Gruaja shqiptare dhe ndikimi i saj mbi burrat (Shek XIX)

Nostra_22

Anëtar i Nderuar
• Luigj Iasinth Hekard

[...] Të rritura sipas parimeve të Kuranit, vajzat e reja myslimane mësojnë të lexojnë e të shkruajnë nga gratë e moshuara dhe sipas zakoneve të mira që kanë shkollat publike të hapura në lagjet myslimane. [...] Ato nuk dalin kurrë nga shtëpia e babait, ku merren me punët e shtëpisë, mësojnë të qepin, të qëndisin, të endin copat prej mëndafshi, të cilat më pas do t’i qëndisin me duart e tyre, pavarësisht nga pasuria dhe rangu i familjes, për të bërë pajën që do të çojnë te bashkëshorti i tyre. Këto zakone i kanë edhe familjet krishtiane; vetëm se ato i rrisin vajzat e tyre mes injorancës më të thellë dhe u mohojnë çdo lloj edukimi moral e fetar. Meqë zakoni i ndalon të shkojnë në kishë, janë babai ose nëna që u mësojnë lutjet dhe ritet e besimit tonë. Përsa i përket mësimit dogmatik dhe moral, as nuk bëhet fjalë, përderisa edhe vetë prindërit nuk kanë as idenë më të vogël për to. Kjo është një e metë e madhe që ka prekur në shpirt të gjithë ata që janë marrë me Shqipërinë; injoranca e grave është shkëmbi ku ngecin e thyhen të gjitha përpjekjet për qytetërimin ose përmirësimin e të krishterëve shqiptarë.
Kujt mund t’i shërbejnë shkollat për djem? ا’fryte mund të sjellin, kur fëmijët, me t’u kthyer në shtëpitë e tyre, nuk gjejnë asnjë jehonë të mësimeve që sapo u janë shpjeguar? Nëse femrat nuk arsimohen, do të ngrihen kështjella në rërë. Kjo e vërtetë po del në dritë; nga të gjitha ngjarjet, mund sjellësh më mirë ndër mend çastin kur murgeshat e urdhrit të Shën Vinsentit të Palit do të vinin në Shkodër për të hapur shkolla, siç kanë bërë në Izmir, Selanik e gjetkë. A na lejohet ta themi? Nëse kjo mirësi nuk ka ndodhur në Shqipëri, nëse ende murgeshat bamirëse nuk kanë ardhur, gjë që dëshirohet me zjarr nga krishtianët e vendeve të tjera që i kanë parë se si punojnë, kjo ndodh, nga njëra anë, sepse ato nuk janë aq të pasura, ose, për të qenë më i saktë, ato nuk janë aq të bashkuara sa të mbledhin fondet e nevojshme për një institucion të këtij lloji; dhe, nga ana tjetër, sepse peshkopët nuk po bëjnë asnjë përpjekje për ta nxitur një gjë të tillë, ndonëse pjesa më e madhe e tyre e dinë sa i domosdoshëm është ky institucion.
