Faik Konica në kujtesën e Evropës

WxP

Staf në FV.AL
Një vit më parë një miku im kineast erdhi në Francë të fiksonte gjurmë e rinisë së Faik Konicës, vendet ku kishte jetuar ai. Një shekull kishte kaluar dhe shumë pak gjëra njiheshin rreth rinisë së tij. Brenda një kohe të shkurtër ai xhiroi veçse disa pamje të "Collège de France", qytezën e vjetër të Carcassone-s, rrugë e kafene të Parisit, pa mundur padyshim të fiksonte dimensionin e vërtetë të figurës së tij, vetë atë shpirt që ishte mbrujtur me një kulturë të jashtëzakonshme dhe që shfaqej tashmë në Paris si një intelektual i kalibrit evropian. Edhe pse i ardhur nga një cep i humbur i Ballkanit, ky njeri, do të bëhej referencë e debatit intelektual në qendër të Evropës. Kjo referencë spikati jo vetëm në studimet e tij mbi gjuhësinë, por në veçanti me miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë që ai pati me një nga figurat më në zë të simbolizmit francez, poetin e madh Apoliner, (Guillaume Apollinaire), i cili nuk mungoi të bëhej bashkëpunëtor i tij dhe të angazhohej për çështjen shqiptare.
Vitet në Francë më kanë dhënë mundësinë të ndjek itinerarin francez të jetës së këtij njeriu, që ka lënë aq gjurmë në jetën e shqiptarëve. Në fillim në qytetin mesjetar të Lissieux që shquhet për katedralen e ngritur në kujtim të Saint Thèrese. Pikërisht atje, jo larg bregut të mjegullt normand, ai kishte kaluar vitin e parë të largimit të tij nga Shqipëria. Më 2 tetor 1892, ai ishte regjistruar në "Lycée de Lisieux", kur për herë të parë do të bënte një jetë të vetmuar mes francezëve në klasë "cinquème", nën emrin Schischo'Go Faïk, i lindur në Konitza më 1875 (Konicë). Ende sot, në arkivat e shkollës ruhet emri i nxënësit shqiptar që vinte nga një vend ende i panjohur: Shqipëria. Por klima e lagësht e Normandisë nuk i priu pinjollit shqiptar, kështu familja vendosi ta çonte drejt jugut, me një klimë mesdhetare. Një vit më vonë rruga do ta çonte drejt atij vendi të ngrohtë, një qytet i hershëm mesjetar me një kështjellë magjepse e me plot histori të çuditshme e barbare. I rrethuar nga historitë e "katarëve", ai kishte vazhduar aty studimet e mëpasme, ku gjithnjë do të dallohet si një nxënës shembullor, ku vlerësohet në fund të vitit me një çmim-nderi "prix d'honneur", në "retorikë". Pasi vizitova Carcassonne-n, qytet që mahnit çdo vizitor, një ditë zbrita në Dijon, qytet hijerëndë edhe ky, e më pas në Montpellier, të njohur për qytezën e universitarëve. Më pas, kur arkeologu Muzafer Korkuti do të vinte në Paris të fliste në "College de France" për prehistorinë e Shqipërisë, kulturën dhe kohën antike, së bashku do të kujtonim se pikërisht këtu, një shekull më parë, Konica ndiqte ligjëratat e mjeshtërve të mëdhenj të linguistikës e të historisë. Këtu ai ndoqi kurset e gjuhës sankritisht e hindu dhe me mikun e tij, linguistin e njohur Louis Bellow, ai nisi të mësonte dhe gjuhën hebraishte.
