Hajnrih Hajne

Sweetness

*Some Kind of Wonderful*
50353_55305890215_2603891_n.jpg



” Lorelaja“ e poetit Hajnrih Hajne
Me rastin e 155-vjetorit të vdekjes së lirikut të madh gjerman -

Hajnrih Hajne (1797-1856) vlerësohet botërisht si një ndër poetët më të rëndësishëm gjermanë. Veprat e tij poetike janë përkthyer në gjuhët e tërë popujve të kulturuar e në dialekte të shumta të këtyre gjuhëve. Figurat e fantazisë së tij, para së gjithash Lorelaja – një legjendë që vërtet nuk e ka zbuluar ai, por që e ka bërë të famshme – njihen në të gjitha kontinentet. Hajnrih Hajne i ka kënduar vuajtjes nga dashuria si dukuri universale dhe kritika e tij ndaj shfrytëzimit, mendjengushtësisë dhe intolerancës është tejet aktuale edhe sot e kësaj dite. Lidhur me këtë dukuri, ai shprehet kështu në një prej poezive të veta:

S’e di, a ka qenë më e madhe se vuajtja dashuria?
Di vetëm se kanë qenë vërtet të mëdha që të dyja.

Ndërsa në një poezi tjetër thotë:

Prej vuajtjeve të mia të mëdha
bëj ato këngët e mia të vogla.

Hajnrih Hajne ka qenë një lirik i madh i dashurisë. “Libri i këngëve” (1827), ajo përmbledhje e vëllimshme poezish e cila krijoi bazën e lavdisë së tij të palëkundur, përbën, si asnjë temë tjetër, sfondin e krijimtarisë së tij letrare për dashurinë. Ndër 237 poezitë e kësaj përmbledhjeje, 140 i kushtohen vetëm temës së dashurisë. “Libri i këngëve” e bëri Hajnen, krahas Gëtes dhe Hëlderlinit, poet të shquar gjerman. Ky libër përmban vargje aq të afërta me ndjeshmërinë popullore, saqë janë të panumërta rastet kur ato janë vënë në muzikë prej kompozitorësh të njohur, janë futur në të gjitha antologjitë dhe, sikurse poezia “Lorelaja”, janë recituar e kënduar nga të gjithë. E ushqyer nga kujtimi i baladave të lashta, nga dashuritë e pafat, nga kundërmimet e netëve në Harc e nga valët e Detit të Veriut, kjo përmbledhje poezish është vetëm në dukje si shprehje e fundit e romantizmit. Bota së cilës i bëhet jehonë aty përshkohet tejendanë nga pikëllime të thella. Zgjime mizore ndërpresin ëndrrat. Këngët e dashurisë veniten, duke ua lënë vendin utopive të reja. Fantazia nostalgjike duket sikur po shteron, thua se po lë të dëgjohen pas pak zhurmat e fabrikave, të luftërave e të turmave.

“Lorelaja” është poezia më e famshme e Hajnrih Hajnes, e këtij poeti të madh gjerman dhe kësisoj teksti i saj, i botuar për të parën herë në vitin 1824, shumë njerëzve u tingëllon në vesh si këngë e lashtë popullore dhe jo si krijim i një intelektuali e poeti që ka vdekur si mërgimtar në Francë. Vënia e saj në muzikë qysh në vitin 1827 nga kompozitori i njohur gjerman Fridrih Zilher e forcoi edhe më tepër një përshtypje të tillë.

Vallë nga më vjen nuk po e di
gjith’ ky trishtim që më pushton;
prej kohësh t’lashta një histori
më bie ndër mend e s’më lëshon.

Ajri freskohet e muzgu zë të bjerë,
Rini tatëpjetë rrjedh krejt qetësor;
maja e shkëmbit nis të shkëlqejë
nga rrezet e diellit mbrëmjesor.

Atje sipër më e bukura vashë
magjishëm është ulur dhe po rri,
gjerdani i artë i rrëzëllen në qafë,
dhe leshrat e arta ajo po kreh tani.

Me krehër të artë vashëza po krihet
dhe ndërkaq një këngë nis e këndon,
e ç’melodi e fuqishme që përfshihet
n’atë këngë që mrekullisht kumbon!

