Pe: FK Skenderbeu Korce
“Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”
Skënderbeu – Kamza 0-0
Skënderbeu: Shehi, Radas, Bicaj, Gvozdenoviç, Arapi, Bratiç, Orelesi, Kërçiku (Ribeiro 46′), Shkëmbi (Allmuça 74′), Muzaka, Xhafaj. Trajner: S. Levi.
Kartonë të verdhë: Radas, Arapi
Karton i kuq: Ribeiro
Kamza: Bytyçi, F. Tafaj, Ndreka, Ardit Beqiri, Hallaçi, Belçev, Ishka, Manuka (Mici 67′), Capa (Karapici 83′), Pema, Ziambo (F. Tafaj 71′). Trajner: E. Gjoka.
Kartonë të verdhë: Beqiri, Belçev, Ishka, Capa, E. Tafaj
Gjyqtarë: E. Hoxha (Lezhë), M. Dervishi, D. Salaj (Shkodër)
“Radiografia”
12′- Rasti i parë i ndeshjes u takon korçarëve. Pas një topi pa shumë pretendime brenda zonës mike, është Xhafaj që gjuan me kokë dhe vetëm traversa shpëton miqtë nga pësimi i golit të parë.
16′- Miqtë provojnë nga një goditje dënimi. ثshtë Capa që gjuan nga 35 metra, por jashtë.
20′- Një top i gjatë brenda zonës korçare dhe, Ziambo i vetëm nuk arrin te kalojë Shehin, pasi ky i fundit shpëton një gol të sigurt me grushtimin e tij.
45′- Goditje dënimi për Skënderbeun. Muzaka kroson për Bicajn, që me kokë e çon topin disa cntimetra larg shtyllës së djathtë pingule të Bytyçit.
47′- Muzaka, në rastin e parë të pjesës së dytë, gjuan nga larg, por gjuajtja e tij përfundon jashtë.
56′- Ribeiro fut një top të saktë brenda zonës së kamzalinjve dhe Xhafaj për pak sa nuk shënon, por këtë herë është Bytyçi që shpëton një gol të sigurt në portën e tij.
84′- Kundërzbritje e shpejtë e miqve. Teksa Ziambo po shkonte i vetëm drejt portës korçare, në vijën e 16 metrave, Ribeiro e tërheq duke e rrëzuar. Karton i kuq dhe i drejtë për brazilianin.
85′- Karapici gjuan fuqishëm në goditjen e dënimit dhe Shehi bën mrekullinë, duke e grushtuar topin për në këndore.
Komenti
Skënderbeu nuk mund dot as Kamzën në shtëpi, duke treguar se kampionët nuk janë më ajo skuadër pretendente si sezonin e kaluar. Kuqebardhët, pas barazimit të djeshëm në fushën e tyre, janë futur në krizë të plotë, pasi me 6 pikë në 5 javë, as skuadra me më pak objektiva në këtë superligë nuk do të ishte e kënaqur. Në javën e parë ndaj Tomorit debutues në superligë, kampionët nuk shkuan më shumë se barazimi 0-0, ndërkohë që e njëjta gjë ka ndodhur edhe dje, po ndaj një ekipi tjetër debutues si Kamza, që dje me të drejtë e ka quajtur barazimin në Korçë si një fitore. Ia kishte fajin këtij Skënderbeu, Shpëtim Duro dhe presidenca vendosi ta largonte kryeqytetasin, ndërkohë që me vetëm 5 ditë dhe me lojën që zhvilloi Skënderbeu nën drejtimin e trajnerit Stanislav Levi, mund të them se ishte skuadra më e dobët që kemi parë ndonjëherë në epokën e presidentit Zeqo.
Pjesa e parë Me një rreshtim 4-3-3 për Skënderbeun dhe 4-5-1 për kamzalinjtë ka nisur ndeshja e djeshme në Korçë, ku dukej qartë që në fillim se miqtë do të ishin të kënaqur edhe me një barazim dhe menduan vetëm për të mbrojtur me fanatizëm portën e tyre. Daniel Xhafaj duket se qenka i pafat me fanellën e Skënderbeut, pasi edhe dje goditi traversën, ku deri tani janë shënuar për të dy shtylla dhe një tranversë, por asnjë gol. Kjo ka ndodhur në minutën e 12-të, ku vlonjati për pak sa nuk shënon, por traversa u vjen në ndihmë miqve. Pas kësaj minute, miqtë aplikojnë shumë mirë kundërsulmin, ku Capa në të 16-ën dhe Ziambo 4 minuta më vonë, për pak sa nuk shtangin stadiumin “Skënderbeu”, por Shehi tregohet i sigurt. Skënderbeu kryhen shumë volum të madh loje, madje përqindja e topit në favor të korçarëve është shumë e madhe, por pa rezultat. Rasti tjetër i korçarëve shënohet në minutën e fundit të kësaj pjese, ku Bicaj me kokë për pak sa nuk shënon.