...Të nënshtruara ndaj burrave të tyre, të cilët ua marrin me kënaqësi mendimin për problemet e tyre dhe ato të vendit, myslimanet shqiptare, ashtu si edhe malësoret krishtiane, kanë dhënë shpesh prova për heroizmin e tyre. Kur ushtritë e sulltanit kërcënonin pavarësinë dhe privilegjet që gëzonte Shkodra, ato qenë të parat që lëshuan britmën e alarmit dhe i nxitën burrat e djemtë e tyre të niseshin për të mbrojtur vendin e vetë i ndoqën pas. Duke ditur si t’i përmbajnë lotët, si ta mposhtin dhimbjen përballë vdekjes së njerëzve më të dashur, këto gra kanë sjellë shpesh kufomat e gjymtuara të të vdekurve mes luftëtarëve, për t’i nxitur të mbijetuarit që të hakmerren. Përmenden nëna që i kanë përzënë nga shtëpia djemtë e tyre, sepse ishin larguar nga beteja prej dobësisë ose prej frikës dhe hapnin vetë zjarr kundër tyre. Në Shkodër të tregojnë gra që janë ndarë nga burrat dhe nuk duan as t’i shohin më, sepse ata kishin dezertuar.
Edhe pse shqiptarët janë indiferentë ndaj joshjeve të dashurisë, në asnjë vend tjetër gratë nuk gëzojnë një respekt të tillë dhe nuk kanë një ndikim kaq të fuqishëm. Koncepti i nderit të atdheut dhe të familjes i është ngulitur shqiptarit qysh në moshë fare të njomë dhe, në shtëpinë time, gjatë pajtimit të gjakmarrjeve, kam parë shpesh vajza të vogla tetë ose nëntë vjeçare që më luteshin t’i ndihmoja duke e bindur pashain që të mos e detyronte familjen e tyre të falte vdekjen e një kushëriri të largët e të pranonte pagesën për gjakun që do t’u ndynte duart. Edhe nëpër male gruaja është shumë e respektuar; ajo mund të udhëtojë kudo e vetme, pa u druajtur se mund t’i bëhet edhe fyerja më e vogël. Burri që ajo ka marrë në besë gëzon të njëjtat privilegje; nën mbrojtjen e saj, ai mund të përshkojë pa frikë fisin armik dhe, edhe nëse ndesh në rrugë djemtë e burrit që ka ardhur për të vrarë, kurrkush nuk do të guxonte ta prekte.
Shqiptarja është më shumë krenare për numrin e fëmijëve dhe vlerat e tyre, sesa për bukurinë, origjinën dhe pasurinë e saj. Vetëm duke i dhënë një familje të madhe bashkëshortit të saj, ajo e lidh pas vetes dhe fiton zemrën e tij. Gruaja, nënë e shumë djemve, gëzon respektin e të gjithë familjes dhe ka një autoritet të madh mbi burrin e saj, i cili i detyrohet me lumturinë e ditëve të pleqërisë, sepse, për sa kohë që babai është gjallë, fëmijët qëndrojnë në shtëpinë e tij dhe, edhe në qofshin të martuar, nuk duhet ta braktisin as babanë, as nënën, që t’u jenë pranë në pleqëri. Të ngritura që pa zbardhur, gratë e qyteteve merren me punët e shtëpisë; gratë e maleve tjerrin leshin që do të përdoret për veshjet e familjes dhe, pas një dite të gjatë të zënë me punët e arave, bien të flenë vetëm pasi janë shtrirë të gjithë të tjerët.

