, Sefer Shah.

Në këtë tyrbe gjendet e varrosur edhe gruaja e tij, për të cilën thonë se ishte bijë e Sulltan Bajazitit II. Në hajatin e tyrbes kanë qenë të varrosura gruaja e dytë e Mirahorit (mulatja) dhe shërbyesja. Këtë pozicion kanë patur gjatë kohës kur kanë ndodhur këto ngjarje, por tashmë në këtë tyrbe nuk gjen më asnjë shenjë. Lufta e Parë Botërore shkatërroi edhe varrin e Iliaz bej Mirahorit.

Plaçkitës të tyrbes u bënë ushtritë greke.

Nuçi Naçi në librin e tij "Korça dhe katundet përqark", thotë se, "për shumë kohë kanë qenë të ruajtura në këtë xhami një këmishë prej teli hekuri të rrahur, e cila mund të rëndonte gjer në 10 okë, që mesa duket Mirahori e kishte përdorur gjatë luftimeve në Turqi, një shkop i gjatë e me dobec në fund, sepse siç thonë ia kish ënda shumë bujqësinë, një anteri e bardhë e linjtë e me gajtanë të mëndafshtë, shumë e gjerë dhe e gjatë, gjë që na tregon se ka qenë shtatmadh, dy riza, me të cilat fshihej, të qëndisura me mëndafsh dhe një krehër i brinjtë, me të cilin krihej. Krehri, meqë i ka dhëmbët të rrallë e të trashë, na tregon se do ta ketë patur perçen të gjatë, ka shkruar Naçi, ndërsa shton se ka patur edhe një palë tespi të zeza, të shkuara në një gjalmë të mëndafshtë, tri lugë, që një nga këto është e brinjtë, ndërsa dy të tjerat të drunjta e të qëndisura me tel shumë të gjerë. Ka qenë njeri me shtat të madh sikundër na tregojnë rrobat e tij, por edhe shkopi, i cili ishte i gjatë afro tre kute të sotme", përfundon Naçi, me inventarin e dikurshëm të Mirahorit, i cili nuk ekziston më, por që në të vërtetë ai ka lënë pas një qytet me emrin Korça. ثshtë njeriu që gjithë pronat e tij i ktheu në vakëfe...

Vepror Hasani
Gazeta Metropol
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 12.5%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 1 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 12.5%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 37.5%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 1 12.5%
Back
Top