Varkarin n’atë varkën e tij të vogël
ajo melodi thellë në shpirt e kaplon,
dhe s’e sheh gumën me majë të shogët,
se drejt majës së shkëmbit po vështron.

Besoj se varka e varkari fort i hutuar
në fund prej dallgëve jan’ gllabëruar;
dhe gjithë këtë fort të madhe hata
e ka bërë Lorelaja me këngën e saj.

(E përktheu nga origjinali gjermanisht Naim Kryeziu)

Pse vallë është aq i trishtuar poeti i ”Lorelajës”? Me siguri, si pasojë e dashurisë së tij të pafat për Amalinë, por me siguri edhe si pasojë e mallit zhuritës që kishte për atdheun e vet. Natyrisht që teksti i kësaj poezie është sentimental, dhe ka njerëz që mund t’i kaplojë ndonjë drithërimë e këndshme simbioze të guximshme kur e vënë veten në rolin e atij varkarit që s’i bën dot ballë joshjes erotiko-muzikore dhe fundoset në lumë me gjithë varkë. Këngët e Lorelajës kanë bërë të fundosen varka e anije të shumta, sepse burrat që ndodheshin në to dashuroheshin çmendurisht pas saj. Të shumta janë poezitë gjermane që e kanë gjetur frymëzimin te bukuria mahnitëse e Lorelajës.

Sipas legjendës, një nimfë e quajtur Lorelajë rrinte ulur sipër shkëmbit. Ajo joshte peshkatarë të shumtë me ato këngët e saj të mrekullueshme. Peshkatarët rrinin dhe e vështronin ndërsa krihte ato leshrat e saj të verdha si floriri. Në ato çaste, askush s’e kishte mendjen te shkëmbinjtë e rrezikshëm nënujorë që lartësoheshin gjer afër sipërfaqes së lumit. Kësisoj, shumë varka e anije janë përplasur mbi këta shkëmbinj nënujorë dhe janë përpirë nga gjeratore që arrinin një thellësi prej 27 metrash.

Si peizazh, Lorelaja është një shkëmb rreshpor tejet mbresëlënës. Ky shkëmb lartësohet madhërishëm mbi pjesën e ngushtë të luginës së Rinit, në landin e Renani-Palatinatit. Shkëmbi në fjalë është 132 metra i lartë. Në atë vend, lumi i Rinit ka një thellësi prej 25 metrash dhe një gjerësi prej 113 metrash. Kjo gjerësi është pjesa më e ngushtë dhe më e thellë e këtij lumi. Edhe sot e kësaj dite, anijet përdorin sinjale ndriçuese për të paralajmëruar anijet që lundrojnë në drejtim të kundërt. Që nga maja e shkëmbit, vizitorit i shpaloset një pamje mrekulluese e luginës së Rinit, gjer në Husruk.

Shkëmbi i Lorelajës ka qenë i njohur qysh në kohën e Mesjetës, jo vetëm për madhështinë e tij, por edhe për faktin se lundrimi në atë vend ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm. Në ato kohëra, atje kishte një shtresë rëre që i ndante ujërat e Rinit në dy pjesë. Në të majtë, lumi përshkonte një korridor shkëmbor, kurse në të djathtë ujërat e tij rridhnin qetësisht. Ujërat e lumit bashkoheshin sërish matanë shtresës së rërës, por duke rrjedhur me shpejtësi të ndryshme. Kjo përplasje krijonte gjeratore që sillnin si pasojë fundosjen e anijeve të shumta.

Poetët gjermanë kanë ndikuar së tepërmi në përhapjen e famës së këtij vendi. Klemens Brentanoja (1778-1842) dhe Hajnrih Hajnia, janë medoemos dy poetët që e kanë shfrytëzuar më shumë se kushdo tjetër legjendën e Lorelajës. Klemens Brentanoja e rrëfen legjendën e Lorelajës në baladën e vet me titull: “Godvi ose shëmbëlltyra e ngurtësuar e nënës“. Falë bukurisë që kishte, Lorelaja ua robëronte shpirtin burrave dhe i shpinte në mënyrë të pashmangshme drejt vdekjes. Mendohej se ajo qe dënuar me vdekje, sepse kisha e pati shpallur si magjistare. Por peshkopi, i mahnitur nga bukuria e saj, s’u tregua dot i aftë t’i jepte dënim me vdekje dhe dha urdhër ta mbyllnin në një manastir. Mirëpo Lorelaja, e trishtuar nga të këqijat që u pati bërë burrave, dëshironte më fort të vdiste sesa të mbetej gjallë. Gjatë rrugës për në manastir, ajo u kërkoi kalorësve shoqërues ta lejonin të hipte për të fundit herë në majën e shkëmbit që të shihte Rinin. Me të hipur atje lart, Lorelaja u hodh drejt e në lumë dhe u mbyt.