Në Francë Konica njohu Molierin, Volterin, Diderone... Në shkrimet e tij të mëvonshme, ai nuk harron të përshkruajë historinë e këtij vendi, të shkruajë për dyndjet normande të Robert Guiscard gjer në brigjet shqiptare, për anzhuinet dhe shqiptarët, e gjer tek verërat e Burgonjës. Noli thotë se Apolineri e quante atë "enciklopedi lëvizëse". Jules Le Metre fliste me adhurim se "ky i huaj e shkruan kaq mirë gjuhën tonë"... Në bibliotekat e Parisit ai rrëmoi vite me radhë duke studiuar historinë e romakëve, galëve, grekëve, shqiptarëve. Një ditë një libër i rrallë i kish rënë në duar dhe e kish çmendur nga gëzimi. Ishte një libër i vjetër i një murgu gjerman, Brokard, i cili, siç na thotë vetë Konica, më 1332, i kishte kushtuar një libër Filip de Valois, mbretit te Francës: "Sado që shqiptarët kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, - shkruante ai, - prapëseprapë ata kanë në përdorim dhe në të gjitha librat e tyre shkronjën latine". Faiku bëri pyetjen se në qoftë se më 1332 ekzistonte një literaturë në gjuhën shqipe, atëherë është e qartë se shkrimi i gjuhës amtare do të ketë nisur shumë më parë. Madje dhe pseudonimin e famshëm të tij Thrank SpiroBeg, ai e kishte gjetur tek personazhi i një prej romaneve të Léon Cahun, zëvendës konservatori i bibliotekës së madhe "Mazarine", në romanin "Hassan le janissaire".
Padyshim që një nga miqësitë më të bukura të Faikut, këtij "princi të gjuhës shqipe", siç e quante Noli, ishte miqësia e tij me Gijom Apolinerin. Edhe kur iku nga Franca, Faiku do të vazhdonte si bashkëpunëtori i revistës së e Apolinerit "Festin d'Esope" dhe do të shkruante në gazetën intelektuale pariziane "Mercure de France". Apolineri si dhe shumë poetë pararendës të epokës se tij, i këndoi shumë dashurisë. Gjatë një historie të tillë dashurie poeti francez piketoi publicistin shqiptar Faik Konica, drejtorin e revistës "Albania", mikun shqiptar, për të cilin vite më radhë ai do të ushqejë një respekt e simpati të veçantë. Konica dhe Apolineri u njohën në fillimet e këtij shekulli. Që të dy ishin njerëz me kulturë të gjerë, poliglotë dhe me njohje të shumta në rrethet letrare artistike. Pikëtakimet e para ishin në vitet 1903 dhe 1904 gjatë udhëtimeve që Apolineri bëri në Londër, i dashuruar pas Annie Playden, kur kishin qenë bashkë në brigjet e Rinit. U njohën në një kohë kur Konica luftonte me forcë për çështjen shqiptare dhe identitetin nacional. Apolineri ende në atë kohë nuk e kishte shpalosur tërë personalitetin e vet artistik. Emri i tij i vërtetë ishte Guillaume Kastrovitzky dhe kishte lindur me 1880. E ëma e tij ishte polake, vajzë e një emigranti. Apolineri studjoi ne Canes, Nicë, Monaco. Më 1899 erdhi në Paris për të punuar për bukën e gojës dhe në orët e lira mbyllej në bibliotekat e kryeqytetit francez.
Konica dhe Apolineri u njohën në një kohë kur në Francë zhvillohej një aktivitet i gjerë letrar e artistik, kur më 1903 vdiq Gogeni dhe Pisaro, kur Romen Rolani përfundoi vepren "Jeta e Betovenit" dhe kur Pier e Mari Kyri u nderuan me çmimin "Nobel". Më 1904 u shfaq në Paris opera e Vagnerit "Tristani dhe Isolda". Mistrali gjithashtu u nderua me çmimin "Nobel", ndërsa Matisse krijonte tablotë më të famëshme të tij. Që më 1902, shkruan historiani i artit Pierre Marcel Adema, studjuesi më i njohur i krejt veprës së Apolinerit, - botohej revista e përjavëshme "Europiani", ku në dhjetor 1903, nën pseudonimin Thrank SpiroBeg ishte botuar shkrimi i Konices " Skicë e një metode për tu duartrokitur borgjezëve"("Esquisse d'une methode pour se faire applaudir des bourgeois"). Bashkëpunimi i Apolinerit me këtë revistë ishte më shumë politik se sa letrar. Ai interesohej për popujt e shtypur si bullgarët, maqedonët, shqiptarët. Adema boton gjithashtu edhe një letër të Apolinerit ku ai ka shkruar : " Ai banonte në "Oakley Cressent City Road. Nuk e kisha parë kurrë. Më ftoi të rrija disa ditë tek ai dhe do vinte të më merrte në stacion." Duke vijuar në studimin e tij për Apolinerin, Adema shkruan se "Dy të dashuruarit, Apolinerin dhe Anin, Konica i priti me përzëmërsi. Më 1904 Apolineri ishte përsëri mik tek Konica, kësaj rradhe në Chingford, (duke qënë se Faiku ishte i martuar, e kishte lënë banesën e mëparëshme). Gjatë këtyre kohëve, Apolineri e Konica u afruan shumë. Prindërit e Anit nuk donin që ajo të lidhej me një poet, kështu e larguan në Amerikë. Dhimbjen të dy miqtë e ndanë së bashku. Faiku e mori me vehte në një udhëtim në Gjermani, ku ngjarje të kësaj periudhe Apolineri do ti dëshmojë në tregimin e shkurtër "Shqiptari", ku në qëndër është një ngjarje që lidhet pak e shume me Konicën.