Arsimimi i shqiptarëve
[...] Me përjashtime të rralla, shqiptarët nuk e ndiejnë nevojën për të mësuar, nuk e kuptojnë jetën intelektuale dhe e përbuzin atë te tjetri. Përsa i përket grave, të përshtatura me mënyrën turke të jetesës, ato nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë dhe merren vetëm me punët e shtëpisë. [...] Megjithatë natyra i ka pajisur shqiptarët me një inteligjencë të rrallë. Ku, pra, e ka burimin mosprirja e tyre për studim dhe përmirësim moral? Nëse shqyrtojmë tallazet me të cilat është përballur Shqipëria, shtrëngohemi t’ua atribuojmë atyre një pjesë të kësaj indiference. Në të vërtetë, e ndarë në tre besime, Shqipëria, më shumë se çdo provincë tjetër, u bë pre e një fanatizmi fetar, i cili, shumë më tepër sesa lidhjet e gjakut, i ushqeu kultet e ndryshme me përbuzjen, urrejtjen dhe xhelozinë ndaj njëri-tjetrit dhe shkatërroi kështu homogjenitetin e racës. Këtij shkaku i shtohet edhe feudalizmi që ia zgjati ndikimin; meqenëse çdo qytet, çdo vend, kishte, pra, interesa dhe nevoja të ndryshme, urrejtja shpërtheu në të katër anët, krimet u bënë të lejueshme, mizoritë u shpërblyen dhe shqiptarët përfunduan në një luftë vdekjeprurëse me njëri-tjetrin për t’i shërbyer ambicieve të një kaste që i shtypte, kastë e cila, edhe pse e dobësuar nën regjimin e sulltan Mahmutit, ruan edhe sot, veçanërisht në Shqipërinë e Epërme, ndikimin dhe privilegjet e veta që po e çojnë në disfatë vullnetin sovran. Mes kaq shumë elementëve kontradiktorë, çdo besim, për ta bërë gjithmonë e më të dallueshme ndarjen e vet nga të tjerët, u përpoq, nga ana e tij, që ta zëvendësonte idiomën kombëtare me gjuhën me të cilën lidhej drejtpërdrejtë feja e tij. Studimi i turqishtes, italishtes ose sllavishtes u fut atëherë në shkolla dhe, pavarësisht nga përpjekjet që bënë disa priftërinj vendas, me në krye zotin Bogdani, kryepeshkop i Prizrenit, nga i cili ka mbetur ende një vepër, shqipja u harrua. Së fundi, luftërat e fuqive krishtiane kundër Turqisë dhe veçanërisht ajo e Austrisë së Maria Terezës, patën pasoja të vajtueshme për civilizimin shqiptar. Në këtë periudhë, të mësuarit ende vlerësohej në popullatën katolike të Shqipërisë, në provincat e Prizrenit dhe të Shkupit, gjë që dëshmohet nga ato pak dokumente të shkruara në gjuhën shqipe që datojnë në këtë kohë, të vetmet që na kanë mbetur e që po bëhen çdo ditë e më të rralla. Asokohe, kjo popullsi, e joshur nga premtimet e gjeneralëve austriakë, u bashkua kundër Turqisë me ushtrinë armike, duke menduar se kjo luftonte për besimin dhe lirinë e besimeve. Me t’u vendosur paqja, krishtianët fatkeq u harruan; qeveria otomane ktheu armët e saj kundër këtyre shtetasve rebelë dhe persekutimi arriti një shkallë të tillë, saqë pjesa më e madhe e të krishterëve u detyruan të strehoheshin në male ku, për të mos hequr dorë nga besimi, morën emra turq. Këtu e kanë burimin kriptokrishtianët për të cilët do të flasim më poshtë. Kleri qe ai që vuajti asokohe më shumë se kushdo dhe turqit, me shpresën se do ta shfarosnin katolicizmin në këtë provincë, e shpallën të dënueshëm me vdekje ushtrimin e detyrës së priftit. Shkodra dhe Mirdita, që e kishin përqafuar kauzën turke, qenë të vetmet që u kursyen. Atëherë klerikët shqiptarë që merreshin me arsimimin e popullit u detyruan të linin vendin dhe kryepeshkopi Bogdani, i shtrënguar të mërgonte në Raguzë, i humbi të gjitha dorëshkrimet e tij.
Të tmerruar, klerikët u kufizuan tashmë në ushtrimin e funksioneve të tyre kishtare; ata nuk u munduan më as të parandalonin e as të luftonin të keqen, por iu nënshtruan barbarisë dhe u mjaftuan me predikimin e nënshtrimit e të durimit, duke bërë të gjitha përpjekjet për t’i mbajtur shqiptarët në besimin e të parëve të tyre. Pak nga pak bukuritë e gjuhës u harruan, të gjitha dokumentet e shkruara u zhdukën, e shkuara e lavdishme tashmë qe vetëm një kujtim, në vend që të ishte një nxitëse, dhe prej saj kanë mbetur vetëm disa gojëdhëna të pasakta e të cunguara. Sot, pra, duhet të tregohemi zemërgjerë me një popull që ka vuajtur kaq shumë; duhet t’i jemi mirënjohës atij dhe klerikëve të tij, që e ruajtën të paprekur besimin në mes të persekutimeve, ndërkohë që u ofronin pasuri, qetësi e ndere, nëse do ta braktisnin atë. Në të vërtetë ai u detyrua të përballej me sprova shumë të tmerrshme dhe nuk ka kaluar shumë që nga koha kur shqiptari krishtian, në vend që të mendonte për studimin dhe civilizimin, lumturohej kur arrinte t’u siguronte fëmijëve të vet një copë bukë të ngjyer në djersë e ndonjëherë në gjak.