Në Francë kjo legjendë njihej sidomos nëpërmjet poemës ”Lorelaja”, të Gijom Apolinerit (1880-1919), e cila, në të vërtetë, është një përkthim i përshtatur i veprës së Brentanos, si edhe nëpërmjet ”Lorelajës” së Zherar dë Nervalit (1805-1855), në përmbledhjen me përshkrime nga udhëtimi i tij përgjatë brigjeve të Rinit. Duhet shtuar ndërkaq se, Zherar dë Nervali ka qenë një ndër ata më të mirët që kanë përkthyer në frëngjisht krijimtarinë poetike të Hajnrih Hajnes. Kurse ata francezë, që interesoheshin më shumë për muzikën sesa për letërsinë, e njihnin legjendën e Lorelajës nëpërmjet këngësh të kompozitorëve të ndryshëm.

Emri ”Lorelaj” është formuar prej dy fjalësh: ”loren” dhe ”lei”. Fjala ”loren” vjen nga gjermanishtja e vjetër dhe ka kuptimin ”frushullimë” ose ”mërmërimë”, kurse fjala ”lei”, në zhargonin familjar, donte të thoshte ”rreshpe” ose ”gur”. Të ngjitura bashkë, këto dy fjalë do të kishin kuptimin”: frushullimë gurësh ose rreshpesh. Ky kombinim fjalësh e merr këtë kuptim nga fakti se në shekullin XIX ekzistonin një ujëvarë e vogël dhe ca rryma të vrullshme rrëzë shkëmbit të Lorelajës. Jehona e përcillte frushullimën e tyre, duke e bërë shtatë herë më të fortë nga ç’ishte. Si pasojë e zhurmës së madhe të trafikut, sot është e pamundur të dëgjohet një frushullimë e tillë.(Shqip)
 
Pe: Hajnrih Hajne

~~~~~*****~~~~~

Ata me paten munduar
dhe zemeruar sa s'ka.
Disa me dashurine e tyre
me urrejtjen e tyre disa.

Dhe shpirtin ma paten helmuar
me dhane vrer te pi, ata.
Disa me dashurine e tyre
me urrejtjen e tyre disa.

Por ai qe shume e me shume,
me mundoi, zemeroi e trishtoi,
ai s'me urreu kurre,
dhe kurre s'me dashuroi.


~~~~~*****~~~~~

Hanrih Hajne
 
Pe: Hajnrih Hajne

Mendime të natës

Kur Gjermaninë kujtoj ndonjë nat',
Më ikën gjumi, humbet në çast.
Që të mbyll sy, as bëhet fjalë
E çurg më rrjedhin ca lot' të valë.

Siç vijnë vitet, ashtu dhe shkojnë.
Unë mëmën time, më nuk e shoh.
Dymbëdhjet' vite të gjatë ikën,
Malli për të sa vjen e rritet.

Më rritet malli, nuk ka të rreshtur.
Ajo grua plakë më ka magjepsur.
Mendja prej saj, s'më shqitet mua,
Zot, ty të lutem, atë ta ruash!

Gruaja plakë, sa fort më do!
Unë në çdo letër që çon e shoh
Dorën e saj, sa shumë i dridhet,
Zemra prej nëne, sa thellë tronditet.

S'më hiqet mendjes, kjo mëma ime,
Ndonse kanë shkuar dymbëdhjet' vite,
Dymbëdhjet' vite pa fund, pa anë,
Që s'e pushtoj, që s'më ka pranë.