Në këtë kohë Konica fillon të botojë disa artikuj në revistën e Apolinerit "Festin d'Esope". Më 1904 boton shkrimin "Mistifikimi më i madh në historinë njerëzore". Ndërsa Apolineri boton më janar të 1905, në numurin 7 të revistës "Albania", artikullin " Një profeci bashkëkohore lidhur me Shqipërinë" ( " Une prophètie contemporaine touchant l'Albanie "). Më 1909 ai boton në revistën " Pan " studimin e tij të famshëm " Studim mbi gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale " (" Essai sur les langues naturelles et les langues artificielles ") me pseudonimin Pyrrhus Bardyli, studim që do të hapte një debat në linguistët e njohur të asaj kohe, të cilët ishin trembur nga dalja e gjuhës " esperanto " dhe rreziku që u kërcënohej gjuhëve natyrale. Konica dëshmon me këtë studim se është një intelektual i rrallë dhe i nivelit evropian, madje një njohës i thellë i gjuhës frënge. Ja pse në faqen e parë të këtij libri të botuar në Bruksel, nën titullin " Essai sur les langues naturelles et les langues artificielles ", Apollinaire ka shkruar : " Autori i kësaj eseje : Faik beg Konitza. Eshtë shqiptari më erudit i Evropës ". Në atë kohë Konica i dërgon Apolinerit librat e albanologëve të njohur si Holger Pedersen apo Gustave Mayer, të cilët kishin vlerësuar shumë autoktoninë shqiptare dhe vlerat e një populli me histori të lashtë. Tregimi "Shqiptari" ("L'Albanais") botuar fillimisht në revistën "Messidor" ndërthuret më pas me ngjarjet në romanin e tij "Gruaja që rri ulur", botuar me 1920 pas vdekjes së Apolinerit. Në këtë roman të bije në sy personazhi i Pikasos dhe Konicës, që të dy miq të ngushtë të Apolinerit, që siç e përshkruan vetë ai "Pablo Canouris, piktor me duar blu e që ka sy si të zogut, është me prejardhje shqiptare, i lindur në Malaga të Spanjës. Në karakterin e Canouris përziheshin kështu Spanja dhe Shqipëria. Në dukje ai ishte i tillë, siç janë shqiptarët, njerëz të bukur, fisnikë e trima ".
Pas largimit për herë të dytë nga Londra, Konica dhe Apolineri e ruajtën miqësinë e tyre, shkëmbyen letra ( letra e fundit është e vitit 1913) dhe shkrime për ti botuar në revistat e njëri tjetrit. Më 1912 Apolineri jetonte në bulevardin Saint Germain-des-Près, n° 202, ku pas vdekjes mbeti dhe biblioteka e tij e pasur. Po atë vit ai botoi një nga poezitë e tij më të njohura, "Mbi urën Mirabo", ndërkohë që Konica, që kishte kaluar nëpër universitetet e Kembrixhit, Harvardit dhe Masaçusetit, meritonte titullin "Mjeshtër i Arteve në letërsi". Njohja me Konicën e shtyu Apolinerin të njihej me historinë e kombit shqiptar dhe të prononcohej ndaj kësaj historie. Fillimisht ai lexoi me interes numrat e revistës "Albania". Veçanërisht e tërhoqi ne atë kohë dhe studimi për Shqipërinë e Eliza Obri (Aubry). Në këtë studim, duke folur mbi absurditetin e qeverisjes së Princ Vidit, ajo pohonte domosdoshmerinë që Franca dhe fuqitë evropiane ta shihnin realisht historinë dhe fatin e këtij populli. Parathenia e Apolinerit në këtë studim është e shkurtër. Ai rikujton udhëtimin në Shqiperi të lord Bajronit. "Ndryshe nga popujt e tjerë të perandorisë otomane që ruajnë ende përkatësitë fetare, shqiptarët dallohen më shumë për intolerancë fetare dhe për ndjenjat e tyre kombëtare. "Zonjusha Obri, - shkruan ai, - dallon mirë karakterin nacional të shqiptarëve, gjenia e të cilëve zotëron në të gjithë botën otomane". "اështja shqiptare, shkruan me tej ai, diplomatëve të mëdhenj që rregullojnë fatet e botës u duket tepër e vogël, përballë këtij universi kaq të trazuar. Ndoshta një ditë, tepër të shqetësuar do të shkojnë në Janinë ose në Krujë, kryeqytetin e vjetër të Skënderbeut, për të vendosur me një dorë të pasigurtë themelet e një Evropë të re...Bëhet fjalë padyshim për një racë të ndershme, të denjë për tu mbrojtur dhe që vështron me shpresë Francën , e cila tashmë e kupton se çdo të thotë mosinteresimi i saj".