Pjesa e dytë Fillon me një ndryshim për korçarët, ku trajneri Levi heq nga fusha talentin Kërçiku, për të futur Ribeiron, ndërrim ky kokë për kokë. Gjoka nga ana tjetër i beson të njëjtit formacion, ndërkohë që loja është thuajse e njëjtë, ku korçarët sulmojnë, por pa rrezikshmëri, ndërkohë që miqtë vetëm mbrohen dhe mendojnë vetëm për kundërsulmin, që dje ka qenë i rrezikshëm në disa momente. Muzaka gjuan jashtë në sinjalin e parë të kësaj pjese, ndërkohë që Daniel Xhafaj, këtë here, në minutën e 56-të ndalet nga Bytyçi. Në minutat e mëtejshme shumë pak raste, për të mos thënë aspak për të dy ekipet. Ndërkohë, në minutën e 84-t vendësit do të mbeteshin me 10 futbollistë në fushën e lojës, pasi Ribeiro ka mbajtur dhe tërhequr Ziambon, që po shkonte i vetëm drejt portës së Shehit. Asnjë risi deri në fund dhe gjithçka mbyllet me këtë barazim të bardhë, ku një pikë i ka ardhur për shtat vetëm kamzalinjve, ndërkohë që Skënderbeu i drejtuar nga Levi ka zhgënjyer, ndërsa dora e trajnerit të ri nuk është dukur fare, pasi Skënderbeu ka luajtur shumë herë më dobët se në javët e para, sidomos në sulm. 6 pikë në 5 javë konfirmojnë me plot gojën krizën e kampionëve.
Levi: Kaq mund të bëja në këto 5 ditë
“U vërtetua ajo që kisha parë disa ditë më parë në video te ky ekip, ku Skënderbeu dominon përqindjen më të madhe të topit në lojë, por kjo nuk mjafton, pasi jemi shumë larg zonës dh duhet të shënojmë. 6 nga futbollistët tanë sot kishin detyra sulmuese, edhe dy mesfushorët e krahut, por që në mesfushë ne humbisnim topin. Unë nuk kam ardhur në Korçë për të bërë revolucin, por do bëj ndërrime dhe do ul lojtarë në stol, kjo ndodh në bazë të lojës që kam zgjedhur të zhvillojë skuadra. Lojtarët e mi nuk i zbatuan të gjithë detyrat. U kisha kërkuar lojën e shpejtë, por humbnin shumë topin në momente që nuk ishte e nevojshme ta mbanim atë. Unë jam këtu prej 5 ditësh dhe nuk bëhet fjalë për krizë sulmi, por duhet punë dhe vetëm punë.”
Gjoka: Mund ta kishim fituar këtë takim
“Një pikë në Korçë përballë kampionëve sigurisht që është e rëndësishme, por ne e dinim gjendjen e kundërshtarit gjatë këtyre javëve të para dhe e shfrytëzuam momentin jo fort të mirë që po kalon Skënderbeu. Shpresoja ta fitonim ndeshjen, sepse rastet i patëm, por siç erdhi situata deri në fund, edhe një pikë na mjafton. Në fund duhet të kishim shënuar patjetër. Mos u çudisni që Kamza barazoi, pasi ne pretendonim dhe kishim ardhur në Korçë për më shumë se një pikë, ndërkohë që ne me këtë ekip, po e them qysh tani, që nuk do të dalim nga kategoria, por do të mendojmë për mesin e artë të superligës. Një rezultat pozitiv ndaj kampionëve në transfertë vlen shumë për moral, aq më tepër që ne ishim mundur në shtëpi.”
Policët përleshen me ultrasit
Në pushimin mes dy pjesëve, policia e Korçës është përleshur me tifozët korçarë, për shkak se ata hodhën disa tymuese dhe kryesisht ultrasit janë nxjerrë nga stadiumi. Nuk është hera e parë që tifozët korçarë e bëjnë këtë gjë, por nëse deri dje nuk janë nxjerrë jashtë, mbrëmë kanë përfunduar jashtë stadiumit, edhe pse me forcë. Për veprimet e tifozëve klubi i Skënderbeut ka marrë jo pak gjoba dhe prandaj janë marrë masa në vazhdim.
Të veçanta
- Pas ndeshjes së djeshme, për herë të pare, firma private që administron shitjen e biletave në Korçë ka konfirmuar shifrën e saktë, ku vetëm 1.550 sportdashës e kanë ndjekur ndeshjen e djeshme.
- Në tribunën qendrore dje nuk ka munguar ministri i Financave, Ridvan Bode dhe pranë tij ndodhej presidenti Agim Zeqo dhe donatorët e tjerë të Skënderbeut.
- Endri Vrapi, mbrojtësi i Skënderbeut, për herë të pare, që kur ka ardhur në Korçë, e ka ndjekur ndeshjen për 90 minuta nga stoli, pasi nuk u preferua nga trajneri Levi.
- Xhafaj në 5 javë nuk po del dot te goli. Ndaj peqinasve në javën e 3-të, ai goditi dy herë shtyllën, ndërsa dje goditi një herë traversën.