Si Gjermania, nuk ka në botë.
Vend i shëndetshëm është dhe i fortë.
Lisa të larta plot, edhe blirë,
Kurdo të shkoj, e gjej më mirë.

Për Gjermaninë kaq s'më digjej zëmra,
Sikur mos rronte aty dhe mëma;
Atdheu s'tretet, gjithmon' do mbesë.
Mëma është plakë, mund dhe të vdesë.

Që kur lashë vendin, s'jam më atje,
S'di se sa njerëz prehen nën dhe
Që i kam dashur - numër nuk them,
Se shpirti mbushet me gjak e vrer.

Mirëpo më duhet ta them sa vdiqën,
Ndonse kështu e shtoj torturën.
Në gjoks më ngjan se çdo kufomë,
Frikshëm përdridhet - o Zot, shpëtomë!

Zot, qofsh lëvduar! - tej në dritare,
Zbardhëllon dita me diell prej France.
Hyn vasha ime si yll mëngjesi,
Brengat gjermane, krejt i merr dreqi!

Haine

Perktheu tsr
 
Titulli: Hajnrih Hajne

Me pelqejne shume shqiperimet e Shvarc ne gegerishte :)

Vëgime andrrash



Dikur andrrojsha për t`egrën dashuni,

Për kaçurrela, lule e për mall,

Për buzët e ambla e për të idhta fjalë,

Për t`trishta kangë e t`zymta melodi.



Venitë e tretë më janë ato andrrime,

E tretë më asht dhe pamja e adhunueme!

M`ka mbetë veç çk a më afshe t`përvëlueme,

Dikur kam derdhë në t`butat vargëzime.



Veç ti m`ke mbetë, o kanga jetime!Shko tash

Dhe ti-kërkoje pamjen që tu tret!

Dhe, kur ta gjejsh , prej meje ma përshëndet:

Të zbraztës hije i çoj të zbraztin afsh!



Nga Hajnrih Hajne

Shqip. Robert Shvarc
 
Titulli: Pe: Hajnrih Hajne

Hajnrih Hajne

Një femër

Ata u deshën me afsh e zjarr,
Ajo - çapkëne, ai - kusar.
kur ai ndonjë mufke ia veshte,
Ajo kërcente në shtrat dhe qeshte.

Ditën shkonin për bukuri,
Natën ajo flinte mbi gjoksin e tij.
Kur e futën në burg atë, ajo s'reshtte
në dritare qëndronte dhe qeshte.

Ai i fliste." O, eja këtu
se më merr malli kaq fort për ty.
Ty të thërres se do vdes," - i theshte,
ajo tundte kokën dhe qeshte.

Në orën gjashtë ai u var.
Në orën shtatë e kallën në varr.
Në orën tetë, ajo që e deshte,
pinte verë të kuqe dhe qeshte.
 
Titulli: Hajnrih Hajne

Helena

Më je betuar, deri në varr,
Me magjinë tënde më ke folur
Se do më duash tërë zjarr,
Po prapë mbetem i pangopur.
Gojën, te fytyra ime e ver,
Fryma jonë s'ka të sosur
Shpirtin tënd, do ta pi krejt
Të vdekshmit janë të pangopur.
 
Titulli: Hajnrih Hajne

Ata me paten munduar
dhe zemeruar sa s'ka.
Disa me dashurine e tyre
me urrejtjen e tyre disa.

Dhe shpirtin ma paten helmuar
me dhane vrer te pi,ata.
Disa me dashurine e tyre
me urrejtjen e tyre disa.

Por ajo qe shume e me shume,
me mundoi,zemeroi e trishtoi,
ajo s'me urreu kurre,
dhe kurre s'me dashuroi.

Hajnrih Hajne
 
Titulli: Hajnrih Hajne

Largohu!

Dita me natën u dashurua
Edhe pranvera me dimrin.
Jeta u dashurua me vdekjen
Dhe ti u dashurove me mua.

Ti më dashuron dhe rreth teje
Të mblidhen fantazma të tmerrshme.
U vyshkën gjith’ lulet e tua
Dhe shpirti t’u gjakos prej meje.

Largohu nga unë dhe duaj
Veç fluturat gazmore,
Që fluturojnë në dritën djellore.
Largohu nga unë dhe fatkeqësitë.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top