Interesin e Apolinerit për Shqipërinë e tregon edhe shkrimi i tij i gjatë "Tri princër të rremë të Shqipërisë" (" Trois faux princes d'Albanie ") të botuar në revistën "L'europeen", me 1904. Në të bëhet fjalë për pretendimet për fronin e Shqipërisë të të ashtuquajturve princër, "trashëgimtarë të derës së Kastriotëve", të Skënderbeut. Duke shfletuar korespondencën e të vëllait të Apolinerit, gjen të flitet aty dhe për Konicën. Eshtë dhjetor i vitit 1907 kur Alberti, vëllai i Apolinerit, ka shkuar të punojë në një bankë të Londrës dhe sipas porosisë së vëllait të takohet me Spiro Beg, për ti dhënë gjithashtu një libër të sapo botuar të Apolinerit. "Të shtunën isha tek Spiro Beg, i cili ishte mjaftë i dashur, - shkruan Alberti. - Ai më pyeti se cili është ai autor, të cilin ju e kini lexuar së bashku dhe që është bërë i famshëm nga vargjet "oh sa e gjatë është nata në këtë dhimbje që nuk shuhet"...Në një letër tjetër ai shkruan se "Konica ka tmerr të madh nga mishi i ngrirë dhe trembet ta hajë"...Në mars të vitit 1908 ai i thotë Apolinerit se " meqë nuk e njoh gruan e Konicës nuk kisha si ta pyesja për gruan e tij. Por duket qartë se tani ai jeton vetëm..."Të shtunën e kaluar e kaluam darkën bashkë dhe i thashë se ti më kishe pyetur për gruan e tij. Ai më tha se ishin zënë dhe se ajo kishte shkuar tek nëna e saj, por ai shpreson se ajo do të kthehet pas tri muajsh, megjithese faji ishte i saj." Në korrik 1908, nga Londra, Alberti i shkruan përsëri të vëllait se " Konica banon në Hampstead, një lagje ku banojnë shumë gjermane dhe që sipas shprehjes së Konicës ishte një lagje "shik" por me një pazar jo dhe aq të shtrenjtë. Shumë aktorë banojnë fare pranë tij". Nga fundi i gushtit, pra një muaj më vonë ai e njofton Apolinerin se nga Konica s'kishte më asnjë lajm. Në fakt është koha kur Konica nis udhëtimin e tij drejt Amerikës, në Boston, ku takohet me Nolin, i cili çuditet kur e sheh veshur me fustanellën shqiptare..
Gjatë luftës së parë botërore Apolineri i mobilizuar në luftë, plagoset. Ishte nëntori i vitit 1918. Por fill pas kësaj i prekur nga nje tifo që po bënte kërdinë atë kohë në front, ai vdes. Nuk dimë se çfarë ka shkruar Konica kur ka marrë lajmin për vdekjen e mikut të tij, për humbjen e poetit të madh dhe pararendësin e poetëve simboliste. Me siguri, para syve të tij është shfaqur poeti i madh dhe shëtitjet e tyre, bisedat dhe ëndjet e tyre, me siguri i është shfaqur përsëri Sena, urat mbi lumë, ura e famëshme Mirabo, e cila sikur përcjell ende ehon e vargjeve të poetit të madh francez në poezinë Ura Mirabeau.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top