Roli i Hekardit si konsull francez në Shkodër

[...] Cënimi i besimit nuk mbetet kurrë pa u ndëshkuar; myslimanët e mjediseve përreth e kanë mësuar këtë në kurriz të xhamive të tyre, të cilat rrafshohen sa herë që një mysliman qëllon ndonjë kryq ose shkatërron ndonjë ndërtesë katolike. Kohët e fundit, kur pashai kundërshtoi ndërtimin e një seminari dhe shkatërroi atë që ishte ngritur tashmë, mirditorët zbritën në fushë dhe shembën një xhami, në shenjë hakmarrjeje ndaj padrejtësisë që i ishte bërë katolicizmit. Duke kaluar, në atë kohë, nëpër malet e tyre për të shkuar në Shkodër, ku isha thirrur për këtë ngjarje, gjeta treqind mirditorë të mbledhur në hanin e Gjon Kolës, të gatshëm për të marshuar drejt Pukës, për të shkatërruar xhaminë. M’u desh shumë mund që t’i bëja të hiqnin dorë dhe arrita t’i bind vetëm pasi u thashë se, me këtë, do të vinin mjaft në rrezik bashkëbesimtarët e tyre që jetonin në qytetet fushore.
[...] Në vitin 1854, kur pashai i Prizrenit u dha urdhër turqve të Gjakovës që të mos u jepnin fanasve, mirditorëve të emigruar për të cilët sapo folëm, drithërat që u nevojiteshin, bajraktari i Spaçit i ndaloi të gjithë karvanët e gjakovarëve dhe grurin që qeveria u dërgonte trupave të Shkodrës; pastaj mblodhi forcat për të marshuar kundër Gjakovës. Meqë në atë kohë po udhëtoja për në Prizren, i binda komandantët të më jepnin fjalën se mirditorët nuk do t’i fillonin sulmet përpara se të kalonin tre ditë dhe do t’i respektonin tregtarët e grurin që kishin mbajtur peng, duke u premtuar se do t’ia bëja të ditur pashait gjendjen e vërtetë të fanasve. Me të mbërritur në Prizren, arrita të siguroj shfuqizimin e urdhëresës që kishin marrë gjakovarët nga turqit, për të mos u dhënë grurë fanasve dhe ia dola mbanë të lidh një marrëveshje ndërmjet këtyre myslimanëve e katolikëve.

Flokët dhe mjekra
Në përgjithësi shqiptarët i qethin flokët dhe e rruajnë mjekrën, por lënë t’u rritet në zverk një bisht kali, që për turqit ëhstë shenjë e besimit, kurse për krishtianët një zbukurim; ata mbajnë mustaqe të gjata, kujdesen për qerpikët dhe vetullat, të cilat në përgjithësi i kanë shumë të dëndura dhe të përvijuara mirë dhe rruajnë me shumë kujdes të gjitha pjesët e tjera të fytyrës. Myslimanët, kur plaken, fillojnë të rrisin mjekrrën, për të treguar-thonë ata,- pendimin e tyre për gabimet e së shkuarës dhe gatishmërinë për vepra pendestarie. Hoxhallarët dhe ulematëmbajnë mjekër të gjatë. Prej disa vitesh, të rinjtë katolik që kanë jetuar në Venedik e Trieste zgjasin flokët dhe përdorin kolonja e kremra të ndryshëm, duke i skandalizuar mjaft bashkëqytetarët e tyre. Ky zakon po pritet të marrë përmasa të gjera dhe brezi i ri do të dallohet nga turqit prej flokëve të gjata.


G. Shqiptare
 
Vazhdoj te mendoj se grate shqiptare kane luajtur nje rol te rrendesishem ne jeten e burrave te tyre ne te shkuaren, po aq sa grate Spartane!

Forca e burrave qendron tek forca e grave te tyre!
Nje grua e forte e ben te burrin akoma me te forte!
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top